Pin It

 Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut të vetëm, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi profetin pas të cilit s’ka më profet, mbi profetin tonë Muhamed, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Vëllezër e motra! Ja arrti gjysma e Ramazanit, por vallë a po e shtrëngojmë ne veten dhe t’i kërkojmë llogari? A ka në mesin tonë prej atyre të cilët kanë punuar në këto ditë me ato që dinë dhe njohin për këtë muaj? Vallë a thua janë përmalluar vetet tona për të arritur nderimet dhe shpërblimin?

O ti që ke punuar mirë në atë që kaloi! Vazhdo me bindje dhe në mirësi në atë që të ka mbetur! O ti që gjysma të ka ikur pa të mira e pa ndier, nëse do të humbin në Ramazan, më thuaj kur do të fitojmë? Nëse nuk udhëtojmë drejt mirësimeve dhe gradave të larta në këtë muaj thuamë kur do t’i arrimë?

Katade –Allahu e mëshiroftë!-, thoshte se një njeriu që nuk i falen gjynahet në Ramazan, nuk mendoj se do t’i falen ndonjëherë, për shkak se në këtë muaj gjenden shkaqet dhe rrugët për të arritur faljen.

Atëherë le të arrijmë atë që na ka mbetur prej këtij muaji, sepse këto janë momentet më të vlefshme të të gjithë kohës, janë momente ku ne duhet të kapemi pas së mirës fortë me dhëmballë, ato janë vërtet si kurorë mbi kokën e kohës. Duhet të dimë se jemi përgjegjës për çdo moment që na humb e na ikën, nga Ebi Berzeh përcillet se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk do të lëvizin këmbët e birit të Ademit ditën e Kiametit pa u pyetur për katër gjëra: për jetën si e çoi, për rininë si e kaloi, për dijen se çfarë punoi me të dhe për pasurinë si e fitoi dhe ku e shpenzoi”. Tirmidhiu, sahih.

Po ne jemi përgjegjës dhe do të pyetemi për kohën dhe momentet e jetës sonë se ku i kemi çuar? Në bindje të Allahut dhe përkujtimin e Tij, në leximin e librit dhe mësimin e fesë së Tij, apo e kemi kaluar përpara televizorit, apo duke ndjekur ndeshjet e futbollit, apo të tjera si këto të cilat nuk na sjellin ndonjë dobi të pritshme, përkundrazi, mund të na largojnë nga Allahu dhe kënaqësia e Tij dhe mund të na afrojnë në zemërimin dhe dënimin e Tij.

E habitshme është me ne! E dimë se çfarë është përgatitur për këtë muaj prej vlerave dhe mirësive e megjithatë një pjesë prej nesh nuk e gjen vetveten veçse në humbjen e kohës me ato gjëra të cilat nuk realizojnë gjë tjetër veçse largim nga Allahu, sikur fletushkat dhe regjistrat tanë të jenë mbushur me sevape e sikur hyrjen në Xhenet e kemi siguruar. Deri kur do të kënaqemi me rënie?! Pasha Allahun, të devotshmit na e kanë kaluar me fitime ndërsa një pjesë e jonë ende nuk e ka marrë seriozisht muajin e Ramazanit. Po vallë kush po na kënaq më shumë, shikimi në haram, apo shikimi i cili qëndron i ulur duke lexuar Kuran?! Po na kënaq gjuha që përmend Allahun, apo ajo që përgojon, shpifjen dhe thashethemin nuk e ndan? Hapat të cilat të çojnë drejtë së keqes apo ato që të çojnë në xhami e namaz?

Ibnu Abasi prej Profetit salallahu alejhi ue selem përcjell e transmeton: “Shfrytëzoi pesë para pesë të tjerave: jetën para vdekjes, shëndetin para sëmundjes, kohën bosh para angazhimit, rininë para pleqërisë dhe pasurinë para varfërisë”. Hakimi, sahih.

Po vaj halli çfarë mirësie do të kishim sikur këto të pesta t’i shfrytëzonim më shumë se kurrë në këtë muaj madhështor?

Robër të Allahut! Njeriu nuk arrin të kuptoj mirësinë dhe vlerën e diçkaje vetëm se kur ajo largohet prej tij, ndaj le t’i shfrytëzojmë këto pesë gjëra përpara se të na ikin, le t’i shfrytëzojmë ato për të na çuar drejtë xhenetit, sidomos në kohët kur ato janë më domethënëse. Ja ky është Ramazani në të cilin u zbrit Kurani, ky është Kurani i cili nëse do të zbritej mbi male do t’i shihje të frikësuar, e megjithatë shumë nga zemrat tona nuk frikësohen e shumë nga sytë tanë nuk përloten!

Robër të Allahut! A nuk shohim se një pjese prej nesh thinjat dhe rrudhat i janë shtuar, fuqia dhe energjia e trupit i janë pakësuar, mos e lini këtë Ramazan t’u shkojë pa ju falur gjynahet. Sa nuk jetojnë më nga ata që agjëronin? Mos vallë je i sigurt se do ta arrish Ramazanin tjetër? Atëherë ç’pret, fitoje mirësinë e këtij muaji me fuqinë që të ka mbetur, përpara se të përfundojë Ramazani e ti të jesh i fjetur, e ndoshta kur të vijë tjetri, ku i dihet do të jesh poshtë në gropën e varrit do të jesh i tretur.

Edhe ju o rini? Të mos u mashtroj fuqia dhe energjia që ta lini këtë Ramazan t’u shkojë, se pasha Allahun, të panumërt janë ata që qajnë e vajtojnë pse Ramazanin dot nuk e agjërojnë! Kush të garanton se do të jesh i shëndetshëm? Jeta është sprovë, por sprovë janë dhe ato që e shoqërojnë ndaj të shpejtojmë e të garojmë që tregtia jonë me Allahun të jetë e suksesshme e të fitojmë, se ku i dihet që këtë treg në të cilin jemi më nuk do ta arrijmë, e mallin që duam të marrim më nuk do ta gjejmë!

O Allah, bëna në këtë muaj nga të fituarit e mos në bëj nga të privuarit!

II

Imam Buhari –Allahu e mëshiroftë!-, ka transmetuar nga Ibnu Abasi se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Me dy mirësi njerëzit janë të mashtruar: shëndeti dhe koha e lirë”.

Profeti alejhi selam në këtë hadith, njeriun e ka krahasuar me tregtarin, ndërsa shëndetin dhe kohën e lirë, me kapitalin (pasurinë) e tij, ai i cili e përdor shëndetin e tij dhe kohën e lirë në bindje të Allahut dhe adhurimin e Tij, patjetër që do ta fitojë tregtinë me Allahun edhe do të gëzohet me përfundimin e tij. Ndërsa ai i cili i përdor këto mirësi në kundërshtimin e Allahut, sigurisht që ai është i mashtruar dhe nuk është i aftë t’i përdorë ato si duhet.

Për këtë shkak, të parët tanë të mirë kanë qenë njerëzit që kujdeseshim më shumë se çdo kush tjetër për kohën që ta mbushnin me përmendjen e Allahut, me leximin e librit të Tij, me mësimin e fesë dhe bamirësinë ndaj robërve të Tij. Prej tyre Amir bin Abd Kajs të cilit i tha një burrë: “Prit se dua të flas pak me ty”. Ai u përgjigj: “Nëse ke mundësi që ta ndalosh diellin, atëherë mund të jap prej kohës sime”. Pra, koha për ta ishte gjëja më e shtrenjtë ndaj dhe nuk e çonin atë dëm. Madje disa prej të parëve tanë nxënësit i këshillonin duke u thënë: “Kur të ikni prej meje mos qëndroni bashkë, sepse kështu mund të lexoni Kuran, apo të bëni dhikër, e kur qëndroni bashkë mund të angazhoheni me biseda”.

Kështu kanë qenë të parët tanë, sidomos në këtë muaj, por çfarë do të thoshin nëse na shikonim ne se si i harxhojmë kohët tona.

Vëllezër dhe motra agjërues! Është e dhimbshme, por e vërtetë, që një pjesë e muslimanëve e kalojnë kohën me gjëra boshe duke u përpjekur të humbin mendjen derisa të vijë iftari, por këta dhe ne nuk e dimë se me humbjen e kohës humbin dhe vetet tona, sepse ato  janë pjesë e kësaj jete të cilën Allahu na e ka caktuar në dynja.

Nëse jemi të tillë le të zgjohemi nga gjumi, të arrijmë atë që na ka humbur, ta bëjmë pjesën e mbetur të Ramazanit kohën më të bukur të jetës sonë, le të kujtojmë shpesh e gjithmonë fjalën e Profetit dhe të dashurit tonë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe duke llogaritur shpërblimin, do t’i falen gjynahet e mëparshme”. Mutefekun alejhi.

Po ashtu, nxitësi në të mira dhe shembulli ynë në adhurimin e Allahut, Profeti i Tij alejhi selam ka thënë: “Një person i cili falet me imamin derisa ai të përfundojë (namazin), do t’i shkruhet sikur është falur gjithë natën”. Ebu Daud, Tirmidhi, Nesai dhe Ibnu Maxhah, sahih.  Pra, kush fal teravitë me imamin derisa të mbarojë rekatin e fundit të tyre që është vitri, do t’i shkruhet sikur ka falur gjithë natën dhe kjo është nga mirësia madhështore që Allahu ka dhënë për robërit e tij besimtarë.

Kushdo që dëshiron fitimin e xhenetit dhe shpëtimin nga zjarri, atëherë nuk i ngelet gjë tjetër veçse të shfrytëzojë kohën, shëndetin dhe pasurinë e tij në këtë muaj të bekuar duke e drejtuar për në adhurimin e Allahut, sepse ndoshta ndonjëri prej nesh e ka ramazanin e fundit që jeton, e përse të mos e lirojmë veten në të prej zjarrit!

O Zoti ynë, ne i kemi bërë padrejtësi veteve tona, nëse Ti nuk na fal e nuk na mëshiron, padyshim se do të jemi prej të shkatërruarve.

Izedin Uejr

Përktheu: Bledar Haxhiu

Imam dhe hatib në xhaminë Cërrik

Burimijetes.com

04.09.2009

Shpërndaje në rrjete sociale


Pin It



Burimi