Htubja e parë

Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit. Ai është Dhuruesi i mirësive dhe Plotësuesi i tyre, larguesi i fatkeqësive dhe shpëtimtari prej tyre. E lavdërojmë me shumë lavdërime dhe e falenderojmë me falenderime të shumta. Dëshmoj se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, i Vetëm, pa shok. Ai është Krijuesi i krijesave, i di me numër, i furnizon, i ruan dhe i drejton. Asgjë prej tyre nuk i fshihet. Dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij, i cili ngrihej natën në namaz derisa i çahej lëkura e këmbëve nga qëndrimi i gjatë, nga falënderimi ndaj Allahut, dashuria për Të, shpresa tek Ai, frika prej Tij dhe dëshira për afërsi me Të. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen, shokët dhe ndjekësit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Pas kësaj, të dashur xhemat, frikësojuni Allahut dhe bindjuni Atij. Falënderojeni që ju ka udhëzuar dhe jini mirënjohës për atë që ju ka dhënë, sepse begatitë e Tij ndaj jush janë të panumërta e të pallogaritshme. Çdo mirësi që keni është nga Allahu. E, nëse ju godet ndonjë fatkeqësi, prapë nuk keni kujt t’i kërkoni ndihmë përveç Tij.” (En-Nahl: 53)

O njerëz, begatitë e Allahut ndaj robërve të Tij janë të shumëllojshme, disa janë materiale e disa shpirtërore; disa janë të qëndrueshme e të zakonshme, e disa të reja dhe rishtazi të dhuruara. Njeriu shpesh i merr si të mirëqena këto dhunti dhe i harron, por po t’i humbte, do t’i kujtonte menjëherë. Është thënë: “Shëndeti është kurorë mbi kokat e të shëndetshmëve, të cilën e shohin vetëm të sëmurët.”

Ndër begatitë më të mëdha dhe më të vlefshme për njeriun është udhëzimi në besim dhe bindje, qëndrueshmëria në të dhe takimi me Allahun në këtë gjendje. Shumë besimtarë nuk e çmojnë siç duhet këtë mirësi, as nuk e falënderojnë Allahun për të, megjithëse ajo është më e madhja nga të gjitha begatitë, sepse është shkaku i lumturisë në këtë botë dhe në botën tjetër. Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim..” (Ta Ha: 123)

Shkaku që njeriu të mos e ndiejë madhështinë e kësaj begatie dhe të dobësohet në falënderim ndaj saj është se është mësuar me të dhe nuk vështron ata që e kanë humbur. Kush dëshiron ta njohë vlerën e udhëzimit, le të shikojë mohuesit dhe hipokritët, të cilët enden në errësirat e paditurisë, shpërfilljes, mendjemadhësisë, mohimit e hipokrizisë. Le të shikojë ndonjë jobesimtar që pranon Islamin, si qesh e qan njëkohësisht nga gëzimi, kur besimi përfshin zemrën e tij.

Në Kur’an ka shumë përkujtim për këtë mirësi, që lexuesi i tij ta ndiejë dhe të mos dobësohet në falënderim ndaj Allahut. Në ajetet e agjërimit Ai thotë: “Që ta madhëroni Allahun për atë që ju udhëzoi dhe që të jeni mirënjohës.” (El-Bekare: 185). Në ajetet e haxhit: “Përmendeni Atë ashtu siç ju ka udhëzuar, sepse më parë ishit prej të humburve. (El-Bekare: 198). Dhe në ajetet e therjeve të kurbanëve: Kështu Ai ua ka nënshtruar, që ta madhëroni Allahun për atë që ju ka udhëzuar.” (El-Haxh: 37).

Kur disa beduinë e konsideruan si nder ndaj Profetit faktin që kishin pranuar Islamin, zbriti Kurani që sqaronte se nderi i takon vetëm Allahut që i kishte udhëzuar, sepse pa të nuk do të ishin udhëzuar:  Ata e quajnë si favor për ty që kanë pranuar Islamin. Thuaju: “Mos e quani si favor për mua se keni pranuar Islamin; përkundrazi, Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim, nëse ajo që thoni është e vërtetë!”.” (El-Huxhurat: 17).

Madje edhe të dërguarit nuk janë udhëzuar veçse me udhëzimin e Allahut dhe përzgjedhjen e Tij për ta. Ata janë bërë udhëzues për njerëzit pasi Allahu i udhëzoi me shpalljen. Profetit më të nderuar, Muhamedit ﷺ, Allahu i tha: Dhe kështu, Ne të kemi dërguar ty Shpallje me urdhrin dhe vullnetin Tonë. Ti më parë nuk e ke ditur se çfarë është Libri e as ç’është besimi. Por atë (Kuranin), Ne e bëmë dritë, me anë të së cilës udhëzojmë kë të duam nga robërit Tanë. Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë, (Esh-Shura: 52). Dhe tha: a nuk të gjeti të humbur dhe të udhëzoi.” (Ed-Duha: 7).
Allahu pra, është Ai që e udhëzoi dhe udhëzoi përmes tij.

Kur Profeti ﷺ po hapte hendekun, tha:
“O Allah, po të mos ishe Ti, s’do të ishim udhëzuar,
as nuk do të kishim dhënë lëmoshë, as nuk do të kishim falur.”

Kur ensarët ndien një lloj pakënaqësie për ndarjen e plaçkës së luftës së Huneinit, Profeti ﷺ i mblodhi dhe i mbajti një fjalim, duke e falënderuar e lavdëruar Allahun. Pastaj u tha: “O grup i ensarëve, a nuk ju gjeta të humbur, e Allahu ju udhëzoi përmes meje? Të varfër, e Allahu ju pasuroi përmes meje? Të ndarë, e Allahu ju bashkoi përmes meje?” Ata thanë: “Allahut dhe të Dërguarit të Tij ju takon favori ndaj nesh.” (E transmetojnë Buhariu dhe Muslimi).

Profetit ﷺ iu drejtua Allahu në përballjen me idhujtarët për të sqaruar se udhëzimi është vetëm prej Allahut: Thuaj: “A ka ndër idhujt tuaj ndonjë që mund të udhëzojë në rrugë të drejtë?” Thuaj: “Vetëm Allahu udhëzon në rrugë të drejtë! E pra, pas cilit ia vlen të shkosh, pas atij që udhëzon në rrugë të drejtë apo pas atij i cili as vetë nuk është në rrugë të drejtë, veç nëse e shpie dikush? Çfarë keni? Si po gjykoni kështu?!”  (Junus: 35).

Profeti ﷺ u përpoq me gjithë zemër ta udhëzonte axhën e tij, Ebu Talibin, por nuk mundi, edhe pse ai e mbronte, e ndihmonte dhe e ruante nga idhujtarët, dhe e dinte se Muhamedi ishte në të vërtetën dhe se do të triumfonte. Por në fund e mundi fanatizmi i injorancës, dhe ai zgjodhi fenë e kotë të  Abdulmutalibit në vend të besimit. Profeti ﷺ u mërzit shumë për përfundimin e tij të keq, e atëherë Allahu i Madhëruar zbriti: “Vërtet, ti (Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dëshirojë. Ai i njeh më mirë ata që janë të udhëzuar.  (El-Kasas: 56).

Banorët e xhenetit, kur të hyjnë në të, do ta falënderojnë Allahun për udhëzimin që Ai ua ka dhënë, duke thënë:  Ne do ta shkulim urrejtjen nga kraharori i tyre. Te këmbët e tyre do të rrjedhin lumenj dhe ata do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu. Pa dyshim, të dërguarit e Zotit tonë kanë sjellë të vërtetën”. Dhe një zë do t’i thërrasë: “Ky është Xheneti që ju e keni merituar për atë që keni punuar”. (El-A‘raf: 43).

Ndërsa banorët e zjarrit, kur të qortojnë ata që i mashtruan dhe i çuan në të me mohim, udhëheqësit e tyre do t’u përgjigjen: Të gjithë do të dalin para Allahut. (Atëherë), ata që kanë qenë të përulur, do t’u thonë atyre që kanë qenë kryelartë: “Ne kemi qenë ithtarët tuaj. A do të mund të lehtësoni ju prej nesh diçka nga dënimi i Allahut?” Ata do të thonë: “Sikur të na kishte udhëzuar Allahu në rrugën e drejtë, edhe ne do t’ju kishim udhëzuar ju. Rënkojmë apo durojmë, për ne njësoj është, nuk do të ketë shpëtim.”  (Ibrahim: 21).

Askush të mos mendojë se e zotëron besimin përgjithmonë e se nuk mund t’i merret, vetëm pse e ka trashëguar nga prindërit ose është mësuar me të në shoqërinë e vet, e për këtë arsye e nënvlerëson besimin dhe udhëzimin e Allahut. Allahu mund t’ia heqë besimin kujtdo që do, t’ia ngushtojë kraharorin për të dhe t’ia bëjë të papranueshme zemrën, derisa të largohet nga besimi pas udhëzimit. Kjo ka ndodhur me disa që kanë lindur në Islam, që kanë mësuar pjesë nga Kurani dhe janë rritur mbi shtyllat e besimit, por më vonë i ka kapluar dyshimi pas bindjes dhe mohimi pas besimit.

Ndërkohë, shumë prej ateistëve dhe mohuesve, që janë rritur në mjedise armiqësore ndaj fesë, Allahu ua ka zgjeruar kraharorin për Islamin dhe i ka udhëzuar në besim, ndonëse më parë ishin kundërshtarë të tij. Allahu ia hap zemrën për (të pranuar) Islamin atij që dëshiron ta udhëzojë, ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje, (ia mbyll zemrën e) ia shtrëngon gjoksin si të jetë duke u ngjitur në qiell. Kështu, Allahu, i ndëshkon ata që nuk besojnë.” (El-En‘am: 125).

Kjo begati e madhe duhet të ndjehet thellë në zemrën e çdo besimtari. Ai duhet ta falënderojë Allahun për të në këmbë, ulur, shtrirë, në çdo kohë e vend, në çdo gjendje, dhe ta shtojë atë përmes veprave të mira, sepse ajo është pjesë e besimit dhe e forcon atë. Allahu thotë: Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten, (El-Enfal: 2). Dhe thotë: Është Ai, që zbriti qetësi në zemrat e besimtarëve, për t’ua forcuar besimin, krahas besimit që patën.” (El-Fet’h: 4).

Kërkojmë prej Allahut që të na shtojë besimin dhe bindjen, të na bëjë të qëndrueshëm në to deri sa ta takojmë Atë. Vërtet Ai është që dëgjon dhe i përgjigjet lutjeve.

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon Allahut, falënderim i pastër, i madh dhe i bekuar, siç e do dhe e kënaqet Zoti ynë. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Tij, Një i Vetëm, dhe  pa shok, dhe se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij, paqja dhe bekimet e Tij qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi ata që udhëzohen nga udhëzimi i tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Pas kësaj: keni frikë Allahun dhe bindjuni Atij,  Dhe ruajuni zjarrit që është përgatitur për pabesimtarët.  E bindjuni All-llahut dhe të dërguarit, ashtu që të mëshiroheni.  (Ali Imran: 131-132)

O muslimanë, begatia e besimit dhe e bindjes së plotë është më e madhe se begatia e ushqimit, ujit apo frymëmarrjes, sepse me këto jeton trupi, ndërsa me besim dhe bindje gjallërohet zemra. Nevoja e robit për forcimin dhe shtimin e besimit e bindjes është më e madhe se për çdo gjë tjetër, sepse lumturia e tij në këtë botë dhe në botën tjetër varet prej tyre, ndërsa humbja e tyre është shkaku i mjerimit dhe fatkeqësisë. Kështu e kuptojmë madhështinë e kësaj begatie që shumë prej nesh janë mësuar me të dhe e kanë harruar falënderimin për të, ndërkohë që shumica e njerëzve janë të privuar prej saj: “Por shumica e njerëzve nuk besojnë.” (Err-Ra‘d: 1) dhe “Por shumica e njerëzve nuk duan tjetër veçse të mohojnë.” (El-Isra: 89)

Besimtari e ndihmon veten të përkujtojë begatinë e udhëzimit në besim dhe në bindje të plotë kur shikon ata që janë shmangur nga ky udhëzim për shkak të kufrit, hipokrizisë apo bidatit, dhe kur frikësohet për veten mos bie në diçka të ngjashme, sepse zemrat janë në dorën e të Gjithëmëshirshmit, i cili i rrotullon si të dojë. Ndaj, një nga lutjet që Profeti ﷺ e bënte më shpesh ishte:
“O Ti që i kthen zemrat, forcoje zemrën time në fenë Tënde.” (E transmeton Ahmedi)

Po ashtu, ai ﷺ lutej duke thënë:
“O Allah, të kërkoj udhëzim, devotshmëri, dëlirësi dhe mjaftueshmëri.” (E transmeton Muslimi)

Besimtari në çdo rekat të namazit të tij lexon lutjen e udhëzimit të bekuar në Suren Fatiha:
“Udhëzona në rrugën e drejtë, rrugën e atyre që i ke dhuruar mirësi, jo të atyre që  ndaj tyre je i  zemëruar, as të atyre që kanë humbur.” (El-Fatiha: 6-7)
Dhe ai, bashkë me ata që falen pas tij, thonë “Amin” mbi këtë lutje.

Shejhu i Islamit, Ibn Tejmije, ka thënë: “Njeriu është gjithmonë në nevojë që Allahu ta udhëzojë në rrugën e drejtë, sepse ai është i varur nga përmbajtja e kësaj lutjeje; nuk ka shpëtim nga ndëshkimi dhe as arritje të lumturisë përveçse me këtë udhëzim. Ai që e humb, është ose nga ata ndaj të cilëve ka rënë hidhërimi, ose nga të humburit. Dhe ky udhëzim nuk arrihet përveçse me udhëzimin e Allahut.”

Sikur kjo begati e madhe të mos kishte këtë rëndësi, nuk do të kishte merituar gjithë këtë kujdes hyjnor dhe profetik në Librin dhe në Sunet. Prandaj nuk i takon besimtarit ta harrojë, as ta neglizhojë, e as të mos ia njohë vlerën për shkak se është rritur me të, por duhet ta kujtojë në çdo gjendje dhe ta falënderojë Allahun vazhdimisht për të.

 

Shejh Dr. Ibrahim bin Muhamed el-Hakil

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve