Reis Ulema h. Hfz. Shaqir ef. Fetai mori pjesë në ceremoninë e duasë së hatmes së hafizes së re Sara Remzi Isaku nga Shkupi

Më 25 mars 2021, Kryetari i BFI të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, mori pjesë në ceremoninë e duasë së hifzit të hafizes së re Sara Remzi Isaku.

Në këtë dua hifzi, vepër kjo jashtëzakonisht e madhe dhe një hallkë e rëndësishme e zinxhirit të gjatë e të vazhdueshëm të mbrojtjes së Kur’anit Fisnik ndër breza, krahas Kryetarit, prezent ishte edhe një numër i madh i anëtarëve dhe administratorëve të Rijasetit si dhe një numër i konsiderueshëm i muftinjve të Bashkësisë Fetare Islame, duke filluar nga nikoqiri dhe organizatori, muftiu i Muftinisë së BFI – Shkup, Dr. Qenan ef. Ismaili; Kryetari i Kuvendit të BFI, H. Fejsall ef. Kadriu; Sekretari Gjeneral i BFI, H. Irsal ef. Jakupi; muftiu i Muftinisë së Gostivarit, H. Sabahudin ef. Zendeli; muftiu i Muftinisë së Kumanovës, H. Abedin ef. Imeri; muftiu i Muftinisë së Kërçovës, Mr. Qamil ef. Rushiti; muftiu i Muftinisë së Strugës, Mr. Salim ef. Sulejmani; muftiu i Muftinisë së Ohrit, H. Samet ef. Ajdari; muftiu i Muftinisë së Prilepit, H. Shefket ef. Imeri; muftiu i Muftinisë së Manastirit H. Amit ef. Rasimi; koordinatori i Muftinisë së Resnjës, H. Xhunejd ef. Jashar; Drejtori i Agjencisë Hallall pranë BFI, H. Muhamer ef. Veseli; Drejtori i Orgnaizatës Humanitare “Hilal”, H. Fadil ef. Ramadani; drejtori i SHMI “Medreseja Isa Beu” – Shkup, H. Ibrahim ef. Idrizi; përgjegjësi i Sektorit Fetaro-arsimor pranë BFI, Prof. Jusuf ef. Zimeri; dhe shumë hoxhallarë e intelektualë tjerë.

Ceremonia u hap me leximin e një pjese të Kur’anit fisnik ku All-llahu Fuqiplotë udhëzon Pejgamberin a.s. të mos e ketë brengë mbajtjen mend dhe ruajtjen e Kur’anit sepse është Ai, Krijuesi, që do ta tubojë Kur’anin në zemrën e tij – vargje këto që u lexuan nga hafizi i mirënjohur nga Shkupi, Hfz. Xhemail ef. Nuhiu – drejtor i Institutit të Hifzit “Hfz. Ismail ef. Alijevski” pranë Muftinisë së Shkupit.

Pas leximit të Kur’anit, moderatori i programit Bujar Muça, ftoi prindin e hafizes hoxhë Remzi Isakun të përshëndesë të pranishmit. Pas fjalës së hoxhës, Kryetari i Komisionit të Hifzit pranë Muftinisë së Shkupit, Hfz. Shafi ef. Osmani, tregoi për ecurinë e dëgjimit të hafizes së re dhe përshëndeti këtë vepër të madhe të hoxhës së nderuar që njihet për kultivimin e vlerave fetare te fëmijët e tij, meqë edhe djali i tij më herët e ka mbrojtur me sukses provimin e hifzit dhe vajza e tij më e vogël është në proces të mësimit të hifzit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Muftiu i Shkupit – Dr. Qenan ef. Ismaili, pasi përshëndeti të pranishmit shprehu gëzimin e tij të madh që numri i hafizave në territorin e Muftinisë së Shkupit sa vjen e shtohet, vepër kjo që është krenari për të gjithë Bashkësinë Fetare Islame dhe vendin tonë.

Fjala e rastit iu dha Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetait i cili e hapi fjalën e tij duke folur për rëndësinë e madhe që ka mësimi i Kur’anit famëlartë dhe theksoi se, që nga shpallja, Kur’ani Fisnik është ruajtur nëpërmjet tri mënyrave. E para ka qenë duke e shkruajtur atë sapo është shpallur; Së dyti, duke e zbatuar atë që është shpallur dhe e treta, dhe mbase kyçja, mësimi përmendësh i Kur’anit, formë kjo që ka filluar që nga Muhammedi a.s. duke qenë vetë ai hafizi i parë, pastaj te sahabët fisnikë e që ka vazhduar gjeneratë pas gjenerate deri te hafizja e re, sot, këtu në Shkup. Kjo lidhje fisnike dhe e bekuar që të çon deri te Muhammedi a.s., falë Zotit vazhdon edhe sot e këtë ditë në vendin tonë dhe hafizja e re është e nderuar nga All-llahu Fuqiplotë që është hallkë e këtij zinxhiri që do të vazhdojë deri Ditën e Fundit.

Pas kësaj hyrjeje, Kryetari i BFI foli edhe për rëndësinë e madhe që ka edukimi familjar dhe theksoi se, jo më kot është thënë, brenga dhe frika më e madhe e një prindi është udha që do e ndjekë fëmija i tij, prandaj një prind që fëmijës së vet ia jep Kur’anin dhe hifzin e shndërron atë në “Fisnik të Kur’anit” kategori kjo për të cilën ka dëshmuar vetë Muhammedi a.s. kur ka thënë se “hafizët e Kur’anit janë fisnikët e ummetit tim”. Për të bërë më të qartë për të pranishmit rëndësinë që duhet të zë përkushtimi dhe puna në vetëdijen dhe praktikën e prindërve të ri, ai përmendi ajetin 133 të sures Bekare ku përshkruhet përkujdesi i madh dhe brenga që i dërguari i Zotit Jakubi a.s. kishte për fëmijët e tij edhe në çastet e agonisë së vdekjes kur i pyeti “çka do adhuroni pas meje?” e ata iu përgjigjën “do adhurojmë Zotin tënd, Zotin e etërve tu, Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut – Zotin Një, e ne Atij i jemi dorëzuar”.

Pas fjalës së rastit, Reis Ulemaja hafizes së re, së bashku me Muftiun e Shkupit, ia dhanë Certifikatën e Hifzit dhe disa dhurata simbolike për të dhe për muhafizen. Duanë e Hifzit e bëri Muftiu i Muftinisë së BFI – Strugë, Mr. Salim ef. Sulejmani.

Rubrika e informacioneve sjell lajme nga aktivitetet që organizojnë institucione islame, organizata islame, thirrës apo ngjarje të tjera me interes për komunitetin musliman. Sjellja e informacioneve nuk nënkupton pajtueshmëri të redaksisë së Thirrja.org me ngjarjet apo përmbajtjen e informacioneve që sillen.