Sedat ef.Islami

VII – Nuk janë vrasës – kriminel

Besimtarë të nderuar!
Takimi ynë i radhës me robërit e Allahut të Madhëruar shpalos një karakteristikë shoqërore të tyre shumë të rëndësishme, e cila jo vetëm që sfidon por njëherësh edhe demanton teoritë e gabuara përkitazi me standardet islame të jetës dhe sigurisë në këtë botë.
Virtytin, të cilin sot do ta shtjellojmë, në fakt do të duhej ta ngrijmë lart në qiell si parullë kundër tërë atyre që na akuzojnë për dhunë, terror, vrasje, etj.
Më drejtpërdrejtë, sot do të jetojmë nën hijen e fjalëve të Allahut, të thëna përkitazi me robërit e Tij të sinqertë: “…dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar All-llahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë…” el-Furkan, 68.
Pra, robërit e sinqertë të Allahut, janë edhe të këtillë: nuk vrasin askënd, përveç atëherë kur ligji e lejon, gjë të cilën gjithsesi se do e mësojmë gjatë kësaj ligjërate.
Se sa e nevojshme është të diskutohet për këtë flet më së miri realiteti ynë, që vëllavrasja si dukuri, me gjithë ato përpjekje humane për shuarjen e saj, duket se ka hedhur shtat prapë, me një imazh edhe më monstruoz e tmerrues se që e kishte në të kaluarën.
Ndaj, për të mësuar për kontributin që mund të jep Islami në parandalimin e kësaj dukurie famëkeqe, për të përvetësuar rrugët dhe mënyrat e tij efikase për luftimin e kësaj që tashmë na është bërë njollë shoqërore, për të patur një shoqëri të sigurtë dhe stabile, ju ftoj që të jetoni në kompani – shoqëri me robërit e sinqertë të Allahut ngase vetëm në ambientin e tyre mund të shijosh jetën në botëkuptimin e saj origjinal.
Islami pro jetës dhe kundër vrasjeve
Njeriu për të realizuar botëkuptimin e vërtetë islam, para së gjithash, duhet të jetë paqësor, t’i kontribuojë jetës dhe vazhdimësisë së saj në tokë. Nëse i mungon kjo karakteristikë, atëherë identiteti i tij islam zbehet shumë. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Mysliman i njëmendtë është ai nga gjuha dhe dora e të cilit janë të qetë muslimanët…”[1]
Imamët, Ibni Haxheri dhe Neveviu, duke komentuar këtë hadith përcjellin mendimet se besimtari nuk mund të jetë shembullor përderisa edhe këto tipare të përmendura këtu në këtë hadith nuk i plotëson.
Nga këtu, Islami për të aprovuar vlerën e jetës dhe rëndësinë e saj si një nga dhuratat më të çmuara të Allahut dhënë njeriut, jep këshilla dhe porosi sikur që miraton ligje dhe parime, esencën e së cilave do mundohemi -vetëm sa për ilustrim- ta kuptojmë nga tekstet dhe rregullat islame në vijim.
Jeta e njeriut, në kuptimin e gjallërisë, është gjëja të cilën Allahu ia atribuoi Vetes së Tij. Duke folur për etapat e krijimit të njeriut, Allahu veçon: “Mandej, Ai e formëson atë (në barkun e nënës) dhe nga ana e vet i jep shpirt atij dhe Ai është që juve ju pajis edhe me dëgjim, me të parit dhe me zemër, e pak send është ajo që ju falënderoni.” es-Sexhde, 9.
Nga këtu, shuarjen e këtij shpirti me të cilin Allahu e ngjalli njeriun e konsideroi si krim ndaj tërë njerëzimit derisa shpëtimin e një jete e vlerësoi si shpëtim për tërë njerëzimin. Allahu thotë: “…se kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit…” el-Maide, 32.
Përfundimisht, për të mësuar përkushtimin islam për jetën, iu ftoj të ndalemi në mitingun mbarë-ummetor, në Haxhin lamtumirës, ku Muhammedi, alejhi’s selam zgjodhi takimin më të rëndësishëm, në ditën më të rëndësishme, në muajin e shenjtë dhe në vendin e shenjtë, në Arafat, për të rikujtuar dhe njëherë sa me peshë është kjo jetë. Siç transmeton Ebu Bekreh në hadithin, të cilin e kanë regjistruar Buhariu dhe Muslimi, Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “…Gjaqet dhe pasuritë tuaja janë të ndaluara ndërmjet jush sikur shenjtëria e kësaj dite në këtë vend dhe në këtë muaj tuajin…”
Trajtimi islam mbi mëkatin e vrasjes
Vrasja është një fenomen që ka përcjellë shoqërinë njerëzore qysh nga fillet e saj. Historinë e këtij mëkati e hapin bijtë e Ademit, alejhi’s selam, Kabili dhe Habili, respektivisht mbytja e Habilit nga Kabili. Këtu fillon vrasja për të mos përfunduar më kurrë, përkundrazi, kalimi i kohës vetëm sa ka zhvilluar profilin e saj dhe ka rekrutuar ithtarë zemërzi të shumta të saj. Ndaj, Islami nuk ka mundur të qëndrojë duarkryq para saj. Atë e ka luftuar rrënjësisht dhe ja disa nga mënyrat se si e ka trajtuar atë:
– Është llogaritur ndër shtatë mëkatet shkatërruese[2].
– Është llogaritur si krim mbi krime. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Vrasja e besimtarit tek Allahu është më e rëndë sesa shkatërrimi i tërë botës!”[3]
– Është parapare masa penale me te njëjtin “çmim”: vrasje. Ai që mbyt, mbytet.
– Është prej gjërave të para që gjykohen në Ditën e Gjykimit. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Gjëja e parë ë gjykohet Ditën e Kiametit ndërmjet njerëzve është ajo e gjaqeve.” [4]
– Është paraparë dënimi më i vrazhdë i mundshëm në botën tjetër. Allahu thotë: “Kush e mbytë një besimtarë me qëllim, dënimi i tij është xhehennemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. All-llahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgaditur dënim të madh.”en-Nisa, 93.
Ndërsa Muhammedi, alejhi’s selam duke përshkruar rrezikun që paraqet për besimtarin ky mëkat, thotë: “Çdo mëkat ka shpresë të falet, me përjashtim të mëkatit të atij që mbyt besimtarin me qëllim apo të atij që vdes si jobesimtar.”[5]
Ajeti dhe hadithet që cituam kanë ngjallë -përveç tjerash- edhe debatin se vrasësi a është besimtar apo jo dhe se atij i pranohet apo jo pendimi?
Ajo që njihet si teori e sunnitëve (Ehli Sunnetit) është se pendimi i tij pranohet ani pse askush prej tyre nuk zhvlerëson rrezikun që paraqet ky mëkat.
– Vrasja falimenton njeriun. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “A e dini kush është i falimentuar (Muflis)?” Shokët e Muhammedit, alejhi’s selam thanë: ”I falimentuar te ne është ai i cili nuk ka para dhe pasuri.” Muhammedi, alejhi’s selam, tha: “I falimentuari i Ummetit tim është ai që vjen në Ditën e Gjykimit me namaz, me agjërim, me zeqat, por njëkohësisht ai ka sharë atë, ka shpif këtë, ka ngrënë pasurinë e atij, ka derdhur gjakun e këtij, ka rrahur tjetrin, atëherë i jepen këtij e atij (atyre që u ka dëmtuar) prej të mirave të tij dhe nëse harxhohen mirësitë e tij para se t’u paguhen borxhet, atëherë do të merren prej mëkateve të tyre dhe do t’i ngarkohen këtij, pastaj edhe ky do të hidhet në Zjarr.”[6]
Mbytja e kujt lejohet/ndalohet?
Kush ekzekuton mbytjen?
Versioni islam mbi jetën dhe sigurinë tashmë na është i qartë. Ai, siç mësuam më parë, për të ruajtur jetën ka aplikuar edhe kodin penal, madje duke e quajtur këtë jetë. Thotë Allahu i Madhëruar: “O ju të zotët e mendjes, kjo masë e dënimit është jetë për ju, ashtu që të ruheni (nga mbytja e njëri-tjetrit).” el-Bekare, 179.
Nga këtu, Islami ka paraparë dënimin me vdekje për disa kategori njerëzish, jeta e të cilëve është shkak i shuarjeve të jetëve të tjerëve apo dëmeve tjera në aspektin shpirtëror, shoqëror e shtetëror. Thotë Muhammedi, alejhi’s selam:“Nuk lejohet derdhja e gjakut të besimtarit që dëshmon se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i dërguari i Tij, përveç në tri rastet në vijim: shpirt për shpirt, laviri/lavirja i/e ve dhe ai që dezerton duke braktisur fenë dhe duke u ndarë prej kolektivit.”[7]
Nuk janë këto tri rastet e vetme. Dijetarët kanë numëruar edhe raste tjera, të cilat duam t’i përmbledhim në një renditje të vetme:
– Ai që nga Islami konvertohet në fe tjetër
– Tradhtia bashkëshortore
– Mbytja me qëllim
– Plaçkitësit e rrugëve. Argumenti për këtë është ajeti kur’anor: “Dënimi i atyre që luftojnë (kundërshtojnë) All-llahun dhe të dërguarin e Tij dhe bëjnë shkatërrime në tokë, nuk është tjetër vetëm se të mbyten ose të gozhdohen, ose (të gjymtohen), t’u priten duart dhe këmbët e tyre të anëve të kundërta, ose të dëbohen nga vendi. Kjo (masë ndëshkuese) është poshtërim për ta në Dunja, dhe në botën tjetër ata do të kenë dënim të madh.” el-Maide, 33.
– Spiuni, i cili spiunon në dobi të armiqve të muslimanëve, edhe pse kjo është diskutabile tek dijetarët. Mendimi më i qëlluar është se mbytja e tij varet nga vendimi që merr udhëheqësi; nëse e sheh se ka dëmtuar rëndë shtetin, mund të marr vendim të ekzekutimit të tij, ndryshe e fal atë apo i jep ndëshkim më të lehtë[8].
Ekzistojnë edhe raste tjera, për të cilat shteti islam aplikon mbytjen, si rasti i atij që refuzon ta fal namazin, atij që merret me magji, etj.
Megjithatë, të nderuar vëllezër, të drejtën e ekzekutimit nuk e kanë individët, në asnjë rast. Ajo është e garantuar vetëm për shtetin.
Të nderuar vëllezër!
Të rikthehemi tek ajeti kur’anor bazë që e patëm e të marrim edhe ca mësime. Thotë Allahu i Madhëruar: “Edhe ata që pos All-llahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar All-llahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin.” el-Furkan, 68.
Mbytja e kujt ndalohet?
– Besimtarit
– Jomuslimani (ar. dhimmijj) që bashkëjeton në shoqërinë islame, me kushtet dhe rregullat e caktuara me ligj.
– Jomuslimani (ar. muahid) që merr besë prej shtetit islam por që nuk paguan xhizjen mbytja e këtij vetëm pse nuk është musliman ndalohet.
– Jomuslimani (ar. el-muste’min) që hyn ne shtetin islam vetëm sa për tregti, për të shitur mallin e tij që nuk bie ndesh me parimet e Islamit[9].
Përmbyllje
Të nderuar vëllezër!
Prej imazheve të këtij fenomeni, gjithsesi të zymta, janë edhe aborti dhe vetëvrasja, që për fat të keq në Kosove dita ditës po bëhen pjesë e shoqërisë. Vetëm deri në vitin 2008, sipas Statistikave të Policisë së Kosovës, janë kryer 526 raste vetëvrasjeje[10]; në vitin 2009 janë kryer 79 vetëvrasje dhe 293 tentim vetëvrasje[11], ndërsa për vitin 2010 ndonëse ende nuk janë publikuar statistikat ngase mjerisht ato çdo ditë po shënojnë rritje, vetëm se informacionet tërheqin vërejtjen se janë alarmante dhe shumë shqetësuese[12].
Nuk di nëse ka kriminel më të madh se ai që mbyt veten e tij, që vetes, duke menduar se po ia zgjidh problemet, ia ndërlikon ato, dhe dyerve të mëshirës në vend se të troket në to po ua kthen shpinën. Thotë Allahu i Madhëruar: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” ez-Zumer, 53.
Të nderuar vëllezër!
Për të qenë pjesë e karvanit të të sinqertëve duhet jetuar jetën konform parimeve hyjnore. Ndaj, në kohën kur neve na ofrohen modele të ndryshme jetese, që nuk mund të gjesh as atë më të “përkryerën” pa të meta të mëdha, le të bëjmë zgjedhjen e duhur duke përvetësuar standardet islame dhe duke rregulluar jetën sipas tyre[13].
“O ju që besuat, përgjigjjuni (thirrjes së) All-llahut dhe të të dërguarit kur ai (i dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë…”el-Enfalë, 24.

________________________________________
[1] Transmetojnë Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu.
[2] Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Largohuni nga shtatë mëkate shkatërruese! Cilat janë ato?-pyetën njerëzit. Tha: T’i bësh Allahut shok; Magjia; Mbytja në mënyrë mizore; Ngrënia e kamatës; Ngrënia e pasurisë së jetimit; Ikja nga fushëbeteja dhe shpifja për gratë besimtare të ndershme dhe të mbrojtura nga mëkatet.” Transmetim unanim.
[3] Transmeton Nesaiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[4] Buhariu dhe Muslimi.
[5] Transmeton Nesaiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[6] Muslimi.
[7] Buhariu dhe Muslimi.
[8] http://www.islamqa.com/ar/ref/20824
[9] Pjese nga ligjërata “Takimi mujor 60, (el-likau’sh shehrijj 60), Muhammed b. Salih el-Uthejmin.http://audio.islamweb.net/audio/index.php?page=FullContent&audioid=112413#112418
[10] Vetëvrasja dukuri shqetësuese, Mexhid Yvejsi, Revista Vlera, Prishtinë, nr.3, Gusht 2010, f.10-11.
[11] http://www.koha.net/index.php?cid=1,7,20838
[12] http://www.botasot.info/def.php?category=58&id=81615
[13] Literatura dhe burimet:

1. El-Mersafi, Jusuf Abdu’l Fettah Dr., El-Muharremat fi’l Islam, b.1, Muessesetu’l Muhtar, Kajro, 2001.
2. Ed-Dimeshkijj, Urfan b. Seli mel-Ash’sha Hassuneh, Xhamiu’l muhlikat min-el-kebairi ve’l muharremat, b.1, Daru’l kutub-il-ilmijjeh, Bejrut, 2001.
3. Abdu’l Mun’im, Muhammed Jahja, Haulai melunune fi’l Kur’ani ve’s Sunneti, b.1, Muessesetu’l Muhtar, Kajro, 2001.
4. http://www.mohamedhassan.org/Files/Lessons/Writed/Ktl.doc



Burimi