Pranvera e Jetës
Udhëzime dhe këshilla
Sot na shfaqen disa gjëra jashtëzakonisht të bukura: lulet janë në lulëzim, malet të larta madhështore, dhe njerëzit buzëqeshnin të gëzuar, lozin me fëmijët e tyre, duke shijuar bukurinë magjepsëse të natyrës dhe madhështinë e pranverës rrëzëlluese.
Duhet të marrim një frymë të thellë dhe të nisim të sodisim këtë krijim të mrekullueshëm…
Qofsh i lavdëruar, o Zoti im!
Si e ke përshkruar gjithë këtë bukuri?! Madje, si i ke frymëzuar gjithë krijesat që i ke krijuar?!
Do ndjejmë një ajër të freskët që na e mbush gjoksin, dhe fytyrat do na ndriçohen nga gëzimi.
- Ji i bukur dhe do ta shohësh botën të bukur, sepse kjo bukuri është çelësi për të hyrë në një lumturi dhe gëzim të thellë.
Përgjegjësitë na rëndojnë, kushtet e jetës na mbytin, por harrojmë që jeta ka kënaqësi të pakrahasueshme – janë kopshtet e Zotit në tokën e Tij, dhe ne jemi të pavetëdijshëm për to.
Dil jashtë, shëtit, vizito malet, kopshtet e gjelbërta, sodit kaltërsinë e qiellit dhe dritën ndriçuese të diellit. Besimi yt do të forcohet, zemra do të gjejë paqe, dhe ndoshta lotët do të rrjedhin nga sytë e tu për të pastruar pluhurin e ashpërsisë së zemrës tënde. Mos e mbaj veten të mbyllur mes mureve të qytetit…
Ah, ti qytet e qytetrim! Na ke larguar nga ndjenja që çdo shpirt njerëzor ka nevojë të ndjejë.
Nisu dhe jeto këtë përvojë, do të bëhet pjesë e jotja, madje do të varësohesh pas saj. Dhe sa mirë do ishte nëse këtë përjetim do ta shoqëroje me një soditje të bukur, që do ta ngrejë shpirtin tënd drejt lartësive të qiellit – e kështu do të jesh ndër shërbëtorët më të sinqertë të Zotit, në pastërti dhe qartësi.
Sa bukur ka thënë poeti Buhturi, kur përshkroi pranverën në poezinë e tij të famshme që fillon me vargun:
“Erdhi pranvera e bukur me krenari dhe na buzëqeshë,
nga bukuria që ka, na duket sikur na flet vetë.”
O njerëz!
Besimtari i vërtetë nuk sheh asgjë në këtë botë, pa e kujtuar premtimin e Allahut për atë lloj mirësie në botën tjetër. Ai e di se gjithçka në këtë jetë është shenjë dhe tregues që e çon drejt Krijuesit të tij – qoftë i Lartësuar Ai.
Një prej të parëve të devotshëm ka thënë:
“Besimtarët kanë medituar vazhdimisht mbi krijimet e Zotit të tyre, derisa zemrat e tyre arritën bindjen e plotë, dhe e adhuronin sikur ta kishin parë Atë me sytë e tyre.”
- Çdo gjë në këtë botë të çon drejt Krijuesit
Gjithçka në këtë botë të çon drejt Krijuesit të saj dhe të kujton Atë. Ajo pasqyron cilësitë e Tij:
Mirësia dhe rehatia tregojnë bujarinë, dashamirësinë, mirësinë dhe butësinë e Tij ndaj atyre që i nënshtrohen Madhërisë së Tij.
Ndërsa sprovat, vështirësitë dhe dënimet tregojnë fuqinë, drejtësinë dhe hakmarrjen e Tij ndaj atyre që e kundërshtojnë Atë.
Bimësia që mbin nga toka dhe gjelbërimi që vjen në pranverë, pas tharjes dhe shterpësisë së dimrit, lulëzimi i pemëve pas një periudhe të thatë – janë të gjitha dëshmi që tregojnë fuqinë e Allahut për të ringjallur të vdekurit nga toka.
Sot ne po jetojmë pranverën, një nga mirësitë e mëdha të Allahut ndaj nesh në këtë vend: toka është gjelbëruar, është stolisur dhe ka çelur lule e bimë të çdo lloji të bukur e të gëzueshëm. Ajo gëzon sytë e shikuesve dhe mbush me hare zemrat.
Falënderimi i qoftë Allahut për begatitë dhe dhuratat e Tij!
- Pranvera është një dëshmi e qartë për ringjalljen pas vdekjes
Pranvera, vëllezër të dashur, është stinë që përmban mësime, urtësi dhe dobi të mëdha. Ajo është një dëshmi e qartë për ringjalljen pas vdekjes. Allahu e ka treguar këtë të vërtetë përmes një shembulli nga bota që shohim çdo ditë: toka që qëndroi e vdekur, e thatë dhe e heshtur, kur Allahu e lag me shi nga qielli, ajo gjallërohet dhe mbin nga çdo lloj çifti të bukur.
Nga Ebu Rezin el-Ukejli transmetohet se i tha Profetit ﷺ:
“O i Dërguar i Allahut, si i ringjall Allahu të vdekurit? Cila është shenja e kësaj në krijimin e Tij?”
Pejgamberi, ﷺ i tha:
“A nuk ke kaluar ndonjëherë pranë një lugine që ishte e thatë dhe më pas e ke parë duke u gjelbëruar e lëkundur nga jeta? Pastaj e ke parë sërish të thatë dhe prapë gjelbëruar?”
Ai tha: “Po.”
Pejgamberi ﷺ i tha:
“Ashtu i ringjall Allahu të vdekurit, dhe kjo është shenja e Tij në krijimin e Tij.”
(E transmetuar nga Ahmed dhe Ibn Maxhe; Hadithi është i dobët)
Pejgamberi ﷺ e sqaroi qartë: ashtu siç ringjall Allahu tokën pas vdekjes së saj, ashtu do t’i ringjallë edhe njerëzit.
Në lidhje me këtë, Allahu i Madhëruar thotë:
(وَالْأَرْضَ مَدَدْنَاهَا وَأَلْقَيْنَا فِيهَا رَوَاسِيَ وَأَنْبَتْنَا فِيهَا مِنْ كُلِّ زَوْجٍ بَهِيجٍ * تَبْصِرَةً وَذِكْرَى لِكُلِّ عَبْدٍ مُنِيبٍ * وَنَزَّلْنَا مِنَ السَّمَاءِ مَاءً مُبَارَكًا فَأَنْبَتْنَا بِهِ جَنَّاتٍ وَحَبَّ الْحَصِيدِ * وَالنَّخْلَ بَاسِقَاتٍ لَهَا طَلْعٌ نَضِيدٌ * رِزْقًا لِلْعِبَادِ وَأَحْيَيْنَا بِهِ بَلْدَةً مَيْتًا كَذَلِكَ الْخُرُوجُ)
“Ne e kemi shtruar tokën, kemi vendosur në të male të qëndrueshme dhe kemi bërë që në të të mbijë çdo çift i bukur.
Për t’ia bërë të qartë dhe përkujtuar çdo rob që kthehet me pendim.
Dhe kemi lëshuar nga qielli ujë të begatë dhe me të kemi rritur kopshte dhe drithëra për të korrur, dhe palma të larta me fruta të grumbulluara, si furnizim për robërit, dhe me të kemi gjallëruar një vend të vdekur – kështu do të jetë edhe ringjallja.” [Kaf: 7-11]
Dhe thotë:
(وَالَّذِي نَزَّلَ مِنَ السَّمَاءِ مَاءً بِقَدَرٍ فَأَنْشَرْنَا بِهِ بَلْدَةً مَيْتاً كَذَلِكَ تُخْرَجُونَ) [الزخرف:11]
“Ai që lëshoi nga qielli ujë me masë të caktuar dhe me të gjallëruam një tokë të vdekur – ashtu do të nxirreni edhe ju.” [Ez-Zukhruf: 11]
Dhe:
(يُخْرِجُ الْحَيَّ مِنَ الْمَيِّتِ وَيُخْرِجُ الْمَيِّتَ مِنَ الْحَيِّ وَيُحْيِي الْأَرْضَ بَعْدَ مَوْتِهَا وَكَذَلِكَ تُخْرَجُونَ) [الروم:19]،
“Ai që nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe të vdekurin nga i gjalli, dhe gjallëron tokën pas vdekjes së saj – ashtu do të ringjalleni edhe ju.” [Er-Rum: 19]
Ka shumë ajete të tjera me të njëjtën kuptim të madh.
- Pranvera është stina më e bukur e vitit.
Ajo na kujton mirësitë e Xhenetit dhe jetën e saj të këndshme. Duhet të na nxisë të punojmë për Xhenetin përmes veprave të mira.
Kur vjen pranvera, natyra gjallërohet, forcat e fshehura gjatë dimrit zgjohen, bima del në sipërfaqe, toka zbukurohet dhe mbin nga çdo lloj. Edhe kafshët fillojnë të shumohen dhe të lëvizin.
Pranvera është si një urë që lidh dimrin me verën, ku kafshët kalojnë gradualisht nga i ftohti në nxehtësi, me urtësi hyjnore dhe rregull të përsosur.
I bekuar qoftë Allahu, Zoti i botëve, Krijuesi më i përkryer!
- Të gjitha stinët e vitit, o njerëz, na kujtojnë botën tjetër:
- Nxehtësia e fortë e verës na kujton zjarrin e Xhehenemit, sepse është prej nxehtësisë së tij.
- Ftohtësia ekstreme e dimrit na kujton acarimin e Xhehenemit, sepse është nga acari i saj.
- Ndërsa vjeshta, kur frutat piqen dhe ruhen për përdorim, na kujton se edhe veprat e mira do të korren në botën tjetër dhe do të jenë furnizim i përhershëm për ne.
O robërit e Allahut,
- Relaksi dhe dëfrimi në penverë
Për t’u relaksuar dhe për t’u kënaqur, Islami e ka lejuar dhe inkurajuar këtë, siç thotë Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të –: “O Hanzala! Ka momente për punë dhe momente për relaks.” (Transmetuar nga Muslimi).
Në pranverë Allahu na bekon me shi dhe me lagështi, dhe toka zbukurohet me gjelbërim dhe bimë. Njerëzit gjallërohen dhe gëzohen me mirësitë që u dhuron Zoti i tyre. Po ashtu, Allahu na ka dhuruar edhe një tjetër bekim: siguri për jetën, pasurinë dhe dinjitetin tonë, një siguri të plotë, pa luftëra e pa trazira, pra kemi: “Një qytet të mirë dhe një Zot falës.” [Es-Sebe’: 15]
Le t’i ruajmë këto mirësi duke iu përmbajtur urdhrave të Zotit tonë, duke kryer detyrimet që na i ka dhënë, duke u kujdesur për familjet tona dhe duke këshilluar ata që Allahu na ka besuar t’i udhëheqim, e duke i drejtuar ata që gabojnë.
- Kur relaksimi dhe dëfrimi bëhen të dëmshëm?!
Relaksimi ashtu siç është një mundësi e lejuar mund të bëhet i ndaluar dhe të sjellë dënim nëse ai shkakton humbjen e faljes së namazit, vonesa në namazin e sabahut dhe ndoshta humbjen e namazeve të tjera si drekën ose akshamin!
Relaksimi është i ndaluar kur ai bën që individët të braktisin përgjegjësitë dhe ndoshta edhe ta shpërdorojnë kohën e tyre, duke e kaluar deri në orët e vona të natës në vende të papërshtatshme.
Për më tepër, relaksimi është i ndaluar në vende ku ndodhin ngjarje të përziera mes burrave dhe grave, pasi përzierja çon në ngritjen e epsheve dhe dëshirave dhe në shkelje të ndalimeve hyjnore.
Po ashtu, relaksimi nuk është i lejuar nëse përfshin edhe dëgjimin e muzikës, alkolin e drogën.
O prindër!
Nuk është formë relaksimi që t’u mundësoni fëmijëve të rinj t’i drejtojnë makina ose motorë, dhe kështu t’i rrezikoni ata, duke shkaktuar aksidente që mund të çojnë në humbje jete.
Mos harroni se jeni të bekuar nga Allahu me këto mirësi të shumta dhe këtë siguri, ndërsa vendet përreth nesh janë të mbushura me luftëra, tërmete dhe vështirësi të jetës. Kujdesuni për këtë bekim duke punuar për të mirën, duke rregulluar gjendjen tuaj dhe duke falënderuar Allahun me gjuhën dhe zemrën tuaj. Përdorni këtë bekim për të iu afruar Allahut dhe kërkoni strehim te Ai nga humbja e tij dhe nga zjarri i dënimit të Tij.
O Allah! Ne kërkojmë strehim nga humbja e mirësive Tua, nga kalimi i shëndetit, nga ndëshkimi i papritur dhe çdo dënim i zemërimit Tënd.
O Allah, na udhëzo për atë që është e kënaqësia Jote dhe mbaj na larg nga ajo që të zemëron Ty! Na ndihmo të falënderojmë, të përkujtojmë dhe të adhurojmë në mënyrën më të bukur!
O Allah! Përmirëso fundin e punëve tona në çdo gjë dhe na shpëto nga turpi i kësaj bote dhe nga ndëshkimi i botës tjetër!
O Allah, fal gabimet e myslimanëve dhe kthejini ata tek Feja Yte me një kthim të bukur! Bashko mendimet e besimtarëve mbi të vërtetën dhe udhëzimin! Bëj që zemrat e tyre të bashkohen dhe rreshtohuni pas udhëzimit të Tij! Udhëzoji muslimanët që të punojnë sipas Kuranit dhe Sunetit të Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të)! Jepu fitoren robërve të shtypur në çdo vend! O Allah, ruaj gjakun e tyre, mbro nderin e tyre, kujdesu për punët e tyre dhe mbështeti ata, dërgo fitore sa më shpejt dhe largo çdo shqetësim prej tyre e jepu atyre fitoren e madhe mbi armiqtë!
O Zoti ynë, na dhuro të mira në këtë botë dhe në botën tjetër dhe na shpëto nga dënimi i zjarrit!
Zoti ynë, fal neve, prindërit tanë dhe të gjithë myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit tanë!
Me siguri Ti je Dëgjues dhe Afër, dhe Ti je përgjigjës i lutjeve!
Bekir Halimi



