Vëllezër të dashur!
Zekati është shtylla e tretë në Islam, pas dëshmisë dhe namazit, e që njëherazi është prej pesë themeleve të Islamit, bazuar në hadithin ku thuhet: “Islami është ngritur mbi pesë shtylla; dëshmia se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, shkuarja në haxh dhe agjërimi i ramazanit.”
Obligimi i zekatit është i ngjashëm me obligimet tjera, si fjala vjen namazi, agjërimi apo haxhi, ndaj roli dhe pozita e tij është e njëjtë me adhurimet tjera, ndonëse në praktikë zekati
Zekati krahas namazit ka ardhur në Kur’an i përsëritur hiq më pak se 82 herë, saqë nganjëherë lë përshtypjen se sikur këto dy obligime të rëndësishme të jenë një tërësi. Allahu i Madhërishëm thotë:
وَأَقِيمُوا الصَّلَاةَ وَآتُوا الزَّكَاةَ …
“Kryeni faljen (namazin) dhe jepeni zeqatin…”
Përderisa është obligim i domosdoshëm, ai që e mohon me qëllim, del nga Islami, e ai që i ka mundësitë dhe nuk e jep zekatin është një gjynahqyr i madh.
Pejgamberit s.a.v.s. tha: “Një popull që nuk e jep zekatin, ata do t’i dënojë Allahu me thatësira. Sikur të mos ishin kafshët, nuk do të reshte asnjë pikë shiu.”
Zekati është obligim të jepet prej pesë llojeve të pasurive:

1- Zekati i kullotave apo bagëtive, ku hyjnë devetë, lopët, dhentë e dhitë

Në lidhje me këtë i Dërguari i Allahut ka thënë: “Secili pronar i deveve, lopëve dhe dhenve që nuk e ka dhënë zekatin e tyre, do të dalë në Ditën e Gjykimit dhe do t’i vinë ato më të mëdha e më të majme sesa kanë qenë dhe do ta godasin me brinjët e do ta shkelin me këmbët e tyre. Sa herë që kalon e fundit, kthehet e para dhe kështu vazhdon deri sa të mbarojë gjykimi mes njerëzve.” (Muslimi nr. 987.)

2- Ari, argjendi dhe valutat bashkëkohore, ku hyjnë ari dhe argjendi dhe çdo gjë që e zë vendin e tyre, siç janë valutat në letër që përdorën në kohën aktuale.

I Dërguari i Allahut në këtë kontekst thoshte: “Secili pronar i arit dhe argjendit që nuk e jep të drejtën e tyre që kërkohet, kur të vijë në Ditën e Gjykimit atij do t’i bëhen pllaka prej zjarri të cilat do të nxehen në zjarrin e Xhehenemit dhe me to do t’i fërgohen balli, shpina dhe krahët. Sa herë që ftohen nxehen përsëri. Kjo i ndodh në një ditë që është sa pesëdhjetëmijë vite.” (Muslimi nr. 987.)

3- Malli i tregtisë, që konsiderohet secili send që është bërë gati për shitblerje me qëllim përfitimi.

4- Të vjelat dhe të korrurat, ku është për qëllim produktet që vjelën dhe që korren, e që për to Kur’ani thotë: “Jepni atë që është detyrë (zekatin) në ditën e vjeljes së tyre!” (En’am: 141).

5- Pasuritë nëntokësore dhe thesaret e fshehura, ku është për qëllim mineralet xeherore, pasuritë e ndryshme që gjendet në brendësi të tokës dhe thesaret e ndryshme, si ari, argjendi, bakri e të ngjashme.

Nisabi në të korrura dhe në të vjela
Përderisa jemi në kohën e të korrurave, është me rëndësi të përmendim se për grurin, elbin, rrushin, pemët dhe produktet tjera që ne i mbjellim, duhet ta ndajmë zekatin e tyre nëse kemi më tepër se 653 kg. Kurdo që dikush e posedon atë sasi duhet të ndajë 10% prej asaj shume nëse ujitja është bërë nga shiu. E nëse ujitja e tyre është bërë me spërkatje (ujitje artificiale), atëherë gjysma e një të dhjetës (5%).

Koha e nxjerrjes së zekatit
Koha e nxjerrjes së zekatit bëhet atëherë kur të mbjellat dhe frutat vjelën, që nënkupton se ai që ka grurë, zekatin e tij e jep atë ditë që bëhet korrja e grurit, apo ai që ka pemë e jep zekatin ditën kur i vjelë ato. Allahu i Madhëruar ne lidhje me këtë thotë:
… كُلُوا مِن ثَمَرِهِ إِذَا أَثْمَرَ وَآتُوا حَقَّهُ يَوْمَ حَصَادِهِ ۖ … ‎﴿١٤١﴾‏
“…Hani frutat e tyre kur të piqen dhe ditën e korrjes (të vjeljes) së frutave jepeni atë pjesë që është obligim (të varfërve e nevojlive)…”

Të dashur besimtarë!
Jemi në kohën e të korrurave dhe të vjelurave, andaj ta kryejmë këtë obligim, sepse nëse nuk e ndajmë zekatin e tyre, do të dalim para Allahut si gjynahqarë dhe rebelues ndaj urdhrave dhe dispozitave të Allahut. Allahu e shton bereqetin nëse ne e ndajmë zekatin dhe se dhënia e zekatit e pastron pasurinë dhe sjell mirësi e hajr të madh. Mos të bëhemi koprrac,por ta qojmë në vend urdhin e Allahut!
U bëjmë me dije se ka disa vite që ne si Këshill i Bashkësisë Islame të Kosovës, bëjmë grumbullimin e grurit të cilin e shndërrojmë në miell dhe atë miell e shpërndajmë për familjet në nevojë. Vlen të përmendet se aktivitetin humanitar që e kemi nisur tash e një kohë të gjatë jemi duke e vazhduar. Çdo muaj i ndihmojmë 70 familje në Komunën e Vushtrrisë me gjëra esenciale e të nevojshme. Tashmë Këshilli ynë është bërë adresë serioze për ndihmë ndaj familjeve nevojtare. Kontributi juaj është ndihmë direkte ndaj atyre që kanë nevojë.