Ngjarjet e mëdha në historinë e njerëzimit dhe historinë e feve kanë nevojë për një prelud. Ngjarja e Hixhretit pati një ndikim të thellë jo vetëm në realitetin e Islamit dhe të myslimanëve, por edhe në realitetin e Gadishullit Arabik, të gjithë botës dhe rrjedhën e historisë më pas. Këto efekte të thella në realitetin lokal dhe global patën disa prelude, duke përfshirë migrimin e Mus’ab ibn Umejrit , Allahu qoftë i kënaqur me të,   migranti i parë  në Medinë, për të përgatitur këtë tokë të bekuarqë të marrë farat e mirësisë. Pra, kush ishte Mus’abi i Hajrit , siç edhe njihej? Dhe si kaloi ai nga një i ri i përkdhelur në një predikues me ndikim që i udhëhoqi njerëzit drejt së vërtetës me mençuri dhe këshilla të mira?

Mus’ab bin Umejri u rrit në luks dhe rehati, u përshkrua si: “I riu më i bukur në Mekë”. Ai kombinonte bukurinë dhe pasurinë, dhe prindërit e tij e donin jashtëzakonisht shumë. Nëna e tij ishte e pasur dhe e donte tepër shumë. Ajo  shpenzonte për të shumë para, aq shumë sa thuhej: “Shikoni këtë burrë zemrën e të cilit Zoti e ka ndriçuar. E pashë atë midis dy prindërve që i jepnin ushqimin dhe pijet më të mira, dhe e pashë të veshur me një rrobë që ishte blerë  për dyqind dirhemë.”

Zoti i Plotfuqishëm ia hodhi dritën e Islamit në zemër, kështu që ai besoi Allahun s.v.t.  por  e fshehte besimin e tij, derisa  një ditë  nëna e tij e kuptoi. Zemra e saj ndryshoi ndaj tij dhe ajo e privoi nga paratë që shpenzonte për të  më parë. Përkundrazi, ajo e burgosi atë në shtëpinë e saj, por kjo vetëm sa e bëri atë më të palëkundur në fenë e tij.

Zoti i Plotfuqishëm ia donte të mirën, kështu që ai ishte emigranti i parë që mbërriti në Medinë me disa  të tjerë. I Dërguari i Zotit, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të ,   e kishte ngarkuar atë për t’ua mësuar myslimanëve të rinj Kuranin dhe Islamin.

Luksi, zakonisht,  e prish mendjen dhe shpirtin, por njerëz me natyrë të shëndoshë që i përgjigjen thirrjes së të vërtetës dhe madje përballojnë kostot e saj të vështira ekzistojnë në çdo kohë dhe vend. Mus’ab ibn Umejri, Zoti qoftë i kënaqur me të, e dinte se përgjigjja ndaj thirrjes së të vërtetës do të thoshte të linte vendin e tij në zemrën e nënës së tij dhe të hiqte dorë nga të gjitha rehatitë që gëzonte.

Nëse e shqyrtojmë ndikimin e Mus’ab ibn Umejrit, Allahu qoftë i kënaqur me të, në Medinë dhe banorët e saj, gjejmë këto thënie: “Derisa përmendja e Islamit u përhap në të gjithë Medinën.” Dhe gjejmë një frazë tjetër: “Nuk kishte asnjë shtëpi ensarësh që të mos përmendej Islami në të.” Si ishte në gjendje Mus’ab ibn Umejri, Allahu qoftë i kënaqur me të,  t’i pushtonte këto zemra me Kur’an pa shpatë, autoritet, para apo ndonjë mjet shtrëngimi apo joshjeje? E tëra çfarë bëri ai ishte t’i drejtohej natyrëshmërisë   me fjalët e Krijuesit të saj, lavdi i qoftë Atij, Më të Lartit?

Këtu janë disa arsye që mund të nxirren nga biografia e tij:

1- Ne gjejmë sinqeritetin që e shtyu atë të braktiste zbukurimet e kësaj bote duke kërkuar atë që është tek Allahu. Ky sinqeritet u transmetua prej tij në shpirtrat e atyre që takoi, dhe Allahu ua hapi zemrat përmes tij. Po kështu, njerëzit e sinqeritetit mund të ndikojnë tek ata përreth tyre përmes fjalëve, veprave dhe gjendjeve të tyre. Esad bin Zarara ishte i vetëdijshëm për këtë fakt kur Usejd bin Hudairi erdhi në kuvendin e tij. Esadi i tha Musabit: “Ky është zotëriu i popullit të tij, ka ardhur tek ti, prandaj ji i sinqertë ndaj Allahut në të.” Musabi ishte i sinqertë dhe tregoi mirësinë e tij, dhe rezultati i menjëhershëm ishte i dukshëm në fytyrën e Usejdit: “Për Allahun, ne e njohëm Islamin në fytyrën e tij para se ai ta shprehte, në shkëlqimin dhe shlirimin e saj.” Islami hyri në zemrën e tij dhe u shfaq në fytyrën e tij para se të shqiptonte asnjë fjalë. Shokët e Usejdit madje e vunë re këtë ndryshim të madh, dhe Sad bin Muadhi tha: “Betohem në Allahun, Usejdi po kthehet tek ju me një fytyrë tjetër nga ajo me të cilën ju la.

Çfarë bëri Mus’ab ibn Umejri, Allahu qoftë i kënaqur me të, për të sjellë këtë transformim të madh? Brenda pak çastesh, ai i foli atij për Islamin dhe i recitoi Kuranin. Kurani ka ndikim në zemra dhe ka aftësinë të depërtojë në thellësitë e shpirtit njerëzor, sepse është fjala e Krijuesit të natyrshmërisë njerëzore, s.v.t. Çdo përpjekje për të paraqitur Islamin dhe për të vendosur të vërtetën jashtë udhëzimit të Kuranit është e dstinuar të dështojë.

Usejdi iu lidh me Islamin aq shumë  saqë nuk u mjaftua vetëm me konvertimin e vet në Islam, por u bë një predikues i menjëhershëm i kësaj feje. Ai tha: “Pas meje është një njeri i cili, nëse të ndjek ty, askush nga populli i tij nuk do të ngec pas tij.” Duke dëshiruar të mirën për shokun dhe fisin e shokut të tij, ai e dërgoi atë që ai vet  të shihte dritën dhe të vërtetën. Vetëm pak çaste më vonë, edhe Saadi u konvertua në Islam dhe drita e tij shkëlqeu nga zemra e tij në fytyrën e tij. Populli i tij tha: “Betohemi në Zot se Saadi po kthehet tek ju me një fytyrë tjetër nga ajo me të cilën ju la.” Ai nuk u mjaftua vetëm me konvertimin në Islam, por edhe ai u bë një predikues i tij dhe që nga momenti i parë i nxiti njerëzit e tij të përqafonin këtë fe. Kur ai qëndroi para tyre, ai iu tha: “O Benu Abd l-Eshhel, si e dini pozicionin tim midis jush?” Ata thanë: “Zotëriu ynë, më i miri prej nesh në mendim dhe më i drejti prej nesh në udhëheqje.” Ai tha: “Atëherë dine pra se fjala e burrave dhe grave tuaja është e ndaluar për mua derisa të besoni në Allahun  dhe të Dërguarin e Tij.” kjo pati edhe efektn e vet saqë siç thanë: “Për Zotin, nuk kishte burrë apo grua në shtëpitë e fisiti Benu Abd l-Eshhel që të mos bëhej musliman.”

Ne shohim se një nga arsyet e suksesit në këtë situatë është kërkimi i njerëzve në tubimet e tyre dhe kudo që ata të jenë. Nëse ata që ju kërkoni t’i thërrisni në Islam nuk vijnë në xhami dhe ju si thirrës nuk shkoni tek ata, atëherë kur do të takoheni dhe kur do ta njohin ata udhëzimin e Allahut s.v.t. dhe dritën e Islamit?

2- Dhënia e mundësisë që dialogu të marrë rrjedhën e vet dhe që pala tjetër të dëgjohet. Kur Usejd bin Hudair erdhi në kuvendin e Mus’ab bin Umejrit, zemërimi i tij ishte aq i fortë saqë e shprehu sikur po e mallkonte Mus’abin, madje shprehu një kërcënim të madh që mund të  prekte në jetën e tij dhe të shokut të tij: “Na lini rehat nëse keni nevojë për veten tuaj.”  iu tha ai. Nëse keni nevojë të jetoni, atëherë çmimi i kësaj është të jeni larg banorëve të Medinës që po i ftoni në Islam. Mus’abi iu përgjigj me qetësinë e dikujt që është i vendosur në besim: ” Apo të ulesh dhe të dëgjosh!” Ai që qëndron në këmbë është i motivuar të veprojë dhe të reagojë me dhunë, gjë që pengon fillimin ose vazhdimin e dialogut.

– Mos e ndërprisni. Pavarësisht dëmit të dukshëm në fjalët e personit që erdhi me zemërim dhe fyerje, Musabi, Zoti qoftë i kënaqur me të, nuk e ndërpreu. Përkundrazi, ai priti që ai të mbaronte së foluri, pastaj u përpoq ta bindte që t’i drejtohej me atë që kishte për të thënë. Ndoshta pala tjetër do të kishte mirësjelljen ta dëgjonte bashkëbiseduesin e tij pa e ndërprerë, në zbatim të parimit të reciprocitetit.

– Duhet kuptuar se një pjesë e madhe e armiqësisë dhe urrejtjes midis njerëzve, thirrjes dhe thirrësit shkaktohet nga injoranca, dyshimi dhe nxitja nga armiqtë e Islamit. Prandaj, detyra e parë e thirrësit është të heqë perden e injorancës që mbulon sytë dhe të nxjerrë mëritë nga zemrat me fjalë të mira, durim dhe urtësi. Pas kësaj, njerëzit do të kthehen në natyrshmërinë mbi të cilën Zoti i krijoi, ose do të qëndrojnë në armiqësinë e tyre për një kohë të gjatë ose të shkurtër. Ata që janë të palëkundur në të vërtetën janë si ata që janë të palëkundur në armiqësinë e tyre ndaj saj, dhe të dy janë të paktë midis njerëzve.

 

3. Përdorimi i aksiomave racionale për të cilat bijnë dakord palët negociuese.

Ai i tha atij: “Ose ulu dhe dëgjo. Nëse je i kënaqur me këtë çështje dhe e dëshiron,  pranoje,  ndërsa  nëse nuk të pëlqen, do të ta evitojmë ty atë që nuk të pëlqen.” Saadi tha: “Ti je i logjikshëm”. Gjithashtu, në këtë deklaratë shohim butësi dhe durim që zvogëlojnë zemërimin e palës tjetër dhe shumë nga armiqësia me të cilën përballet thirrja për shkak të injorancës së predikuesit rreth stilit të  duhur, mënyrën e menaxhimit të dialogut dhe përdorimin e shprehjeve të përshtatshme që i afrojnë të largëtit, tërheqin armiqtë dhe pajtojnë zemrat. Gënjeshtra e shëmtuar e mbulon shëmtinë e saj me mashtrim, zbukurim dhe falsifikim, duke tërhequr kështu zemrat dhe veshët dhe duke i çuar njerëzit aty ku dëshiron, ndërsa disa prej nesh nuk janë në gjendje të komunikojnë mirë me njerëz, pastaj pretendojnë se ata janë të shurdhër ndaj së vërtetës, ndërsa  është ai që përdori çelësin e gabuar për drynjtë e zemrave të tyre.

Ne kemi parë se si ndershmëria dhe sinqeriteti mund t’i transformojnë njerëzit nga mosbesimi në besim, dhe si ato mund të përdoren me të shthururit dhe të pabindurit. Pas një viti pune dhe përpjekjesh të palodhura, Musabi, Allahu qoftë i kënaqur me të u kthye në Mekë me shtatëdhjetë burra të cilët i premtuan besnikëri të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të për të përqafuar Islamin dhe për ta mbrojtur atë nga çdo agresion.

 

Shohim shpesh debate që mbajnë erë tymi dhe sheh flakët e konfliktit që i djegin pjesëmarrësit në dialog dhe e djegin të vërtetën bashkë me ta, dhe secili prej tyre mendon se po e mbron të vërtetën dhe po lufton për të, ndërkohë që nuk e ka parë shembullin e Musabit, Zoti qoftë i kënaqur me të, i cili e paraqet të vërtetën me vendosmërinë dhe dinjitetin e besimtarëve. Ai nuk e ka parë shembullin në të cilin predikuesi punon si zjarrfikës, duke shuar zjarret e agresionit dhe duke ndezur në vend të tij dritën e monoteizmit dhe të gjithë pishtarët që ndriçojnë shtigjet e njerëzve dhe i udhëzojnë ata drejt një mënyre më të mirë jetese dhe u sigurojnë energjinë e tyre për ndërtim dhe zhvillim.

E vërteta ka armiq që i dalin përpara, por transformimi i këtyre armiqve në roje të së vërtetës është i mundur dhe i lehtë, dhe historia dëshmon për këtë. Historia jonë e tregon këtë. Prandaj, mos lejoni që kjo armiqësi të na çojë në dëshpërim ose pashpresë, sepse zemrat janë midis dy gishtërinjve të të Gjithëmëshirshmit, dhe Ai i kthen ato sipas dëshirës.

Muhamed Atijeh

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org – Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve