Florim ef. Mellova

Lavd-falënderimet, frikë- respektet i takojnë vetëm Allahut xh.sh, Ai është Krijues i kënaqësive të përhershme të Xhenetit, dhe Krijues i dënimeve të përkohshme e të përhershme të Xhehenemit. Përshëndetjet, salavatet, selamet, paqja dhe bekimet e qofshin mbi me të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin a.s , mbi familjen e tij të ndershme dhe mbi shokët e tij të zgjedhur.
Caktimi i Allahut xh.sh është se çdo gjë në këtë botë e ka fillimin dhe fundin e tij, Allahu xh.sh është i Pafillim dhe i Pambarim, por kemi disa krijesa që Allahu xh.sh ka deshtë e kanë vetëm fillimin por jo edhe fundin. Krijesat e Allahut xh.sh të cilat janë me fillim e pambarim janë: Xheneti, Xhehenemi, shpirti, disa melaqe që përkujdesën për Arshin e Allahut, disa melaqe që përkujdesën për Xhenetin, disa melaqe që përkujdesën për Xhehenemin, … etj.
Thotë Profeti a.s:”Shpërblimi i Zotit është i shtrenjtë, pasi shpërblimi i Zotit është xheneti.”
Zoti nuk bën pazar me mall të lirë dhe pavlerë.
“Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit.” (Tevbe, 111)
Meqë jemi duke vazhduar për përshkrimin e Xhenetit, dhe se Xheneti e paska fillimin por jo edhe fundin, natyrshëm shtrohet pyetja:

Nga çka u krijua Xheneti dhe si është përbërja e tij?

Ebu Hurejra r.a transmeton ku thotë: “E pyetëm Pejgamberin a.s, se me çfarë është krijuar Xheneti? Ai u përgjigj: “Nga uji”. “Na trego rreth ndërtesave të Xhenetit? Ai u përgjigj: “Ka tulla prej floriri, tulla prej argjendi, balta e tij është prej misku (bimë aromatike), dheu i tij është prej shafrani, gurët e tij janë përla e diamante. Kush hyn në të ka vetëm kënaqësi dhe nuk mërzitet, është i përjetshëm e nuk vdes kurrë, nuk i vjetrohen rrobat e qëndron përjetësisht, i ri në moshë”. (Tirmidhiu 2526)
Në Xhenet ka lumenj që rrjedhin, për këtë gjë Allahu xh.sh në Kuran thotë:
“Pa dyshim, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Allahu do t’i shpjerë në Xhenete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj …” (Muhamed, 12)
“…Te këmbët e tyre do të rrjedhin lumenj…” (Araf, 43)
Muhamedi a.s thotë: “Në Xhenet, secili ka një lumë prej mjalti, një lumë prej vere, një lumë prej qumështi dhe një lumë prej uji, pastaj nga ata degëzohen lumenjtë“. (Tirmidhiu)
Allahu xh.sh për këta lumenj thotë:
“Ja premtimi i Xhenetit që i premtohet të përkushtuarve (ndaj Allahut): Një vend ku ka ujë të pandotur, lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere me shije të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar, ata kanë aty edhe gjithfarë lloj pemësh, kanë edhe falje nga Zoti i tyre, …“ (Muhamed 15)
Muhamedi a.s në një thënie të tij thotë: “Kevtheri është një lumë që ma dhuroi Allahu në Xhenet. Ai është më i bardhë se qumështi, më i ëmbël se mjalti dhe tek ai ka shpendë që i kanë qafat si të deveve“.(Tirmidhiu)
Në Xhenet ka edhe pemë të llojllojshme, ku për këtë Allahu xh.sh thotë:
“S’ka dyshim se të devotshmit kanë fitime të mëdha. Kopshte e vreshta rrushi. Edhe vasha të një moshe. Edhe gota të mbushura plot verë. Aty nuk dëgjojnë fjalë të kota, as gënjeshtra. Shpërblime e dhurata të shumta dhënë nga Zoti yt.” (Nebe’e 31-36)
Poashtu Allahu xh.sh thotë:
“E për sa u përket atyre të djathtëve, çka është gjendja e të djathtëve? Janë nën drunj të pemëve pa therra (pa gjemba). Të bananeve me fruta palë-palë. Nën hije të gjëra. Pranë ujit rrjedhës. Edhe mes frutave të llojllojshme. Që as nuk ndërprehen, as nuk janë të ndaluara.”
(Vakia 27-33)
“Aty në ato dy xhenete ka pemë, hurma e shegë.” (Rrahman 68)
“Ata do të jenë të mbështetur në shtroje, anash me armaç mëndafshi e frutat e dy kopshteve do t’i kenë afër sa ti kapin me dorë“ (Rrahman 54)
“Hija e pemëve të tij (Xhenetit) është afër mbi kokat e tyre, ndërsa frutat e tyre do t’i kenë afër sa t’i arrijnë me dorë.“ (Insan 14)
Muhamedi a.s thotë: “Në Xhenet gjendet një pemë nën të cilën udhëton kalorësi më një kalë të shpejtë njëqind vite dhe nuk e kalon atë.“ (Buhariu dhe Muslimi)
Muhamedi a.s thotë: “Tuba është një pemë në Xhenet, udhëtimi nën të cilën zgjat njëqind vjet. Rrobat e banorëve të Xhenetit nxirren prej kupës së saj”.(Imam Ahmed)
Muhamedi a.s thotë: “Nuk ka pemë në Xhenet që të mos e ketë trungun prej ari (floriri).” (Tirmidhiu)
Muhamedi a.s thotë: “Në Xhenet ka dhoma që u duket pamja e jashtme nga brendësia e tyre dhe brendësia e tyre nga jashtë. Ato Allahu i përgatiti për ata që i japin ushqim të varfërve, flasin me fjalë të buta, agjërojnë vazhdimisht dhe falen natën ndërsa njerëzit janë në gjumë.” (Tirmidhiu)

E lusim Allahun xh.sh që më mëshirën e Tij të hyjmë të gjithë në Xhenet.

Hutbeja u mbajt me 10.06.2011
në xhaminë e Hadumit-Gjakovë



Burimi