Hyrje

Religjioni, kultura, arti dhe filozofia gjatë historisë janë fokusuar shumë në idetë që njeriun e vendosin në qendër të çdo gjëje. Këto ide kanë për qëllim që njerëzit t’i bëjnë ta kalojnë jetën të lumtur dhe në paqe. Në këtë kontekst detyrë e njerëzve është të ndërtojnë një jetë të balancuar në këtë botë, të forcojnë marrëdhëniet shoqërore dhe ta bëjnë këtë botë një vend sa më të bukur për të jetuar.

Kultura e lënies se vakëfit, sipas konceptit që do të diskutohet më poshtë, ka për qëllim të forcojë lidhjet shoqërore, duke vendosur mirësinë dhe mëshirën në qendër, sepse kultura e lënies së vakëfeve është ndërtuar në dy vlera bazike.
E para: është qëllimi i ofrimit te Krijuesi me punë bamirësie, dhe;

E dyta: është qëllimi i të qenit i dobishëm për njerëzimin ose, thënë më përgjithësisht, të qenit i dobishëm për të gjitha krijesat, dhe gjithashtu edhe për të fituar dashurinë e tyre.

Ky punim i shkurtë ka për qëllim diskutimin e institucionit të vakëfit nga prizmi historik dhe ai konceptual e shpirtëror.

Origjina e vakëfit

Është shumë e ditur se institucionet filantropike kanë një histori shumë të vjetër. Historia e institucioneve të tilla daton edhe para ardhjes së pejgamberit të fundit Muhamedit a.s. Mesopotamia e lashtë, Greqia, Roma, e gjithashtu edhe arabët e para Islamit kanë pasur njohuri për këto institucione bamirësie. Njohuria e tyre ka qenë deri në atë shkallë saqë edhe vakëfet, që tani në civilizimin Islamin njihen si institucione bamirësie, pra atëherë kanë qenë një influencë e këtyre institucioneve të mëhershme. Prandaj, ka qenë një inkurajim i madh për myslimanët të lënë vakëf asetet e tyre, pra në shërbim të njerëzimit, duke ditur si ta bëjnë atë, sepse ka pasur shembuj edhe nga civilizimet e mëhershme që kanë dominuar në rajon.(1)

Në këtë aspekt dikush mund të pyes se si ka mundësi që Islami të marrë diçka nga civilizimet tjera? Kjo mundësi e ka origjinën në traditën që i atribuohet Muhamedit a.s.

Ebu Hurejra r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Dituria është gjë e humbur e besimtarit, ai mund ta marrë atë kudo që e gjen.” (Termidhiu).

Edhe pse vakëfi nuk është përmendur saktësisht, koncepti i shpërndarjes së pasurisë për bamirësi është vlerësuar shumë në Kuran. (2: 215, 264, 270, 280). Për më shumë, ekzistojnë evidenca të shumta se personalitete të rëndësishme, që nga ditët e para të Islamit, kanë lënë pasurinë e tyre për bamirësi dhe për financim të ndonjë aktiviteti të caktuar, apo për ndonjë nevojë imediate të shtetit, duke mos kërkuar kompensim, por duke shpresuar në shpërblim në botën tjetër.

Ebu Hurejra r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kur të vdes njeriu të gjitha punët i ndërpriten, përveç tri punëve: një bamirësi rrjedhëse, apo një dituri (prej të cilës njerëzit përfitojnë), ose një trashëgimtar i devotshëm që lutet për të. (Transmeton Muslimi)

Burimet klasike këto vepra të mira dhe që u përmendën në hadithin e cituar më lart i kanë konsideruar ndaras, kurse ne preferojmë që t’i bashkojmë. Kombinimi i tyre konstituon esencën e vakëfeve, pra sipas parimeve islame të bamirësisë. Kështu që, rezulton se besimtarët kishin nevojë për një institucion që mundësonte veprimin e të tri këtyre punëve të mira njëkohësisht, e të cilat, pra, i plotëson vetëm vakëfi. Ky institucion garanton vazhdueshmërinë, gjenerimin e të mirave materiale për shumë vite dhe shekuj pas vdekjes së vakëflënësit, dhe mund të financojë dijetarët, prej punëve të të cilëve mund të përfitojnë njerëzimi, ndërsa nga shpërblimet dhe punët e mira që grumbullohen një pjesë e tyre do të shkojë në emër të vakëflënësit, për shkak se është ai që ka siguruar financimin.

Edhe pse myslimanët ishin të inkurajuar të marrin ide/dituri edhe nga civilizimet tjera, pa ndonjë hezitim dhe ashtu si u përmend në hadith, megjithatë procesi i huazimit nuk ishte i thjeshtë. Pa marrë parasysh arsyen e huazimit, vakëfi është dashur të studiohet shumë mirë dhe nga të gjitha aspektet, dhe pastaj të riformulohet, që të jetë në pajtueshmëri me rregullat bazike islame. Ka pasur dallime substanciale në opinionet e dijetarëve të hershëm në lidhje me strukturën dhe anën ligjore të vakëfeve. Hezitimi i dijetarëve të hershëm në këtë drejtim ishte çështja e trashëgimisë sipas ligjit islam. Sipas ligjit mbi trashëgiminë, pasuria e një personi pas vdekjes së tij duhet të shpërndahet te të gjithë trashëgimtarët e tij. Kjo ishte ndër diskutimet kryesore që solli edhe mospajtime ndërmjet dijetarëve. Mirëpo, për shkak të rëndësisë se këtij institucioni, si dhe nevojës së shoqërisë për këtë institucion, dijetarët u pajtuan në mendime, duke përgatitur kështu edhe infrastrukturën ligjore dhe kriteret për themelin e institucionit të vakëfit. Juristët më të njohur që ndihmuan në përgatitjen e strukturës ligjore ishin Imam Shafiu-themeluesi i Shkollës Juridike Shafiite, dhe Ebu Jusufi-nxënës i Ebu Hanifes, themeluesit të Shkollës Juridike Hanefite. Këta dijetarë të shquar i kanë takuar shekullit të dytë hixhri.

Gjithashtu, kërkohet një shpjegim se si ka mundësi që një sistem i këtij lloji, dhe që nuk është përmendur ne Kuran drejtpërdrejt, nuk e ka origjinën në Islam, dhe i cili në fillim u debatua se a ka mbështetje në mësimet islame, pra tani u përqafua dhe u zhvillua me entuziazëm në mbarë botën islame?!

Dimensionet e vakëfit

Vakëfi si koncept dhe institucion shumë i rëndësishëm ka shumë dimensione nga të cilët studiohet, por në këtë pjesë do të flasim vetëm për dy nga dimensionet e tij: atë shpirtëror dhe ekonomik. Në realitet vakëfi si institucion ka karakter ekonomik, sepse ka të bëjë me aktivitete ekonomike, menaxhim dhe gjenerim të pasurisë, por prapë duhet të fillohet me diskutim nga dimensioni shpirtëror, sepse motivi i themelimit të këtij institucioni gjithmonë është shpirtëror.

Duke pasur parasysh udhëzimet profetike dhe inkurajimin për të bërë punë të mira dhe bamirësie, shumë të pasur, duke e konsideruar pasurinë një sprove dhe mundësi për ta fituar botën tjetër, filluan të dhurojnë pasuri për t’i shërbyer qëllimit të parë (pra atij shpirtëror). Gjithashtu edhe dimensioni ekonomik e ka shpjegimin e vet, pra se pse nevojitej sistemi i vakëfit. Është vërtetuar se vazhdimisht ka kërkesa për investim në sektorin publik, kryesisht për mirëqenien shoqërore. Kërkesa për krijimin e fondeve për financim e shërbimeve publike promovon idenë për krijimin e institucioneve të këtij lloji.(2)

Me ndihmën e sistemit të vakëfit pasuria personale është transformuar në pasuri shoqërore, e që ka qenë funksionale brenda një shoqërie. Kështu që xhamitë, si qendra religjioze, kulturore dhe politike, kryesisht janë financuar nga vakëfet. Me kalimin e kohës, përmes institucionit të vakëfit janë financuar edhe shkollat, spitalet, si dhe institucionet tjera shoqërore të natyrës esenciale për jetë.(3)

Ky sistem ka ndihmuar edhe në eliminimin e krijimit të shtresave shoqërore në të drejtën e tyre për shërbime publike. Gjithashtu, ky sistem ka qenë gjithmonë i mirëseardhur për qeveritë, sepse nuk ka pasur ndonjë implikim në shpenzimet buxhetore, por ka ndihmuar në uljen e shpenzimeve qeveritare për shumë lloje të investimeve publike.

Çka është vakëfi?

Vakf shumësi avkaf, në kuptimin gjuhësor do të thotë të ndaluarit, të caktuarit (të bësh diçka të varur dhe të kushtëzuar). Sipas literaturës fetare termi vakëf i referohet një donacioni të veçantë (pasuri e luajtshme apo e paluajtshme), dhe të përhershëm në të cilin donatori nuk është përfitues i të ardhurave. Fitimi që buron nga asetet e dhuruara dedikohen për një çështje të caktuar apo të përgjithshme, për të mirën e të tjerëve.(4)

Nga perspektiva e Fikhut, vakëfi ka katër elemente thelbësore.(5)

Vakif- vakëflënësi ose pronari i pasurisë që e dhuron pasurinë;
Mankuf- pasuria që synohet të dhurohet për të qenë vakëf;
Mankuf alejhi – përfituesi i të ardhurave nga ajo pasuri e lënë vakëf;
Sigah – kontrata e dedikimit të vakëfit.

Edhe kontrata e lënies së pasurisë vakëf duhet të plotësojë kriteret e një kontrate te rëndomtë ekonomike. Përcaktohen palët kontraktuese, (institucioni për menaxhim të vakëfeve dhe vakëflënësi), objekti i kontratës (pasuria e dedikuar për vakëf), dhe detyrimet që dalin nga kontrata (pra përcaktimi i përfituesit nga pasuria e lënë).

 

Natyra unike e vakëfit (6)

Vakëfi është një punë e rekomanduar dhe punë devotshmërie.
Vakëfi është formë e një lëmoshe që vazhdon
Pasuria vakëfnore nuk mund të shitet, jepet si dhuratë, apo të trashëgohet
Duhet të ketë dallim të qartë në mes të:

Administratorit (atij që i është lënë në besim dhe përkujdesje ajo pasuri), dhe; Përfituesit (atij që përfiton nga ajo pasuri)

Një Pasqyrë e institucioneve të vakëfit

Në formën klasike të vakëfit kontribuuesi është donatori që e themelon një fond, e emëron administruesin dhe e përcakton përfituesin. Donatori mund të përcaktojë një person apo institucion të cilit i beson, pra që ta administrojë vakëfin që ai e dhuron. Vakëfi në bashkëkohore është një institucion i rregulluar mirë dhe me statut të qartë, i cili zgjidhet nga një organ më i lartë përgjegjës për jetën fetare në vend e caktuar. Ky institucion është përgjegjës për menaxhim dhe zhvillim të pasurive vakëfnore.

Vakëfet mund të jenë në formë të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme. Në formën e pasurive të luajtshme përfshihen edhe vakëfet në para të gatshme, kurse në kategorinë e pasurive të paluajtshme përfshihen tokat, objektet dhe të ngjashme me to. Gjatë historisë islame kanë ekzistuar vakëfe të ndryshme si institucione publike, si p.sh.: shkolla, biblioteka, universitete, etj. Madje ka pasur vakëfe në formë të infrastrukturës publike si, për shembull: ura, rrugë, hamame etj.

Vakëfi si një institucion ka efekt të drejtpërdrejt në zhvillimin e kapaciteteve të shtresës së varfër, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të kujdesen për veten e tyre, duke pasur mundësi të qasjes në edukim, shëndetësi, si dhe lloje të ndryshme të lehtësirave fizike.

Përfundim

Si përfundim mund të themi se vakëfi është një institucion shumë i rëndësishëm, si nga aspekti ekonomik po ashtu edhe nga aspekti shpirtëror e human, i cili derivon mirësi të shumta për shoqërinë njerëzore.

Duke analizuar natyrën dhe qëllimin madhor të vakëfit, jep te kuptohet pse është zhvilluar dhe përqafuar në mbarë botën Islame. Vakëfi, si institucion dhe koncept, është i njohur në mbarë botën, por jo çdoherë i kuptuar drejt se çka në të vërtet është dhe si duhet të funksionojë. Për këtë arsye, shpresojmë se ky artikull, sado pak, e ka qartësuar këtë koncept. Shpresojmë se me punimet tjera rreth llojeve të vakëfeve dhe kontributin e tyre në sfera të ndryshme të jetës vakëfin do ta bëjmë edhe më të qartë, dhe të nxitin hulumtime më të mëdha rreth vakëfit.

___________________________________________
(1) Murat Çizakca, ‘Awqaf in History and its Implications for Modem Islamic Economics’, Islamic Economic Studies, Vol. 6, No.1, 1998, f. 48. 
(2) Halil Inalcik (1993), The Middle East and the Balkans under the Ottoman Empire: Essays on Economy and Society, vol.9. Bloomington: Indiana University English Studies, f. 223. 
(3) Mehmet Babacan, ‘Economics of Philanthropic Institutionsz Regulations and Governance in Turkey’, Iournal of Economic and Social Research Vol 13 (2) 2011, f. 69. 
(4) Razli Ramli, Mohd Nasir Ismail, Ahmad Zakirullah Shaarani, Issues in Islamic Finance: from the practitioners perspective (Kuala Lumpur: IBFIM, 2013), f. 232. 
(5) Ibid. 
(6) Ibid, f. 233-234

Dr. Islam Hasani