Prof. Dr.  Abdul Kerim Bekkar

Libri: “Ligjëruesi i mirë Koncepte dhe Mekanizma”

Në kërkim të cilësisë

Të gjithë folësit, hatibët, ligjëruesit dhe kalorësit e fjalës në kohën tonë përballen me sfida të një lloji të ri. Njëqind vjet më parë, njerëzit vështirë se dinin ndonjë gjë për atë që po ndodhte jashtë mjedisit të tyre. Me gjasë njerëzit e një fshati apo të ndonjë lagjeje mund  të kalonin  vite të tëra pa dëgjuar njeri tjetër përveç hatibit të xhamisë së tij apo hoxhës së grupit që i  jepte mësim. Ndërsa sot, tërë kjo ka ndryshuar në një mënyrë të mahnitshme,  ata që ofrojnë ide, predikime, ideologji, teori, analiza politike dhe këshilla edukative kanë mbushur kanalet televizive dhe rrjetet sociale saqë një individ mesatar tani mund të dëgjojë me dhjetëra prej tyre çdo ditë. Për më tepër  shumë prej tyre kanë një nivel të lartë të kulturës, si dhe një nivel të lartë të cilësisë së ligjërimit  dhe të aftësisë për të përcjellur mesazhin që duan të japin.

Situata u bë e ngjashme me atë të një burri, njerëzit në vendin  e të cilit  gatuanin vetëm dy ose tre lloje ushqimesh, dhe ai besonte se gruaja e tij i gatuan ato lloje në një mënyrë unike e të dalluar, dhe kjo ishte diçka për të cilën ai vazhdimisht fliste.  Papritmas, burri ishte i ftuar në restoran në një nga hotelet luksoze. Aty ai u befasua kur gjeti një tavolinë me njëqind artikuj mbi të, secili më i shijshëm se tjetri. Ky burrë do të pësojë një lloj tronditjeje dhe do të kuptojë se njerëzit e vendit të tij dijnë shumë pak për atë që gatuhet në vendet e tjera dhe se gruaja e tij edhe nëse shkëlqen në përgatitjen e ushqimit, shkëlqimi dhe epërsia e saj është si e atij  që konkurron me veten! Sa do ti duhet asaj  gruaje të mësoj ushqime e gatime të reja  që  të rifitojë shkëlqimin e saj kulinarik, në sytë e burrit të saj? Sa materie, eksperimente dhe masa të reja do t’i nevojiten? Sa kohë dhe përpjekje do t’i duhet për t’i bërë të gjitha këto dhe për ta arritur atë synim?!

Pikërisht kjo është gjendja jonë, e neve ligjëruesve, dhe me siguri se është një situatë e palakmueshme!

Gjithmonë ndiej hirin e Zotit të Plotfuqishëm ndaj neve kur e ka bërë obligative  për muslimanët që të tubohen një herë në javë për të dëgjuar njërin nga më të mirët e tyre në dituri dhe kuptim.  Unë ndalem dhe imagjinoj nëse kjo nuk do të ishte kështu, si do të ishte njohuria e njerëzve për çështjet e fesë së tyre? Si do të ishte  ndërlidhja dhe lidhja e tyre me Zotin e Madhëruar?
Por kthehem dhe them: A kemi arritur  ta shfrytëzonim këtë takim javor që  të themi gjënë më të mirë që mund të thuhet  dhe ti udhëzojmë  njerëzit për  atë çfarë ata, vërtet, kanë nevojë?

Fillimisht  duhet konfirmuar se hutbeja e xhumasë ende luan një rol të rëndësishëm në edukimin e muslimanëve, unifikimin  e zërit të tyre dhe ngjalljen  e emocioneve, por ai rol mbetet shumë më i vogël se sa që kërkohet, dhe që është e mundur gjithashtu.

Disa hatibë  kombinojnë një sërë temash  brenda  një hutbes, tërheqin vëmendjen për shumë gjëra, renditin virtyte dhe në të njëjtën kohë paralajmërojnë kundër veseve, saqë  dëgjuesit nuk e e gjejnë epiqendrën e temës, aq sa  nëse pyet shumë prej atyre që morën pjesë,  nuk mund të përcaktojnë një titull për ligjëratën  që dëgjuan. Kjo, që në fillim, e bën dëgjuesin të vendos për atë që ai pret të dëgjojë  brenda një kornize të lirë këshillash të mira, kështu që ia  lejon vetes të flejë, të shpërqendrohet dhe të shikojë vazhdimisht orën e tij etj..

Shumë hatibë  në vitin e parë punojnë shumë për të përgatitur ligjëratat e tyre, pastaj i shpërndajnë ato gjatë muajve dhe javëve të vitit, duke marrë parasysh rastet, ditët e sezonat e shënuara  islame dhe vazhdojnë ti përsërisin ato për një kohë të gjatë që mund të shkojë deri në një qerek shekulli deri në atë pike, sa disa nga dëgjuesit e tyre i mësojnëpërmendësh shumë nga ato predikime!  Megjithse të kuptuarit e atyre njerëzve, përgjatë asaj periudhe, e shijet e tyre kulturore dhe nevojat e tyre ideologjike dhe intelektuale kanë evoluar  dhe ndryshuar në një masë të madhe.

Këta predikues janë bërë si ai  gjahtari që gjuan vazhdimisht për një kohë të gjatë në një pikë ndërsa  tufat e zogjve ngrihen e bien gjithandej dhe fluturojnë lindje e  perëndim!

Për shkak të numrit të madh të ngjarjeve dhe grumbullimit të fakteve dhe zhvillimeve që përfshijnë Ymetin, njerëzit mezi presin të dëgjojnë një analizë ose vlerësim të pozicionit  prej dijetarëve, mendimtarëve dhe udhëheqësve të tyre shpirtërorë për atë që ua trubullon  jetën dhe kërcënon të ardhmen e tyre, por shumë hatibë dhe ligjërues  nuk e ndiejnë atë që njerëzit presin  prej tyre, prandaj  përsërisin të njëjtat fjalë që kanë thënë njëzet vite më parë!

Përveç këtyre dhe atyre, ka shumë predikues që nuk kujdesen për predikimet e tyre dhe nuk pasurojnë  mendimet për temat që trajtojnë. Prandaj, paraqitja e tyre anon të jetë sipërfaqësore dhe të përsërisë disa qështje  të parëndësishme me  metoda të njëjta e, të përsëritura, duke menduar se mënyra e qëndrimit e ngritja e zërit si dhe lëkundjet e lëvizjet mund të  fshehin  cilësinë e dobët dhe varfërinë e kuptimeve dhe të ideve të paraqitura.

Unë njoh një grup më të  mirë se këta, por që  vuan në raport  me fjalët tingëlluese dhe kumbuese. Ata mendojnë se janë udhëzuar të përdorin fjalë të bukura dhe shprehje të mrekullueshme, por ata injorojnë se kuptimet e atyre fjalëve nuk janë në harmoni me realitetin e  me situatën e të ftuarve, si dhe me  shqetësimet e përgatitjet e tyre!

Në fund duhet të themi: Sado përmirësime të bëjmë në diskursin tonë të davetit , do të vazhdojmë të ankohemi për të metat e tij dhe reformat tona do të mbeten të diskutueshme, siç ndodh me të gjitha arritjet e tjera njerëzore. Por ajo që është e rëndësishme, pavarësisht kësaj, është që kërkimi për më të mirën dhe më cilësoren të bëhet një gjë e vazhdueshme në qarqet e davetit dhe të përmirësimit.

Ose të bëjnë siç bëjnë kompanitë e respektuara  tregtare, aty ku mund të gjeshë  departamente të veçanta për cilësi gjithëpërfshirëse dhe për kërkime  zhvillimore.

Sa do doja që institucionet fetare  dhe Kolegjet e Sheriatit t’i kushtonin vëmendje çështjes së retorikës, ligjërimit  dhe predikimit, e të krijonin departamente shkencore për të si dhe të ofronin trajnime intensive dhe praktikim në teren  për vijuesit e tyre. Unë gjithashtu shpresoj se do të krijojmë një qendër për kërkime në zhvillimin e performancës së hatibëve  të xhumave, mësuesve të hallkave  dhe të predikuesve në përgjithësi.

Në fakt përmirësimi i nivelit të adresimit dhe ndikimit te njerëzit është,  një kërkesë e përgjithshme, pasiqë të shprehurit  fort dhe qartë është kusht për sukses në shumë detyra jetësore dhe kjo kërkon që secili prej nesh të përpiqet të përmirësojë nivelin e performancës gjuhësore dhe sqaruese. Gjithashtu, thirrja te Zoti – i Plotfuqishmi – nuk është detyrë e një grupi apo një spektri të ndonjë  specializimi të caktuar, por është një funksion i përgjithshëm dhe i përbashkët për çdo musliman që zotëron një shkallë të kulturës  e cila i mundëson atij të ndikojë te të tjerët. Për këto arsye unë besoj se shkollat dhe universitetet tona duhet të përfshijnë në kurrikulën e tyre një lëndë për të folurit në publik, e dialog dhe negocim, të ngjashme me atë që ekziston në shumë vende të zhvilluara  si Shtetet e Bashkuara të Amerikës e gjetiu.