Sa shpesh e gjeni veten në mes të një debati, duke u përpjekur të pajtoni dy palë dhe të ruani paqen? Një çift mund të jetë duke kaluar nëpër një periudhë të rëndë divorci ose mund të ketë probleme familjare, por si t’i ndihmoni t’i përballojnë këto kriza? Keni nevojë për ndihmën e një avokati të familjes? Si veproni si ndërmjetës për të ruajtur paqen dhe për t’iu përmbajtur mësimeve të Kuranit dhe Sunetit? Si mund të arrijmë një zgjidhje të drejtë për të gjithë?

Si drejtor i përgjithshëm i Qendrës Kulturore Islame në Londër, kam vite që ndërmjetësoj mes mosmarrëveshjeve dhe kam dalë me disa këshilla thelbësore, se si të arrihet zgjidhja më e mirë. Edhe nëse nuk jeni profesionist në këtë pozicion, është e rëndësishme të dini se si t’i zgjidhni mosmarrëveshjet në të cilat jeni thirrur si ndërmjetës.

Çfarë është ndërmjetësimi?

Ndërmjetësimi është një proces ku ju përpiqeni të arrini një zgjidhje midis dy palëve në mosmarrëveshje. Ndërmjetësimi është një përgjegjësi e madhe, pasi rezultatet mund të jenë ekstreme. Përpjekjet dhe kontributi juaj kanë potencialin për të parandaluar shkëputjen e lidhjeve familjare, ose mund ta përkeqësojnë situatën shumë. Kjo është arsyeja pse ndërmjetësi duhet të punojë me drejtësi dhe për hir të Allahut të Madhërishëm.

Nuk është gjithmonë një barrë që dikush dëshiron të ketë, por shpesh kalimtarët përfshihen në përpjekjen për të zgjidhur një çështje, duke mos kuptuar peshën e veprimeve të tyre ose duke nënvlerësuar potencialin që kanë, për të zgjidhur një problem. Pra, këtu janë këshillat e mia se si të jesh ndërmjetësi më i mirë në çdo situatë.

  • Qëndroni të paanshëm

Ndërmjetësimi do të thotë që ju po përpiqeni të ndërtoni lidhje midis dy palëve. Çdo palë ka anën e vet të historisë dhe nuk mund të mbështeteni vetëm në një version, sepse njerëzit do t’ju tregojnë vetëm një anë të së vërtetës. Edhe nëse personi është dikush me të cilin jeni të afërt, duhet të qëndroni të paanshëm.

Është shumë e lehtë të dëgjosh një rrëfim të një historie dhe menjëherë të bindesh dhe të gjykosh, por më pas dalin në dritë gjëra të reja dhe e kupton se sa shpejt ke bërë gjykimin. Pavarësisht se sa e keqe duket njëra anë e histories, prisni derisa të shihni edhe anën tjetër të medales.

  • Kërkoni urtësi nga Kurani dhe Suneti

Shmangni zemërimin dhe gjykimin emocional, por mbi të gjitha, shmangni gjykimin subjektiv bazuar në atë që mendoni se është e drejtë ose e gabuar. Synoni të jepni një gjykim që është i pëlqyeshëm për Allahun e Madhërishëm dhe në përputhje me sheriatin.

Një shembull i kësaj është me familjet, veçanërisht me prindërit, ndonjëherë ndodhin debate të ashpra dhe një zgjidhje e lehtë për të thënë thjesht “Epo është e qartë që nuk jeni mirë, thjesht shmangni bisedat me njëri-tjetrin dhe duhet të jeni mirë”. Por kjo bie ndesh me mësimet e Kuranit dhe Sunetit.

Është e lehtë t’i lëmë emocionet të marrin kontrollin e gjykimit tonë, veçanërisht kur mund të simpatizojmë dikë, ose ndoshta mund t’i gjejmë veprimet e dikujt të neveritshme dhe duam ta ndëshkojmë atë, por kjo nuk është ajo që na mëson Islami.

”Në të vërtetë, Allahu urdhëron për drejtësi, mirësi…” (Surja En-Nahl, 90)

Fjala e përdorur këtu në këtë ajet është ‘ihsan’, që është edhe më shumë se drejtësi. Kjo do të thotë të shkosh përtej drejtësisë; do të thotë sjelljen më të mirë që mund të shfaqni, dhe kjo duhet t’u kujtohet edhe njerëzve të cilët kanë mosmarrëveshje.

Shkalla e “ihsanit” ndonjëherë mund t’ju kërkojë të bëni një përpjekje shtesë për të bërë atë që nuk është detyra juaj për të ruajtur paqen. Për shembull, aty ku ka para, drejtësia thotë që ju merrni atë që ju takon, ihsan këtu mund të jetë se ndoshta është më mirë të hiqni dorë nga diçka nga e drejta juaj për ta mbajtur tjetrin të lumtur.

  • Bëje faljen synimin tënd

Gjatë mosmarrëveshjeve, njerëzit do të vuajnë nga brenda, do të jenë plot me lëndime dhe dhimbje, por falja nuk ka të bëjë me mbajtjen e këtyre ndjenjave në shishe. Mos i lini njerëzit të lënë asgjë të pashprehur në zemrat e tyre.

Mbajtja e emocioneve në shishe do të thotë që problemet tona nuk zgjidhen dhe ato do të vazhdojnë të shfaqen. Si ndërmjetës, ju duhet të siguroheni që problemet e sotme të zgjidhen përgjithmonë. Falja është një pjesë kyçe e Islamit siç ka thënë Profeti Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

“Nuk i lejohet muslimanit të braktisë (të mos flasë me) vëllanë e tij musliman për më shumë se tri ditë, njëri e kthen fytyrën nga njëra anë e tjetri nga ana tjetër. Më i miri nga të dy është ai që fillon t’i flas tjetrit.” (Sahih el Buhari)

Ndonjëherë ka viktima që kanë pësuar abuzime dhe falja do të jetë tepër e vështirë, por le ta dinë se shpërblimi i tyre është tek Allahun i Madhërishëm. Dhimbjet dhe mundimet që kanë kaluar, Allahu i Madhërishëm do t’i shpërblejë në një mënyrë që ata kurrë nuk mund ta imagjinonin.

”…Por, atë që fal dhe pajton, e pret shpërblimi i Allahut. Ai, në të vërtetë, nuk i do të padrejtët.” (Surja Esh-Shura, 40)

  • Mbani mend të mirat

Personalisht, qoftë divorci apo problem me paratë apo familjen, gjithmonë i kërkoj secilit që të ruajë kujtimet më të mira për njëri-tjetrin, të harrojë ato negative dhe të përpiqet të harrojë anën e errët të personit.

Kjo nuk është aspak e lehtë. Kjo është në fakt shumë e vështirë veçanërisht në rastet kur ka pasur abuzim verbal, fizik ose emocional, por si ndërmjetës është detyra juaj të ndihmoni njerëzit të pajtohen me atë që ka ndodhur në të kaluarën.

Minimizoni viktimat e këtyre mosmarrëveshjeve veçanërisht kur ka fëmijë, pasi ata do të jenë viktima të pafajshme. Ata do të jenë kalimtarë të mosmarrëveshjeve të egra që nuk do t’i harrojnë, prandaj si ndërmjetës ju duhet të jeni vazhdimisht duke udhëzuar drejt parimit islam të faljes.

Kur ndërmjetësoni, qëllimi juaj është të siguroheni që problemet e sotme nuk do të shkatërrojnë të nesërmen, dhe mënyra për ta bërë këtë është përmes faljes. Kjo nuk do të thotë të harrosh se çfarë ka ndodhur, ka gjëra që njerëzit nuk do t’i harrojnë kurrë, por ata duhet të bëjnë paqe me veten e tyre.

  • Mbajeni problemin për vete

Si ndërmjetës, njerëzit do t’ju tregojnë probleme shumë personale dhe sekrete shumë personale dhe ju duhet t’i mbani për vete, pasi kjo është diçka që ju është besuar. Ju gjithashtu duhet të inkurajoni njerëzit e përfshirë në mosmarrëveshje që të bëjnë të njëjtën gjë. Sa e lehtë është që një situatë të përkeqësohet, kur një person i tregon tjetrit të gjitha problemet dhe detajet personale, dhe pastaj personi tjetër për të cilin flitet e merr vesh dhe zemërohet?

Problemet familjare nuk duhet të mbahen vetëm brenda familjes; ato duhet të mbahen vetëm brenda atyre që janë të përfshirë. Marrëdhëniet dhe reputacioni janë në rrezik këtu. Nëse ka fëmijë të përfshirë, mendoni për traumën e mundshme që kjo mund t’u shkaktojë atyre.

  • Gratë duhet të dinë të drejtat e tyre në Islam

Shumë shpesh, kam parë gratë të jenë të shtypura padrejtësisht sepse nuk i dinë të drejtat e tyre dhe çfarë u takon. Ato nuk i njohin të drejtat e tyre në martesë, në divorc apo me fëmijët e tyre dhe kjo i bën ato të pambrojtur dhe lehtë të shfrytëzuar.

Kërkoj nga çdo grua, para se të marrë ndonjë vendim, që të zbulojë saktësisht se çfarë i takon dhe të kërkojë njohuri në lidhje me martesën dhe marrëdhëniet në Islam. Allahu i Madhërishëm i ka dhënë grave nder dhe dinjitet, dhe është jetike që këto të mos i hiqen asaj.

Ndërmjetësimi nuk është i lehtë. Zgjidhjet do të kërkojnë kohë dhe në disa situata, njerëzit do të pajtohen vetë, por kur e gjeni veten të kapur mes një mosmarrëveshjeje, shfrytëzojeni atë si një mundësi për të qenë të drejtë. Sigurohuni që jeni duke punuar drejt një përfundimi që e kënaq Allahun e Madhërishëm dhe lutem që Allahu i Madhërishëm të na zbusë të gjitha zemrat për të falur dhe për të na ndihmuar për të kapërcyer çdo situatë të vështirë që mund të kalojmë.

Ahmed El-Dubjan

Përktheu:

Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org