Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, për familjen dhe për shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.
“… e kush është më i humbur se ai që duke mos pasur fakt prej Allahut, ndjek epshin e vet? S’ka dyshim se Allahu nuk udhëzon popullin zullumqar.” (Kasas 50)

Të nderuar muslimanë!
Përvetësimi i traditave të huaja festive qoftë edhe formalisht mbjell afërsi në zemrat e njerëzve. Muslimani është i obliguar t’i refuzojë dhe të mos i festojë festat e huaja.
Imitimi i kulturës së huaj është ndjenjë e ulët e disa myslimanëve, andaj, pasimi i mosbesimtarëve nuk është i pranuar, pa marrë parasysh se a ka të bëjë me gjëra të vogla apo të mëdha.

“Shën Gjergji” festë e kujt?

Kur hulumtojmë burimet historike të festës së “Shëngjergjit” mësojmë se kjo festë nuk ka të bëjë fare me Islamin. Kurse në anën tjetër vetë emri “Shëngjergji” tregon për diçka që është e huaj për myslimanët. Të dhënat historiografike tregojnë se Shën Gjergji ishte një ushtar romak i krishterë i lindur në vitin 303, i cili luftoi për ta mbrojtur krishterimin, duke rënë edhe dëshmor.
Po ashtu legjenda tregon se Shën Gjergji ishte një trim i cili luftoi me kuçedrën dhe kështu u bë i pavdekshëm. Ai po ashtu është një mbrojtës i shenjtë i disa vendeve, qyteteve, profesioneve, organizatave dhe të sëmurëve. Këto janë të dhënat historike mbi personazhin tipik të krishterë “Shën Gjergji”.
Me keqardhje shprehemi se një pjesë e muslimanëve e festojnë këtë festë duke përkujtuar “Shën Gjergjin” më 6 maj të çdo viti, kjo bëhet në forma dhe mënyra të ndryshme; disa duke bërë rituale të veçanta, disa vizitojnë varret e caktuara duke filluar nga tyrbet, teqetë, kishat, duke kërkuar ndihmën e të vdekurve. Ndezin qirinj, prenë kurban, fëmijët i zgjojnë më herët, i spërkasin me ujë në mëngjesin e hershëm e shumë rite dhe ceremoni të tjera.
Në disa vende bëhen edhe tubime organizative duke u tubuar në vende të hapura të rinj dhe te rejat kështu duke festuar dhe ushtruar imoralitet.

Të nderuar besimtarë!
Festa e “Shën Gjergjit” dhe veprimet që bëhen kanë karakter dhe përmbajtje idhujtarie, injorance dhe pabesimi. Në këtë festë i bëhet shirk Allahut xh.sh duke u lutur pranë varreve, duke kërkuar fatin pranë të vdekurve. Këto veprime janë të ndaluara sepse lutja, adhurime, është e rezervuar vetëm për Allahun. Me këto veprime jo të ligjshme vihet në rrezik potencial besimi i muslimanit dhe veprat e tij.Të kujtojmë së bashku këshillën e Llukmanit kur i tha djalit të vet:
“O djali im, mos i përshkruaj Allahut shok, sepse idhujtaria është padrejtësia më e madhe!” (Llukman 13)
“Dhe kushdo që mohon besimin (islam), atëherë puna e tij është e pavlerë dhe në Botën e Pastajme ai do të jetë prej të humburve.” (Maide 5)
Zullumi apo padrejtësia më e madhe është shirku dhe kjo bëri që të shkatërrohen popujt e mëparshëm. Allahu i Lartësuar na tregon:
“Ato janë fshatra (vendbanime) që kur bënë zullum, Ne i shkatërruam dhe për shkatërrimin e tyre u patëm caktuar kohë të sakta”. (Kehf 59)
Janë të pakuptimta ritualet që bëhen në këtë ditë pranë njerëzve të vdekur, pranë atyre që janë të tretur nën dhe! Vallë a këta mund të sjellin fat, dobi, fëmijë dhe pasuri?! Jo assesi një gjë e tillë është e pamundur dhe e kotë.
Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju: “Thërrisni ata përveç Atij (Allahut) të cilët juve jua merr mendja (për zota: si melekët, Pejgamberët, kushdo qofshin, idhujt etj); Ata nuk kanë fuqi për ta larguar të keqen prej jush, as edhe për ta kaluar atë prej jush te ndokush tjetër. ” (Isra’ 56)

Vëllezër dhe motra!
Mos lejoni përngjasimin me jobesimtarët.
Mos lejoni të rreshtoheni me ata që nuk kanë as besim e as moral.
Mos lejoni t’i përngjani armiqve të Islamit dhe të muslimanëve.
Një fatkeqësi që ka kapluar shoqërinë muslimane është edhe përngjasimi i verbër me jobesimtarët duke i imituar ata në shumë gjëra, madje edhe në festat e tyre.
Muslimanët kanë program tjetër jetësor, në të cilin nuk lejohet pasimi dhe përngjasimi me jobesimtarët. Allahu xh.sh thotë:
“…Për secilin prej jush, Ne caktuam ligje dhe program…” (Maide 48)
Allahu xh.sh i drejtohet Muhamedit s.a.v.s duke i thënë:
“Pastaj Ne të vendosëm ty (O Muhamed)në udhë të qartë të urdhërimit Tonë të rrugës së fesë (në atë rrugë të cilën Ne ua urdhëruam të gjithë të Dërguarve para teje duke u përcaktuar ligjet dhe rrugën e vënies në jetë të besimit të pastër islam në Një Zot të Vetëm). Ndiq pra edhe ti atë dhe mos u shko pas dëshirave të atyre që nuk dinë. Vërtet që ata nuk të vlejnë ty aspak ndaj Allahut (nëse Ai do të ndëshkojë ty). Vërtet që dhalimunët (mohuesit, mosbesimtarët, keqbërësit) janë eulija (mbrojtës e ndihmues) të njëri-tjetrit, por Allahu është Vali (Mbrojtës e Ndihmues) i muttekinëve (i të përkushtuarve ndaj Tij në Besimin e pastër islam).” (Xhathije 18-19)
Ndërsa Muhamedi s.a.v.s thotë:“Kush i përngjan një populli, ai është prej tyre.” (Ebu Davudi)
“Nuk është prej nesh ai që u përngjan të tjerëve përveç nesh…” (Tirmidhiu)
Muhamedi s.a.v.s na ka tërhequr vërejtjen duke thënë:
“Do të pasoni adetet e atyre që kanë qenë para jush pëllëmbë pas pëllëmbe e kut pas kuti, saqë po të hynin ata në vrimën e hardhucës, edhe ju do t’i pasoni ata…”
Parimet e Islamit na bëjnë të ditur se imitimi dhe përngjasimi me jobesimtarët është i ndaluar.
Gjithë këto argumente ndalojnë imitimin dhe përngjasimin me jobesimtarët në qëllimet dhe veprat e tyre. Islami ka ngërthyer në vetvete nevojat njerëzore që nga lindja deri në vdekje, ka sistemuar jetën shoqërore, ekonomike, politike dhe kulturore duke rregulluar edhe festat fetare.
Allahu xh.sh i drejtohet Muhamedit s.a.v.s duke i thënë:
“Thuaj: “Sigurisht falja ime, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e aleminit (njerëzve, xhinëve dhe gjithçkaje që ekziston). Ai nuk ka asnjë shok e të barabartë me Të dhe për këtë unë jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Vullnetit të Tij si musliman.” (Enam 162-163)

Vetëm prej Allahut kërkojmë ta përmirësojë gjendjen e muslimanëve në çdo vend dhe të na ndihmojë të kapemi pas librit të Allahut dhe Sunetit të Pejgamberit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të.
“… kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në dynja) e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër). E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë, dhe në Ditën e Kiametit do ta ringjall të verbër.” (Taha: 123-124)

Hutbeja u mbajt me 04.05.2012 në xhaminë e Hadumit-Gjakovë

Burimi