Dallimi midis atij që gabon nga padija dhe atij që gabon pavarësisht nga dija që ka

Një nga ngjarjet që e ilustrojnë këtë më së miri është ajo që i ndodhi Muavie ibn el-Hakem es-Selami kur ai shkoi në Medinë nga shkretëtira dhe nuk e dinte se nuk lejohet të flasësh gjatë namazit (faljes). Ai tha: “Kur po falesha pas të dërguarit të Allahut, një burrë teshtiu dhe unë i thashë ‘Jerhamukallah (Allahu të mëshiroftë)’. Njerëzit më panë me inat dhe unë thashë: “Pse po më shikoni ashtu?” Ata nisën të qëllonin me duar këmbët dhe kur e kuptova se donin të më bënin me dije të mos flisja, unë pushova së foluri (dmth doja t’jua ktheja, por e kontrollova veten dhe heshta). Kur i dërguari i Allahut mbaroi së faluri – (babai dhe nëna ime u sakrifikofshin për të, sepse unë nuk kam parë mësues më të mirë se ai) – ai nuk më qortoi, nuk më goditi dhe nuk më vuri në siklet. Ai vetëm sa tha:

“Ky namaz nuk duhet të përmbajë asgjë nga ligjërata e njerëzve, ai është vetëm për tesbih dhe tekbir (të thuash subhan Allah dhe Allahu Ekber) dhe lexim të Kuranit”[24]

I padituri duhet të mësohet, ai që ka dyshime duhet të sqarohet, i shkujdesuri duhet të përkujtohet dhe ai person që bën gabime me paramendim duhet të paralajmërohet. Nuk është e drejtë të trajtohet njëlloj si ai që di për një rregull dhe ai që që nuk ka dije për të, kur t’i qortosh. Trajtimi me ashpërsi i atij që nuk di, vetëm do ta largojë dhe do ta bëjë atë të kundërshtojë këshillën tuaj, ndryshe nga trajtimi i tij me urtësi dhe me butësi, sepse njeriu i paditur nuk e kupton se po bën gabim. Është sikur ai t’i thoshte njeriut që po e qorton: “Përse nuk më mëson përpara se të më sulmosh?”

Ai që bën një gabim pa e kuptuar, mund të mendojë se  ka të drejtë, prandaj duhet ta kemi parasysh këtë gjë dhe duhet të sillemi me takt. Imam Ahmedi ka transmetuar në “el-Musned” nga el-Mugire ibn Shu’be: “I dërguari i Allahut hëngri, pastaj u ngrit të falej. Ai kishte marrë abdes para se të hante, por unë i dërgova pak ujë që të merrte abdes’. Ai më refuzoi dhe tha: “Largohu!” Për Allahun u mërzita. Ai u fal dhe unë iu ankova Omerit për atë që ndodhi. Ai tha: “O Profeti i Allahut el-Mugire është prekur nga refuzimi yt dhe është i shqetësuar se ti mund të jesh i mërzitur me të për ndonjë arsye”. Profeti tha: “Ai është njeri i mirë, por më solli ujë për të marrë abdes, pasi kisha ngrënë dhe nëse do të kisha marrë abdes atëherë, njerëzit do ta kishin ndjekur atë zakon (domethënë ata do të kishin menduar se duhej të merrnin abdes sa herë të hanin diçka)”.

Këtu duhet të theksojmë se kur Profeti nxorri në pah gabimet e këtyre sahabëve të mëdhenj, nuk pati një ndikim negativ tek ata dhe kjo nuk ishte arsye që ata të largoheshin. Përkundrazi, pati një ndikim pozitiv, sepse duke u korrigjuar në këtë mënyrë nga Profeti, ata ishin në ankth dhe të shqetësuar dhe e kontrollonin sjelljen e tyre derisa të siguroheshin se i dërguari i Allahut ishte i kënaqur me ta.

Duhet të theksojmë gjithashtu nga kjo ndodhi se kur Profeti nxorri në pah gabimin e el-Mugires, ai nuk ishte i nxehur me të. Ai e bëri këtë nga mëshira që kishte për njerëzit dhe që t’u shpjegojë atyre me qartësi, në mënyrë që ata të mos ia impononin vetes diçka që nuk ishte e detyrueshme, gjë që do t’u shkaktonte shumë vështirësi.

Dallimi mes gabimeve që vijnë nga një përpjekje e ndershme për të zbuluar atë që është e drejtë (ixhtihadi) dhe gabimet e bëra qëllimisht, nga shkujdesja apo për shkak të të metave

Nuk ka asnjë dyshim se në rastin e parë njeriu nuk fajësohet, në të vërtetë ai do të marrë një shpërblim nëse gabohet, për aq kohë sa qëllimi i tij është i sinqertë dhe është përpjekur për të arritur në përfundimin e drejtë, sepse Profeti ka thënë: “Nëse një sundimtar gjykon dhe përpiqet të marrë vendimin e drejtë dhe vendimi i tij është i drejtë ai do të marrë dy shpërblime dhe nëse vendimi i tij është i gabuar, ai do të marrë një shpërblim”[25]

Ky është një rast i ndryshëm nga ai që gabon qëllimisht, ose për shkak të të metave. Në rastin e parë, personi duhet të mësohet dhe të këshillohet, në të dytin ai duhet të paralajmërohet dhe të qortohet.

Ixhtihadi, që mund të justifikohet, duhet të bëhet nga ai që është i kualifikuar, jo nga ai që jep fetva (vendime) pa pasur dije dhe pa i marrë parasysh rrethanat. Kjo është arsyeja përse Profeti i ka gjykuar me ashpërsi njerëzit të cilët bënë gabim në rastin e personit i cili kishte një plagë në kokë. Ebu Davudi ka transmetuar  në “Sunen” nga Xhabiri, i cili ka thënë: “U nisëm për udhëtim dhe njëri nga burrat tanë u godit në kokë me një gur dhe nisi t’i rridhte gjak. Pastaj e zuri gjumi dhe kur u zgjua kishte nevojë të marrë gusul (ishte në gjendje xhunubi ose papastërtie për shkak të një ëndrre). Ai i pyeti shokët e tij: ‘Mendoni se mund të marr tejemum?’ Ata u përgjigjën: ‘Nuk mendojmë se mund të justifikohesh, sepse kemi ujë’. Ai mori gusul dhe vdiq. Kur shkuam tek Profeti dhe i treguam për atë që ndodhi, ai tha: ‘Ata e vranë atë, Allahu i vraftë! Përse nuk pyetën kur nuk dinin? Kurimi i injorancës bëhet duke pyetur…”[26]

Njëherë Profeti tha:“Gjykatësit janë tre llojesh, njëri do të jetë në parajsë dhe dy të tjerët në ferr. Ai që do të jetë në parajsë është gjykatësi i cili e di të vërtetën dhe gjykon sipas saj. Gjykatësi i cili e di të vërtetën, por gjykon padrejtësisht do të jetë në ferr dhe gjykatësi, i cili gjykon mes njerëzve pa pasur dijen e duhur, do të jetë gjithashtu në ferr”[27]

Lloji i tretë nuk konsiderohet se ka justifikim.

Një faktor tjetër për të njëhsuar shkallën e qortimit është duke i kushtuar vëmendje ambientit ku ka ndodhur gabimi; nëse ishte një mjedis ku zbatohej Suneti ose një mjedis ku është e përhapur risia (bidati), sa i përhapur është mëkati, ose nëse ka njerëz të paditur ose shumë të butë, mendimet e të cilëve ndiqen në një shkallë të gjerë, që japin fetva për të thënë se diçka është e lejuar.

Edhe nëse ai që bën gabimin ka pasur qëllim të mirë, kjo nuk do të thotë se ai nuk duhet të qortohet

Amr ibn Jahja ka thënë: “Kam dëgjuar tim atë të tregojë nga i ati i tij i cili ka thënë: ‘Ne ishim tek dera e Abdullah ibn Mes’ud para faljes së mëngjesit. Kur ai doli jashtë, ne shkuam me të tek xhamia, Ebu Musa el-Esh’ari erdhi tek ne dhe tha: ‘Akoma nuk ka dalë Ebu Abdur-Rahmani?’ Ne i thamë: ‘Jo.’ Ai u ul me ne derisa doli Ebu Abdur-Rahmani. Kur ai doli, ne të gjithë u ngritëm në këmbë dhe e përshëndetëm dhe Ebu Musa i tha: ‘O Ebu Abdur Rahman, më parë në xhami pashë diçka që nuk e kisha parë më parë, por dukej gjë e mirë, el-Hamdu Lilah’. Ai tha: ‘Çfarë ishte ajo?” Ai i tha: ‘Nëse jeton do ta shohësh. Pashë në xhami njerëzit që ishin ulur në grupe, duke pritur namazin. Në çdo grup ishte një burrë dhe ata kishin guralecë në duar. Ai thoshte ‘Thoni Allahu Ekber njëqind herë’, dhe ata thonin Allahu Ekber njëqind herë. Pastaj ai thoshte ‘Thoni La ilahe Il-la Allah njëqind herë’, dhe ata thonin La ilahe il la Allah njëqind herë; pastaj ai u thoshte ‘Thoni Subhanallah njëqind herë’ dhe ata thonin Subhanallah njëqind herë’. Ai e pyeti çfarë u the atyre?’ ai tha: “Unë nuk u thashë asgjë, po prisja të dëgjoja mendimin tënd dhe çfarë do të më thuash të bëj’. Ai tha: “Përse nuk u the të numërojnë punët e tyre të këqija dhe t’i sigurosh se asnjë nga veprat e tyre të mira nuk do të shkojë dëm?’ Pastaj ai iku dhe ne ikëm me të, derisa arriti tek njëri nga ato grupe njerëzish. Ai qëndroi pranë tyre dhe tha: “Çfarë është kjo që po bëni?’ Ata thanë: ‘O Ebu Abdur-Rahman, këto janë gurë që po i përdorim për të numëruar tekbirettehlilet dhe tesbihet tona’. Ai tha: “Numëroni veprat tuaja të këqija dhe ju siguroj se asnjë nga veprat tuaja të mira nuk do të shkojë dëm. Mjerë për ju, o umeti i Muhamedit, sa shpejt po shkatërroheni! Shokët e Profetit tuaj janë akoma gjallë, rrobat e tij nuk janë grisur akoma dhe enët e tij nuk janë prishur akoma. Për Atë në duart e të Cilit është shpirti im, ju ose po ndiqni një rrugë që është më e udhëzuar se rruga e Profetit , ose keni hapur një derë drejt udhëzimit të gabuar!’ Ata thanë: ‘Për Allahun, O Ebu Abdur –Rahman, ne donim vetëm të bënim mirë’. Ai tha: ‘Sa nga ata që donin të bënin mirë nuk e arritën atë! I dërguari i Allahut na tregoi se njerëzit e recitojnë Kuranin dhe nuk kalon më tej sesa fyti i tyre. Për Allahun, unë nuk e di, ndoshta pjesa më e madhe janë njerëz si ju’. Pastaj ai u largua nga ata. Amr ibn Selemeh ka thënë: “Unë pashë pjesën më të madhe të burrave të atyre grupeve të luftonin bashkë me Havarixhet ( grup i larguar nga pasuesit e Imam Aliut) në ditën e Nahravanit…”[28]

Korrigjimi i  gabimeve të të tjerëve kërkon të jesh i drejtë dhe jo i njëanshëm.

Allahu thotë: “…Kur të flitni (të dëshmoni) duhet të jeni të drejtë…”[29] “…dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejtë…”[30]

Fakti që Usame ibn Zejd ishte i dashur tek Profeti dhe djali i njeriut të tij të dashur (Zejdit), nuk e ndaloi Profetin që ta qortojë atë me ashpërsi kur ai u përpoq të ndërhyjë në lidhje me njërin nga dënimet e urdhëruara nga Allahu. Aishja ka transmetuar se kurejshët ishin të shqetësuar për një grua, e cila kishte vjedhur në kohën e Profetit, në kohën e pushtimit të Mekës. Ata thanë: “Kush do të ndërhyjë te i dërguari i Allahut për të? Kush mund të guxojë tjetër përveç Usame ibn Zejdit, të dashurit tek i dërguari i Allahut?’ Atë e sollën tek i dërguari i Allahut dhe Usame ibn Zejdi i tregoi atij në lidhje me të. Fytyra e Profetit ndryshoi dhe ai tha: ‘A po ndërmjetëson për një nga dënimet e caktuara nga Allahu?’ Usame u përgjigj: ‘Lutu për faljen time, o i dërguari i Allahut.’ Kur erdhi mbrëmja, i dërguari i Allahut u ngrit dhe iu drejtua njerëzve. Ai lavdëroi Allahun ashtu si Ai meriton të lavdërohet pastaj tha:

‘Njerëzit që ishin para jush u shkatërrruan, sepse nëse njëri nga fisnikët e tyre vidhte ata e linin të lirë, por nëse njëri nga të dobëtit vidhte ata e zbatonin dënimin për të. Për Atë në duart e të Cilit është shpirti im, nëse do të vidhte Fatimja, vajza e Muhamedit, unë do t’i prisja dorën’. Pastaj ai urdhëroi që t’i pritej dora gruas që kishte vjedhur”[31] Sipas një transmetimi të treguar nga En-Nesai nga Aishja, ajo ka thënë: “Një grua mori hua disa bizhuteri duke thënë se do t’ia jepte hua dikujt tjetër, por ajo i shiti ato dhe paratë i mbajti vetë. Atë e sollën para të dërguarit të Allahut. Familja e saj shkoi tek Usame ibn Zejd, i cili foli me të dërguarin e Allahut në lidhje me çështjen e saj. Fytyra e Profetit ndryshoi ndërsa ai po fliste, e atëherë  tha: ‘A po ndërmjetëson për një nga dënimet e caktuara nga Allahu?’ Usame u përgjigj: ‘Lutu për faljen time, o i dërguari i Allahut.’ Kur erdhi mbrëmja, i dërguari i Allahut u ngrit dhe iu drejtua njerëzve. Fillimisht ai lavdëroi Allahun ashtu si Ai meriton të lavdërohet pastaj tha: ‘Njerëzit që ishin para jush u shkatërrruan, sepse nëse njëri nga fisnikët e tyre vidhte ata e linin të lirë, por nëse njëri nga të dobëtit vidhte ata e zbatonin dënimin për të. Për Atë në duart e të Cilit është shpirti im, nëse do të vidhte Fatimja, vajza e Muhamedit, unë do t’i prisja dorën’. Pastaj ai urdhëroi që t’i pritej dora gruas që kishte vjedhur”[32]

Qëndrimi i Profetit kundrejt Usames tregon se ai ishte i drejtë dhe i paanshëm dhe se Islami në këndvështrimin e tij, vinte para dashurisë për njerëzit. Një njeri mund të durojë gabimet personale të kujtdo që ai dëshiron, por ai nuk ka të drejtë të tregohet tolerant apo i anshëm kundrejt atyre, gabimet e të cilëve i kalojnë kufinjtë e caktuar nga Islami.

Ndonjëherë kur ndonjë i afërm ose mik bën një gabim, nuk mund ta qortojmë atë ashtu siç mund ta qortojë një njeri që nuk e njeh. Për këtë arsye një njeri mund të shikojë diskriminim ose anshmëri joislame në sjelljen e tij për këtë dhe një njeri mund të mos u kushtojë rëndësi gabimeve të shokut të tij, ndërsa tregohet shumë i ashpër me kritikat ndaj një personi tjetër. Një poet arab ka thënë:

“Nëse je i kënaqur me një person

gabimet e tij  ti nuk i shikon

por nëse i mërzitur me të je

tek ai të mirë nuk i sheh

Kjo mund të pasqyrohet gjithashtu dhe në mënyrën se si veprimet interpretohen. Një veprim nga ana e personit të dashur kuptohet në një mënyrë dhe i njëjti veprim nga një person tjetër interpretohet krejt ndryshe.

Të gjitha sa u thanë më sipër zbatohen vetëm kur rrethanat janë të njëjta; përndryshe do të ketë gjykime të ndryshme ashtu siç do ta shohim më vonë.

Duhet të jesh i kujdesshëm që korrigjimi i një gabimi mos të të çojë drejt një gabimi më të madh

Është një fakt i njohur që Islami nga dy të këqija lejon atë që është më pak e keqe, në mënyrë që të shmangë të keqen më të madhe. Prandaj, një ftues në fe mund të heshtë për një gabim, se ndoshta duke folur mund të çojë drejt një gabimi më të rëndë.

Profeti heshti foli për munafikët dhe nuk i ekzekutoi ata, edhe pse kufri i tyre ishte i ditur. Ai i duroi fyerjet e tyre që njerëzit mos të thonin: “Muhamedi po vret shokët e tij”, veçanërisht ngaqë natyra e tyre e vërtetë nuk ishte e njohur për të gjithë. Profeti nuk e shkatërroi Qaben e ta ndërtonte atë mbi themelet e vëna nga Ibrahimi, nga konsiderata për kurejshët të cilët ishin akoma të rinj në Islam dhe shumë afër xhahilijetit të tyre të fundit (periudhës paraislamike të padijes). Ai kishte frikë se mos kjo ishte shumë e tepërt për ta, prandaj e la ashtu siç ishte, me një pjesë që mungonte dhe me derën e vendosur shumë lart dhe të mbyllur për masën popullore edhe pse kjo përmban një element të keqbërjes dhe shtypjes.

Para kësaj, Allahu u kishte thënë muslimanëve të mos i fyejtë zotat e mushrikinëve (politeistëve), edhe pse kjo është një formë adhurimi, për shkak se kjo mund t’i çonte ata drejt fyerjes së Allahut, që është mëkati më i madh.

Një ftues mund të heshtë për një veprim të gabuar, të mos qortojë për një periudhë kohe, ose mund të ndryshojë mënyrën e tij, nëse mendon se duke vepruar në këtë mënyrë do të shmangë një mëkat apo gabim më të madh. Kjo nuk konsiderohet si e metë apo neglizhencë, përderisa qëllimi i tij është i sinqertë dhe nuk i frikësohet askujt tjetër përveç Allahut dhe ai ka heshtur vetëm sepse shqetësohet për të mirën e Islamit dhe jo nga frika.

Duhet të theksojmë se ajo që shkakton një mëkat më të madh kur qorton dikë për një gabim, është zelli që nuk mund të kontrollohet apo të përmbahet.

Kuptimi i natyrës njerëzore nga ku buroi gabimi

Ka disa gabime që nuk mund të zhduken asnjëherë, sepse ata kanë të bëjnë me mënyrën që Allahu i ka krijuar njerëzit. Është e mundur që këto gabime të pakësohen, por të kalosh në ekstrem gjatë trajtimit të tyre mund të rezultojë në katastrofë. Ky është rasti i grave. Profeti ka thënë: “Gruaja është krijuar nga një brinjë dhe nuk do të sillet gjithmonë në mënyrë të qëndrueshme kundrejt jush. Nëse të pëlqen shoqëria e saj, atëherë shijojeni atë pavarësisht nga qëndrimi i saj. Nëse përpiqeni ta drejtoni atë do ta thyeni dhe thyerja e saj nënkupton divorcin”[33] Sipas një transmetimi tjetër ai ka thënë:“Tregohuni të sjellshëm me gratë sepse ata janë krijuar nga brinja dhe pjesa më e përkulur e brinjës është maja. Nëse përpiqeni ta drejtoni atë do ta thyeni dhe nëse nuk e prekni do të mbetet e përkulur. Prandaj jini të sjellshëm me gratë”[34] Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë ka thënë:“Fjalët: ‘trajtojini gratë me mirësi’ tregojnë se duhet të mundohesh t’i vesh në rrugë të drejtë me butësi, sepse nëse kalon në ekstrem, duke u përpjekur për t’i drejtuar ata, do t’i thyeni dhe nëse i lini ata do të mbeten të shtrembërta… Ajo që ne mësojmë nga kjo është se nuk duhet t’i lëmë të përkulura nëse kalojnë përtej të metave të natyrshme të pritura dhe kryejnë mëkate apo lënë pas dore detyrat. Ajo që nënkuptohet është se mund t’i lëmë siç janë në lidhje me çështjet e lejuara. Nga hadithi mësojmë gjithashtu se një mënyrë sjelljeje me butësi i bind njerëzit dhe hap zemrat e tyre. Ai na tregon gjithashtu se duhet të jemi të butë me gratë dhe ta durojmë qëndrimin e tyre me durim. Kushdo që këmbëngul në drejtimin e tyre, nuk do të përfitojë prej tyre, sepse burri nuk mund ta shijojë kënaqësinë e jetës pa të dhe ajo është mbështetja e tij në jetë. Është sikur ai të thotë: ‘Nuk mund ta shijosh shoqërinë e saj nëse nuk e duron”.

Dallimi  mes gabimeve që i kalojnë kufinjtë e Islamit dhe gabimeve që vetëm sa ndikojnë tek njerëzit e tjerë

Nëse Islami është më i dashur për ne se vetë vetja jonë, ne duhet ta mbrojmë atë dhe të nevrikosemi për të më shumë se për veten tonë. Kur sheh një njeri që nevrikoset për veten e tij nëse dikush e fyen, por jo të inatoset për hir të fesë së Allahut nëse ajo (feja) fyhet, është një shenjë që nuk ke ndjenja fetare. Ose e shumta mund ta shohim atë duke e mbrojtur pak në një mënyrë të sikletshme.

Zakonisht, Profeti (a.s) i falte ata që bënin gabime në bashkëveprimin me të, veçanërisht beduinët zemërgurë, në mënyrë që t’i zbuste zemrat e tyre. Buhariu transmeton në hadithin e tij të saktë se Enes ibn Maliku ka thënë: “Po ecja me të dërguarin e Allahut dhe ai kishte veshur një mantel Nexhrani (një krahinë arabe) me një jakë të fortë. Një beduin iu drejtua atij, i rrëmbeu mantelin në atë mënyrë saqë jaka la shenjë në qafën e profetit dhe tha: “O Muhamed, më jep pak nga pasuria e Allahut që ke ti!’. I dërguari i Allahut u kthye nga ai dhe qeshi, pastaj urdhëroi që t’i japin diçka”. Por nëse gabimi kishte të bënte me çështjen e fesë, atëherë profeti do të zemërohej për hir të Allahut. Shembuj nga kjo do të jepen më poshtë.

Ka dhe disa çështje të tjera që duhet të mbahen në mendje kur merresh me gabimet e të tjerëve si:

– Bërja e dallimit mes gabimeve të mëdha dhe gabimeve të vogla, ashtu si Islami bën dallimin mes mëkateve të mëdha (kebair) dhe mëkateve të vogla (sagair).

– Bërja e dallimit mes një personi që ka bërë shumë vepra të mira, të cilat pak a shumë do ta anulojnë rëndësinë e gabimit të tij dhe një mëkatari që mëkaton kundër vetes së tij (duke bërë vepra të këqija). Njerëzit mund të pajtohen me veprimet e atij që ka bërë shumë vepra të mirë, por jo me veprimet e tjetrit. Kjo është ajo që i ndodhi Ebu Bekrit, siç e tregon historia e mëposhtme. Esma bint Ebu Bekër ka thënë: “Shkuam me të dërguarin e Allahut si pelegrinë dhe kur arritëm në el-Arxh, i dërguari i Allahut ndaloi të bëjë një pushim dhe ne ndaluam me të. Aishja u ul pranë të dërguarit të Allahut dhe unë u ula pranë babait tim. Kafsha që Ebu Bekri dhe i dërguari i Allahut kishin marrë për udhëtim ishte me një shërbëtor të Ebu Bekrit. Ebu Bekri u ul, duke pritur që ai t’i arrinte dhe kur ai i arriti, deveja nuk ishte me të. Ebu Bekri i tha: ‘Ku është deveja?’ shërbëtori u përgjigj ‘E humba dje’. Ebu Bekri i tha: ‘Një deve kishe dhe e humbe?’ dhe nisi ta qëllojë. I dërguari i Allahut buzëqeshi dhe tha: “Shikoni çfarë po bën ky muhrim (person i veshur me ihram për në haxh)”. Ibn Ebu Rizmah tha: “I dërguari i Allahut nuk tha asgjë tjetër veç këtyre fjalëve: ‘Shikoni çfarë po bën muhrimi’, dhe vuri buzën në gaz.”[35]

–   Të dish të bësh dallimin mes atij që gabon vazhdimisht dhe atij që gabon për herë të parë.

–   Të dish të bësh dallimin mes atij që gabon pa ndërprerë dhe atij që rrallë mund të bëjë diçka të tillë.

–   Të dish të bësh dallimin mes atij që gabon hapur dhe pa turp dhe atij që përpiqet t’i mbulojë gabimet e tij.

–   T’u kushtosh vëmendje rasteve ku lidhja e tjetrit me Islamin nuk është dhe aq e fortë dhe kur zemra ka nevojë të hapet më shumë ndaj fesë, pa qenë të ashpër me të.

–  Të marrësh parasysh kontekstin e tjetrit përsa i përket statusit dhe autoritetit të tij.

Arsyet që i përmendëm më sipër nuk kundërshtojnë parimin e drejtësisë dhe barazisë, për të cilat folëm më sipër.

– Të qortosh një fëmijë për fajet që bën, duhet të gjesh formën që i përshtatet moshës së tij.

Buhariu ka transmetuar se Hasen ibn Ali mori një nga hurmat që ishte dhënë për bamirësi dhe e futi në gojë. Profeti i tha në persisht:  “Nuk e di se ne nuk e hamë sadakanë (gjërat jepen për bamirësi)?”

At-Tabarani, Allahu e mëshiroftë, tregon nga Zejneb bint Ebu Seleme se ajo kishte hyrë në shtëpinë e të dërguarit të Allahut, ndërsa ai po merrte gusul. Ajo tha: “Ai mori një grusht ujë ia hodhi në fytyrë dhe tha ‘Largohu, vajzë budallaqe!”

Nga kjo është e qartë se nuk do të thotë që në vitet e para të jetës së fëmijës, gabimet e tij nuk duhet të korrigjohen, me të vërtetë duke i korrigjuar atij gabimet do të thotë se po e rrit atë në mënyrën më të mirë, sepse korrigjimet do t’i mbeten në kujtesë dhe në të ardhmen ai do të përfitojë prej tyre. Hadithi i parë tregon sesi mësohet një fëmijë që ta ketë frikë Allahun dhe ta kufizojë veten e tij, kurse hadithi i dytë tregon se si i mësohen zakonet e sjelljes së mirë, si të kërkojë leje para se të hyjë diku si dhe të mos shikojë auretin e njerëzve (pjesët e trupit të cilat duhet të mbulohen).

Një shembull tjetër i shkëlqyer i korrigjimit të fëmijëve është historia e një djali të vogël të quajtur Omer ibn Ebi Seleme. Buhariu ka transmetuar se ai (djali) ka thënë: “Isha i vogël nën kujdesin e të dërguarit të Allahut dhe gjatë ngrënies e lëvizja dorën nëpër të gjithë pjatën. I dërguari i Allahut më tha: “O djalë! Thuaj Bismilah (me emrin e Allahut), ha me dorën e djathtë dhe ha atë që është para teje”. Ai shtoi: “Që nga ajo kohë kjo ishte mënyra ime e ngrënies”.

Ne mund të theksojmë se kur Profeti e këshilloi djalin e vogël, i cili bëri gabim duke e prekur të gjithë ushqimin me dorë, fjalët e tij ishin të shkurtra dhe të qarta, gjë që e bëri të lehtë që fëmija ta kuptonte dhe t’i mbante mend. Ndikimi në zemrën e djalit zgjati gjatë gjithë jetës së tij përderisa ai tha: “Kjo mbeti mënyra ime e ngrënies që nga ajo kohë”.

– Të tregosh maturi kur këshillon gratë jo-mahrem (gratë e huaja), në mënyrë që këshilla të mos keqkuptohet dhe të shmanget fitneja (joshja). Asnjë i ri nuk duhet të përdorë justifikimin se po u flet të rejave në mënyrë që të korrigjojë gabimet e tyre apo t’i mësojë ato. Sa shpesh ka çuar kjo gjë në katastrofa! Kur vjen puna për të korrigjuar gratë, një rol kryesor duhet t’i lihet Ehl el-Hisbeh (mbikqyrësve të çështjeve fetare) dhe të vjetërve, të cilët mund t’i ndihmojnë ata. Personi që po kërkon të urdhërojë për të mirë dhe të ndalojë nga e keqja duhet të veprojë në bazë të asaj që ai mendon se do të jetë rezultati i qortimit të tij. Nëse mendon se do të jetë pozitiv, atëherë duhet të flasë, përndryshe ai duhet ta kufizojë veten e tij dhe të mos u flasë grave të paditura, të cilat mund të bëjnë akuza të rreme kundër tij, ndërsa akoma vazhdojnë ta përsërisin gabimin. Gjendja e shoqërisë  dhe statusi i atij që po kërkon të urdhërojë për të mirë dhe të ndalojë nga e keqja, luajnë një rol themelor në suksesin e përpjekjeve të tij për të këshilluar, për të bërë të ditur një mesazh ose për të dhënë fakte. Historia e mëposhtme e ilustron këtë.

Robi i liruar i Ebu Rahamit, emri i të cilit ishte Ubejd, ka treguar se Ebu Hurejra takoi një grua që kishte hedhur parfum dhe po shkonte në xhami. Ai i tha: “Oj grua, ku po shkon?” Ajo u përgjigj: “Në xhami”. Ai i tha: “Dhe ke hedhur parfum për këtë?” Ajo tha: “Po”. Ai tha: “Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut të thotë:“Nëse një grua hedh parfum dhe pastaj shkon në xhami, Allahu nuk do t’i pranojë namazet e saj, derisa ajo të marrë gusul”[36] Sipas “Sahih Ibn Khuzejme”, një grua kaloi pranë Ebu Hurejrës dhe kishte hedhur shumë parfum. Ai i tha asaj: “Ku po shkon o grua, robëresha e Zotit?” ajo i tha: “Në xhami”. Ai i tha: “A ke hedhur parfum?” ajo u përgjigj: “Po”. Ai i tha: “Kthehu pas dhe merr gusul, sepse kam dëgjuar të dërguarin e Allahut të thotë: “Allahu nuk e pranon namazin e një gruaje e cila kur shkon në xhami ka hedhur shumë parfum, derisa ajo të kthehet dhe të marrë gusul”[37]

– Të mos merremi me rregullimin e simptomave, ndërsa lëmë pas dore trajtimin e shkakut të gabimit.

–  Mosekzagjerimi i gabimit.

–  Moskalimi në ekstreme për të vërtetuar se gabimi ka ndodhur, apo të përpiqesh të detyrosh me forcë atë që bëri gabimin të pranojë fajin.

–  Lënia e kohës së mjaftueshme për të korrigjuar gabimin, veçanërisht në rastin e atij që është mësuar ta bëjë atë për një kohë të gjatë, ndërsa vazhdon ta ndjekësh çështjen dhe vazhdon të korrigjosh dhe të këshillosh.

–  Mos e bëni atë që bën gabim të ndihet si një armik, sepse qëllimi është t’i bindësh njerëzit dhe jo të fitosh pikë kundër tyre.

 

[1] – Tirmidhiu.

[2] – Sure Abese: 1 – 10.

[3] – Sure Ahzab: 37.

[4] – Sure Ali Imran: 108.

[5] – Sure 60: 1

[6] – Sure Ali Imran: 152.

[7] – Sure Nisa: 83.

[8] – Sure Nisa: 97.

[9] – Sure Nur: 14 – 15.

[10] – Sure Nur: 16 – 17.

[11] – Sure Huxhurat: 1 – 2.

[12] – Sure Xhumua:

[13] – Tirmidhiu. Hadithi është Hasen.

[14] – Buhariu.

[15] – Tirmidhiu. Hadithi është Hasen Sahih.

[16] – Ahmedi.

[17] – Buhariu.

[18] – Ahmedi.

[19] – Buhariu.

[20] – Buhariu në “Edebul Mufred”. Hadithi është Sahih.

[21] – Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ahmedi.

[22] – Sure Nur: 33.

[23] – Sure 65: 1.

[24] – Muslimi.

[25] – Tirmidhiu. Hadithi është Hasen.

[26] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih, përvec pjesës së fundit.

[27] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih.

[28] – Darimi.

[29] – Sure En’am: 152.

[30] – Sure Nisa: 58.

[31] – Buhariu dhe Muslimi me tekstin në fjalë.

[32] – Hadithi është Sahih.

[33] – Muslimi.

[34] – Buhariu.

[35] – Ebu Daudi dhe Tirmidhiu. Hadithi është Hasen/

[36] – Ibn Maxheh

[37] – Hadith Sahih.