Para fëmijëve në Gaza kanë vdekur të gjitha konventat në rrezik edhe humanizmi ynë kolektiv
Në historinë e pasluftës së dytë botërore, një nga premtimet më të mëdha të njerëzimit ka qenë “Kurrë më”. Ky premtim u bë pas gjenocidit të Holokaustit, pas kampeve të përqendrimit dhe pas shfarosjes sistematike të miliona njerëzve vetëm për shkak të identitetit të tyre. Në emër të këtij premtimi, u krijuan ligje ndërkombëtare, u firmosën konventa të të drejtave të njeriut, u themeluan shumë organizata për të garantuar sigurinë e më të pambrojturve etj.etj.. U ngrit një sistem i tërë ndërkombëtarë me politika, parime e mekanizma të shumta dhe i cili para të gjithave thirrej në vlerat e të drejtat univerzale. Por sot, duke parë pamjet nga Gaza, sikurse dje që i shihnim në Siri, ku fëmijët vriten, plagosen, mbeten pa shtëpi e pa shpresë, duhet të pranojmë një të vërtetë të hidhur: para fëmijëve në Gaza, kanë vdekur të gjitha konventat ndërkombëtare, dhe nën rrënojat e saj po varroset “ sistemi i civilizuar bashkëkohor”.
Fëmijëria e mohuar – Gaza si varrezë e shpresës
Gaza, një territor i vogël dhe i izoluar, është bërë simbol i dështimit të ndërgjegjes globale. Atje, fëmijët nuk kanë njohur paqe. Kanë lindur nën bllokadë, janë rritur nën krismën e armëve dhe shpërthimet e bombave , ku shumë prej tyre nuk arrijnë të bëjnë as 10-vjetorin e jetës, madje disa as 10-ditorin e saj!
Shkollat nuk janë më vende edukimi, por objektiva sulmi.
Spitalet nuk janë më vende shërimi, por rrënoja e varreza.
Familjet nuk janë më burim mbrojtjeje, por të zhdukura nga sulmet ajrore.
Në këtë kontekst, fëmijëria si e drejtë universale është mohuar tërësisht . Fëmijët e Gazës nuk janë viktima aksidentale të një konflikti; ata janë pre e drejtpërdrejtë e një politike ushtarake gjenecodiale që nuk kursen civilët. Dhe kjo është shkelje flagrante e Konventës për të Drejtat e Fëmijës të vitit 1989, e cila detyron çdo shtet të mbrojë fëmijët në çdo rrethanë, edhe në kohë lufte.
Por janë statistikat si gjuha më e saktë ajo që tregon të vërtetën flagrante e cila po ndodh, ku pas 600 ditë sulmesh mbi vendbanime dhe civilët e pambrojtur përveçse kemi 88% të vendit dhe infrastrukturës të shkatërruar, 1581 kuadër mjeksor të vrarë, 220 gazetarë e 150 shkenctarë të mbytur, kemi dhe 54018 viktima të luftës nga to 2483 familje janë zhdukur nga regjistri civili totalisht, ndërsa 5620 familje kanë vetëm një të shpëtuar. Në bazë të të njëjtave statistika çdo 40 min vritet një fëmij, e në çdo 60 min një grua. Këto nuk janë vetëm numra e statistika por të vërteta që për çdo ditë i përplasen fytyrës së njerëzimit, nëse i ka mbetur fytyrë. 16854 fëmijë janë vrarë që nga fillimi i sulmit mbi Gaza, pra rreth 31% nga totali i viktimave! UNICEF-i raporton se 950 fëmijë janë mbytur nën moshën 2 muajsh, ndërsa mbi 50 000 është numri i fëmijëve të vrarë dhe të plagosur deri në kohën e raportimit!
Dështimi i konventave ndërkombëtare
Ligjet ndërkombëtare, përfshirë Konventat e Gjenevës, janë ndërtuar për të parandaluar vrasjen e civilëve dhe për të vendosur kufij moralë edhe gjatë konflikteve të armatosura. Por përballë realitetit të Gazës, këto konventa nuk janë asgjë më shumë se letra të pavlera, ato kanë vdekur moralisht. Sepse vrasjet vazhdojnë pa ndëshkim. Sepse struktura si Kombet e Bashkuara, Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe fuqitë botërore heshtin ose justifikojnë. Dhe kur nuk ka ndëshkim, krimi përsëritet e përsëritet dhe përsëritet edhe me më shumë brutalitet.
Holokausti dhe hija e moralit të rrejshëm
Në këtë kontekst nuk mund të shmanget pyetja historike dhe etike që po shqetëson shumë ndërgjegje njerëzore në botë: Si ka mundësi që një shtet, i themeluar mbi traumën e Holokaustit, kryen sot akte me përmasa gjenocidale holokaustiane ndaj një populli tjetër?!
Vuajtja e kaluar nuk ka shërbyer për reflektim e ndërtim të paqes, dhe marrëdhënive korrekte me popujt e tjerë por për legjitimimin e dhunës ndaj çdo kujt që është më i dobët!
Thënia “kur viktimat e Holokaustit shkaktojnë një Holokaust të ri” e cila sa vie e përhapet më shumë e më shumë, nëpër vende e popuj të ndryshëm përveçse se është e saktë ajo gjithashtu është një thirrje për vetë-reflektim historik dhe moral, sikur të kishte kujt ti drejtohet! Vuajtja e dikurshme nuk mund të bëhet justifikim për mizori të reja. Dhe nëse viktima bëhet agresor, bota ka për detyrë të reagojë me të njëjtën forcë dhe ndershmëri siç bëri në të kaluarën,përndryshe bëhet bashkëpjesmarrëse në mëkatin e krimit.
Heshtja e humanizmit
Përtej konventave, përtej drejtësisë formale, ajo që po rrezikohet më shumë është vetë humanizmi. Bota po mësohet me pamjet e fëmijëve të vdekur. Ndërsa shikon dhunën në transmetim të drejtpërdrejtë ka të tillë që reagojnë më shumë ndaj prishjes së një muzeu sesa ndaj vrasjes së një shkolle të tërë. Media hesht, opinionistët relativizojnë, liderët politikë përdorin gjuhë neutrale për një realitet që është brutal dhe i njëanshëm.
Nëse lejojmë që kjo të bëhet normale, atëherë nuk ka mbetur më asgjë nga ndërgjegjja njerëzore. Nëse nuk ngremë zërin tani, nesër nuk do kemi më të drejtë të flasim për drejtësi, paqe apo dinjitet njerëzor. Ajo që jep, sadopak, shpresë janë protestat masive nëpër qytete e kryeqytete të ndryshme anë e kënd botës, të cilat edhe se nuk janë të mjaftueshme për të ndaluar gjenocidin ato përbëjnë pak oksigjen për të mbajtur në jetë edhe pak humanizmin kolektiv të futur në agonin e vdekjes.
Para fëmijëve në Gaza kanë vdekur të gjitha konventat. Mos të vdesë edhe humanizmi ynë. Kjo nuk është vetëm një thirrje për ndërhyrje politike. Është një thirrje për shpëtim moral. Sepse kur ligjet dështojnë, kur fuqitë botërore heshtin, kur sistemi ndërkombëtar rrëzohet, shpresa e vetme mbetet në ndërgjegjen e qytetarëve, në zërin e njerëzve të thjeshtë, në fuqinë e humanizmit.
Nëse e humbim edhe këtë, nuk ka më dallim mes nesh dhe atyre që urrejnë, shfarosin dhe pushtojnë. Dhe nëse ne nuk shpëtojmë fëmijët e Gazës, kemi humbur përgjithmonë mundësinë për të shpëtuar vetveten si njerëzim.
Prandaj edhe njëherë, Urime 1 Qershorin Botë hipokrite!
Thirrja.org
Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



