15 Edebe mbi ftillimin ndaj imamit në namaz
“Ftillimi për imamin- الفتح على الإمام ” është korrigjimi i gabimit të tij, kujtimi i asaj që ka harruar gjatë leximit, ose t’i pëshpëritet vazhdimi i ajetit kur ai ndalet në namaz. Quhet edhe “ushqyerja e imamit” dhe është e pëlqyeshme -sunet sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, qoftë në namaz farz apo në namaz vullnetar. Kjo është transmetuar nga Othmani, Aliu dhe Ibn Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me ta, si dhe po të njëjtën e kanë thënë Atau, Hasani, Ibn Sirini dhe një grup tjetër prej dijetarëve të hershëm. Ndërsa Ibn Mesudi, Shurejhi, Esh-Sha’bi dhe Theuri e kanë konsideruar të papëlqyeshme, kurse Ebu Hanife (1) dhe Ibn Hazmi kanë thënë se me këtë prishet namazi, sepse konsiderohet të folur pa nevojë.
Ebu Davudi në veprën e tij Sunen ka vendosur një kapitull me titullin: “Kapitulli i ftillimit ndaj imamit në namaz”. Ai transmeton nga el-Musever bin Jezid el-Malikiu, i cili tha: “Kam qenë i pranishëm kur i Dërguari i Allahut ﷺ po lexonte në namaz dhe la pa lexuar diçka nga Kurani. Njëri i tha: ‘O i Dërguari i Allahut, ke lënë këtë ajet kështu e kështu.’ Atëherë i Dërguari ﷺ tha: Pse nuk ma kujtove?” Ibn Huzejme rh.a. e ka klasifikuar të saktë, si dhe shejh El-Albani rh.a. e ka vlerësuar si hadith të mirë (hasen).
Gjithashtu, nga Abdullah bin Umeri transmetohet se i Dërguari ﷺ fali një namaz dhe iu ngatërrua leximi; kur e përfundoi, i tha Ubej bin Ka‘bit: “A ishe i pranishëm me ne?” Ai tha: “Po.” Tha: “E ç’të pengoi të ma ftilloje?” Ibn Hibani rh.a. e ka cilësuar të saktë.
Bejhekiu transmeton nga Nafi‘u: “Unë ia diktoja (ia sugjeroja ajetet) Ibn Umerit gjatë namazit, dhe ai nuk thoshte asgjë.” Ndërsa Abdurrezaku transmeton nga Ma‘meri, nga Ejubi, nga Nafi‘u, se Ibn Umeri e fali akshamin dhe, kur mbaroi غير المغضوب عليهم ولا الضالين , filloi ta përsëriste disa herë “Bismil-lahir-Rahmanir-Rahim”. Unë i thashë: “(Lexo) Idha zulzileti…..” Ai e lexoi dhe, kur përfundoi, nuk më qortoi për këtë.
Thabit elBennanij tregon: “Kur ngrihej Enesi për të falur, një djalë qëndronte pas tij me një mus’haf në dorë; nëse ai ngecej në lexim, ia ftillonte atij.”
Aliu r.a. ka thënë: “Nga suneti është që t’i hapësh imamit nëse ai të ‘kërkon ushqim’.” Transmetuesi thotë: “E pyeta Ebu Abdurrahman Esulemiun: Çfarë është ‘kërkimi i ushqimit’ nga imami?” Ai tha: “Është kur ai hesht.”
Megjithëkëtë unë nuk kam gjetur asnjë prej dijetarëve ta ketë konsideruar obligim të prerë hapjen ndaj imamit, përveçse në leximin e Fatiha-s; kurse në pjesë të tjera të leximit nuk është e detyrueshme. Merdaviu në librin El-Insaf ka thënë: “Sa i përket pjesëve të tjera përveç Fatiha-s, nuk është detyrim, pa asnjë kundërshtim që unë e di.”
Nga kjo kuptohet se ngutja kolektive, gara mes xhematit dhe lehtësia e tepruar e disa prej tyre për t’i ftilluar imamit pa ndonjë nevojë dhe në mënyrë të çrregullt është një dukuri negative që vihet re në disa xhami. Madje, kjo mund ta bëjë të pavlefshëm namazin e tyre sipas mendimit të Ebu Hanifes dhe Ibn Hazmit, përveç shqetësimit që u shkakton shumë prej imamëve nga kjo kategori njerëzish. Megjithatë, mund të gjendet justifikim për masën e thjeshtë të njerëzve për shkak të padijes mbi këtë çështje, pasi që rrallë dëgjohet në ligjërata ose theksohet në derse.
Prandaj e pashë të udhës t’u kujtoj vëllezërve të mi që falen pas imamëve disa gjëra që shpesh imamëve u bie ndërmend dhe që ata dëshirojnë t’i shohin si sjellje të bukura nga ana e xhematit të tyre, në rast se imami ngec dhe kërkon ftillim prej tyre, me shpresë që Allahu t’i bëjë dobi të gjithëve.
- Sinqeriteti ndaj Allahut në hapjen ndaj imamit, me qëllim të pastër. Ai qëia ftillon imamit duhet të largohet nga dëshira e vetvetes për syefaqësi, për të shpërfaqur kujtesë të fortë para njerëzve, apo për të tërhequr vëmendjen ndaj vetes. Kush e ka qëllim vetëm ftillimin e imamit, nuk ka problem nëse është ai vetë që e kryen apo dikush tjetër.
- Ftillimime mëshirë dhe butësi; sepse hapja është ndihmë për imamin, jo një mjet për ta qortuar, për ta vënë në pozitë të vështirë, apo për të larë hesape, siç ndodh ndonjëherë nga disa xhematlinj që e përdorin për ta turpëruar imamin para të tjerëve.
- Zakonisht imamët lënë pas vetes dikë që i ndihmon duke ia kujtuar nëse harron ose duke ia përmirësuarnëse i ngatërrohet leximi, si muezini etj.. Prandaj nuk është e përshtatshme që ndonjë prej xhematit t’ia ftilloi imamit, nëse e di se pas tij ka dikë që është caktuar për këtë gjë, sepse mund ta ekspozojë namazin e vet ndaj mangësive, çrregullimeve ose edhe pavlefshmërisë, sipas mendimit të disa dijetarëve.
- Nëse pas imamit nuk është caktuar dikush përkatës, përparësi në hapje kanë ata që janë më afër imamit. Prandaj nuk i takon ndonjë xhemati që ndodhet në skajet e xhamisë ose në safet e pasme të garojë me ata që janë më afër.
- Nëse mendon me shumë gjasë se imami nuk do tëdëgjojë për shkak të largësisë, përzierjes së zërave ose për shkak të altoparlantëve, atëherë mos ia ftillo, sepse ai nuk do të përfitojë asgjë nga kjo dhe ti vetëm do ta vësh veten në siklet para njerëzve.
- Ftillimi ndajimamit është i keq kur bëhet nga ndonjë xhemat i cili ndodhet në skajet më të largëta të xhamisë, ose nga kati i sipërm kur imami është në katin përdhes, siç ndodh në dy Haremet apo edhe në xhami të mëdha. Një veprim i tillë mund ta ekspozojë atë ndaj mendjemadhësisë, syefaqësisë ose ndaj përgojimit nga njerëzit.
- Numri i shumtë i atyreqë ia ftillojnë imamit shkaktojnë ngatërresë, hutim dhe përzierje të zërave, saqë imami nuk mund të dallojë qartë asnjërin prej tyre. Prandaj xhemati duhet të mbështetet te ai që është caktuar nga imami ose te më i kujdesshmi prej tyre. Për këtë arsye është e pëlqyeshme që të tjerët të ia lënë hapësirën atij që është më i përshtatshëm, duke mos u shtyrë mes vete. Edhe pse ftillimi në origjinë është sunet dhe vepër e lavdërueshme, gara në këtë rast sjell pështjellim dhe prishje, ndaj bëhet e domosdoshme të tregohet sakrificë e vetëpërmbajtje. Kjo është ndryshe nga gara për të qenë afër imamit apo në safin e parë, sepse aty gara nuk shkakton dëm.
- Duhet lënë mundësi imamit që ta korrigjojë vetë gabimin, pa nxituar menjëherë për t’ia kujtuar. Zakonisht imami që ka përvojë e kupton gabimin e vet para se dikush t’ia përkujtoi, prandaj nuk ka nevojë për nguti. Për këtë arsye Hanefitë thonë: “Nuk është e hijshme që xhemati t’ia ftilloi imamit menjëherë, sepse ndodh që njeriu ta kujtojë gabimin në çast dhe atëherë leximi i xhematit pas tij është leximi i panevojshëm.”
- Ftillimi duhet të bëhet me qetësi, butësi dhe me zë të dëgjueshëm, jo të bezdisshëm, të lartë apo të papritur që ehuton imamin.
- Hapja ndaj imamit në momentin që ai është duke lexuar nuk sjell dobi, pasi zakonisht nuk dëgjohet. Për këtë arsye shumë imamë parapëlqejnë që,ai që ia ftillon të zgjedhë çastin kur imami ndalet për të marrë frymë, sepse gjatë leximit ai nuk e dëgjon dot hapjen, pasi mendja e tij është e përqendruar në ajetin vijues.
- Mënyra e parapëlqyer e hapjes, sipas shumë imamëve, kur imami gabon në një fjalë, është që t’i përsëritet fjala ose pjesa para saj, në mënyrë që ai ta korrigjojë vetë gabimin. Për shembull, nëse imami thotë në suren A‘raf: “يأتوك بكل سحّار عليم”, atëherë ai që ia ftillonthotë: “يأتوك بكل” dhe ndalet. Nëse imami e korrigjon gabimin, aq mjafton, por nëse nuk e di, atëherë ai ia ftillon përsëri. Po kështu ndodh edhe kur imami gabon në fund të ajeteve, si tek “غفوراً رحيمياً” ose “عليماً حكيماً”. Në këtë rast ai që hap thotë: “وكان الله” dhe ndalet.
- Nëse gabimet në një rekat shtohen në mënyrë të tepruar dhe tek imami shfaqet hutim e tension për shkak të tyre, atëherë më e përshtatshme është që në këtë rast të mos i kontrollohet çdo detaj i vogël, si p.sh. shkronjat lidhëse (و, ف) e ngjashme. Gabime të tilla në këtë gjendje është më mirë të tejkalohen, veçanërisht duke pasur parasysh se hapja ndaj imamit në thelb nuk është e detyrueshme, përveçse tek Fatiha, për të cilën nuk ka kundërshtim, e Allahu i Lartësuar e di më së miri.
- Gabimi i rëndë që ndryshon kuptimin duhet të korrigjohet në çdo rast, si p.sh. nëse imami, nga pakujdesia, lexon në suren Ibrahim: “وارزقني وبني أن نعبد الأصنام”(më furnizo mua dhe fëmijët e mi që të adhurojmë idhujt!) – ndërkohë që kuptimi i drejtë është i kundërt – ose kur thotë: “وكلم اللهَ موسى تكليما” duke e bërë emrin e Allahut në rasën kallëzore (nominativisht do të ishte “اللهُ”), gjë që përmbys kuptimin. Në raste të tilla hapja është e domosdoshme.
- Nuk i lejohet atij që ftillonimamit të ndërhyjë, përveçse me bindje të plotë se imami ka gabuar dhe se hapja e tij është e saktë. Por nëse xhemati dyshon për gabimin e imamit, nuk i lejohet të guxojë ta kundërshtojë, sidomos nëse nuk është prej atyre që kanë memorie të fortë. Sa e sa raste kanë ndodhur që ndonjë xhemat është ngatërruar nëpër ajetet e ngjashme të shpërndara në Kuran dhe ka ndërhyrë gabimisht tek imamët, duke menduar se imami po lexon suren që ai e di përmendësh, ndërsa në të vërtetë ai lexonte një sure tjetër. Shembull për këtë është fjala e Allahut: “إن الذين قالوا ربنا الله ثم استقاموا …” që gjendet si në suren Fussilet, ashtu edhe në suren Ahkaf, por pas fjalës “ثم استقاموا” ndryshon vazhdimi i tekstit në të dyja. Kështu që nxitimi dhe ndërhyrja nga ai që nuk është i përpikët në kujtesë, është ftillim pa dije dhe ai detyrohet të lexojë atë që kujton.
- Nëse gabimi ndodh në fund të leximit dhe imami tashmë ka filluar të shkojë në ruku, nuk është e përshtatshme t’i ftillohetnë këtë rast, sepse është e vështirë që imami të kthehet nga rukuja për korrigjim, ndërkohë që rukuja është shtyllë -rukn, ndërsa korrigjimi i gabimit është sunet. Por nëse imami nuk ka hyrë ende në ruku, lejohet ftillimi, nëse ka mundësi dhe nëse mendon me siguri se imami do ta pranojë atë. Kjo çështje është e lidhur me gjykimin dhe vlerësimin e situatës sipas rastit, pasi nuk ka tekste fetare të prera për këtë. Megjithatë, duhet theksuar se ftillimi pa dije ndaj imamit është një rrezik dhe një guxim i madh ndaj Allahut, të cilin nuk e ndërmerr veçse një njeri me besim të dobët ose me epsh në vetvete. Kërkojmë prej Allahut siguri dhe shëndet.
Kjo është përmbledhja e asaj që munda nga preokupimet dhe mendimet e imamëve të xhamive për mirësjelljet që ata dëshirojnë t’i shohin nga xhematet e tyre. Ndoshta në një punim tjetër, me lejen e Allahut, do të flasim rreth mirësjelljeve të imamit kur gabon në lexim dhe i ftillohet. Allahu i Lartësuar e di më së miri.
_________
(1) Shih: el-Hidaje të Merginanit (1/62) dhe në Meraki el-Felah të Shurunbulalit (fq. 123), dijetarët hanefi kanë thënë se nëse imami ka kaluar në një ajet tjetër, atëherë namazi i atij që i jep ndihmën (el-fatih) prishet, dhe po ashtu prishet namazi i imamit nëse ai merr prej tij. Por Ibn Nuxhejmi ka përmendur se mendimi i saktë në Medhheb është se namazi i atij që i jep ndihmën nuk prishet në asnjë rast, ndërsa namazi i imamit prishet vetëm nëse ai merr prej tij pasi të ketë kaluar në një ajet tjetër. Sidoqoftë, autori i el-Kafi ka saktësuar se as namazi i imamit nuk prishet. Përfundimi është se mendimi më i saktë në Medhhebin Hanefi është që ndihma për imamin nuk e prish namazin e askujt, as të atij që e jep ndihmën e as të atij që e merr, në çdo rast dhe në çdo situatë.SH.P.
Dr. Abdul Mexhid Elmensur
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org – Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



