Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut, i cili hapi për robërit e Tij dyert e mëshirës dhe pendimit dhe lehtësoi për ta kapërcimin e pengesave dhe shkaqet e çlirimit. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër me të drejtë veç Allahut i vetëm dhe i pa shok, tek Ai mbështetem dhe tek Ai pendohem, si dhe dëshmoj se Muhamedi salallahu alejhi ue selem, është rob dhe i dërguar i Tij, njeriu më i përsosur në sinqeritet dhe pendim, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë për të, familjen, shokët dhe të gjithë pasuesit e tyre deri në ditën e Gjykimit.

O njerëz! Frikësojuni Allahut dhe pendohuni tek Ai, sepse Allahu i do ata që pendohen dhe kërkojnë falje tek Ai për gabimet e tyre.

Pendohuni tek Zoti juaj duke qenë të sinqertë dhe hiqni dorë nga gjynahet dhe t’ju vijë keq për ato që keni bërë. Bëhuni të vendosur dhe mos iu ktheni më veprave të tilla, sepse vetëm në këtë rast pendimi juaj është i plotë, ashtu sikur ka thënë dhe Allahu i madhëruar:

“O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj”. Et-Tahrim, 8.

O njerëz! Pendohuni tek Zoti juaj përpara se t'u mbyllen dyert e pendimit, sepse Allahu ia pranon pendimin çdokujt përderisa nuk i shkon shpirti në grykë, Allahu i lartësuar u drejtohet njerëzve në Kuran ku thotë:

“Allahu është pranues i pendimit vetëm për ata që bëjnë ndonjë të keqe nga padituria dhe pendohen shpejt. Pra, këtyre Allahu ua pranon pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” En-Nisa, 17.

Ndërsa në një ajet tjetër Allahu i Madhëruar thotë:

“Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë të këqija e, kur u afrohet vdekja, atëherë thonë: “Unë tani me të vërtetë po pendohem”. As për ata që vdesin duke qenë jobesimtarë. Për këta, Ne kemi përgatitur dënim të dhembshëm”. En-Nisa, 18.

O muslimanë! Shpejtoni të pendoheni, sepse asnjëri prej jush nuk e di se kur do t'i vijë vdekja dhe asnjëri prej jush nuk e di se kur mund të vijë dënimi i Allahut.

“A janë të sigurt banorët e këtyre qyteteve se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë natën, ndërkohë që flenë?! A janë të sigurt ata se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë ditën, ndërkohë që argëtohen?! A janë të sigurt ata nga të papriturat e Allahut? Të papriturave të Allahut nuk i frikësohen vetëm ata që janë të humbur”. El-A’raf, 97-99.

O robër të Allahut! Si është me ne që Allahu na dhuron mirësi të pafundme ndërsa ne ia kthejmë këto mirësi me mohim dhe kundërshtim, po vallë a jemi të sigurt kështu nga dënimi i Allahut? A nuk shohim se çka ngjarë nëpër botë; uri, tufane, përmbytje e tërmete, po a nuk po frikësohemi se mos Allahu na dënon dhe ne me të tilla gjëra, për shkak të gjynaheve që i kryejmë.

Nga dënimet më të mëdha me të cilat preket robi është ngurtësia e zemrës dhe sëmundja e saj. Sa njerëz shohim që i dëgjojnë këshillat dhe i lexojnë, porse gjendja e tyre është sikur të mos i kishin lexuar, sepse kthehen përsëri në gjendjen e mëparshme. Dëgjojnë për dënimin që do të ketë lënësi i namazit:

“Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh”. Merjem, 59. Dhe përsëri vazhdojnë të mos e falin edhe pse është shtylla e kësaj feje dhe mbajtësja e saj, nëse namazi bie, bie me të e gjithë feja, ata vazhdojnë kështu dhe nuk pendohen, sikur të mos e kishin dëgjuar ndonjëherë këtë ajet.

Dëgjojnë dënimin që do të ketë ai që nuk e jep zekatin:

“Mjerë ata të cilët i shoqërojnë Atij zota të tjerë e të cilët nuk japin zeqatin dhe nuk besojnë në jetën tjetër!” Fusilet, 6-7. Por, përsëri ata vazhdojnë të jenë koprracë duke e privuar vetveten nga të mirat që Allahu i ka rezervuar atyre që e besojnë dhe i binden Atij. Profeti alejhi salatu ue selam në një hadith ka thënë: “Sa herë që përhapet mëkati i popullit të Lutit (homoseksualizmi) në ndonjë popull, Allahu do t'i sjellë sëmundje të cilat nuk i kanë njohur më parë, nëse do të hanë në peshore, do të kenë thatësira, vite të vështira dhe padrejtësi prej të parëve të tyre; nëse nuk e japin zeqatin do t'u ndalohet shiu, e nëse nuk do të ishin kafshët, nuk do t'u lëshohej shi”.

O njerëz! Nuk mund të quhet se je penduar nga një vepër kur ti ende vazhdon ta kryesh atë. Si mund të thuash se je penduar nga mashtrimi e ti ende vazhdon t'i mashtrosh njerëzit, si mund të thuash se je penduar nga pirja e alkoolit, e duhanit kur t'i ende vazhdon e i pi ato! Si mund të quhesh i penduar nga kamata kur paratë e tua ende janë të depozituara në bankë me përfitime!

O njerëz! Shpejtoni të pendoheni para se t'u marrë Allahu e ta takoni atë me gjynahe, mos u bëni si ata të cilët i mashtron shpesa për jetëgjatësi, apo që i mashtron shejtani, i cili me dredhitë e tij dëshiron që ti të mos pendohesh asnjëherë. Pendohuni, sepse Allahu i do ata që pendohen, pendohuni në mënyrë që të arrini mëshirën e Zotit tuaj.

“Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” En-Nur, 31.

O Allah! Na jep sukses të shpejtojmë për pendim nga gjynahet e të kthehemi drejt asaj me të cilën Ti je i kënaqur. E thash atë që dëgjuat dhe i kërkoj Allahut falje për vete dhe për ju dhe ju kërkoni falje se vërtet Allahu është falës i Madh.

II

Falënderimi i takon Allahut, I Gjithëpushtetshmi, Dhuruesi, Falësi e Pranuesi i pendimit për ata që pendohen, sado i madh të jetë gabimi i tyre, Ai ia kthen të këqijat në të mira nëse kthehen tek Ai dhe i përmirësojnë punët e tyre. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër me të drejtë veç Allahut i vetëm dhe i pa shok, si dhe dëshmoj se Muhamedi salallahu alejhi ue selem është rob dhe i dërguar i Tij, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë për të, familjen, shokët dhe të gjithë pasuesit e tyre deri në ditën e Gjykimit.

O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj dhe pendohuni tek Ai dhe kthehuni nga gjynahet e veproni të mirat që të jeni të pranuar e nga zinxhirët e mëkatit të çliruar.

Duhet të dini, o ju muslimanë, se pendimi ndaj një mëkati është detyrë dhe duhet të bëhet menjëherë e të mos vonohet, sepse vonimi i pendimit nga një mëkat ka nevojë për një pendim të ri. Pendimi duhet të jetë i sinqertë vetëm për Allahun e jo për syefaqe të njerëzve, sepse kështu e çoni dëm pendimin dhe punën pas saj. Që një pendim të jetë i pranuar duhet që gjynahqari të ndiej keqardhje për gjynahun që ka bërë, sepse një gjë e tillë do t'i dhurojë nënshtrim ndaj Allahut.

Nga kushtet e pranimit të pendimit është se gjynahqari duhet ta braktisë menjëherë gjynahun e më pas të pendohet prej tij. Nëse gjynahu që ka bërë ka të bëjë me njerëzit, atëherë ai duhet patjetër që t’ua kthejë atyre të drejtën që u ka marrë, e t'u kërkojë që t’ia bëjnë hallall, sepse një vepër e tillë është kusht për pranimin e pendimit kur ka të bëje me njerëzit.

O njerëz! Pendohuni tek Allahu të sinqertë e të jeni të sigurt se Ai do ta pranojë pendimin tuaj i gëzuar dhe do t’ua falë gjynahet tuaja.

“Thuaj: O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti”. Ez-Zumer, 53.

Kërkoni falje Allahut sepse Profeti salallahu alejhi ue selem, të cilit i ishin falur gjynahet i kërkonte Allahut falje më shumë se shtatëdhjetë herë gjatë ditës.

Dhe mos harroni atë me të cilën jeta juaj bëhet më e bukur, e që u rrit gradat tek Allahu e ju afron tek Ai, ajo është dërgimi i salavateve për Profetin tonë, më të mirin e njerëzimit.

Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

09.08.2008

 


Pin It



Burimi