[ad_1]

vijon nga pjesa e parë: Cilësitë e Profetit (alejhi selam) dhe prejardhja e tij

E treta: Ai ishte njeriu më i mirë në moral dhe në fizionomi

Për moralin e tij të lartë, mjafton si dëshmi, fjala e Allahut të Madhëruar që thotë: “Me të vërtetë ti je në një gradë të lartë të moralit.” (Kalem, 4)

Sado që të flasim për moralin e Profetit (alejhi selam), nuk mund t’ia japim peshën që meriton. Kur U pyet Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) për moralin e të dërguarit, ajo u përgjigj duke thënë: “Morali i tij ishte Kurani.” [E përcjell Muslimi me nr 746].

Duke studiuar historinë e tij, si dhe duke lexuar hadithet profetike që flasin për cilësitë e tij morale, para nesh shfaqen fragmente nga modestia e shoqëruar me madhështi, turpi i shoqëruar me trimëri, bujaria e sinqertë larg dëshirës për t’u dukur, besnikëria e njohur mes njerëzve, sinqeriteti në fjalë dhe vepra, asketizmi ndaj dëshirave të dunjasë kur ajo i vinte, mospreokupim për të kur ajo (dunjaja) largohej, sinqeriteti ndaj Allahut në çdo gjë që vepronte, pa lënë në harresë gjuhën e kulluar arabe, zemrën e paluhatur, mendjemprehtësinë, kuptimin e logjikshëm, mëshirën ndaj të madhit dhe të voglit, butësinë, ndjeshmërinë ndaj të tjerëve, dëshirën për ta falur dhe për ta mëshiruar atë që bën vepra të këqija, distancimin nga vrazhdësia, ftohja e ngurtësia, durimin në kohët e vështira, dhe guximin për të folur të vërtetën. [Sira es Sahiha, Ekrem Dija el Umeri fq 89].

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: “Profeti (alejhi selam) ka qenë njeriu me moralin më të mirë.” [E përcjell Muslimi me nr 2301].

Enesi, përsëri tregon: Nuk kam prekur as kadife e as mëndafsh më të butë se pëllëmba e të dërguarit të Allahut. Nuk kam nuhatur asnjëherë aromë më të mire, se aroma e të dërguarit të Allahut. I kam shërbyer atij dhjetë vite dhe nuk më ka thënë kurrë ‘of’. Apo për ndonjë gjë që e bëja; pse e bëre kështu? Apo për gjërat që nuk i bëja; Pse nuk e bëre kështu?” [E përcjell Buhariu me nr 3561, Muslimi me nr 2330].

Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) thotë: “Sa herë që i është dhënë Profetit (alejhi selam) të zgjedhë mes dy çështjeve, gjithmonë ai zgjidhte më të lehtën prej tyre, përderisa nuk ishte mëkat. E nëse ishte mëkat, ai do të ishte njeriu më i largët prej saj. Kurrë nuk është hakmarrë Profeti (alejhi selam) për veten e tij për asgjë, me përjashtim kur shkeleshin kufijtë e Allahut, atëherë ai merrte hak për Allahun e Madhëruar.” [E përcjell Buhariu me nr 3560 dhe Muslimi me nr 2327].

Gjithashtu ajo (Aisha) tregon: “Profeti (alejhi selam), kurrë nuk ka goditur me dorën e tij, asnjë grua dhe asnjë shërbëtor, me përjashtim kur ka luftuar në rrugë të Zotit. Nëse i është cënuar diçka, ai kurrë nuk është hakmarrë ndaj cënuesit, me përjashtim të rastit kur është shkelur ndonjë nga kufijtë e Allahut, dhe atëherë është hakmarrë për Allahun e Madhëruar.” [E përcjell Muslimi me nr 2328].

Sa u takon cilësive të tij fizionomike (në krijim), mund të flasësh sa të duash. Mjafton fakti se armiqtë e tij nuk arritën të gjejnë në fizionominë e tij qoftë dhe një të metë dhe ta etiketonin me të. Pra, ai me të drejtë ishte njeriu më i mirë në moral dhe në fizionomi.

Ejani të dëgjojmë së bashku, sesi shokët e tij na e cilësojnë të dërguarin e Allahut (alejhi salatu ues selam.

Në përshkrimin e Profetit, Enesi (Allahu qoftë I kënaqur prej tij) thotë: Ishte njeri mesatar, as i gjatë e as i shkurtër, me ngjyrë të çelur, jo e bardhë e hapur dhe as e bardhë e mbyllur, flokët nuk i kishte kaçurela por as të drejta. Kurani i është shpallur në moshën dyzetë vjeçare. Qëndroi në Meke dhjetë vite duke i zbritur shpallja dhe në Medine qëndroi dhjetë vite. U nda nga jeta ndërkohë që në kokën dhe mjekrën e tij nuk kishte më shumë se njëzetë qime të thinjura. [E përcjell Buhariu me nr 3547 dhe Muslimi me nr 2347].

Bera bin Azib (Allahu qoftë I kënaqur prej tij) ka thënë: I dërguari i Allahut (alejhi selam) ka qenë njeriu me fytyrën më të bukur dhe fizikun më të mirë, jo i gjatë që bie në sy dhe as i shkurtër. Kur e pyetën Beranë: A ishte fytyra e Profetit me tipare të mprehta (si shpata)? Ai tha: Jo, ajo ishte si hëna. [E përcjell Buhariu me nr 3552].

Keab bin Malik kur tregon për mospjesëmarrjen e tij në betejën e Tebukut, thotë: “Kur e përshëndeta të dërguarin e Allahut,  fytyra e tij shkëlqente nga gëzimi. Kur gëzohej fytyra e Profetit (alejhi selam) shndrinte si të ishte një pjesë e hënës, dhe këtë e kuptonim nga ai. [E përcjell Buhariu me nr 3556].

Ebu Seijd el Hudriu (Allahu qoftë I kënaqur prej tij) thotë: “Profeti (alejhi selam) ishte më i turpshëm se virgjëresha në rrobën e saj.” [E përcjell Buhariu me nr 3562 dhe Muslimi me nr 2320].

Aliu (Allahu qoftë ikënaqur prej tij) thotë: Profeti (alejhi selam) nuk ka qenë as i gjatë e as i shkurtër, kishte pëllëmbë dhe këmbë të forta, kokë dhe gjymtyrë të mëdha (të plota) dhe qimet e kraharorit të gjata Kur ecte, dukej sikur zbriste nga një tatpjetë. Nuk kam parë as më përpara dhe as më pas njeri të ngjashëm me të! [Muhtesar esh Shemail me nr 4, saktësoi Albani].

E katërta: Emrat e tij (alejhi salatu ues selam)

Profeti i Allahut, na tregon duke thënë: Unë kam pesë emra; unë jam Muhamedi, unë jam Ahmedi, unë jam el Mahi- fshirësi që nëpërmjet meje Allahu shuan mosbesimin, unë jam El Hashir- tubuesi, tek i cili do të tubohen njerëzit në këmbët e mia – d.m.th. në gjurmët e mia, unë jam El Akib. El Akibu është ai pas të cilit nuk do të ketë profet tjetër. [E përcjell Buhariu me nr 3532 dhe Muslimi me nr 2354].

Ebu Musa el Eshari  (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: “Profeti (alejhi selam) e cilësonte veten e tij me emra, dhe thonte: Unë jam Muhamedi, Ahmedi, El Mukafij – ai pas të cilit nuk ka profet, El Hashir – tubuesi tek i cili do tubohen njerëzit ditën e kijametit, profeti i pendimit, dhe profeti i mëshirës.” [E përcjell Muslimi me nr 2355].

Bejhakiu ka thënë: Disa dijetarë kanë shtuar dhe kanë thënë: Allahu në Kuran e ka quajtur; i dërguar, lajmëtar, analfabet, dëshmitar, përgëzues, qortues, thirrës për tek Allahu me lejen e Tij, kandil ndriçues, i dhembshur, i mëshirshëm, përkujtues, e ka bërë atë mëshirë, mirësi dhe udhëzim. [Sahih es Sira fq 9, Albani].

Prej emrave të tij janë: Përkujtues, mëshirë, mirësi, udhëzues, dëshmues, besnik, i mbështjellë, i mbuluar.

Gjithashtu prej emrave të tij janë; i zgjedhur, el Mustafa, ndërmjetësues që do ti pranohet ndërmjetësimi, Ai që gjithmonë flet të vërtetën, I besueshëm. [Fet’hul Bari 6/643-644, hadithi me nr 3533].

“Subulus Selam fi Sirati Hajril Enam”

“Historia e Profetit alejhi selam”

Shkroi: Ebu Islam Salih Taha

Përktheu: Aisha Gjoni

 



[ad_2]

Source link