Dr. Abdulkerim Bekkar

Allahu i Madhëruar thotë:
”Vërtet, me vështirësinë  vjen një lehtësim.” (Esh-Sherh: 6)

Në këtë ajet fshihet një mirësi e madhe, pasi përmban lajmin e gëzueshëm për besimtarët se çdo vështirësi ka një fund, sado e gjatë të jetë. Errësira, në thelbin e saj, mbart agimin e shumëpritur.

Radhitja dhe ndërrim i gjendjeve të ndryshme përputhet me natyrën psikologjike dhe materiale të njeriut, i cili kalon herë në ngritje e herë në rënie, herë në sukses e herë në dështim,  e herë në vërsulje dhe herë tjetër  në zbrapsje. Gjithashtu kjo pajtohet me natyrën e sprovës, e cila është ligj i pandryshueshëm i jetës dhe tipar i saj i përgjithshëm.

Ky ajet mbolli shpresë në zemrat e sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta,  të cilët, në përsëritjen e këtij lajmi, panë një theksim të premtimit hyjnor për përmirësimin e gjendjes.
Ibn Mes’udi ka thënë:
“Sikur vështirësia të fshihej në ndonjë birucë, lehtësimi do ta ndiqte derisa të hynte edhe aty.”

Disa prej dijetarëve të gjuhës kanë thënë se “al-‘usr” -vështirësia është e shprehur me nyjen “El” të shquarsisë që tregon përcaktim, ndërsa “jusr” lehtësimi është  i pa shquar pra i papërcaktuar. E arabët, kur përsërisin një fjalë të shprehur në formë të përcaktuar, i referohen të njëjtës gjë. Ndërsa, kur përsëritin fjalë të papërcaktuar, ajo e dyta është e ndryshme nga e para.

Duke u bazuar në këtë, Ibn Abbasi ka thënë: “Nuk do ta mposhtë një vështirësi, dy lehtësime.”

Në këtë ajet fshihet një aludim i  mrekullueshëm, që tregon se lehtësimi është i fshehur brenda vetë vështirësisë dhe ngushticës, edhe pse në pamje të jashtme duket se mirëqenia nuk vjen njëkohësisht me sprovat, por vetëm pas tyre.
Ky mesazh vjen për të qetësuar ata që përballen me vështirësi, dhe për t’u dhënë lajm të gëzueshëm për afërsinë e zgjidhjes dhe çlirimit nga sprovat.

Shpresa në kohë të humbjeve

Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për të përjetuar gëzimin e këtij lajmi hyjnor, sepse myslimanët janë përballur me forma të ndryshme dëshpërimi, humbjesh, padrejtësish dhe pikëllimesh, që kanë sjellë përhapjen e një fryme pesimizmi dhe dëshpërimi, saqë shumë prej tyre ndihen të dorëzuar përballë rrethanave dhe ndryshimeve që i kanë kapluar.

Nga ky realitet ka lindur edhe një lloj kulture e re të të folurit që mund të quhet: “Retorika e qorrsokakut – rrugës së mbyllur”! Kjo retorikë manifestohet në ankesa të vazhdueshme për gjithçka: për braktisjen nga miqtë, për konspiracionet e armiqve, për trashëgiminë e dobët të prindërve dhe gjyshërve, madje edhe për sjelljet e bijve dhe nipave!

Këta njerëz të ngarkuar me krizë të brendshme gjithmonë drejtojnë rrezet e kritikës drejt tjerëve; ata mendojnë se vetja e tyre është në rregull, dhe se çdo gjë që ndodh me ta është për faj të të tjerëve!

Kur shohin dikë që tenton të kalojë në veprim konkret, larg fjalëve të zbrazëta dhe planeve në ajër, ata e shuajnë zjarrin e entuziazmit të tij me fjali si:
“Nuk do të të lënë të veprosh”, “Nuk do të të lejojnë të edukosh”, “Nuk do të të lejojnë të bëhesh i madh”, “Nuk do të të lënë…”

E gjithë kjo çon në një gjendje përhumbjeje dhe ngërçi, në  një situatë pa dalje, që në realitet është një rrëshqitje drejt mosangazhimit dhe pasivitetit, deri sa, sipas tyre, të vijë Mehdiu, e ata të bëhen ndihmësit e tij!
Ose të ndodhë ndonjë mrekulli nga Allahu i Lartësuar që t’u hapë rrugën e shpëtimit!

Arsyet që çojnë në këtë gjendje të mjerueshme

1 – Edukimi fillestar personal që merr individi

Ky edukim mund të mbjellë te individi frymën e pesimizmit dhe dëshpërimit lidhur me përmirësimin e kohës dhe njerëzve të saj.
Po ashtu, ai mund të ngjallë ndjenja armiqësie ndaj mjedisit përreth, e kështu individi shkëputet emocionalisht dhe shpirtërisht nga shoqëria që i përket, duke kërkuar pastaj një lloj përkatësie tjetër,  qoftë ndaj një familjeje, fshati, grupi apo bashkësie,  për t’ia zbutur ndjenjën e vetmisë dhe të huajësisë.

Por, me kalimin e kohës, ai zbulon se edhe ajo që ai e besonte si të përkryer, dhe tek e cila kishte vendosur shpresat, nuk ndryshon shumë nga të tjerat. Kjo çon në dëshpërim të thellë, ku individi humb besimin në çdo gjë përreth, dhe përfundon me një gjendje ngopjeje, irritimi dhe refuzimi ndaj gjithçkaje, si dhe me reagime negative ndaj çdo sfide që i del përpara.

2 – Trajtimi i realitetit si një masë e ngurtë dhe e pandryshueshme

Shumica e njerëzve kanë një vështrim tepër të thjeshtëzuar, që e shpjegon çdo dukuri  një shkak të  vetëm, dhe e sheh përbërjen e saj si të formuar vetëm nga një element. Kjo qasje e gabuar çon në një krizë të thellë metodologjike, pasiqë i tilli nuk është në gjendje të ndajë problemin me të cilin përballet në komponentët kryesorë dhe ato dytësorë, e as të kuptojë lidhjet dhe strukturat e pushtetit apo ndikimit brenda vetë dukurisë, dhe si rrjedhojë, nuk arrin të ndikojë apo të ndryshojë gjendjen.

Si përfundim njeriu qëndron i hutuar, përballë një problemi të ngurtësuar dhe të paqartë, të cilit nuk i sheh as fillimin e as fundin. Dhe rezultati i fundit është dorëzimi përpara presioneve, duke pritur ndonjë ndodhi të papritur, ndonëse, po të fillonim të vepronim që sot me aq sa kemi mundësi, shumë nga ato që sot na duken të pamundura, do të bëheshin të mundshme nesër.

3 – Mospërfillja e faktorëve të brendshëm të problemit

Sot është e rrallë të gjejmë një dukuri madhore që nuk ndikohet, në ekzistencën, zhvillimin dhe drejtimin e saj, nga një kombinim faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm. Por në shumicën e rasteve, faktori i jashtëm ka ndikim të kufizuar, nëse nuk arrin të zhvendosë ndonjë nga faktorët e brendshëm dhe ta zëvendësojë atë.

Këtë mund ta aplikojmë në çdo problem të madh me të cilin përballemi sot.
Kurani famëlartë e thekson këtë të vërtetë të ndritshme në fjalën e Tij:
Nëse jeni të durueshëm dhe ruheni (nga mëkatet), nuk do t’ju bëjë dëm  dredhia e tyre.”  ( Ali Imran: 120)

Çfarë ndodh zakonisht?
Shpesh shikimin tonë e ngulim vetëm te faktorët e jashtëm – të cilët vërtet mund të jenë të fortë dhe imponues,  por mbyllim sytë ndaj faktorëve të brendshëm. Për shembull, ne nuk kemi në dorë t’i bindim armiqtë tanë të ulin ashpërsinë e armiqësisë së tyre ndaj nesh, ashtu si askush nuk mund ta ndalë rënien e borës.
Por ajo që mund ta bëjmë, është ta forcojmë veten, në mënyrë që të mos bëhemi një pre e lehtë, ashtu siç njerëzit përgatiten për t’u përballur me motin e ftohtë.

Mirëpo, problemi i vërtetë qëndron në faktin se më e vështira nga të gjitha përballjet është përballja me vetveten, dhe më fisnikja nga të gjitha zbulimet është zbulimi i vetvetes!

Mungesa e kuptimit të lëvizjes së ndërrimit të gjendjeve

Gjendjet ndërrohen njëra pas tjetrës ashtu si ndërrohen nata dhe dita, dhe pas majës së malit nuk vjen tjetër veçse tatëpjeta, dhe pas tatëpjetës vjen lugu. Shtyrja e çdo çështjeje deri në kufijtë e saj më ekstrem, në fund, do të çojë ose në shpërthimin, ose në shuarjen e saj të plotë. Kur një përvojë, teori apo metodë arrin në një rrugë pa dalje, njerëzit nuk do të vonojnë shumë derisa të gjejnë një rrugëdalje, e cila ndoshta do të jetë e përshtatshme, e ndoshta jo.

Këtu del në skenë treshja e mbrapshtë: të zgjuarit, koloboracionistët dhe budallenjtë, të cilët ndonëse me qëllime të ndryshme,  përpiqen të pengojnë që ndonjë problem të arrijë pikën e shpërthimit, në mënyrë që ai të mbetet i zgjatur pafundësisht! Dhe pikërisht për shkak të skenarëve të orkestruar nga kjo treshe, krizat në botën islame kanë zgjatur për shekuj me radhë!

Në këtë pikë del në pah edhe roli i mendimtarëve që kanë një vizion të gjerë kritik dhe që arrijnë t’i transferojnë problemet e shoqërive të tyre drejt vetëdijes dhe ndjeshmërisë së njerëzve,  në mënyrë që ata të mos përshtaten me to në mënyrë pasive, por përkundrazi, të krijohet mundësia për t’i kapërcyer ato.

Allahu thotë:
”Vërtet, me vështirësinë vjen një lehtësim. Vërtet, me vështirësinë vjen (edhe) një  lehtësim (tjetër).”
Dhe me durimin vjen fitorja, me vështirësinë vjen çlirimi, dhe në thellësinë e çdo fatkeqësie gjendet një embrion zgjidhjeje dhe një çelës për ta hapur. Për çdo krizë që po kalojmë, ekzistojnë zgjidhje të përshtatshme, nëse gjendet mendja e arkitektit dhe bisturia e kirurgut.