Florim ef. Mellova

Lavd-falënderimet, frikë-respektet i takojnë vetëm Allahut xh.sh, Ai është i Gjithëmëshirshëm në këtë botë e Mëshirues i Posaçëm në botën tjetër, Furnizues i Përgjithshëm e i Vetmi Bereqetdhënës. Përshëndetjet, salavatet, selamet, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.

O Allah! Kërkojmë mbështetjen Tënde nga katër gjëra: prej diturisë që nuk sjell dobi; prej zemrës që nuk frikësohet; prej një nefsi që nuk ngopet dhe prej lutjes që nuk pranohet!

Trajtimin e kësaj teme do ta ndajmë në dy pjesë: Në pjesën e parë do të flasim për vlerën e falënderimit të Allahut xh.sh, e në pjesën e dytë do të flasim për shpërblimin e (mos)falënderimit të Allahut xh.sh .

Vlera e falënderimit të Allahut Lavdiplotë

Falënderimi i bëhet Allahut kur: I beson me zemër Atij, e deklaron me gjuhë se ekziston vetëm një Zot, praktikon urdhrat e Tij, largohesh nga ndalesat e Tij, ndjek me fanatizëm rrugën e pejgamberit të fundit të Tij, propagandon për të përhapur fjalën e Tij, mbron me xhelozi parimet dhe rregullat e fesë së Tij … etj.
Ka disa urtësi për të qenë mirënjohës, njëkohësisht janë edhe mësime që duhet ta falënderojmë Allahun xh.sh. Po përmendim disa prej tyre:

1.) Sipas shumicës së dijetarëve ajeti i parë i cili është i radhitur në Kur’an, është fjala e Allahut xh.sh ku thotë:
“Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!” (Fatiha 1)

2.) Fjala e El-Hamdu (falënderimi) dhe emri Muhamed (që d.t.th. njeri që falënderon shumë) përbëhen prej pesë shkronjave, e kjo korespodon me pesë kohë namaz, e çdo rekat të namazit duhet ta fillojmë me El-hamdu lilah… Vetë emrin e Pejgamberit Muhamed a.s, Allahu xh.sh e zgjodhi me kuptim falënderimi.

3.) Fjala e parë që banorët e Xhenetit do të thonë kur të hyjnë për herë të parë në te, siç na tregon Allahu xh.sh në Kur’an, do të jetë:
“E ata (të xhenetit) thanë: “Falënderuar qoftë Allahu, i cili premtimin e Vet e bëri realitet ndaj nesh …”. (Zumer 74)

4.) Çelësi i kënaqësisë së Allahut xh.sh ndaj nesh, është mirënjohja për të mirat që na ka dhënë. Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë: “…e nëse jeni mirënjohës ndaj Tij, Ai e pëlqen atë për ju …” (Zumer 7)
Kurse Muhamedi a.s thotë: “Allahu e do atë njeri që kur ha diçka e falënderon Atë”. Dhe “Allahu është i kënaqur me atë njeri i cili kur pi diçka, e falënderon Atë”.

5.) Falënderimi të mbron nga ndëshkimi i Allahut xh.sh. Ai në Kur’an thotë:
“Çfarë ka Allahu me dënimin tuaj? E falënderuat dhe i besuat? …” (Nisa 147)

6.) Ditën e Kiametit, do të thërritet: “Ku janë falënderuesit?” Ata do të çohen dhe do të vendoset para tyre një flamur. Duke e ndjekur atë, do të hyjnë në Xhenet.

Shpërblimi i falënderimit të Allahut Lavdiplotë

Ai njeri i cili është mirënjohës dhe falënderues ndaj Allahut xh.sh do të jetë pashmangshëm i përfshirë në mirësitë e Tij.
Muhamedi a.s thotë: “Sa herë që njeriu thotë: Elhamdulilah (lavd-falënderoj Allahun) meriton një mirësi në vend të saj”. Sa herë që ta thuash këtë fjalë, të jepet një e mirë e cila mund të jetë diçka materiale, ose kënaqësi shpirtërore të cilën e ndjen kur falesh dhe kujton Allahun xh.sh. Në lidhje me të cilën Allahu xh.sh në Kur’an thotë:
“…Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat, …” (Ibrahim 7)

Tani le të shohim se çfarë na ndodh nëse nuk e falënderojmë Allahun xh.sh për mirësitë që na ka dhënë.
Nëse nuk e falënderon, të jesh i sigurt që kjo e mirë do të të hiqet, ose të kthehet në brengë dhe dëshpërim. Në lidhje më të cilën Muhamedi a.s thotë:
“Allahu i jep mirësi kujt të dojë nga robërit e Tij. Kush nuk e falënderon ia kthen atë në brengë dhe ndëshkim”. Ndoshta nuk ta merr atë të mirë, por të bën që të vuash prej saj. Dijetarët thonë që ajo që e lidh mirësinë, është falënderimi.
Transmetohet nga Aisheja r.a. ku thotë:
“Një natë e pashë që qante duke u falur. Pasi dha selam, e pyeta: “I Dërguari i Allahut, përse e lodh vetën kaq shumë në një kohë kur Allahu t’i ka falur të gjitha gabimet?” Por, ai më tha: “Oj Aishe, a nuk duhet të jem falënderues për këtë ndaj Allahut?”.
Një ditë Omeri r.a takon një njeri, të cilin e pyet: “Si u gdhive, o filan?” Ai i përgjigjet: “Mirë, o prijës i besimtarëve”. Omeri r.a e pyet përsëri: “Si u gdhive, o filan?” Ai përsëri i thotë: “Mirë, o prijës i besimtarëve”. Omeri r.a e pyet për të tretën: “Të pyeta se si u gdhive?” “Falënderoj Allahun, mirë o prijës i besimtarëve”- i tha herën e trtë. “Këtë desha të dëgjoj”- i tha Omeri r.a.
I pyeste njerëzit me qëllim që të nxirrte nga goja e tyre një fjalë falënderimi për Allahun xh.sh .

Falënderimi është dy llojesh:
I brendshëm, ku shikon mirësitë që të ka dhënë Allahu xh.sh dhe thua me gojë, të falënderoj Ty o Allah, për këto të mira.
I jashtëm ose i dukshëm, ku ti përmend dhe u tregon të tjerëve për mirësitë që të ka dhënë Allahu dhe bie në sexhde si shenjë falënderimi. Veç kësaj, dhuntitë dhe mirësitë e Tij, i vë në funksion të çdo gjëje që e kënaq Allahu. Nëse të ka dhënë oratori, e përdor atë për të ftuar njerëzit në Islam. Nëse ke pasuri, e shpenzon atë në rrugë të Allahut … .
Nëse kërkon të jesh gjithmonë mirënjohës për të mirat e Allahut xh.sh ndaj teje, shkruaji ato në një letër dhe vendose letrën në dhomë. Sa herë që ta shikosh letrën, falënderoje Allahun xh.sh për mirësitë.
Në fund themi i falënderuar qofsh o Allah për të gjitha të mirat që na i ke dhënë.

Hutbeja u mbajt me 11.11.2011
në xhaminë e Hadumit-Gjakovë



Burimi