Shejh Mahir bin Hamed Elmuajkilij
1.Optimizmi është cilësi e lavdëruar që sjell kënaqësi dhe shpresë; 2.Optimizmi është i dukshëm në jetën e profetëve dhe të dërguarve. 3.Optimizmi është pjesë mendimit pozitiv për Allahun. 4. Dëshpërimi, pesimizmi dhe humbja e shpresës janë cilësi të urryeshme dhe të qortueshme. 5.Disa nga ndihmuesit për optimizëm.
Falënderimi i qoftë Allahut, Atij që krijoi çdo gjë me saktësi dhe e caktoi gjithçka me urtësi. Ai e drejton çështjen e robërve të Tij me dituri të plotë dhe mëshirë të pafundme. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një dhe i Pashoq, Atij i takon sundimi dhe lavdia, dhe Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë. Dëshmoj gjithashtu se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, të cilin e dërgoi pak para Ditës së Kiametit si përgëzues dhe paralajmërues, si thirrës drejt Allahut me lejen e Tij dhe si dritë ndriçuese. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
O besimtarë!
Kini frikë Allahun ashtu siç i takon të keni frikë prej Tij. Ruajeni vetveten në fshehtësi dhe në të dukshme, në mungesë dhe në praninë e të tjerëve. Keni kujdes në çdo hap, duke ditur se Allahu ju sheh, ju dëgjon dhe i njeh të gjitha sekretet tuaja, edhe ato që i mbani vetëm në mendje. Allahu i Lartësuar thotë:
“O ju që besuat! Kini frikë Allahun dhe secili le të shikojë se çfarë ka përgatitur për nesër. Dhe kini frikë Allahun, sepse Allahu është i Dijshëm për atë që veproni.”(El-Hashr: 18)
Vëllezër besimtarë!
Një prej cilësive më të lavdëruara, që sjell kënaqësi dhe shpresë në zemër, është optimizmi, të shpresosh për të mirën që vjen nga Allahu, të mendosh mirë për Zotin tënd dhe të mbështetesh plotësisht tek Ai. Pavarësisht se sa të mëdha janë sfidat, sa gjatë zgjasin sprovat apo sa të vështira janë kohët, optimisti është gjithmonë i qetë dhe i kënaqur me caktimin e Allahut. Ai beson se në prapaskenë të çdo sprove qëndron një urtësi, dhe se Allahu do ta shpërblejë për durimin dhe besimin e tij. Allahu thotë në Kur’an:
“Ju mund të urreni diçka, por ajo të jetë e mirë për ju; dhe mund të doni diçka, por ajo të jetë e keqe për ju. Allahu e di, kurse ju nuk dini.” (El-Bekare: 216)
O besimtarë!
Kush e studion jetën e profetëve dhe të dërguarve të Allahut, do të vërejë se optimizmi dhe shpresa ishin të pranishme në çdo etapë të jetës së tyre.
Ja profeti Nuha.s. ai që qëndroi ndër popullin e tij 950 vjet duke i thirrur në rrugën e drejtë, pa humbur asnjëherë shpresën në udhëzimin e tyre.
Edhe Jakubi a.s. pas shumë vitesh larg të birit të tij Jusufit, nuk e humbi kurrë shpresën, por u tha bijve të tij:
“O bijtë e mi! Shkoni dhe kërkoni Jusufin dhe vëllain e tij, dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut, sepse shpresën në mëshirën e Tij nuk e humbin veçse populli jobesimtar.”
(Jusuf: 87)
Ndërsa i Dërguari ynë Muhamedi ﷺ, prijësi i të gjithë profetëve, ishte njeriu më i durueshëm dhe më optimist. Ai u përball me shumë padrejtësi: u përçmua nga të afërmit, u përzu nga vendi më i dashur për të – Meka, u përball me gënjeshtra, luftë dhe ndalim. Por kurrë nuk e humbi besimin në ndihmën e Allahut dhe në përhapjen e fesë së Tij në të gjithë botën.
Në librin “Tabakat” të Ibn Sa’d, përmendet se kur Profeti ﷺ u kthye nga Taifi i lënduar dhe i përbuzur, qëndroi disa ditë në vendin e quajtur “Nahla”. Atje, shërbëtori i tij i devotshëm, Zejd ibn Harithah, i tha:
“Si do të hyjmë sërish në Mekë, kur ata të kanë përzënë?”
Profeti ﷺ iu përgjigj me bindje dhe optimizëm:
“O Zejd! Allahu sigurisht do të sjellë lehtësim dhe rrugëdalje. Allahu do ta ndihmojë fenë e Tij dhe do ta lartësojë të Dërguarin e Tij.”
Kështu, Profeti ﷺ mbillte gjithnjë në zemrat e sahabëve optimizëm, shpresë dhe besim të palëkundur në Allahun. Ai i edukonte ata që të mendonin mirë për Zotin, të mbështeteshin tek Ai dhe të ishin të sigurt se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi, dhe pas çdo errësire ndriçimi.
Në Sahihun e Buhariut, transmetohet se Profeti ﷺ i tha Adij ibn Hatimit, kur ky po hezitonte të pranonte Islamin, një bisedë e mrekullueshme që pasqyron optimizmin dhe sigurinë absolute në premtimet e Allahut:
“O Adij! A e ke parë ndonjëherë qytetin Hira?”
Adij tha: “Nuk e kam parë, por më kanë treguar për të.”
Profeti ﷺ tha:
“Nëse ke jetë të gjatë do të shohësh sesi ndonjë grua udhëton e vetme nga Hira deri në Qabe, pa pasur frikë nga askush përveç Allahut. Dhe nëse të zgjatet jeta, do të shohësh se thesaret e Kisras, mbretit persian, do të bien në dorën e muslimanëve.”
Adij pyeti i habitur: “Kisra, biri i Hurmuzit?”
Profeti ﷺ tha: “Po, Kisra, biri i Hurmuzit.”
Ai vazhdoi:“Dhe nëse ke jetë të gjatë, do ta shohësh një burrë që del me një grusht ar apo argjend për të gjetur dikë që ta pranojë prej tij, por nuk do të gjejë askënd që ta pranojë.”
Adiju, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë:
“Pasha Allahun! E kam parë gruan që udhëton nga Hira në Qabe pa pasur frikë askënd përveç Allahut. Unë isha vetë në mesin e atyre që morën pjesë në çlirimin e thesareve të Kisras. Dhe, nëse zgjat jeta juaj, me siguri do të shihni gjithçka që ka thënë Profeti, Ebul Kasimi ﷺ.”
Vëllezër të dashur në besim!
Të jesh optimist, të shpresosh në të mirë dhe të mendosh mirë për Allahun, është pjesë e besimit të fortë dhe e mbështetjes së sinqertë tek Zoti. Ky lloj optimizmi nuk është thjesht ndjenjë, por është shtytje për të vepruar, për të përmirësuar punën, për të duruar në sprova dhe për të qenë aktiv në rrugën e drejtë.
Prandaj, Profeti ﷺ e kishte jetën të mbushur me optimizëm dhe këtë ia mësoi edhe shokëve të tij të nderuar. Ai e rrënjosi këtë ndjenjë në zemrat e tyre, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.
Kur dëgjonte një emër të bukur, një fjalë të mirë apo kalonte pranë një vendi të këndshëm, ai e merrte atë si shenjë të mirë dhe ndjente gëzim e shpresë për të ardhmen, gjithmonë duke menduar mirë për Allahun dhe duke pritur ndihmën dhe lehtësimin prej Tij.
Transmeton Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të), se:
“Profeti ﷺ e pëlqente që, kur dilte për një punë të rëndësishme, të dëgjonte dikë që thërriste: O Rashid! (i udhëzuari), O Nexhih! (i suksesshmi).”
(Këtë e transmeton Tirmidhiu me zinxhir të saktë.)
Profeti ﷺ dëgjoi njëherë një fjalë nga një burrë që e pëlqeu, e tha: “E morëm ogurin e mirë nga goja jote!” (E transmeton Ebu Daudi me zinxhir të saktë).
Domethënë: u ndjemë optimistë nga fjala jote e bukur, duke marrë bekim nga ajo. Gjatë udhëtimit të hixhretit, kur arriti ﷺ në Medinë, zbriti në pjesën e sipërme të saj, duke u marrë ogur i mirë me lartësinë e fesë së tij.
Nga praktikat e tij ﷺ ishte që kur bënte lutje për shi, e kthente rrobën e sipërme mbrapsht pas hutbes, për të marrë ogur të mirë nga ndryshimi i gjendjes nga thatësia në begati.
Gjithashtu, kur erdhi Suhejl ibn Amri për të biseduar e bërë marrëveshje me të në ditën e Hudejbijes, Profeti ﷺ u tha shokëve të tij, duke marrë ogur të mirë:
“Tashmë çështja juaj është bërë e lehtë (sepse erdhi Suhejli që d.m.th. lehtësim)”, dhe ashtu ndodhi siç shpresoi; sepse ardhja e Suhejlit u bë shkak i një të mire të madhe për Islamin dhe myslimanët.
Madje, Profeti ﷺ ndërronte edhe emrat që bartnin kuptime të këqija, kundër frymës së optimizmit. Në Sahihun Muslim transmetohet se një prej vajzave të Omerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, e kishin quajtur Asije –rebele. Profeti ﷺ ia ndërroi emrin dhe e quajti Xhemile – e bukur.
Gjithashtu, qyteti i ndriçuar i Medinës në kohën e injorancës quhej Jethrib, një emër me kuptim të shëmtuar, prandaj Profeti ﷺ ia ndërroi në Tabe që do të thotë “e mirë, e bekuar”, dhe ashtu do të mbetet deri në Ditën e Kiametit.
Në Sahihun e Buhariut transmetohet nga Ibnul-Musejjeb se gjyshi i tij kishte ardhur tek Profeti ﷺ dhe ai e pyeti:
“Si quhesh?” Ai tha: ‘Hazn’ (që do të thotë: vështirësi, ashpërsi). Profeti ﷺ i tha: ‘Ti je ‘Sehl’ (i lehtë, i butë)!”
Por ai iu përgjigj: “Nuk mund ta ndryshoj një emër që ma ka vënë babai im.”
Pastaj Ibnul-Musejjeb tha:
“Ajo ashpërsi vazhdoi të qëndrojë te ne pas kësaj.”
Imam Ibn Tejmije – Allahu e mëshiroftë – thotë: “Oguri i mirë që e pëlqente Profeti ﷺ ishte që njeriu të fillojë një punë ose të marrë një vendim, duke u mbështetur tek Allahu, dhe më pas të dëgjojë një fjalë të mirë që e gëzon atë; si për shembull, të dëgjojë: ‘O i suksesshëm! O i shpëtuar! O i lumtur! O i ndihmuar!’ dhe të ngjashme.”
Kështu ishte Profeti ﷺ: e priste të mirën, e donte atë dhe gëzohej me ogurin e mirë kur e dëgjonte, dhe urrehente emrat e shëmtuar, por nuk ndikohej nga ndonjë ogur i keq (siç besonin paganët). Ai e donte emrin e mirë dhe merrte ogur prej tij.
Në dy Sahihët (Buhari dhe Muslim) thuhet se Profeti ﷺ ka thënë:
“Nuk ka sëmundje ngjitëse vetvetiu (pa lejen e Allahut), as ogure të këqija; por më pëlqen oguri i mirë!” – dhe oguri i mirë është fjala e këndshme.
Ai ﷺ e urrente ogurin e zi, si dhe çdo vështrim pesimist ndaj jetës. Prandaj ka thënë:
“Nëse ndonjë njeri thotë: ‘Njerëzit janë shkatërruar!’, atëherë ai vetë është më i shkatërruari prej tyre!”
(E transmeton Muslimi në Sahih-un e tij).
Domethënë: ai është më i prishuri prej tyre, për shkak të pesimizmit të tij, dëshpërimit, mendimit të keq për njerëzit, përçmimit të tyre, dhe krenarisë e vetëkënaqësisë ndaj vetes, duke e parë veten më të mirë se të tjerët.
Pesimizmi, dëshpërimi dhe humbja e shpresës janë cilësi të urryera, e sjellje të shëmtuara që e dobësojnë besimin, e zemërojnë të Gjithëmëshirshmin dhe sjellin brengë e pendim.
Kush dyshon në Zotin e tij dhe nuk shpreson të mirën nga Ai në fjalët e tij, ndëshkohet sipas mendimit të tij të keq dhe sipas fjalës që nxori, sepse fatkeqësia shpesh është e lidhur me fjalën që thuhet.
Në Sahihul Buhari transmetohet nga Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të dhe me të atin, se Profeti ﷺ hyri tek një beduin i sëmurë që ta vizitonte, dhe kur Profeti ﷺ vizitonte të sëmurë, zakonisht thoshte:
“S’ka të keqe, është pastrim, nëse do Allahu!“
Kështu i tha edhe atij beduini:
“S’ka të keqe, është pastrim, nëse do Allahu!“
Por beduini tha: “Pastrim?! Jo, përkundrazi, ethe që vlojnë në trupin e një plaku të moshuar, e që do ta çojnë drejt varrit!”
Atëherë Profeti ﷺ i tha: “Atëherë, le të jetë ashtu siç e deshe!”
– domethënë: ty do të të ndodhë sipas dëshirës dhe fjalës sate për vdekje.
Ibn Haxheri, në Fet’hul-Bari, thotë: “Dhe beduini vdiq mëngjesin tjetër.”
O robër të Allahut! Besoni te Zoti juaj dhe mbështetuni te Ai. Përpiquni dhe veproni.
Merrni ogur të mirë me ndihmën dhe fitoren e Tij. Besoni në caktimin dhe urtësinë e Tij. Kushdo që mbështetet tek Zoti i tij, ka mendim të mirë për Të, është optimist për të ardhmen e çështjes së vet, dhe punon për të arritur synimin e tij, ka hyrë në rrugën e suksesit dhe shpëtimit, me zemër të qetë në besim dhe shpirt të kënaqur me mëshirën e Allahut.
Për të, sprovat vetëm sa shtojnë në ndriçim e shpresë, në përpjekje e mbështetje te Zoti i tij.
Në hadithin e saktë, Profeti ﷺ i tha Ibn Abbasit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij:
“Dije se fitorja vjen me durimin, se zgjidhja vjen bashkë me komplikimin, dhe se pas çdo vështirësie ka një lehtësim!”
Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar: “Ata që u thanë njerëzit: ‘Vërtet njerëzit janë mbledhur kundër jush, ndaj kini frikë prej tyre! porse kjo vetëm ua shtoi besimin, dhe ata thanë: ‘Mjafton për ne Allahu dhe sa mbështetje e mirë është Ai!’
Prandaj u kthyen me mirësi e begati prej Allahut, dhe asnjë e keqe nuk i preku. Ata ndoqën kënaqësinë e Allahut. Allahu është Zot i mirësisë së madhe.” (Ali Imran: 173–174)
Allahu e bëftë të bekuar për mua dhe për ju çfarë ka në Kur’an dhe në Sunet duke na bërë të kemi dobi nga ato që ka në to prej ajeteve dhe urtësive.
E them atë që dëgjuat, dhe kërkoj falje nga Allahu për veten time dhe për ju nga çdo mëkat e gabim. Kërkoni falje prej Tij, sepse Ai është Falës i Madh.
Hutba e dytë:
Falënderimi i qoftë Allahut, falënderimi i qoftë Atij që na udhëzoi drejt Islamit dhe na bëri të ndjekim udhëzimin e më të mirit të njerëzimit. E lavdëroj Atë s.v.t. dhe e falënderoj sa herë që ndërrohen netët dhe ditët. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër të merituar për adhurim përveç Allahut, i Vetëm e pa shok, dhe dëshmoj se Zoti ynë Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
E më pastaj, o besimtarë!
Vërtet, dëshpërimi dhe humbja e shpresës janë ndër mëkatet më të mëdha dhe ndër gabimet më të rënda. Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë:
“Ndër mëkatet më të mëdha janë: shirku (idhujtaria) ndaj Allahut, ndjenja e sigurisë nga dënimi i Allahut, humbja e shpresës nga mëshira e Allahut, dhe dëshpërimi nga ndihma e Allahut.”
Në Kur’anin fisnik thuhet: “E kush tjetër humb shpresën në mëshirën e Zotit të tij, përveç të humburve?!” (El-Hixhr: 56)
Vërtet, ata që ndërtojnë atdheun dhe themelojnë civilizime janë njerëzit më optimistë dhe më të mbushur me shpresë.
Ndërsa pesimistët, ata as nuk e ndërtojnë tokën, as nuk e forcojnë vendin, e as nuk krijojnë qytetërim.
Ndër gjërat që ndihmojnë në forcimin e optimizmit dhe në qëndrueshmërinë e shpresës, është forcimi i imanit në zemër.
Dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet njohjes së Emrave të Bukur të Allahut dhe Cilësive të Tij të Larta, leximit dhe përsiatjes mbi Librin e Tij, besimit të patundur në premtimet e Tij, shtimit të përmendjes së Tij dhe adhurimeve vullnetare, si dhe meditimit mbi jetën e të Dërguarit të Tij ﷺ.
Prandaj, o robër të Allahut!
Kini frikë Allahun, bëni kujdes në përkushtimin tuaj ndaj Tij, kini mendim të mirë për Zotin tuaj, shpresoni të mirën dhe merrni ogur të mirë me të, dhe mos lejoni që dëshpërimi të gjejë rrugë për në zemrat tuaja.
Në hadithin e saktë, Allahu i Lartësuar thotë: “Unë jam sipas mendimit që robi Im ka për Mua. Andaj le të mendojë për Mua si të dojë.”
Imam Kurtubiu, në veprën e tij “El-Mufhim”, thotë: “Kuptimi i fjalës ‘mendimi i robit për Mua’ është: të ketë bindjen se Allahu do t’i përgjigjet kur e lut, të besojë se do ta pranojë kur pendohet, të ketë shpresë se do ta falë kur kërkon falje, dhe të besojë se do ta shpërblejë kur e adhuron me përkushtim dhe sipas kushteve të kërkuara.
Për këtë arsye, njeriu duhet të përpiqet me gjithë forcat për të përmbushur detyrimet ndaj Allahut, duke qenë i bindur se Allahu do t’ia pranojë veprat dhe do ta falë, sepse Ai ka premtuar këtë, dhe Allahu i Lartësuar nuk e thyen kurrë premtimin.
Nëse njeriu beson apo mendon se Allahu nuk ia pranon veprat, apo se ato nuk i bëjnë dobi, atëherë ky është dëshpërim nga mëshira e Allahut, dhe kjo është një nga mëkatet e mëdha.
Dhe kush vdes me një mendim të tillë, do të gjykohet në bazë të asaj që ka menduar.” (Mbaroi citimi i fjalës së etij, Allahu e mëshiroftë.)
O Allah, bëna prej atyre që të falënderojnë Ty, që të përmendin Ty, që kanë frikë dhe respekt për Ty, që të binden Ty me përulje, që kthehen te Ti me zemra të përkushtuara dhe të penduara.
Zoti ynë, pranoje pendimin tonë, pastroje mëkatin dhe fajin tonë, pranoje lutjen tonë, forcoje argumentin dhe të vërtetën tonë, udhëzoji zemrat tona, drejtoji gjuhët tona dhe nxirre ligësinë dhe urrejtjen nga zemrat tona.
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org – Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



