Udhëtimi për në Amshim
Sado që të jetojë njeriu në këtë dynja, sado që ai të dëfrehet me kënaqësitë dhe lezetet e saja, fundi i tij është i paevituar. Patjetër çdo njeri do ta ketë fundin dhe ky fund është vdekja, prej së cilës nuk ka shpëtim. Thotë All-llahu i Lartmadhërishëm: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen, e tek Ne keni për t’u kthyer” [Ali Imran 185].
Patjetër do ta përjetojmë ditën, në të cilën do të kthehemi tek All-llahu i Lartmadhërishëm, që të na llogaritë për atë që punuam në këtë dynja. Thotë All-llahu i Lartmadhërishëm: “Frikësojuni ditës në të cilën do të ktheheni tek All-llahu” [Bekare 281]. Ajo është dita e fundit, nuk ka ditë pas saj. Ajo është ditë e madhe në të cilën do të dalim para All-llahut të Lartmadhërishëm, është ditë që do të dalë para All-llahut, i madhi e i vogli, i ndershmi e i pandershmi, i pasuri e i varfëri; ajo është dita dhe takimi i premtuar…
Para kësaj dite është një moment në të cilin njeriu kalon prej botës së mashtrimit në botën e gëzimit ose hidhërimit; varësisht prej veprave të tij. Ky moment është momenti në të cilin njeriu hedh shikimin e fundit në djemtë e vajzat e tij, në vëllezërit e motrat e tij kurse në fytyrën e tij lajmërohen agonitë e vdekjes dhe nga zemra e tij burojnë rënkime dhe gjëmë të thella. Ai është momenti në të cilin njeriu e kupton pavlefshmërinë e kësaj dynjaje, është momenti në të cilin njeriu ndien dhimbje dhe humbje për çdo moment të cilin nuk e ka shfrytëzuar në rrugën e All-llahut të Lartmadhërishëm.
Atëherë ai mund të thërret: “O Zoti im! Më kthe, ndoshta do të punoj mirë për atë që lëshova (nuk e bëra deri sa isha në dynja)” [Mu’minun 99-100].
Ai është moment në të cilin meleku i vdekjes e thërret njeriun. Ah, po ta dije se a të thërret për të mirë (ta përgëzojë me xhennet) apo e thërret vrazhdë si për banor të xhehennemit!
Vëlla i dashur!
Vetmia e vërtetë është vetmia në qefin e varr. A i përkujton dhimbjet kur do shtrihesh në shtratin ku familja jote do të të rrotullojnë (herë andej e herë këndej), kur do të kaplon dhimbja, e vdekja me çdo herë do të afrohet.
Pastaj do t’ia dorëzosh shpirtin Zotit të Lartmadhërishëm. Pastaj do të çojnë në xhami që të ta falin namazin e xhenazes, pastaj do të të lëshojnë në varr, duke të mos shoqëruar aty askush, as nëna, as babai e as vëllai.
Në varr njeriu do të ndiejë se është në një vetmi dhe botë të frikshme. Gjatë një momenti njeriu kalon nga kjo botë e frikshme për në kënaqësitë e All-llahut të Lartmadhërishëm, nëse ka qenë prej atyre që janë penduar dhe kanë bërë vepra të mira, apo kalon në skëterrë e ndëshkim të dhembshëm nëse ka qenë vepërkeq e mendjemadh ndaj All-llahut të Lartmadhërishëm.
Nuk ka shpëtim nga momenti i dhënies së fletushkave për atë që kemi bërë. Ato ose do të na jepen në anën e djathtë e të jemi të gëzuar, ose në anën e majtë e me zemër të thyer do ndiejmë dhimbje për ditët, në të cilat nuk punuam diçka për All-llahun e Lartmadhërishëm, ta kemi për në Ditën e Gjykimit.
Ja pra kjo është dynjaja. E vëreni se sa shpejt kalojnë ditët e saja. Tash i sheh sinjalet e para para vetes. Ia dorëzon shpirtin All-llahut, kalon në Ahiret dhe vështirësitë e tij. Ja për një moment u bë sikur nuk kishte qenë kurrë. I kthehet jetës së re, ose të lumtur ose të hidhur. All-llahu na ruajt!
Nuk ka dobi nga dynjaja, banorët e së cilës çdo herë atë e braktisin. Botë, të cilën ndërtuesit e saj e lënë. Ose varr në begati e kënaqësi të përhershme, ose varr në zjarr e mundime të dhembshme. Ai thërret, kërkon ndihmë por s’ka kush që i ndihmon.
Pas kësaj vjen dita e premtuar, dita në të cilën toka shndërrohet në një tokë tjetër e qiejt i nënshtrohen All-llahut Fuqiplotë; ditë në të cilën dosti nga dosti nuk ka dobi e as ndihmë. Thërret thirrësi (meleku) me zërin e tij e ngrihen të vdekurit nga varret për tek Zoti i tyre, të zhveshur e të zbathur, kur nuk ka fis, miq, autoritet e as pasuri “e kur i fryhet Surit [për herë të dytë] atëherë, në atë ditë nuk do të ketë lidhje familjare mes tyre e as që do të pyesë kush për njëri-tjetrin. E kujt i peshojnë më rëndë peshojat (veprat e mira), ata janë të shpëtuarit. Ndërsa atyre që u peshojnë lehtë peshojat (veprat e mira) ata janë (ata) që humbën veten dhe janë në xhehennem përgjithmonë. Zjarri do t’ua djegë atyre fytyrat dhe do të duken shumë të shëmtuar brenda tij” [Mu’minun 101-104].
Ajo është dita në të cilën All-llahu i bashkon të parët e të fundit, ajo është dita në të cilën shpërndahen defterët (fletoret) e vendosen në peshore. Ajo është ditë në të cilën njeriu ikën nga vëllai, nëna, babai, gruaja e fëmijët e tij. Ajo është dita kur vepërkeqi dëshiron ta hedhë gruan, vëllezërit, fëmijët në zjarr, e vetë të shpëtojë.
Atëherë vëlla i dashur! Ti o vëlla që ndaj All-llahut bën mëkat! Imagjino veten tënde duke qëndruar në mesin e asaj turme të madhe krijesash të mbledhura para All-llahut të Lartmadhërishëm, të thirret emri: O filan filani, eja të dalësh para All-llahut të Lartmadhërishëm! Ngrihesh e nga frika e madhe tërë gjymtyrët e trupit të dridhen. Ngjyra e fytyrës tashmë të ka ndryshuar, e mundimet e vështirësitë të kanë kapluar, me asisoj dhimbje të cilat ti din vetëm All-llahu.
Imagjinoje veten tënde duke qëndruar para All-llahut të Lartmadhërishëm e zemra të është mbushur frikë.
Tashmë kur ke fletushkën në dorë, në të cilën veprat dhe çdo gjë që ka të bëjë me ty gjendet në detaje. E lexove atë me zemër të thyer. Në vete ndien turp prej All-llahut, i Cili ende vazhdon të t’i falë mëkatet dhe të jetë bamirës ndaj teje.
Me çfarë fjalësh do t’i përgjigjesh All-llahut kur do të pyesë për veprat (e këqija) dhe mëkatet e mëdha? Me cilat këmbë do të qëndrosh para All-llahut? Me çfarë zemre do ta përballosh të folurit e All-llahut drejtuar ty?
Si do të jetë puna jote kur të përkujtosh mospërfilljen e urdhërave të All-llahut dhe bërjen e mëkateve? Si do të përkujtosh interesimin e paktë për ndalesat e Tij dhe adhurimin e cekët ndaj Tij? Çfarë do të thuash nëse të thotë ty: “O robi Im! Nuk më respektove, e as nuk u turpërove prej Meje? A nuk të kam bërë mirë? A nuk të kam begatuar? Çfarë të mashtroi…?”
Vëlla i dashur!
Përkujto njerëzit e devotshëm të cilët dalin nga varret e tyre me fytyra të bardha si shenjë e veprave të mira. U ringjallën me këtë cilësi si dhuratë nga ana e All-llahut. Ata takohen me melaiket e ato i përgëzojnë duke u thënë: ja kjo është dita që u ishte premtuar juve (bëtë durim e u shpërblyet)… përkujto kur All-llahu do të urdhërojë melaqet të drejtojnë robërit e Tij për në xhennetet e lumtura. T’i dërgojnë në ato vendet ku gjejnë kënaqësinë e përhershme.
Ata me kënaqësinë e All-llahut, arritën këtë jetë të lumtur, iu hapën dyert e xhenneteve e rreth tyre sillen hyritë symëdha. Hiqet prej tyre lodhja e mundimi.
Përkujto kur shpirtërat e këqinj, tiranë e mëkatarë takojnë All-llahun e Ai melaqet urdhëron t’i marrin dhe lidhin në pranga e pastaj t’i hedhin në zjarr, sepse hidhërimi i Tij është i ashpër ndaj atyre që kanë pak turp ndaj Tij.
Ndalen shpirtërat e këqinjve në zjarrin e xhehennemit. Tashmë mendojnë shpirtërat e tillë që të kthehen prapa në dynja e të pendohen e të bëjnë vepra të mira por larg, shumë larg është kthimi. Vërtet dallim i madh në mes këtyre dy grupeve, në mes atyre që janë në begati dhe atyre që janë në zjarr. All-llahu i Lartmadhërishëm thotë: “Vërtet të mirët janë në begati ndërsa të këqinjtë në zjarr” [Infitar 13-14].
O ti që lexon këto rreshta, ndalu pak dhe llogarit veten:
Nëse je prej atyre që bëjnë vepra të mira e u largohen mëkateve, falënderoje All-llahun për këtë dhe kërko nga Ai që të të bëjë të paluhatshëm në këtë derisa të vdesësh dhe mos harro se All-llahu ta jep atë që ti kërkon.
E nëse nuk je i tillë, pendohu sepse nuk ke arsye të ngulësh këmbë në mëkatet që të sjellin ndëshkim, se VALLAHI ti nuk ke forcë t’i përballosh ndëshkimit të All-llahut, ngase edhe kodrat e forta po të ballafaqoheshin me ato zjarr do të shkriheshin nga ashpërsia e nxehtësisë së tij.
A mund ta krahasosh veten me malet dhe kodra të tilla o njeri i dobët?
Ti i bën ballë urisë e etjes, vështirësive e obligimeve por pasha Atë që nuk ka tjetër pos Tij, ti nuk mund t’i bësh ballë atij zjarri…
Atëherë nuk të mbetet tjetër pos që ta shpëtosh veten nga zjarri i tillë derisa je në këtë periudhë tranzicioni dhe ke gjasa për pendim. Mos harro se sabri nga ndalesat e All-llahut në këtë botë është shumë më i lehtë se sabri ndaj ndëshkimit të All-llahut në Ditën e Gjykimit.
Vëlla, mos harro se në rrugën e drejtë dhe të devotshmërisë nuk ka vështirësi e ndalesa të mëdha siç mendojnë disa, por rruga e devotshmërisë është e tëra lumturi, e tëra kënaqësi, e tëra qetësi. E çfarë tjetër dëshiron ti nga dynjaja?! Por sa i përket jetës tiranë e mëkatare, e tëra është frikë, humbje, mashtrim në këtë botë e pastaj ndëshkim e mundime në botën tjetër.
Andaj vëlla, provoje këtë rrugë të drejtë dhe të devotshmërisë tani dhe mos u luhat sepse ne jemi duke të këshilluar dhe ta duam të mirën!!!
Marrë nga një fletushkë, origjinali i së cilës është në gjuhën arabe. Përktheu: Sedat Islami



