Mërgimi është një fazë e vështirë të cilën e përjeton ai që largohet nga vendi i tij i lindjes për shkak të nevojës. Në këtë rrugë, udhëtari kalon mijëra kilometra për të arritur qëllimin e tij. Edhe i Dërguari i Allahut ﷺ e përjetoi këtë kur u largua nga vendi i tij i lindjes i detyruar, dhe i foli atij në momentin e largimit:
“Me të vërtetë, ti je toka më e mirë e më e dashur e Allahut, dhe sikur të mos isha dëbuar prej teje, nuk do të kisha dalë.” (Transmetuar nga Ahmedi)

Mërgimtari largohet nga  vendi i tij drejt tjetrit për të punuar, për të studiuar, ose madje për të ikur nga një realitet i hidhur që po përjeton. Ndonjëherë ai largohet edhe për shkak të çështjeve politike të ndërlikuara. Ai ndodhet mbi një zjarr djegës, duke qarë për vendin që e do dhe që e la para vitesh, duke kujtuar të dashurit, miqtë, familjen dhe duke ndjerë një mall të pashuar.

Megjithatë, ai duhet të përshtasë jetën e tij në vendin e ri dhe në të njëjtën kohë të ruajë identitetin dhe moralin e tij islam. Nuk duhet të mashtrohet nga bukuritë e botës dhe vezullimet e saj të cilat  mund ta largojnë nga besimi. Megjithatë, është detyrë e mërgimtarit të integrohet në shoqërinë e re, të mësojë zakonet dhe ligjet e tyre, duke ruajtur dallimin dhe karakterin e tij të veçantë.

Morali i muslimanit në mërgim

Ndërsa është e nevojshme që mërgimtari të integrohet në shoqërinë ku ka ardhur, duhet të respektojë gjithashtu moralin me të cilin është rritur, në mënyrë që të mos kundërshtojë besimin e tij islam gjatë largimit nga vendi i tij. Kështu, duhet të zbatohet sa vijon:

Të mbahet fort feja dhe të kërkohet mbrojtje te Allahu:
I Dërguari i Allahut ﷺ tha:  T’ia keni dronë  Allahut kudo që të jeni.” (Sahih Tirmidhi). Frikërespketi ndaj  Allahut shoqëron çdo besimtar kudo që ndodhet. Jetesa në një mjedis perëndimor nuk justifikon të bëhet harami i lejuar si kamata, bixhozi, mishi i derrit, mishi i ngordhsirës apo ndonjë veprim tjetër i ndaluar.

Veprimi pozitiv për mbrojtjen e të dobëtit dhe të shtypurit:
Pas njohjes së ligjeve të vendit ku keni ardhur, duhet të punoni për të ndihmuar të pafuqishmit, duke mos hyrë në konflikte me ligjet lokale. Shumë myslimanë kanë qenë model i mirë  i moralit dhe drejtësisë.

Ruajtja e besnikërisë dhe mosrënia në tradhti:
Mërgimtari duhet të shmangë tradhtinë, për të mos krijuar përshtypje negative tek vendasit, që mund të çojë në urrejtje dhe mosbesim ndaj të gjithë mërgimtarëve. Enes ibn Maliku,  Allahu qoftë i kënaqur me të,  transmeton se Pejgamberi ﷺ tha: “Çdo tradhtar do të ketë flamurin e vet në Ditën e Kiametit ku do të thuhet: Kjo është tradhtia e filan fistekut.” (Muttefekun alejhi)

Nuk ka dyfytyrësi
Morali dhe sjellja jote si musliman në xhami duhet të jetë e njëjta me atë  që e shfaq  me fqinjët, edhe nëse nuk janë myslimanë,  në rrugë, punë dhe brenda familjes. Allahu thotë:  “Mos  lejoni urrejtja ndaj një populli t’ju shtyjë të mos jeni të drejtë.” [El-Maide: 8].

Ji i mëshirshëm, qoftë edhe me kafshët.

Islami i ka urdhëruar myslimanët për mëshirë ndaj të gjithëve. Në këtë drejtim, i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të,  ka thënë:  «Në çdo qenie me mëlçi të njomë ka shpërblim.» (Buhariu).

Përveç kësaj është e domosdoshme që myslimani të mësojë udhëzime e këshilla rreth mënyrës së jetesës në vendet perëndimore nga shoqëria vendase në secilin vend ku ai shkon. Po ashtu, është me rëndësi që të ketë shkëmbim e ndarje të informacionit ndërmjet të sapoardhurve dhe njerëzve që tashmë banojnë atje, ngase kjo e forcon njohjen e ndërsjellë dhe e ndihmon integrimin në shoqërinë përreth.

Duhet të kihet kujdes për shoqëri të mirë e të drejtë dhe, sa të jetë e mundur, të zgjidhet banim afër xhamive. Sepse mbi çdo mysliman rëndon detyra që të përpiqet të ndryshojë imazhin negativ që shpeshherë është mbuluar nga gënjeshtra, apo është shtrembëruar nga sjelljet e pahijshme të disa myslimanëve emigrantë.

E rëndësishme është gjithashtu që emigranti të rregullojë çështjet e tij financiare, të vendosë disa parime për ruajtjen e pasurisë, dhe të sillet me urtësi në këtë fushë, për të shmangur shpërdorimin dhe për të mos u shtyrë drejt sjelljeve të liga, poshtëruese apo të ndaluara për të siguruar para.

Nga gjërat që i lehtësojnë emigrantit ndjenjën e dhembjes së mërgimit e largësisë, është komunikimi i vazhdueshëm me familjen dhe të afërmit në vendlindje.

Si të jesh ambasador i mirë i Islamit?

Muslimani që ka lënë vendin e tij dhe jeton në mërgim për vite, duhet të synojë që të jetë ambasador i denjë për fenë dhe besimin e tij. Kjo mund të arrihet nëpërmjet:

Krenarisë me Islamin, në tërësinë e tij: besim, adhurim e moral. Sepse në Islam, falë Allahut,  nuk ka asgjë  turpëruese, asgjë  nënçmuese, e as sekrete që të fshihen. Allahu i Madhëruar thotë: “Kush synon krenarinë, le ta dijë se e tëra krenaria i përket  Allahut.” (Sure Fâtir: 10).

Shpallja e identitetit islam duhet të bëhet pa zbehje, pa shkrirje dhe pa imitim të jobesimtarëve. Ne nuk duhet të fshihemi nga njerëzit për shkak të faljes së namazit apo për shkak të Islamit tonë, por duhet të jemi në mesin e tyre si shokë të mirë, të butë e bashkëpunues.

Duhet të nxitojmë në plotësimin e nevojave të njerëzve, veçanërisht të dobëtëve, dhe të marrim pjesë në gëzimet dhe hidhërimet e tyre.

Është me rëndësi të kujdesemi për pastërtinë e veshjes, të shtëpisë dhe të vendeve ku qëndrojmë.

Po ashtu, është detyrë të ruajmë ligjet e vendit ku jetojmë, në mënyrë që të fitojmë respektin e të gjithëve. Duhet të kemi kujdes edhe për respektimin e orareve e të afateve, pasi kjo është prej cilësive të Islamit.

Gjithashtu, duhet të largohemi nga të ndaluarat, si: pirja e alkoolit, frekuentimi i lokaleve të shthurjes, lojërat e kotësisë dhe imoralitetit, mashtrimi e gënjeshtra, vjedhja dhe grabitja, frikësimi i njerëzve të sigurt, si dhe shfrenimi i shikimit e i gjuhës.

Edukimi i fëmijëve në mërgim

“Ai që nuk e posedon një gjë, nuk mund ta japë atë.”
Prandaj, kush e ka humbur lidhjen me fenë e tij në fjalë e në vepër, dhe është magjepsur nga civilizimi perëndimor, nuk do të jetë në gjendje të nxjerrë gjenerata që e njohin fenë e tyre, që ruajnë moralin dhe bindjet e tyre, dhe që janë të afta të përballojnë ndryshimet e jetës së re.

Megjithatë, është plotësisht e mundur të edukohet brezi i ri në mërgim sipas mësimeve të Islamit, duke ndjekur këto udhëzime të vyera, si brenda shtëpisë ashtu edhe jashtë saj:

Rëndësia e namazit: Prindërit duhet të kujdesen për faljen e namazit në xhami së bashku me fëmijët e tyre. E nëse nuk ka xhami afër, atëherë ta falin namazin në xhemat brenda shtëpisë.

Leximi i Kur’anit: Duhet të ketë lexim dhe dëgjim të përditshëm të Kur’anit, por duke i nxitur fëmijët me dashamirësi dhe jo me detyrim.

Mbledhja familjare: Familja të mblidhet së bashku për ushqim, që të ruhet shpirti i bashkësisë.

Gjuha arabe/amtare: Të flitet gj arabe  sa më shumë që të jetë e mundur, për të ruajtur lidhjen me gjuhën e Kur’anit. Ndërsa për muslimanët jo arab  gjuha amtare që të ruhet tradita familjare/kombëtare nga harresa e braktisja.

Etika islame: Duhet të ruhen rregullat dhe etikat familjare e shoqërore që i ka përshkruar Zoti i Lartësuar në Librin e Tij.

Pastërtia morale: Prindërit nuk duhet të lejojnë as veten, as fëmijët e tyre të shohin filma/emisione  të shthurur e me përmbajtje të ndaluar.

Jetesa brenda shtëpisë: Të rrinë në shtëpi dhe ta kalojnë aty kohën më të gjatë të mundshme.

Arsimi islam: Fëmijët duhet të dërgohen në shkolla islame që nga fëmijëria e deri në përfundim të shkollës së mesme.

Lidhja me xhaminë: Të dërgohen fëmijët sa më shpesh në xhami, duke i mësuar dhe duke ua dashur namazin e xhumasë dhe atë me xhemat.

Veprimtaritë edukative: Të sigurohen aktivitete edukative dhe sportive që i shërbejnë fëmijëve dhe të rinjve.

Universiteti: Duhet të shmanget, sa të jetë e mundur, dërgimi i fëmijëve në universitete të largëta.

Ushqimi hallall: Të kihet kujdes i plotë që ushqimi të jetë i pastër dhe i lejuar (hallall), dhe prindërit të shmangin krejtësisht çdo lloj ushqimi apo veprimi të ndaluar.

Shembulli i prindërve: Fëmijëve duhet t’u shfaqet gjithnjë imazhi i vërtetë i Islamit, që ata ta njohin fenë përmes praktikës së prindërve të tyre.

Dialogu: Të kihet kujdes që të flitet e të diskutohet me fëmijët mbi gjithçka që u vjen në mendje, në mënyrë që të kenë hapësirë për pyetje dhe sqarime.

Kampet edukative: Organizimi i kampeve edukative ku merr pjesë e gjithë familja.

Umreja dhe Haxhi: Prindërit të përpiqen të udhëtojnë me fëmijët e tyre drejt Vendeve të Shenjta për kryerjen e umres dhe detyrës së haxhit.

Të flasin për Islamin: Fëmijët të trajnohen që të flasin për Islamin me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme si për të rriturit  edhe për të vegjëlit.

Mësimi i Kur’anit: Të trajnohen fëmijët për të mësuar përmendësh Kur’anin, dhe disa prej tyre, nëse është e mundur,  të dërgohen në ndonjë vend arab islam që të thellohen në dije fetare.

Përgatitja për udhëheqje: Të trajnohen disa prej fëmijëve për të mbajtur hutbe të xhumasë dhe për të udhëhequr namazin, që të bëhen nesër udhëheqës të denjë për komunitetet islame.

Martesa e hershme: Të nxitet martesa e hershme e të rinjve, në mënyrë që të ruhen feja dhe jeta e tyre, duke i martuar me vajza të devotshme prej familjeve të njohura për fenë dhe moralin e tyre.

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve: Të punohet që mosmarrëveshjet familjare të zgjidhen sipas Librit të Allahut dhe Sunetit të Profetit ﷺ, në mënyrë që fëmijët të shohin ndikimin e zgjidhjes islame te prindërit.

Largimi nga prishja morale: Të mos marrin pjesë në ahengje vallëzimi, muzike, kënge dhe festivale të shthurura, dhe të mos lejohet që fëmijët tanë të shkojnë në kisha bashkë me shokët e tyre.

Çdo mysliman që merr vendim të provojë mërgimin, qoftë për studime, punë apo emigrim, duhet që:

Të kujdeset për veten e tij. Parimi themelor është se çdo njeri është përgjegjës për veten e tij. Edhe pse Islami është fe e bashkësisë, myslimani është i obliguar të fillojë me veten e tij. Allahu i Madhëruar thotë:“O ju që besuat! Ruani veten tuaj dhe familjet tuaja nga një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (Et-Tahrim: 6).

Të ketë krenari për fenë e tij. Myslimani udhëtar duhet të jetë i lidhur fort me fenë e tij para se të nisë rrugën; të mësojë kufijtë e hallallit dhe haramit, dhe të furnizohet me dije fetare që e ruajnë akiden e tij.

Të kërkojë mjedise edukative islame. Në vendin ku shkon, duhet të hulumtojë për xhami apo qendra islame që shërbejnë si strehë edukimi për të, për bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Allahu i Madhëruar thotë:
“Besimtarët dhe besimtaret janë miq të njëri-tjetrit; urdhërojnë për të mirën, ndalojnë nga e keqja, falin namazin, japin zekatin, dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që Allahu do t’i mëshirojë. Vërtet Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”  (Et-Teube: 71).

Të mos imitojë kulturën perëndimore. Myslimani nuk duhet të ndjekë Perëndimin në  stilin e jetesës në veshje, ushqim, mënyrën e të folurit, prerjen e flokëve dhe pamjen e jashtme që bien ndesh me mësimet e Islamit. Abdullah ibn Amr ibn el-As ka paralajmëruar duke thënë: “Kush banon në tokën e idhujtarëve, feston festat e tyre si Nejrûzi e të ngjashme, dhe u ngjan atyre deri sa të vdesë, do të ringjallet me ta Ditën e Kiametit.” (E transmeton Bejhakiu).

Të kryejë obligimet dhe të largohet nga të ndaluarat. Duhet të ketë kujdes për faljen e namazit, dhënien e zekatit, largimin nga kamata dhe çdo lloj tregtie të ndaluar që e largon njeriun nga Allahu dhe ia zbeh identitetin.

Të ruajë lidhjet me myslimanët. Të ketë marrëdhënie të mira me myslimanët e tjerë, sepse kjo i bashkon zemrat, forcon vendosmërinë dhe i mbron nga shkrirja në shoqëritë e huaja. I Dërguari ﷺ duke i ndërthurur gishtat e tij ka thënë:“Myslimani për myslimanin është si ndërtesa: secila pjesë e saj e forcon tjetrën.”  (E transmeton Muslimi).

Të krijojë një ambient islam brenda familjes. Kryefamiljari duhet të ndërtojë një atmosferë islame në familjen e tij, duke qenë shembull i mirë për bashkëshorten dhe fëmijët, dhe duke i ndjekur me kujdes ndryshimet e reja që mund t’i shtyjnë ata të rrëshqasin drejt zakoneve të huaja të shoqërisë ku jetojnë.

Nga gjërat që mund të ndihmojnë në ruajtjen e identitetit islam është që myslimani emigrant të kërkojë zona ku përqindja e myslimanëve është më e madhe, sepse aty mund të formohen bashkësi islame dhe një klimë e përshtatshme për ta dhe për fëmijët e tyre brenda shoqërive perëndimore, por pa rënë në izolim.

Po ashtu duhet pasur kujdes në shtimin e dijes për çështjet e fesë, qoftë për veten apo për familjen, dhe në mësimin përmendësh të Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij, sa të jetë e mundur  në mënyrë që zemra të ruhet nga rrëshqitja drejt pasioneve apo nga lajthitja në atë që bie ndesh me fenë nga mos dija.

Nga rregullat e rëndësishme që e mbrojnë myslimanin është edhe parimi “përmirësoje veten dhe thirri të tjerët”, sepse një nga gjërat që e ndihmon myslimanin të ruajë veten e tij është thirrja drejt fesë së pastër dhe të mëshirshme të Allahut, qoftë me fjalë apo me vepra, në të gjitha fushat e jetës.

Ndikimi i emigrimit në edukimin shoqëror të fëmijëve

Edukimi i fëmijëve në mërgim është një çështje e ndërlikuar, ku prindi qëndron i hutuar mes dhimbjeve të hidhura të emigrimit dhe vështirësisë për t’i lënë ata të jetojnë në atdheun e tyre të origjinës. Fëmija gjendet në një konflikt kulturor mes kulturës së shoqërisë së origjinës dhe asaj të shoqërisë ku jeton.

Fëmijët në vendet e emigrimit vuajnë shumë sepse janë të privuar nga ushtrimi i fëmijërisë së tyre në mënyrën e pafajshme që pasqyron sjelljet e tyre, për shkak të frikës së vazhdueshme të prindërve për t’i lënë të dalin vetëm. Liria e tyre në lojë kufizohet nga java në javë ose ndonjëherë nga muaji në muaj, nëpër parqe publike që kanë një tipar të vetëm të lojës dhe argëtimit.

Mungesa e një familjeje të gjerë në mërgim, e cila do të transmetonte fenë, vlerat, zakonet dhe traditat nga një brez në tjetrin, përbën vetvetiu një sfidë tjetër që e përball familjen emigrante.

Ka gjithashtu edhe sfida të tjera që dalin në pah pas kthimit në vendin e origjinës, pas një qëndrimi të gjatë jashtë tij, dhe ato janë: vështirësia e integrimit dhe përshtatjes së shpejtë me shoqërinë, vështirësia në shqiptimin dhe kuptimin e disa fjalëve të dialektit të folur, shtimi i marrëdhënieve të shumta shoqërore dhe shoqëria e hapur, ndryshimi i mjedisit natyror nga ai ku fëmija është rritur dhe edukuar, si dhe vështirësia e programeve shkollore.

Hutimi  i të rinjve mes mërgimit dhe qëndrimit në atdhe

Shumë të rinj ëndërrojnë diplomimin nga universiteti jo për të kërkuar punë në vendlindje, por për të udhëtuar jashtë vendit në përpjekje për të arritur ëndrrën e pasurisë. Mirëpo, shpejt hyjnë në një dilemë mes zgjedhjes së mërgimit dhe lënies së familjes, apo qëndrimit në vendin e tyre. E çuditshme është se ka prindër që përkrahin idenë e largimit për të kërkuar një mundësi më të mirë pune edhe nëse çmimi është ndarja e dhimbshme.

Disa nga ata që dëshirojnë të lënë atdheun paraqesin shumë arsye që i shtyjnë drejt këtij vendimi. Ata përsërisin shprehjen e frikës nga e ardhmja dhe disa të tjerë mendojnë se jetojnë në një mërgim edhe brenda vendit të tyre, pasi nuk gjejnë as mbështetje, as mundësi pune, e as ndonjë shpresë për të cilën të jetojnë. Ndërkohë bashkëmoshatarët e tyre që dolën jashtë vendit arritën ëndrrën e tyre në një kohë të shkurtër.

Megjithatë, përvoja ka treguar se atdheu i origjinës mbetet gjithmonë i lidhur me shpirtin edhe nëse trupat jetojnë në begati larg tij. Ja një shembull i qartë: Jusufi, paqja qoftë mbi të,  megjithëse në Egjipt arriti pozitën e atij që urdhëronte e ndalonte, përsëri porositi që pasardhësit e Beni-Israilit ta bartnin trupin e tij në Palestinë, atje ku ishte rritur dhe ku preheshin etërit e gjyshërit e tij.

Njeriu i mençur, i lirë dhe i guximshëm është ai që ndryshon realitetin dhe nuk ikën prej tij. Betejat e atdheut nuk janë gjithmonë me armë e luftë, por shumë nga betejat më të rënda janë pa këtë mjet të dukshëm. Prandaj, duhet që në kohë vështirësie të qëndrojmë pranë atdheut, që së shpejti të gjithë të gëzojmë qetësi shpirtërore dhe mirëqenie në jetesë.

Megjithë këtë, nëse situata arrin deri në rrezikim të jetës nga vrasja, burgosja arbitrare pa faj, pabesia ose mungesa e sigurisë që nuk e bën të mundur jetën e qetë dhe të qëndrueshme, atëherë Islami e ka lejuar në këtë rast mërgimin drejt një vendi më të sigurt dhe më të përshtatshëm për të jetuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur engjëjt ua marrin shpirtrat atyre që e kanë ngarkuar veten me faje, u thonë: “Ku ishit?” Ata përgjigjen: “Ishim të pafuqishëm në Tokë”. (Engjëjt) u thonë: “A nuk qe Toka e Allahut e gjerë që të emigronit në të?” Këta janë ata (njerëz), vendbanimi i të cilëve është Xhehenemi; eh, sa i keq është ai vendbanim!” (En-Nisa: 97).

 

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve

__________

Burimet:

“Ambasadorët e Islamit në Mërgim”

Seria: Muslimani në Vendet e Mërgimit, Vëllimi II

Varfëria në atdhe është mërgim dhe Pasuria në mërgim është atdhe