Florim ef. Mellova

Lavd-falënderimet, frikë-rrespektet i takojnë vetëm Allahut xh.sh, Ai është i Gjithëmëshirshëm në këtë botë e Mëshirues i Posaçëm në botën tjetër, Furnizues i Përgjithshëm e i Vetmi Bereqetdhënës. Përshëndetjet, salavatet, selamet, paqja dhe bekimet e qofshin mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Xheneti është një vend në të cilin do të hyjnë vetëm ata që janë të pastër nga gjynahet. Nuk lejohet që në Xhenet të hyjë dikush me përgojime, me fyerje, me shikime haram, … Në Xhenet duhet të hysh i pastruar nga çdo gjynah, sado qoftë. Këtë e thotë vetë Allahu xh.sh në Kuran, ku melekët do tu thonë banorëve të Xhenetit:
“…“Selamun alejkum” – qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë”. (Zumer 73)
Kushti për të hyrë në Xhenet, është që të jesh i pastër nga çdo gjynah. Po kush prej nesh është i pastër dhe pa gjynahe? Asnjëri prej nesh. Meqenëse nuk ka njeri që të mos gabojë, Zoti xh.sh ka caktuar 11 (njëmbëdhjet) stacione pastrimi të gjynaheve. Këto stacione janë: 4 (katër) në këtë botë, 3 (tri) në jetën e varrit dhe 4 (katër) pas ringjalljes së njerëzve. Nëse këto të pastrojnë nga ato gjynahe që ke bërë, do të hysh në Xhenet. Por nëse pasi të kalosh këto stacione akoma do të kesh gjynahe, patjetër që do të hysh në Xhehenem.
Do t’i përmendim të gjitha më radhë këto stacione, duke filluar nga ato 4 të kësaj botë që janë:
1.) Tevbja ose pendimit, i cili është stacioni i parë me të cilin Zoti xh.sh do t’ua fshijë gjynahet njerëzve. Allahu xh.sh në Kuran thotë:
“…Pendohuni të gjithë te All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim”. (Nur 31)
Le të pendohemi për të gjitha gjynahet që kemi bërë deri më sot.
2.)Istigfari (të thuash “estagfirullah” që dmth “O Zot më fal”). Ndryshimi i istigfarit me pendimin qëndron në atë se istigfari është për të gjitha gjynahet që i di dhe ato që nuk i di. Muhamedi s.a.v.s bënte istigfar më shumë se 70 herë në ditë. Ku Muhamedi a.s thotë: “Kush i lutet Zotit që ta falë (bën istigfar) në mënyrë të vazhdueshme, Zoti do t’i japë zgjidhje për çdo hall, do t’ia largojë gjërat që e preokupojnë dhe do ta furnizojë nga nuk e pret”.
3.)Fatkeqësitë që i fshijnë gjynahet. Për këtë Muhamedi a.s thotë: “Është për t’u habitur me çështjen e besimtarit. Çdo gjë për të është në të mirën e tij dhe kjo është veçse për besimtarin. Nëse i jepet një mirësi, ai falenderon Zotin dhe kjo do të jetë në favor të tij. Nëse e prek diçka e keqe, ai duron dhe përsëri është në favor të tij”.
“Besimtari mund të sëmuret dhe kur çohet prej saj, i janë falur gjynahet”.
4.)Veprat e mira i fshijnë ato të këqijat. Një njeri, në kohen e Muhamedit a.s kishte bërë një gjynah të madhë, dhe e pyet Muhamedin a.s se çfarë duhej të bënte, që ta shlyente këtë gjynah. Por Muhamedi a.s i kthen shpinën i zemëruar. Atëherë zbriti ajeti i mëposhtëm:
“Dhe fale namazin në dy skajet e ditës, e edhe në orët e afërta (me ditën dhe) të natës. S’ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Kjo është një këshillë për ata që pranojnë këshillat”. (Hud 114)
Që të jesh musliman nuk do të thotë që të jesh i pagabueshëm dhe të mos kesh gjynahe, por të dish se si të veprosh pas gjynahut. Ajo që duhet të bësh, është që të pendohesh dhe të bësh një të mirë që të fshijë gjynahun.
Do t’ua tregojë një shembull i një vepre kulminante të mirë, i rrespektit të nënës nga dy djemtë e saj … .
Allahu xh.sh na bëftë të gjithëve që të shlyhen gjynahet tona në 4 stacionet e kësaj bote, dhe për stacionet tjera të faljes së gjynaheve do të folim në hutben e ardhshme.

Hutbeja u mbajt me 11.05.2012
në xhaminë e Hadumit-Gjakovë



Burimi