Roli i mbështetjes financiare në suksesin e thirrjes islame

​Sot, në pjesën më të madhe të vendeve myslimane – dhe natyrisht në ato jomyslimane – thirrja islame (da’ve) është ndarë nga shteti. Si rrjedhojë, ajo ka humbur mbështetjen dhe ndikimin institucional që dikur siguronte bashkimin e radhëve dhe mbulimin e të gjitha nevojave të saj. Kjo ndarje dhe ky humbje autoriteti i ka përballur thirrësit dhe lëvizjet islame me sfida e pengesa të shumta.

​Së pari, thirrja u përplas me përçarjen dhe shpërndarjen. Bashkimi shpirtëror dhe fizik i pjesëtarëve të saj nuk është më një element i garantuar automatikisht, siç ishte në kohën kur “shteti dhe thirrja” ishin një trup i vetëm.

​Së dyti, për shkak të mungesës së një shteti mbrojtës dhe mbikëqyrës, thirrja islame shpesh është përballur me kufizime e shtrëngime, e herë pas herë edhe me sulme të koordinuara.

​Ndër pengesat më të mëdha në realitetin tonë bashkëkohor mbetet problemi i “mbështetjes financiare”. Pa të, thirrja e ka të pamundur të mbulojë nevojat e saj në fusha dhe sfera të ndryshme, sidomos tani që mungon institucioni shtetëror që e financonte atë përballë sfidave dhe problemeve të thirrësve.

​Çdo thirrje ka nevojë për financim

​Problemet financiare të thirrjes islame dhe të projekteve të saj rajonale e globale rriten akoma më shumë kur ajo përballet me lëvizje të tjera rivale, të cilat zotërojnë potenciale shumëfish më të mëdha. Këto lëvizje alternative mbështeten dhe financohen nga shtete, organizata me peshë dhe blloqe të fuqishme ndërkombëtare.

​Në këto kushte, balanca e forcave është e pabarabartë. Projekti islam sot bazohet kryesisht në kontribute individuale ose në organizata, puna e të cilave shpesh pengohet nga paqartësitë dhe ndërhyrjet e jashtme që synojnë t’i bllokojnë ose t’u kufizojnë fushat e veprimit.

​Shembulli më i qartë për këtë është përballja e thirrjes islame me projektin e misionarëve të krishterë, qoftë në zemër të botës arabe, qoftë në Afrikë apo në disa vende të Azisë me shumicë myslimane. Ky projekt misionar gëzon një mbështetje financiare të nivelit më të lartë, ndërsa projekti islam përballë tij, pa folur këtu për ndonjë synim që Islami të përhapet në popujt e krishterë,  nuk zotëron as një të dhjetën e burimeve që ka projekti misionar kristian.

​Dhe ky është vetëm një shembull, pa përmendur këtu projektet sioniste, shiite, sufi apo ato të perëndimizimit, e të tjera si këto.

​Në nivelin individual, varfëria dhe nevojat ekonomike që vuajnë shumica e popujve myslimanë pasqyrohen drejtpërdrejt në gjendjen e vështirë të vetë thirrësve. Ata janë pjesë e këtyre shoqërive, ndërkohë që thirrja në rrugën e Allahut kërkon shpenzime të cilat thirrësit vullnetarë nuk kanë mundësi t’i mbulojnë vetë. Sa më shumë zgjerohen fushat e veprimtarisë së thirrjes, aq më shumë shtohen edhe kërkesat e saj financiare.

​Mbështetja e mundshme

​Edhe pse kriza financiare prek vetë strukturën e thirrjes islame, kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë që thirrësit duhet të dorëzohen. Përkundrazi, ata duhet të kërkojnë të gjitha zgjidhjet dhe rrugët e mundshme, duke u mbështetur në fjalën e Allahut të Lartësuar:  Ai që është i pasur, le të shpenzojë sipas pasurisë së tij, ndërsa ai që është i varfër, le të shpenzojë nga ajo që i ka dhënë Allahu. Allahu nuk ngarkon askënd përtej asaj që i ka dhënë. Allahu, pas vështirësisë, do të sjellë lehtësim.” [At-Talak: 7]

​Çdo thirrës duhet ta nisë nga vetja sigurimin e qëndrueshmërisë financiare të projektit të tij. Kjo arrihet duke kërkuar rrugë të drejta, qoftë përmes bashkëpunimit me njerëz që kanë mundësi ekonomike, qoftë përmes ngritjes së projekteve tregtare fitimprurëse që i shërbejnë thirrjes.

​Në të vërtetë, si studentë të dijes apo si thirrës, shpeshherë na zbehr rreth zgjidhjeve praktike. Gjen shpesh studentë apo thirrës të mirë, që kanë dëshirë të punojnë për fenë e Allahut, por që dorëzohen dhe bllokohen që te pengesa apo vështirësia e parë financiare.

​Kjo paaftësi për të arritur qëllimet tona vjen kryesisht nga mungesa e një vizioni dhe konceptimi të plotë të projektit thirrës. Çdo projekt i tillë kërkon një ndërveprim serioz me problemet e realitetit. Studentët e dijes, thirrësit, apo edhe vetë dijetarët, nuk duhet të lejojnë që fusha e tyre e specializimit t’i shkëpusë nga elementët plotësues të punës së tyre, siç është pikërisht çështjen e menaxhimit financiar.

​Ne kemi nevojë t’i zgjidhim vetë problemet tona. Kjo mund të kërkojë që të dalim nga metodat tona tradicionale të punës, mirëpo koncepti i adhurimit na detyron të ndjekim ligjësitë e Allahut në këtë botë, pjesë e të cilave është shfrytëzimi i mjeteve për të arritur suksesin dhe për të kaluar pengesat.

​Prioritetet në mbledhjen dhe shpenzimin e fondeve

​Një tjetër problem që e rëndon krizën financiare në fushën e thirrjes është kaosi që ekziston në procesin e “mbledhjes” së fondeve dhe “shpërndarjes” së tyre tek personat që kontribuojnë në thirrje.

​Ky proces ka nevojë për një rregullim dhe menaxhim të madh në mënyrë që të japë rezultatet e dëshiruara. Duhet aplikuar me saktësi dhe mprehtësi “fikhul-evlevijat” – fikhui prioriteteve, duke vendosur në radhë të parë atë që është më urgjente dhe që përbën detyrën e kohës.

​Gjithashtu, duhet të rritet ndërgjegjësimi i donatorëve që thirrja islame të mos mbetet në fund të listës së shpenzimeve të tyre, por të jetë ndër prioritetet kryesore. Ndërtimi i këtij vetëdijesimi është një detyrë tjetër e thirrësve, të cilët duhet ta trajtojnë këtë çështje me urtësi dhe profesionalizëm.

​Në këtë pikë, është shumë e rëndësishme që të ndahet roli i thirrësve apo studentëve të dijes (të cilët përfitojnë nga këto fonde për të kryer punën e tyre) nga roli i donatorëve dhe bamirësve që financojnë. Kjo ndarje është e domosdoshme, së pari, për të ruajtur dinjitetin dhe autoritetin e thirrësve dhe, së dyti, për të mbrojtur shpirtrat nga komplekset apo sëmundjet që mund të lindin nga dhënia dhe marrja e parave.

​Të dërguarit e thirrjes

​Personat që angazhohen në mbledhjen e ndihmave dhe fondeve për thirrjen duhet të jenë plotësisht të denjë për besimin që u kanë dhënë thirrësit dhe vetë donatorët. Paraja është një sprovë (fitne) e madhe nga e cila duhet pasur kujdes. Këta njerëz janë imazhi dhe përfaqësuesit e thirrjes, prandaj çdo gabim i tyre do t’i ffaturohet direkt thirrjes islame dhe thirrësve të saj.

​Gjithashtu, ata kanë për detyrë t’i menaxhojnë dhe t’i zhvillojnë këto pasuri sa më mirë që të munden.

​ Për fund

​Mbështetja financiare për thirrjen islame ka qenë dhe mbetet një shtyllë kryesore e saj në çdo kohë dhe vend, gjë që është më se e qartë për të gjithë ata që punojnë në këtë fushë.

​Që në fillet e saj, thirrja islame u ngrit sepse ata që e përqafuan e financuan atë me pasuritë e tyre, të cilat i ofruan me të njëjtin gatishmëri siç ofruan edhe veten e tyre. Kjo vërteton fjalën e Allahut të Lartësuar: ​“Allahu ka blerë nga besimtarët jetët e tyre dhe pasuritë e tyre, me qëllim që ata të kenë Xhenetin.” [At-Tevbe: 11]

​Abdurrahman bin Semure (radiAllahu anhu) tregon: “Uthmani (radiAllahu anhu) erdhi te Profeti (salallahu alehi ue selem) me një mijë dinarë në mëngën e tij kur po përgatitej ushtria e vështirësisë (për betejën e Tebukut) dhe i hodhi ato në prehnin e tij. E pashë Profetin (salallahu alehi ue selem) duke i lëvizur ato monedha me dorë në prehnin e tij e duke thënë: ‘Nuk e dëmton Uthmanin çfarëdo që të bëjë pas kësaj dite.’ [Transmeton Ahmedi, Tirmidhiu e të tjerë; e ka vlerësuar të mirë (hasen) Albani në “Al-Mishkat”].

​Uthmani nuk do të dëmtohej nga asnjë veprim pas asaj dite pikërisht për shkak të peshës dhe madhështisë së asaj mbështetjeje financiare që dha për thirrjen islame në atë moment kritik.

​Dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

Hasen Abdul  Haj

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve