Hatibi i suksesshëm është ai që di çfarë ndodh me umetin e vet, i përcjell lajmet dhe realitetet e tij, pastaj i përgatit, i thjeshton dhe i paraqet në mënyrë të kuptueshme për një publik të përzier me njohuri, nivele dhe prirje të ndryshme.
Hatibi i suksesshëm është i dashur dhe miqësor; ai i do njerëzit dhe ata e duan atë. Nuk izolohet prej tyre, përkundrazi, interesohet për gjendjen e tyre, merr pjesë në kuvendet e tyre, i uron në gëzime dhe i ngushëllon në fatkeqësi.
Në tubimin e hatibit të suksesshëm marrin pjesë bujarët, të devotshmit dhe të thjeshtit; aty mbizotëron fryma e dijes dhe përmendjes së Zotit.
Hatibi i suksesshëm ka vend në zemrat e njerëzve dhe pozitë në shpirtrat e tyre, sepse ai është një prej burimeve të mirësisë dhe zhvillimit shoqëror.
Hatibi i suksesshëm është ai që e kupton dhimbjen dhe shpresën e umetit të tij; ai e lehtëson dhimbjen, shëron plagën, e zvogëlon dhembjen dhe frymëzon me shpresë që ta ngrejë shoqërinë drejt horizonteve të larta e të gjera.
Hatibi i suksesshëm është një produkt i sinqertë i misionit të tij, që e ndien madhështinë e amanetit, peshën e përgjegjësisë dhe barrën e dhurimit.
Hatibi i suksesshëm ka ambicie të larta, vullnet të fortë, shpirt të qetë dhe veprimtari të frytshme.
Hatibi i suksesshëm është një burim i pashtershëm mirësie dhe dhurimi; ai jep me dashuri dhe me kënaqësi, sepse mëshira për të tjerët është një nga cilësitë e tij. Kur sheh të keqen, nuk hesht, por e trajton në formë edukative e ndikuese, që zgjon të përgjumurin, shuan etjen e shpirtit, ngroh zemrën e ftohtë dhe e udhëzon të humburin drejt rrugës së të vërtetës dhe fushave të dijes.
Hatibi i suksesshëm e zbukuron të mirën dhe e denoncon të keqen; kur sheh ndonjë vepër të mirë, qoftë e lindur apo e bërë, nuk harron ta përmendë dhe ta lavdërojë, për të nxitur të tjerët drejt së mirës dhe për të shtuar bamirësinë.
Hatibi i suksesshëm nuk ndikohet nga vështirësitë, por përkundrazi, ai ndikon mbi to; i shndërron ato në dritë shprese dhe besimi. Dhimbjet vetëm sa i forcojnë vullnetin dhe i japin qëndrueshmëri, ndërsa sprovat e bëjnë më të vendosur dhe më të qëndrueshëm.
Hatibi i suksesshëm përfiton nga çdo situatë për ta edukuar turmën që e dëgjon, që i afrohet dhe që e do. Asnjë ngjarje nuk kalon pa mësim edukativ, pa këshillë të thellë, pa lidhje me jetën e përtejme apo pa frymëzim shprese që e bën njeriun të nënvlerësojë botën e përkohshme.
Hatibi i suksesshëm, kur përgatit materialin e tij, pyet veten: Çfarë dua të arrij me këtë temë dhe pse e zgjodha këtë çështje? Cila është mënyra më e mirë për ta paraqitur atë? Pyet gjithashtu: A dua të trajtoj një ide të re? Apo të forcoj një parim të rrënjosur? Apo të luftoj një zakon të keq dhe një cilësi të urryer?
Hatibi i suksesshëm e mbron umetin e vet me shpirtin e tij, sepse ai ruan besimin e tij nga çdo shtrembërim dhe përzierje e dëmshme.
Hatibi i suksesshëm është gjuha shprehëse e umetit të tij, përkthyesi i ndjenjave të tij, zemra e tij që rreh dhe damarët e tij që pulsojnë. Ai është si një frymë e re që rrjedh nëpër zemrat, mendjet dhe institucionet e shoqërisë.
Hatibi i suksesshëm e kupton Islamin në tërësinë e tij, në adhurime, në sjellje, në marrëdhënie shoqërore, në besim, në moral dhe në ligje.
Hatibi i suksesshëm thellohet në libra për të nxjerrë prej tyre gjithçka të dobishme për dëgjuesit e tij, që ata të dalin nga xhamia më të ndriçuar, më të devotshëm dhe më të etur për mirësi.
Hatibi i suksesshëm nuk imiton të tjerët që të mos humbasë personalitetin e vet; ai dëgjon këtu, lexon atje, dhe përgatit fjalimin e tij me shpirtin e vet, në mënyrë që njerëzit të ndiejnë në fjalët e tij gjurmët e personalitetit të tij.
Hatibi i suksesshëm e jeton temën e hutbes së tij gjatë gjithë javës; përsiat mbi të, frymëzohet nga ngjarjet dhe i ndërton idetë me qëndrueshmëri.
Hatibi i suksesshëm di si t’ua përcjellë idetë të tjerëve, pastaj t’i bindë ata me argument dhe logjikë, e në fund t’ua fitojë zemrat që ata të veprojnë sipas asaj që dëgjojnë.
Dr. Emir bin Muhamed Elmederij
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



