Hyrje
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Është kjo xhumaja jonë e parë, pas një shkëputjeje prej dhjetë javësh, për shkak të rrezikut të shfaqur nga pandemia COVID-19, andaj ajo që sot themi me gojën plot është elhamdulilah që Allahu xh.sh. na mundësoi t’i kthehemi normalitetit dalëngadalë dhe të kthehemi prapë në shtëpitë e Tij.

Xhemat i nderuar!
Për ne, si besimtarë, sprovat kanë kuptim të veçantë. Ato nuk janë momente mbylljeje në vete e shkatërrimi emocional e shpirtëror, por momente reflektimi.

Allahu i madhëruar na ka treguar në Kuran se ne do të na vërë nëpër sprova, Ai na ka thënë:
و لنَبلونّكم
“Gjithsesi do t’ju vëmë nëpër sprova…”

Bën përshtypje që foljes “لنبلون” me të cilën na e ka dhënë lajmin se do të na sprovojë, ia ka shoqëruar dy elemente gramatikore (ai lami dhe ai nuni me teshdid), që përdoren për të dhënë kuptime sigurie për lajme ndaj të cilave mund të ketë dyshim ose mosbesim paraprak. Kështu Allahu i madhëruar sikur po na thotë: o njerëz, ju mund të mendoni se arritët apo se do të arrini një stad jetese kur të mos keni më asfarë telashesh, por ta dini se Unë kam bërë ligj të kësaj jete që ju, ndër të tjera, edhe të viheni nëpër sprova, në të cilat duhet të dëshmoheni.

Sprovat duhet të na shërbejnë si momente reflektimi, jo shkëputjeje. Ne besimtarët, nuk e humbasim shpresën në Allahun xh.sh., pavarësisht sprovave dhe vështirësisë së tyre, sepse:
– në sprova pastrohemi nga mëkatet; sprova është si zjarr në të cilin digjen mëkatet ashtu siç hekurit të papërpunuar i digjen elementet e tjera për ta shndërruar në hekur të pastër .
– Allahu na ka premtuar se pas vështirësisë vjen lehtësimi dhe se pas përmirësimit vjen mirëqenia .
– Këto dimensione sprovën e shndërrojnë në moment përfitimi për besimtarin. Jo vetëm durimi por edhe mundësitë për reflektim personal e familjar. Allahu deshi që kjo sprovë e madhe të jetë në muajin e Ramazanit, por për ne besimtarët (siç do të shprehej dr. Mehmet Gormez) ishte një mirësi fillestare nga Allahu xh.sh., pasi që për ta kaluar izolimin dhe mbylljen në shtëpi, Ramazanin e patëm mikun më të mirë, mysafirin më të dashur. Vlerësimet e pothuajse çdo besimtari se ‘Ramazan më të lehtë nuk kemi përjetuar që moti’ janë dëshmia më e mirë për mirësinë e këtij miku.
– Pandemia nuk na ktheu në pikën zero por në rrënjë, në bazë, në vendin ku gjejmë prehjen shpirtërore më të madhe, në familje. Na ktheu tek përgjegjësia më e madhe shoqërore. Ndonjëherë obligimet e jetës na pamundësojnë që t’i përkushtohemi familjes, kështu që kjo sprovë na kompensoi humbjen që kemi pasur në këtë aspekt.
– Sprova na bëri më solidarë se kurrë më parë. Ndihmuam dhe ngushëlluam njëri-tjetrin me aq sa patëm mundësi. Kjo ka rëndësinë e vet pasi vepra e mirë konsiderohet tregues i kthimit kah Allahu, pendimi, dhe rrjedhimisht është shenjë e parë e largimit të sprovës.
– Sprova na ktheu pranë leximit dhe meditimit. Kur dijetarit me renome botërore, Abdullah b. Mubarekut, i kishin thënë se a nuk mërzitej për shkak se rrinte gjatë i mbyllur në shtëpi, ai qe përgjigjur: Si të mërzitem kur unë e kaloj kohën me të Dërguarin e Allahut dhe shokët e tij?! , respektivisht me hadithet dhe fjalët e tyre.

Vëllezër të nderuar!
Kjo sprovë na ka dhënë edhe dy mësime, pa të cilat jeta shoqërore nuk mund të funksionojë natyrshëm. Është fjala për konceptin e lirisë së veprimit, i cili nuk është i pakufizuar. A nuk kemi me qindra shembuj se si virusi u shpërnda thjesht për shkak të shpërfilljes së përgjegjësisë. Nga perspektiva fetare, moskushtëzimi i lirive nënkupton ekspozimin e shoqërisë para shkatërrimit të përgjithshëm. Pejgamberi a.s., ka marrë shembull anijen, në të cilën, nëse i lihet mundësia dikujt të bëjë ndonjë vrimë në të, atëherë do të fundosen të gjithë. Me fjalë të tjera, nëse ne lejojmë njerëzit që, duke u mbështetur në liritë personale të veprojnë çfarë të duan, do të shkatërrohemi të gjithë.
Mësimi tjetër ka të bëjë me respektimin e autoriteteve. Po të mos respektonim masat e ndërmarra nga autoritetet tona fetare dhe ato shtetërore, gjendja do të ishte shumë më keq. Për këtë shkak, Kurani na mëson që qendrës vendimmarrëse t’i drejtohemi dhe ta respektojmë, veçmas në momente të vështira .

Përmbyllje
Të dashur vëllezër!
Ne ende jemi duke u ballafaquar me këtë sprovë dhe këtyre mësimeve që fillimisht kemi marrë prej saj duhet t’u kushtojmë rëndësi maksimale edhe më tej. Edhe më tej na duhet t’i respektojmë masat, t’u referohemi autoriteteve tona dhe të respektojmë vendimet e tyre, të tregojmë solidaritet e humanizëm, ta këshillojmë njëri-tjetrin dhe të urdhërojmë për të mirë e kundër së keqes.
Kështu, me ndihmën e Allahut xh.sh., do t’ia dalim!