Falënderimi i takon Allahut, Furnizuesit bujar: “ Tek Ai janë çelësat e qiejve dhe të Tokës. Ai ia zgjeron mjetet e jetesës kujt të dojë, por edhe ia pakëson kujt të dojë. Vërtet, Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë..” (Esh-Shura, 12) Ai jep dhe ndalon, lartëson dhe ul, nderon dhe poshtëron; Ai është i Plotfuqishmi, i Urti. E falënderojmë për begatitë e Tij të shumta dhe mirësitë e pandërprera. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Allahut, i Vetëm e pa shok. Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij; natyrë fisnike, moral i lartë, shpirt i pastër, i plotë në sjellje. Ai u edukua nga Zoti i tij në mënyrën më të bukur; nuk thoshte veçse të vërtetën, nuk fliste fjalë të shëmtuara, nuk vepronte gabime. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ndjekësit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Pas kësaj:
Frikësojuni Allahut dhe bindjuni Atij. Vendoseni veten tuaj si mbikëqyrës të vetes suaj, si roje të sjelljes suaj, të rreptë në llogaritjen e vetes dhe në qortimin e saj; sepse engjëjt fisnikë mbikëqyrës regjistrojnë çdo gjë. Ka nga njerëzit që do të mohojnë atë që u është shkruar, në Ditën kur gjymtyrët e tyre do të flasin duke dëshmuar për veprat e tyre, në Ditën e “humbjes së madhe” dhe të turpit, prandaj o Allah, na mbulo dhe mos na turpëro, na fal e mos na sprovo, na mëshiro e mos na ndëshko, na fal gabimet dhe na hiq pengesat. Na mbulo mangësitë dhe na trajto me mëshirën Tënde, jo me drejtësinë Tënde, sepse Ti je Falësi, Mëshirëploti: “Atë Ditë që do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë, Allahu do t’ju shpagojë dënimin e merituar dhe ata do ta marrin vesh se Allahu është e Vërteta e qartë..” (En-Nur, 24–25)
O njerëz:
Prej ndihmës së Allahut ndaj robit është që t’ia hapë dyert e së mirës, t’ia lehtësojë rrugët e bamirësisë dhe t’i bekojë jetën e tij, që ta mbush me vepra të mira… Dhe prej braktisjes së Allahut ndaj robit është që ta lërë nën pushtetin e vetes së tij, duke mos lënë ai derë të mëkatit pa hyrë dhe rrugë të së keqes pa e ndjekur. I kalon ditët duke vrapuar pas kënaqësive të kësaj bote, duke kërkuar lumturinë aty ku nuk gjendet, në një rrugë që nuk është e destinuar për të.
Në kohën tonë, njerëzit janë sprovuar me rrjetet sociale të ndryshme, të cilat ose janë mirësi për përdoruesin, ose kthehen në dëm dhe humbje për të.
Ka nga njerëzit që i përdorin ato për të mirën e tyre: lidhin farefisninë, mësojnë të paditurin, përhapin të mirën, denoncojnë të keqen, thërrasin në një sunet të harruar, shpërndajnë një dobi të panjohur etj.. Mesazhet dhe postimet e tyre nuk janë kurrë pa dobi.
Por ka edhe nga ata që i përdorin për dëm: shpërndajnë thashetheme, përhapin shthurje, thërrasin në të keqe, shpifin ndaj të pafajshmit, cënojnë privatsinë, regjistrojnë dhe shpërndajnë çfarë e turpëron tjetrin. I ngjajnë rojes së mëkateve dhe çnderimeve të njerëzve, pa përfitim tjetër veç argëtimit. Kush përcjell të metat e njerëzve, Allahu ia përhap atij të metat e tij dhe e turpëron në shtëpinë e vet.
Ndër mëkatet më të rënda që po bëhen sot përmes rrjeteve sociale është: ekspozimi i mëkateve dhe përhapja e shthurjes. Shumë njerëz përdorin emra të rremë, duke menduar se nëse fshihen nga njerëzit, fshihen edhe nga Allahu dhe engjëjt që mbikëqyrin fjalët dhe veprat e tyre: “Ata fshihen nga njerëzit, por nuk fshihen dot nga Allahu, sepse Ai është me ta kur thurin natën fjalë që Ai nuk i pëlqen. Allahu e rrethon çdo gjë që bëjnë.” (En-Nisa, 108)
Shfaqja e një mëkati është më e rëndë se vetë kryerja e atij mëkati. Madje, nëse njeriu krenohet për një mëkat që s’e ka bërë, kjo shfaqje është më e rëndë se të kryesh mëkatin vetë. Sepse ai ka gënjyer, e gënjeshtra është mëkat i madh, dhe për atë se ai e ka çmuar mëkatin, qoftë edhe duke mos e kryer atë. Gjithashtu, shfaqja e mëkatit është një thirrje indirekte për të tjerët që ta kryejnë atë, një shtim i numrit të mëkatarëve, një forcim i së keqes.
Ebu Hurejra transmeton se Profeti ﷺ ka thënë:
“Të gjithë njerëzit e umetit tim janë të falur, përveç atyre që e shfaqin haptazi mëkatin. Prej shfaqjes së tij është kur njeriu kryen mëkat natën, e përderisa Allahu e ka mbuluar, kur gdhin ai thotë: ‘Kam bërë dje këtë e këtë’, pra ndërkohë që Allahu e kishte mbuluar ai e heq mbulesën e Allahut mbi veten.” (Mutefakun alejhi)
Heqja e mbulimit nga këta njerëz përfshin dynjanë dhe ahiretin. Në dynja mund të turpërohen papritur, duke zbuluar identitetin e tyre pa dashje. Apo mund të hakohen nga njerëz që ndajnë mëkatet me ta dhe u shfaqin të tjerëve turpin e tyre.
Në dynja, një dënim tjetër është që zemra e tyre nuk e ndien më neverinë e mëkateve. E shthurja bëhet zakon. Arrin një nivel ku njeriu nuk skuqet më as nga shikimi i njerëzve, as nga kritika. Përkundrazi, mburret me të, e shpërndan vetë: “Kam bërë këtë e këtë… jam pronari i këtij profili…” – duke u krenuar me shkatërrimin e vet.
Kjo kategori nuk shpreson më as falje, as mbulim; dyert e pendimit u mbyllen për ta, përveç në raste të rralla.
Në ahiret, i ekspozuesi i mëkatit humb mbrojtjen hyjnore. Profeti ﷺ ka thënë:
“Allahu e afron besimtarin, e mbulon dhe i thotë: A e njeh këtë mëkat? Ai thotë: Po, o Zot. Pastaj Allahu i thotë: Unë ta mbulova në dynja dhe sot po ta fal.”
( Sahihul Buhari)
Ndërsa ai që i shfaq mëkatet humb këtë mbulesë, sepse nuk u mbulua në dynja.
Ibn Haxheri thotë: “Kush synon shfaqjen e mëkatit, ai e zemëron Zotin e tij dhe nuk mbulohet.”
Ibn Kajjimi thotë: “Ai që e fsheh mëkatin është më pak fajtor se ai që e shfaq; dhe ai që e fsheh është më pak fajtor se ai që u tregon të tjerëve. Ky i fundit është larguar nga mëshira e Allahut.”
Prandaj Rrjetet Sociale janë nga mjetet që përhapin shthurjen shumë shpejt: një fotografi, një video, një mesazh i shfrenuar shpërndahet në pak minuta dhe arrin miliona njerëz. Ndërsa ai që e ka shpërndarë, nuk e kupton sa mëkat ka ngarkuar mbi veten.
Për përhapjen e shthurjes, Allahu ka dhënë një dënim të ashpër:
“Ata që pëlqejnë të përhapet shthurja mes besimtarëve, për ta ka dënim të dhimbshëm në dynja dhe ahiret.” (En-Nur, 19)
Nëse ky dënim është vetëm për ata që e pëlqejnë, si do të jetë për ata që e përhapin vetë?!
Ibn Tejmijje thotë: “Allahu ka kërcënuar me dënim për ata që e duan përhapjen e shthurjes, edhe pa fjalë e pa vepër. Si do të jetë për ata që e përhapin me fjalë e me vepër? Kush pëlqen veprën e një populli, ringjallet me ta, si gruaja e Lutit, e cila nuk e kreu mëkatin, por e pëlqeu atë dhe u dënua me ta.”
Kur sprova bëhet e madhe, duhet edhe durim i madh. Sot, mëkati hyn në shtëpitë, telefonat, xhepat e njerëzve. Njerëzit sprovojnë njëri-tjetrin me dërgimin e pamjeve të ndaluara…
Duhet luftë me veten: refuzimi i çdo gjëje të ndaluar. Kush nuk mundet, le t’i braktisë rrjetet sociale. Shpëtimi është më i mirë se gjithçka.
Ndërsa për të tjerët: duhet këshilluar, ndaluar, njoftuar se ai lloj materiali është i papranueshëm. Nëse nuk ndalen, bllokoj.
Mes anëtarëve të një grupi komunikimi, duhet të ketë këshillë të ndërsjellë, ndihmë në të mira, largim prej së keqes; sepse secili është përgjegjës për çfarë merr dhe çfarë dërgon:
“Nuk shqipton njeriu asnjë fjalë, veçse ka pranë një rojtar që shkruan.” (Kaf, 18)
“Vërtet mbi ju ka ruajtës, engjëj fisnikë që shkruajnë; ata e dinë mirë çfarë bëni.” (El-Infitar, 10–12)
Hytbeja e dytë
Falënderimi i takon Allahut me një falënderim të mirë, të shumtë dhe të begatë, ashtu siç e do dhe e pëlqen Zoti ynë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e i Vetëm, pa ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ecin udhëzuar mbi gjurmët e tyre deri në Ditën e Gjykimit.
E më pas:
Kini frikë Allahun dhe bindjuni Atij: “Dhe kini frikë Ditën kur do t’i ktheheni Allahut; pastaj çdo njeri do të shpërblehet me atë që ka punuar, dhe nuk do t’u bëhet padrejtësi.” (El-Bekare: 281)
O muslimanë:
Rrjetet sociale janë një mirësi nga Allahu i Lartësuar për përhapjen e së mirës, këshillimin e njerëzve, thirrjen në rrugën e Allahut, si dhe për komunikimin me të afërmit, fqinjët dhe me ata që duhen për hir të Allahut. Ato janë një mundësi që njerëzit të lidhen me dijetarët, thirrësit dhe nxënësit e dijes për t’i pyetur dhe për t’u këshilluar. Në to ka shumë dobi, por keqpërdorimi i tyre kthehet në shkatërrim për njeriun. Viktimat më të mëdha të kësaj dukurie janë djemtë dhe vajzat e muslimanëve, për shkak të lehtësisë së arritjes tek ata dhe më pas tërheqjes së tyre në rrugë të gabuara.
Për këtë arsye, prindërit duhet të kujdesen për fëmijët e tyre me këshillim, me sqarim, duke forcuar imanin në zemrat e tyre, duke u mbjellë ndjenjën e mbikëqyrjes së Allahut, duke i paralajmëruar prej prishjes dhe prishësve, e duke i larguar nga pakujdesia ndaj gjynaheve. Sepse mbikëqyrja që ata i bëjnë vetes së tyre është më e dobishme se mbikëqyrja e prindërve. Për më tepër, mbikëqyrja e plotë e prindërve ndaj tyre është gati e pamundur, dhe shpeshherë shkakton largësi dhe ftohtësi mes tyre, për shkak të humbjes së besimit.
Prandaj edukuesit nuk kanë rrugë tjetër veç sinqeritetit dhe hapjes me ata që i edukojnë; sepse vala e mëkatit është e madhe, e furishme dhe pothuajse nuk lë shoqëri pa e prekur. Mrojtja është prej Allahut, dhe Allahu është Ruajtësi i Gjithëdijshëm.
E kush është sprovuar me harame të rrjeteve sociale dhe nuk e përmban dot veten prej tyre, atëherë së paku le ta kufizojë mëkatin vetëm te vetja dhe të mos e shpërndajë tek askush tjetër. Le të mbulohet me mbulesën e Allahut, i Cili ia ka fshehur gabimin dhe nuk e ka ekspozuar. Le të shtojë veprat që shlyejnë mëkatet: sadakatë, namazin, istigfarin dhe të tjera, duke këmbëngulur në lutje që Allahu ta çlirojë nga ato mëkate. Nëse ai është i sinqertë me Allahun dhe lufton veten, Allahu do t’i japë një pendim të sinqertë.
Nga Profeti (paqja qoftë mbi të) na është tranmsetuar se ka thënë:
“Shmanguni kësaj ndytësire që Allahu e ka ndaluar; e kush bie në të, le të mbulohet me mbulesën e Allahut dhe le të pendohet tek Ai.” (E transmeton Hakimi dhe e ka saktësuar)
Shejh dr. Ibrahim bin Muhamed Elhakil
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



