O muslimanë,

Ja, tashmë e përcollëm muajin bujar dhe fisnik, muajin e agjërimit, namazit dhe Kuranit, muajin e mirësive dhe veprave fisnike. Fitoi kush fitoi dhe humbi ai që humbi.

Bëjmë pyetjen: Cilit nga ne, të gjitha këto i janë bërë kabull që t’ia urojmë dhe cilit  i janë refuzuar ibadetet – Zot na ruaj – që t’i japim gajret dhe ta ngushëllojmë?!

Ju që agjëruat,

Kjo ditë për ju është ditë e madhe, festë madhështore. Sot dalin rezultatet dhe sot ndahen shpërblimet, sot gëzohen ata që kanë punuar dhe janë munduar në Ramazan. Disa iu rrekën punës dhe fituan ndërsa të tjerë ishin dembelë dhe asgjë nuk fituan. Sot gëzohen ata që faleshin, ndërsa ndihen keq përtacët, gjumashët dhe ata që talleshin.

Shpërblimet, mirësitë dhe gëzimet që Allahu na i mundëson sot janë vetëm një pjesë nga shpërblimet që Allahu i ka përgatitur për agjëruesit. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë:

“Allahu ka thënë: Agjëruesi ka dy gëzime të cilave u gëzohet, kur të bëjë iftarin (bajramin) dhe kur ta takojë Zotin, do të gëzohet me agjërimin që e ka bërë” për shkak të shpërblimeve të mëdha që Allahu i ka përgatitur për agjëruesit.

Zoti i Madhërishëm, kur e di se cili prej krijesave e meriton mirësinë, dashurinë, njohjen dhe njësimin e Tij, ia bën këto gjëra atij të dashura dhe e vendos në udhën e tyre, ia vendosë ato thellë në zemër, i jep sukses, i vjen në ndihmë dhe ia lehtëson rrugët. Veç kësaj Allahu ia mbyll atij rrugët që e largojnë prej Allahut dhe më pas e mbikëqyr dhe e ndihmon me butësinë, lehtësinë, rregullin dhe edukimin e Tij, shumë më mirë sesa përkujdesja e prindit të mëshirshëm e të dhembshur me fëmijën e tij. Zoti sillet gjatë gjithë kohës me robin e Tij me butësi, e veçon atë me mirësinë dhe mëshirën e Tij, i vjen në krah me ndihmën dhe suksesin e Tij, e kështu robi i Tij shton njohjen për Zotin e tij, dashurinë, pendimin, mbështetjen dhe nuk do tjetër veç Tij askënd, nuk adhuron bashkë me Të asnjë. Ky është ai që njeh vlerën e së mirës, njeh Allahun, pranon mirësinë e Tij dhe e harxhon atë në kënaqësinë e Tij.

Pra, mos besoni se dikush tjetër mund të barazohet me Allahun,  nuk ka askush përveç Tij që mund t’ju sjellë dëm e as dobi. Kush beson ndryshe, ai ka bërë shirk. Shirku padyshim që është gjynahu më i madh, siç tregohet kjo nga Ibën Mesudi, që thotë: i thashë: “O i Dërguari i Allahut, cili është gjynahu më i madh tek Allahu? Ai tha: “T’i sajosh Allahut ortak, kur është Ai që të ka krijuar ty.”

 

O njerëz,

Islami është fe e ngritur mbi baza dhe themele të forta, është fe nga Zoti jonë. Aty janë të përmbledhura ligjet e Allahut, të dobishme për gjithkënd. Është fe e plotë që i drejtohet logjikës dhe e thërret njerëzimin për të shpresuar dhe për të pasur frikë Allahun e madhëruar.

Feja Islame është fe e qartë, larg besëtytnive, gjërave të kota dhe paqartësive. Është udhëzim që nuk ka nevojë të vërtetohet me përvoja. Islami është sirati mustekim, i vetmi i vërtetë që të mëson rrugën drejt xhenetit dhe të mbron prej xhehenemit.

 

O besimtarë të dashur,

Çështja e namazit në Islam është e lartë dhe shumë e madhe. Namazi është shtyllë e fesë, letër njoftim për besimtarin dhe amaneti më i madh. Ai që bën namaz edhe punët dhe fjalët i ka më të mira. Namazi u bë farz në vendin më të lartë dhe më të ndershëm, mbi shtatë qiej, atëherë kur udhëtoi për në Miraxh. Ai që falet, e fiton nurin e fytyrës dhe zemrës, e rregullon fenë e tij dhe shpirtin. Me namaz fshihen gjynahet, fitohet risku e po ashtu edhe bereqeti, Allahu thotë:

 

“Urdhëroje familjen tënde le të falen dhe bë durim në këtë, nuk kërkojmë riskun nga ti, Ne të japim riskun”.

Puna dhe malli hallall ta shpëtojnë fenë dhe ta ruajnë nderin. Mundohu o musliman që të mos hash asgjë përveç hallallit dhe të mos e derdhësh pasurinë tënde përveçse në hallall, sepse siç thonë dijetarët: sikur të bëje ibadet pandërprerë nuk do të bënte dobi nëse nuk e shikon se çfarë ke hëngër! Ngrënia e haramit ta qorron shikimin e zemrës, e largon bereqetin, shkakton përçarjen dhe urrejtjen dhe e pengon pranimin e duave, sepse Allahu pranon vetëm nga të devotshmit. Kënaquni me hallall dhe falënderojeni Allahun pandërprerë. Ai thotë:

“Zoti juaj ju lajmëron që nëse ju falënderoni, Unë do t’ua shtoj”. Pra, me falënderim të mirat që i kemi shumëfishohen.

Shtëpitë më të mira të muslimanëve janë ato shtëpi ku ka jetim, të cilin e rrisin me kujdes dhe përgjegjësi. Mbikëqyrja e jetimëve dhe njerëzve të ngratë është argument i njerëzisë dhe dashamirësisë. Kush e bën këtë, Allahu e mbron – inshalla – nga sprova dhe belaja.

O muslimanë,

Njeriu është i vogël kur është vetë por është i madh kur ka vëllezër dhe shokë. Doni njëri-tjetrin për hir të Allahut, kjo është argument për islamin tuaj dhe kështu do të ndjeni ëmbëlsinë e imanit. Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe devotshmëri, e jo në të këqija dhe armiqësi, ndihmojeni njëri-tjetrin për të bërë një xhami e mos e ndihmoni njëri-tjetrin të siguroni ndonjë lokal ku do të pihet raki. Ruajeni fenë e Allahut, e Allahu do t’ju ruajë juve dhe do t’ju bëjë të kënaqeni me jetën dhe familjen tuaj që në këtë dynja para se t’ju japë xhenetin e gjerë sa qiejt dhe toka.

 

Xhemat i dashur,

Familja e njeriut janë njerëzit më të rëndësishëm, më së shumti meritojnë interesimin, nderimin dhe mbrojtjen. Kush i mban lidhjet me farefisin, kjo ia shton evladët dhe pasurinë, i jep bereqet në risk, sukses në jetë dhe rehati në shtëpi. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë:

“Kush do që t’i zgjerohet risku dhe t’i shtohet jeta, le t’i mbajë lidhjet familjare”.

Mbajtja e lidhjeve familjare është shenjë e shpirtit të mirë dhe mendjes së mençur. I afërmi yt është një copë e jotja, nëse atij i bën mirë, i ke bërë vetvetes, nëse ndaj tij bëhesh koprrac, je bërë ndaj vetvetes. Nëse ndaj të afërmve s’mund të bësh më shumë, atëherë thuaj fjalë të mira sepse ato janë nderim, shpresë dhe bukuri.

Farefisi ndonjëherë flet edhe gjëra të gabuara, mund të të prekin dhe nënçmojnë. Nëse kjo ndodhë me ty, atëherë përmbaju faljes edhe më fuqishëm, sepse faljen e bëjnë vetëm njerëzit e mirë. Ndërsa armiqësimi me akrabanë është sherr dhe bela e keqe, kush mendon se është ngritur, ai në të vërtetë është poshtëruar dhe kush mendon se ka fituar, në të vërtetë ka humbur. Çdo anëtar i farefisit, ditën e Kiametit do të vijë dhe do të dëshmojë nëse i ka mbajt lidhjet me të apo i ke këputur dhe e ke harruar.

Le të jetë kjo ditë e Bajramit nisma jote për të varrosur sjelljen e keqe ndaj farefisit, për të mbyllur fletoret e gabimeve dhe zemërimeve. Përmirësoje sjelljen tënde duke i vizituar fytyrëçelur, duke i dhënë selam të ngrohtë, me sjellje të bukur, fjalë të mira, buzëqeshje të sinqerta, vizita, takime, telefonata, dërgime dhuratash, ndihma materiale etj.

O motra muslimane,

Ju mund të mbetni gra të mira vetëm nëse i përmbaheni edukatës islame, duke folur fjalë të mira, mos dilni nga shtëpia pa nevojë, mos i hiqni mbulesat sikurse bënin gratë e prapambetura herët dhe gratë e prapambetura sot, faleni namazin, jepeni zeqatin, respektojeni Allahun dhe të Dërguarin, respektojini sinqerisht burrat tuaj, ruajeni nderin tuaj. Përmbajuni mbulesës islame, e cila është shenjë e frikës suaj prej Zotit dhe shenjë e moralit tuaj. Lexojeni Librin e Allahut, jepni sa më shumë sadaka që mundeni, qoftë edhe prej stolive dhe zinetit tuaj, do të gjeni shpërblimet e panumërta tek Allahu i Madhërishëm.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë:

“Gruaja, nëse i falë pesë të sajat, e agjëron muajin e saj, e ruan nderin e saj dhe respekton burrin e saj, le të hyjë në xhenet nga cila derë të dojë vetë ajo”.

Vërtet, ata që thërrasin dhe pretendojnë për liritë dhe të drejtat e gruas, nuk janë më shumë se pretendime të rreme, nëpërmjet të cilave fillimisht kanë interesa personale e pastaj duan të shfryjnë edhe nevojën e tyre shtazarake që gruan si krijesë ta nënçmojnë dhe të lozin me to si të duan, duke i thënë se edhe ajo duhet të punojë sikurse burri, duhet thënë stop udhëheqjes së burrit, duhet thënë stop lindjes së fëmijëve… por e gjithë kjo – o motra të nderuara – e ka vetëm një kuptim: Nëse ti, ato fjalë i pranon, nuk do të jesh më grua por as burrë nuk bëhesh dot. Prandaj, kënaqu me natyrën në të cilën të ka krijuar Krijuesi më i mirë dhe gjeje vendin i cili të përshtatet.

O burra, Kini frikë Allahun dhe mos harroni se jeni përgjegjës për familjet tuaja. Bëhu dashamiri i shtëpisë tënde, bëhu i sjellshëm me gruan sepse Pejgamberi yt, sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Më i mirë ndër ju është ai që është më i miri me familjen e tij, ndërsa unë jam më i miri që sillem me familjen”.

O muslimanë,

Ramazani shkoi, të gjithë keni agjëruar dhe keni bërë punë të mira. Kujdes, prej sot, mos i harroni adhurimet për çdo ditë, mos e prishni sjelljen tuaj me Allahun dhe bëhuni muslimanë të devotshëm gjatë gjithë kohës.

Po ju përkujtoj me një këshillë të ngjashme sikur Ebu Bekri, radijallahu anhu, që i këshilloi shokët e tij kur Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem ndërroi jetë. Po ju them: Kush e adhuroi Ramazanin, le ta dijë se Ramazani shkoi, e kush e ka adhuruar Allahun sinqerisht, le ta dijë se Allahu është me neve përgjithmonë, na sheh dhe dëgjon në çdo çast.

Pra, o musliman, Fale namazin rregullisht dhe mundësisht me xhemat,

Ti që nuk i respekton prindërit, pendohu dhe dije se pendimi pranohet edhe pas Ramazanit,

Ti që nuk je i drejtë me gruan, pendohu

Ti që nuk je i drejtë me fëmijët, pendohu

Ti që i bën padrejtësi komshive, pendohu

Ti që i nënçmon njerëzit, i përgojon, i fyen dhe u bën padrejtësi, pendohu dhe dije se pendimi pranohet edhe pas Ramazanit.

Allahu na i pranoftë adhurimet tona dhe na shpërbleftë me xhenetin më të lartë, xhenetin firdeus, të qëndrojmë së bashku me pejgamberët, të sinqertit, shehidat dhe njerëzit më të mirë.

Omer BERISHA

(kjo hutbe u mbajt në Ulm – Gjermani, në vitin 2009)