Hutbeja e parë:

Falënderimi i takon Allahut, i Cili krijoi gjithçka në përsosmëri dhe i dha çdo gjë udhëzimin e saj. E lavdëroj dhe e falënderoj Atë për begatitë e Tij të panumërta që nuk mund të maten. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër që meriton adhurim përveç Allahut, Një e i Vetëm, pa ortak, që ka emrat më të bukur dhe cilësitë më të larta. Dëshmoj se i Dërguari ynë, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, na paralajmëroi nga ndjekja e epshit. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij, si dhe mbi ata që ndjekin rrugën e tyre.

Këshilla ime për veten dhe për ju është që të keni frikë dhe devotshmëri ndaj Allahut, siç thotë Ai: “O ju që besuat! Kini frikë Allahun me frikë meritore dhe mos vdisni veçse duke qenë myslimanë.” (Ali Imran: 102).

Kurani, me mrekullinë e tij, përshkruan gjendje të ndryshme psikologjike dhe zbulon thellësitë e shpirtit të njeriut. Sot do të ndalemi te dy gjendje që i përmend Kurani: njëra në kohë gëzimi dhe tjetra në kohë sprovatash.

Njeriu natyrshëm dëshiron të shijojë kënaqësitë e jetës, t’i gëzohet begative trupore e shpirtërore. Kur arrin ndonjë të mirë, gëzohet dhe ndien lumturi, fytyra i ndriçohet nga kënaqësia dhe shpirti i mbushet me qetësi.

Por, kur e prek ndonjë e keqe, qoftë edhe e vogël, i errësohet bota përpara syve, shpresat i zbehen, zemra i mbushet me dëshpërim, dhe kërkon një jetë plot dritë e shkëlqim, pa asnjë pikë dobësie.

Kur Allahu i jep një të mirë, i plotëson një dëshirë apo i jep sukses në atë që ka shpresuar, njeriu shpesh fryhet nga mendjemadhësia. Mburret e thotë se çdo gjë që ka arritur është fryt i përpjekjes dhe aftësive të tij. Ai mendon se këto të mira do t’i zgjasin përherë, madje arrin deri aty sa të besojë se lumturia që ka në këtë botë do ta shoqërojë edhe në botën tjetër. Për këtë gjendje Kurani thotë:” Njeriu nuk lodhet kurrë duke kërkuar të mirën, por, nëse e godet e keqja, ai menjëherë bie në dëshpërim dhe humb shpresën.  E nëse pas fatkeqësisë, Ne i japim atij që të shijojë nga mirësitë Tona, ai me siguri, do të thotë: “Këtë e meritoj! Unë nuk besoj se do të vijë Ora (e Kiametit), por, edhe nëse kthehem te Zoti im, sigurisht që Ai do të më japë shpërblimin më të mirë.”  (Fussilet: 49–50).

Ndërsa në kohë sprove e fatkeqësie, Kurani na jep një pamje tjetër psikologjike, ku thotë: “Sikur Allahu, t’ua shpejtonte të keqen njerëzve, ashtu siç e dëshirojnë shpejt të mirën, me të vërtetë që ata do të zhdukeshin. Megjithatë, ata që nuk shpresojnë takimin Tonë, Ne i lëmë të bredhin të verbër në humbjen e tyre.  E, kur njeriun e gjen e keqja, atëherë Na lutet shtrirë ose ulur, ose në këmbë. E, sapo Ne ia largojmë të keqen, vazhdon rrugën, thuajse nuk Na është lutur për fatkeqësinë që e ka goditur. Kështu, plëngprishësve (që shkelin kufijtë e Allahut) iu zbukurohet ajo që punojnë. “ (Junus: 11–12).

Ky përshkrim i mrekullueshëm kuranor na tregon se kur njeriu përballet me vështirësi, sprova dhe fatkeqësi, i duket sikur bota është bërë e ngushtë, errësira e mbulon, shpirti i tij ngarkohet me ankth e trishtim dhe bie në dëshpërim të thellë. Ndonjëherë, nga dhimbja dhe zemërimi, ai lutet me fjalë të dëmshme, madje mallkon veten, familjen apo pasurinë e tij.

Por sikur Allahu t’ia pranonte një lutje të tillë, ai do të shkatërrohej me duart e veta, familja dhe pasuria e tij do të zhdukeshin. Megjithatë, Allahu është Falës, Mëshirëplotë dhe i Butë me robërit e Tij. Ai e di më mirë gjendjen e tyre dhe se çfarë fshihet në shpirtin e tyre, siç thotë: “A nuk e di Ai që ka krijuar, ndërsa Ai është i Buti, i Gjithëdijshmi?” (El-Mulk: 14).

Këto ajete janë një dëshmi e qartë e mrekullisë psikologjike të Kuranit, i cili depërton deri në thellësitë e shpirtit të njeriut dhe ia zbulon sekretet e fshehta.

Jeta bashkëkohore ka sjellë me vete shumë sëmundje shpirtërore e psikologjike që nuk ekzistonin në brezat e parë të myslimanëve. Janë mbushur klinikat me njerëz që vuajnë nga ankthi, pagjumësia, depresioni, stresi dhe tensioni nervor, derisa shoqëritë moderne janë bërë të mbushura me shpirtra të lodhur që kanë humbur qetësinë dhe lidhjen me Zotin.

Disa njerëz i mbulon një re e dendur me brenga dhe trishtim. Kur flasin, duken sikur marrin frymë me vështirësi dhe nxjerrin një psherëtimë të rëndë që në vetvete bart një çekuilibër shpirtëror. Këtij realiteti i shtohet edhe përhapja e alkoolit dhe drogave, sepse ai që i përdor ato  kërkon të arratiset nga dhembjet e tensionit nervor dhe vuajtjet psikologjike që e mundojnë.

Kush gjendet në këtë gjendje, dobësohet përballë sfidave të jetës dhe përgjegjësive të saj, qoftë baba apo nënë, punonjës apo drejtues, thirrës apo shkrimtar. Një njeri me personalitet të trazuar, ankthioz dhe të tensionuar ndikon keq në edukimin e fëmijëve, në marrëdhënien me bashkëshorten, në produktivitetin në punë dhe në ecjen e tij në fushën e thirrjes fetare.

Ndër shkaqet më kryesore të problemeve shpirtërore e psikologjike është dobësimi i besimit dhe shkëputja e lidhjes me Allahun e Lartësuar.

Më të shqetësuarit, më të pasigurtët dhe më të humburit shpirtërisht janë ata që janë privuar nga drita e besimit dhe freskia e bindjes.

Jeta e tyre është pa shije e pa kuptim, edhe nëse është e mbushur me luks dhe kënaqësi. Disa njerëz kërkojnë qetësi shpirtërore në pasuri, në poste, në makina luksoze, në famë të rreme, në zhytje në epshe, në gotat e alkoolit apo në helmimin e drogave, por nuk gjejnë ngopje, as rehati e as paqe shpirtërore. Brenda vetes mbartin ankthin, tensionin dhe shqetësimin që ua prish gjumin, ua mundon shpirtin dhe ua lodh trupin. Për këtë Allahu thotë: “Kush i largohet përmendjes Sime, ai do të ketë një jetë të vështirë, dhe Ne do ta ringjallim ditën e kijametit të verbër.” (Taha: 124).

Këta janë njerëz që janë larguar nga bindja ndaj Allahut, nga shoqërimi me Të, nga falja në xhami me xhemat, nga leximi i Kuranit dhe nga shoqërimi me njerëz të mirë. E kanë këputur lidhjen me Zotin e tyre, ndaj i sheh gjithmonë të trishtuar, të dëshpëruar, të zhytur në errësirë dhe humbje, të dobët dhe pa qëllim në jetë, derisa kanë arritur në gjendjen e atyre që Allahu i përshkruan: “Ata e harruan Allahun, e Ai i bëri që ta harrojnë vetveten.” Sa e mjerë është jeta e tyre dhe sa fatkeq është fati i tyre!

Qytetërimi bashkëkohor është përpjekur t’i sigurojë njeriut qetësi shpirtërore përmes begative materiale dhe kënaqësive trupore, por në vend të kësaj ia ka shtuar ndërlikimin, ankthin dhe trazimin. Ata jetojnë mes pasurisë e luksit, por në zemrat e tyre mbizotëron trishtimi, stresi dhe mërzia. Më e qarta dëshmi për këtë është fakti që shumë prej tyre përfundojnë duke bërë vetëvrasje, të lodhur nga jeta dhe për të shpëtuar nga vuajtjet shpirtërore që i përpijnë çdo ditë.

Ka thënë Ibn Kajjimi,  Allahu e mëshiroftë: “Në zemër ka një shpërndarje që nuk e bashkon dot askush përveçse kthimit të sinqertë kah Allahu;  në të ka një vetmi që nuk e zhduk askush përveç shoqërimit me Allahun; ka në të një trishtim që nuk e largon askush përveç gëzimit që vjen nga njohja e Tij dhe sinqeriteti në adhurimin ndaj Tij; ka në të një ankth që nuk qetësohet përveçse me mbledhjen e zemrës për Të dhe me ikjen drejt Tij; ka në të zjarre pendese që nuk i shuan askush përveç kënaqjes me urdhrin, ndalesat dhe caktimin e Tij; dhe ka në të një varfëri që nuk e mbulon dot askush përveç dashurisë për Të, pendimit ndaj Tij, përmendjes së Tij të vazhdueshme dhe sinqeritetit në adhurim. Edhe sikur njeriut t’i jepej gjithë bota me ç’ka në të, ajo mungesë nuk do të mbushej kurrë.”

Problemet familjare dhe atmosfera e mbushur me tension çojnë shpesh në probleme psikologjike, sidomos kur familja shpërbëhet e përçahet. Nuk ka dyshim se fëmijët që jetojnë në këto kushte nuk zhvillohen shpirtërisht si ata që rriten në gjirin e prindërve të tyre, nën hijen e mëshirës, dashurisë dhe kujdesit të ndërsjellë.

Jeta materiale e kohës sonë ka lindur njerëz që i janë hedhur pas dynjasë me etje, duke u përpjekur ta mbledhin çdo grimcë të saj. Nga mëngjesi në mbrëmje e deri në gjumë, mendja e tyre rrotullohet vetëm rreth punës, fitimit dhe grumbullimit të pasurisë, pa i dhënë vetes pushim apo ushqim shpirtëror. Një gjendje e tillë i lodh nervat, i shteron forcat dhe i prish ekuilibrin e jetës. Në këtë kontekst, vjen porosia e Profetit ﷺ si një mburojë kundër rraskapitjes trupore dhe lodhjes shpirtërore që çon në çrregullim të shëndetit psikik: “Zoti yt ka të drejtë mbi ty, vetja jote ka të drejtë mbi ty, dhe familja jote ka të drejtë mbi ty, ndaj jepi secilit prej tyre të drejtën që i takon.” (e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi).

Profeti ﷺ ka thënë gjithashtu: “Kush i bashkon të gjitha shqetësimet në një: shqetësimin për Ditën e Fundit  Allahu do t’i mjaftojë për çështjet e dynjasë së tij. Por kush i shpërndan shqetësimet në çështjet e kësaj bote, Allahu nuk do të kujdeset në cilën prej luginave të tij do të shkatërrohet.” (e transmeton Ibn Maxhe).

Disa njerëz jetojnë me frikë të vazhdueshme e ankth të përhershëm: frikë nga sëmundja – “po më ndodhi kjo, si do të përfundoj e nëse më ndodh ajo?” – e nëse ndiejnë pak dhimbje, menjëherë i pushtojnë mendime e imagjinata të frikshme.

Frikë për furnizimin, për pozitën, për të ardhmen, për fëmijët, madje edhe nga njerëzit përreth. Zemra e tillë mbushet me dyshim, pasiguri e stres, dhe jeton nën presionin e hamendjeve e pëshpëritjeve të brendshme. Kjo gjendje e mbyt njeriun në apati e plogështi, i dobëson forcat, i tensionon trupin dhe ia vret çdo gjallëri e gëzim në jetë.

Ku mbeti besimi në kaderin dhe vendimin hyjnor? Ku mbeti mbështetja te Allahu? Përse frika për rrizkun, kur Ai është garantuesi i sigurt i çdo krijese dhe nuk e zhgënjen kurrë robin e Vet? Ai ka premtuar kujdesin për furnizimin, dhe premtimi i Tij është i vërtetë: “Vërtet, premtimi i Zotit tim është i drejtë.” (Kehf: 98).

“Allahu është Furnizuesi i vetëm, Zotëruesi i forcës së pathyeshme.” (Dharijat: 58).

“Në qiell është rrizku juaj dhe ajo që ju premtohet. Për Zotin e qiellit dhe të tokës, kjo është e vërtetë, ashtu siç është e vërtetë se ju flisni.” (Dharijat: 22–23).

“Sa e sa krijesa nuk mbajnë dot furnizimin e tyre, por Allahu i furnizon ato dhe ju gjithashtu.” (Ankebut: 60).

Besimtari nuk jeton me frikë nga vdekja, sepse ajo është e pashmangshme, e caktuar dhe e padiskutueshme; as frika dhe as ankthi nuk mund ta pengojnë. “Thuaj: Vdekja prej së cilës ikni, medoemos do t’ju takojë .” (Xhuma: 8).

Njeriu nuk ka në dorë as dëm e as dobi për veten, e aq më pak për të tjerët. Prandaj, qëndro i qetë me Allahun, sepse edhe sikur të bashkoheshin të gjithë njerëzit për të të bërë dëm, nuk do të mund ta bënin përveçse me lejen e Tij. “Kujto kur mohuesit komplotonin kundër teje: për të të burgosur, vrarë ose dëbuar. Ata bënin kurthe, por edhe Allahu ngrinte kurthe (kundër tyre). Allahu është planifikuesi më i mirë.” (Enfal: 30).

Sa e madhërishme është këshilla e pavdekshme që Profeti ﷺ i nguli në zemrën e Ibn Abbasit,  Allahu qoftë i kënaqur me të, : “Ruaje Allahun, që Allahu të të ruajë; ruaje Allahun dhe do ta gjesh përpara teje. Kur të kërkosh, kërko prej Allahut; e kur të kërkosh ndihmë, kërko prej Allahut. Dhe dije se, sikur e gjithë bota të bashkohej për të të bërë ndonjë dobi, nuk do të mund ta bënte përveçse me atë që Allahu e ka caktuar për ty; e sikur të bashkoheshin për të të bërë dëm, nuk do të mund ta bënin përveçse me atë që Allahu e ka shkruar kundër teje. Janë ngritur pendat dhe janë tharë faqet e shkrimit.” (E transmeton Tirmidhiu).

E kur njerëzit filluan të mbështeten te njerëzit, të kërkojnë prej krijesave si vetvetja, e të varin shpresën tek të dobëtit si ata, u shtua lodhja, u rëndua barra dhe u dyfishua hutimi i tyre. Vetëm mbështetja te Krijuesi sjell qetësi, ndërsa kërkimi te krijesat shton varësi e trishtim.

Disa njerëz, kur i godet ndonjë fatkeqësi apo sprovë, mbeten të zhytur në të për muaj e vite, duke e rikujtuar dhimbjen, duke e përsëritur kujtimin, herë të dëshpëruar e herë të përmalluar. Prandaj durimi dhe kënaqësia me caktimin e Zotit janë mburojë që ruan shpirtin nga rënkimet e plagëve dhe nga ankthi i dhimbjeve.

Pejgamberi ﷺ ka thënë, siç transmetohet në Sahih Muslim nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Çudi me çështjen e besimtarit! Vërtet çdo gjë për të është e mirë, dhe kjo nuk është për askënd tjetër përveçse për besimtarin. Nëse e gëzon ndonjë e mirë, falënderon dhe ajo është e mirë për të; e nëse e godet ndonjë e keqe, duron dhe ajo është e mirë për të.”

Omer ibnul-Hattabi, Allahu qoftë i kënaqur me të,  ka thënë: “Jeta më e mirë që kemi jetuar ka qenë ajo që e kemi përballuar me durim.”

Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Pakënaqësia është porta e pikëllimit, trishtimit, shpërqendrimit të zemrës dhe prishjes së gjendjes; ndërsa kënaqësia (me caktimin e Zotit) e çliron njeriun nga e gjithë kjo dhe i hap derën e xhenetit të kësaj bote para xhenetit të botës tjetër.”

Kur sprovat vijnë njëra pas tjetrës dhe zemra ngushtohet, në mënyrë që njeriu të mos copëtohet nga dëshpërimi e të mos shkatërrohet nga frika, Zoti i Madh i ka hapur atij një derë drejt qiellit, që ai të derdhë aty shqetësimet dhe t’i shpalosë pikëllimet e tij para Krijuesit të tokës dhe qiejve.

Allahu i Lartësuar thotë: “Përmend edhe Ejubin, kur iu lut Zotit të tij: ‘Mua më ka prekur e keqja, e Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve.’ Atëherë Ne iu përgjigjëm, ia larguam të keqen që e kishte goditur dhe ia kthyem familjen, madje edhe sa ata, nga mëshira Jonë dhe si kujtim për adhuruesit.” (El-Enbija: 83-84)

Zoti na bekoftë mua dhe juve me  Kuranin Famëlartë, dhe na bëftë dobi me atë që gjendet në të nga ajetet dhe përmendjet e urta.

Hytbeja e dytë

Falënderimi i takon Allahut për mirësinë e Tij, dhe falënderimi i sinqertë për ndihmën dhe bujarinë e Tij. Dëshmoj se s’ka zot tjetër të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Një e të Vetëm, që s’ka shok në sundimin e Tij. Dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij, ai që ftoi njerëzit drejt kënaqësisë së Zotit të tyre. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.

O besimtarë, në udhëtimin e përditshëm të jetës së myslimanit ka ndalesa që ushqejnë shpirtin me forcë dhe e mbrojnë nga veset e shejtanit. Njëra prej tyre është namazi i përulur dhe me përqendrim, për të cilin Zoti thotë: “Kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz.” (El-Bekare: 45).

Kur ndokush i bën padrejtësi, ai ia lë çështjen në dorë Atij që me urdhrin e Tij qëndrojnë qiejt e toka. Kur e kaplon ndonjë hall apo kur jeta e ngushton me vështirësitë e saj, ai drejtohet kah Allahu, sepse askush tjetër nuk ka pushtet përveç Tij.

Qëndrimi i njeriut pesë herë në ditë përballë Zotit të tij është mburojë kundër çrregullimeve të shpirtit, të cilat shpesh janë shkak i dështimit në jetë. Ato e mbrojnë atë nga shtypja e brendshme, ankthi dhe tensioni. Përveç kësaj, ai ka furnizim shpirtëror të vazhdueshëm në çdo çast — përmendjen e Allahut, e cila largon trishtimin, qetëson zemrën dhe e mbush me dritë.

Me namaz dhe me dhikër, myslimani e nis çdo ditë të re me shpresë, dritë dhe shpirt të pastër. Përndryshe, ai do të jetonte një ditë të zymtë, me fytyrë të rënduar dhe shpirt të turbullt. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shejtani i lidh tri nyje në zverk njeriut kur ai fle, dhe në çdo nyje i thotë: ‘Ke natë të gjatë për të fjetur, vazhdo.’ Nëse ai zgjohet dhe e përmend Allahun, i zgjidhet një nyje; nëse merr abdes, i zgjidhet edhe tjetra; e nëse falet, i zgjidhen të tria, dhe në mëngjes zgjohet aktiv e me shpirt të pastër. Ndërsa, nëse nuk e bën këtë, zgjohet me shpirt të rëndë dhe dembel.” (Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi).

Për t’u shpëtuar shqetësimeve, ankthit dhe pagjumësisë, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se: “Kur Pejgamberi ﷺ binte për të fjetur, bashkonte duart, frynte lehtë mbi to dhe lexonte në to tre suret e fundit Elihlas, lfelek dhe ennnas Pastaj me to fërkonte sa të mundte nga trupi i tij, duke filluar nga koka, fytyra dhe pjesa e përparme e trupit, dhe e përsëriste këtë tri herë.” (Transmetuar nga Buhariu).

Prandaj, o robër të Allahut, dërgoni salavate mbi të Dërguarin e udhëzimit, mësuesin e njerëzimit dhe bartësin e dritës hyjnore.

 

Abdul Bari ibn Avvad Ethubjetij

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve