Bekir Halimi
Bekir Halimi

Secili cikël zgjedhor i ka karakteristikat edhe specifikat e veta, ashtu edhe ky cikël zgjedhor i cili do mbahet në fund të javës (09 Shkurt 2025).

Secili votues i denjë edhe me karakter të fuqishëm duhet të përkrah opsionet politike serioze dhe të sinqerta, ato që ofrojnë sundim të ligjit me drejtësi edhe efektivizim të kapaciteteve shtetërore në maksimum.

Asnjëherë në këto procese nuk duhet të futemi duke u nisur nga interesi i ngushtë personal apo ai klanor e fisnor, sepse edhe nëse fiton diçka për momentin humbja do jetë aq e madhe në zhvillimin afatgjatë të shtetit saqë në fund të gjithë do e pësojnë, si ai që ka votuar më këso motive, si ai që nuk ka dhënë maksimumin për vetëdijësimin e shoqërisë, si ai që nuk ka vepruar mjaftueshëm për të ndalë këtë mendësi apo edhe këtë mënyrë të veprim politik, i cili mund të jetë prezent tek një pjese e madhe e shoqërisë.

Në mungesë të mendimit kritik të sinqertë edhe në mungesë të një atdhedashurie të vërtete, e në prani të një psikologjie tifozerike edhe në paaftësi për të mbindërtuar mendimin dhe qëndrimin politik, e vërejmë se partitë politike i trashëgojnë votat nga një cikël zgjedhor në tjetrin edhe pse dëshmitë flasin se ka ndryshim nga diskursi politik, ka mosrealizim të premtimeve ndërsa janë shfaqur simptomet e mungesës së imunitetit nga korrupcioni, pasi që pushteti është aq magjepsës saqë edhe njeriu më i devotshëm e ka vështirë ta reziston këtë magjepsje, e jo më ata që nuk besojnë në asgjë.

Duke u nisur nga këto rrethana në të cilat zhvillohet politika jonë, ne si komunitet besimtarësh musliman duhet t’i kemi këto objektiva në pjesëmarrjen tonë në këtë proces zgjedhor:

  • Përmbushja e detyrës fetarë të pjesëmarrjes aktive në zbatimin e të mirës dhe ndalimin e të keqes, sipas sqarimeve fetare, brenda mundësive dhe kapaciteteve që i kemi.
  • Përmbushja e detyrës atdhetare dhe qytetare për të ruajtur interesin kombëtar të vendit edhe interesin e zhvillimit të shtetit për të jetuar në një shtet që ofron kushte themelore, pse jo edhe të zhvilluara, ekonomike dhe sociale.
  • Pjesëmarrja me kontribut konkret për të sjell në pushtet një forcë politike e cila ka fuqi që të efektivizoj krejt kapacitetet shtetërore edhe t’i thjeshtësoj procedurat administrative e t’ia lehtësoj jetën qytetarëve të shtetit.
  • Dhënia e kontributit konkret për të mbrojtur popullin tonë nga kulturat neoliberale edhe agjendat e degjenerimit moral (lgbt+), të cilat janë të dëmshme për zhvillimin tonë njerëzor e kombëtar, edhe pse nuk e dëmtojnë shumë trungun e komunitetit musliman, sepse imuniteti i tyre imanor dhe moral, të cilin e ndërtojnë rregullat edhe adhurimet në Islam, është i mjaftueshëm për ta refuzuar edhe kundërshtuar këtë fenomen negativ.

Duke u nisur nga këto objektiva shoqëria kosovare edhe populli që jeton në Kosovë në këtë cikël zgjedhor për herë të parë para vetes ka një koalicion tematik, i cili ka përcaktuar si platformë veprimi një ideal strategjik edhe themelor për zhvillimin e popullit dhe vendit tonë, e ajo është mbrojtja e konceptit familje, me të gjitha komponentet që bartë brenda vetes ky koncept edhe kundërshtimin kategorik të krejt atyre ofertave që e dëmtojnë këtë koncept ose mundohen ta zhbëjnë.

Nëse në ciklet zgjedhore njerëzit kanë qenë të zhgënjyer nga shumë opsione politike, pasi që ndryshe kanë folur në fushatë e ndryshe kanë vepruar në qeverisje, edhe duke u nisur nga ky zhgënjim ata kanë vendosur të mos dalin edhe të votojnë, e me këtë t’u japin mundësinë të fitojnë përsëri opsionet e vjetra, në këtë cikël zgjedhor kjo shtresë e votuesve e ka një mundësi për të votuar një opsion politik të cilin nuk e ka provuar më parë, i cili opsion është nisur nga një parim i domosdoshëm për vazhdimin e jetës në tokë, shumë i rëndësishëm në strategjitë zhvillimore për vendin tonë, e sidomos forcimit të pozitave tona gjeostrategjike në Ballkan, ajo është ruajta edhe zhvillimi i familjes.

Krejt këtë e themi duke u nisur nga parimi se nëse me veprim aktiv vështirë arrihen ndryshimet, atëherë me mosveprim, duke qenë pasiv, pra me mosvotim, edhe më vështirë do të arrihen ndryshimet e dëshiruara.

Kësaj që thamë ia shtojmë edhe këtë fakt të cilin disa herë e kemi vërejtur e ajo është se kjo gjendje e zymtë dhe mungesë e vullnetit për pjesëmarrje aktive në proceset votuese është edhe dëshira e disa partive politike, andaj e ndihmojnë edhe e stimulojnë, sidomos aty ku janë të sigurt për fitoren e tyre.

Për krejt këto që u thanë insistojmë edhe theksojmë:

  • Çdo shqiptarë duhet të del për të votuar në këtë cikël zgjedhor, si kontribut për të arritur objektivat e përcaktuara më lartë.
  • Çdo shqiptar i cili ia do të mirën edhe shpreson për ardhmëri të mirë të vendit tonë në rajon dhe më gjerë duhet ta voton Koalicionin për Familjen.
  • Çdo musliman që përveç atdhedashurisë e ka parasysh edhe obligimin fetar, atëherë atij i bëhet detyrë fetare të dal edhe të votoj koalicionin për familjen.

Pas këtyre sqarimeve edhe rekomandimeve për fund dua të jap edhe një sqarim plotësues.

Proceset politike janë të komplikuara edhe janë ciklike. Asnjëherë nuk arrihet i tërë suksesi me një pjesëmarrje në një cikël zgjedhor. Andaj me çdo pjesëmarrje në një cikël zgjedhor që nuk arrihet i tërë suksesi i paramenduar, nuk do thotë se kemi humbur ose të zhgënjehemi, por duhet kuptuar se kemi arritur disa qëllime:

  • Kemi dhënë mundin tonë, gjë e cila është detyra jonë.
  • Kemi fituar përvojë të re politike.
  • Kemi pakësuar të keqen.
  • Kemi faktorizuar votën konzervative brenda popullit tonë.
  • Kemi futur votën konzervative në analizat e partive politike liberale.
  • Kemi demaskuar qëndrime të njerëzve brenda kampuseve të ndryshme politike.
  • Kemi përcaktuar itenerar të qartë të zhvillimit politik të komunitetit fetar musliman brenda popullit tonë.
  • Kemi efektivizuar kapacitetet humane brenda komunitetit, të cilat në raste tjera do të ishin pasive. Etj.

Shpresojmë që ky cikël zgjedhor të sjell më të mirët në qeverisjen e vendit tonë, të sjell ata që do dinë të ruajnë shtetin tonë, duke e zhvilluar administratën shtetërore në mënyrën më të mirë të mundshme, duke e ruajtur shtetin tonë nga armiqtë e jashtëm, pastaj duke e ruajtur shtetin tonë nga armiqtë e brendshëm, duke e ruajtur familjen shqiptare si model i një familjeje të shëndoshe dhe të fuqishme në riproduktivitet, gjë që arrihet me kujdesin për vlerat morale dhe krejt kjo pastaj do pasqyrohet me një zhvillim të dalluar në rajon. Amin!

Bekir Halimi