Meka, siç dihet, ka qenë kryeqendra fetare e arabëve (edhe në periudhën paraislame). Kujdestaria e Qabesë i ishte ngarkuar asaj, siç i ishte ngarkuar edhe përgjegjësia për të gjithë idhujt e shenjtë të arabëve. Sigurisht, nisur nga këto fakte, reformimi i saj ka qenë më i vështirë se i çdo vendi tjetër. Çështja në fjalë, jo vetëm që ka kërkuar vendosmëri të çeliktë, që nuk do të mund të thyhej dot nga sprovat dhe fatkeqësitë, por ka kërkuar edhe urtësi e qëndrim largpamës, që do të bënte ndryshimet e gjendjes aktuale dhe do t’i mundësonte thirrjes që të korrte sukses. Për këtë, pa dyshim, para çdokujt dhe çdo gjëje, duhet t’i detyrohemi Allahut, më të Diturit dhe më të Urtit, që:
﴿يُؤتِي الْحِكْمَةَ مَن يَشَاءُ وَمَن يُؤْتَ الْحِكْمَةَ فَقَدْ أُوتِيَ خَيْرًا كَثِيرًا﴾
“Ia jep urtësinë (të kuptuarit e Kuranit) kujt të dojë. Cilitdo që i është dhënë urtësia, vërtet që i është dhënë një mirësi e madhe. Por këtë nuk e kupton tjetërkush, përveç njerëzve të mençur.” (Kurani: El Bekare, 269)
Allahu i Madhëruar Muhamedin ﷺ e ka fisnikëruar me urtësi, e ka bekuar për suksese, e ka mbrojtur dhe e ka ndihmuar.
Rrjedhimisht, pas urdhrit që kishte marrë nga Allahu për t’ua tërhequr vërejtjen të afërmve për pasojat e gjendjes së tyre shpirtërore (idhujtarisë) dhe shoqërore, Muhamedi ﷺ kishte filluar fshehurazi predikimin apo kumtimin e urdhrit.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿يَا أَيُّهَا الْمُدَّثِّرُ قُمْ فَأَنذِرْ* وَرَبَّكَ فَكَبِّرْ* وَثِيَابَكَ فَطَهِّرْ* وَالرُّجْزَ فَاهْجُرْ* وَلا تَمْنُن تَسْتَكْثِرُ * وَلِرَبِّكَ فَاصْبِرْ﴾
“O ti, i mbështjellë (o Muhamed)! Çohu dhe paralajmëro! Zotin tënd madhëroje, petkat e tua pastroji dhe largohu nga ndyrësia (adhurimi i idhujve)! Mos jep gjë, me synimin që të marrësh më shumë dhe për hir të Zotit tënd, duro.” (Kurani: El Mudethir, 1-7)
Që këtej e tutje Muhamedi ﷺ , në zgjidhjen apo trajtimin e gjendjes në të cilën ishin kurejshët, filloi të trasonte rrugën e urtësisë, duke shënuar qëndrime madhështore, të cilat nuk mund t’i arrijë asnjë njeri, madje as mendjet më të ndritura. Fenë filloi t’ua prezantonte njerëzve të tij më të afërt, familjes, shokëve, atyre që i njihte për të mirë dhe që e njihnin për të atillë, që i njihte për dashamirësi ndaj së mirës dhe së vërtetës dhe që e njihnin për sinqeritet dhe interesim për t’i përmirësuar gjërat. Prej atyre që iu përgjigjën ftesës (fesë) së tij ishin një grup që, në historinë islame, morën epitetin es-sabikunel evvelune (të hershmit e parë): gruaja e tij, zonja Hatixhe, radijallahu anha, ishte e para që pranoi Islamin, pastaj Aliu, Zejd ibn Harithe dhe Ebu Bekri, radijallahu anhum.
Ebu Bekri, radijallahu anhu, dha një kontribut të madh për të hyrë në këtë fe disa burra, roli dhe rëndësia e të cilëve është e pakontestueshme, si: Othman ibn Afani, Zubejr ibn Avami, Abdurrahman ibn Aufi, Sad ibn Ebu Vekasi, Talha ibn Ubejdilahu, radijallahu anhum. Kështu, këta të pestë, që bashkë me Ebu Bekrin, Aliun dhe Zejdin gjithsej bëjnë tetë, njëherazi janë pikërisht të hershmit e parë, ata që u kanë paraprirë njerëzve, (janë) gjenerata e parë dhe ballina e Islamit.
Njerëzit, njëri pas tjetrit, filluan ta pranojnë këtë fe, derisa ajo u bë e njohur dhe filloi të përhapej ndër banorët e Mekës, të cilët flitnin dhe diskutonin për të. Profeti ﷺ takohej me ta, i mësonte e i udhëzonte dhe krejt këtë në mënyrë të fshehtë, ngase daveja ende ishte në periudhën e saj të fshehtë dhe individuale. Shpallja hyjnore vazhdonte me ritmin e saj, madje pas kaptinës El Mudethir u intensifikua, por, megjithëkëtë, çështja ende ngeli e fshehtë, ende nuk mund të proklamohej në sheshe dhe ambiente publike. Myslimanët e parë nuk mund të shfaqnin publikisht besimin e tyre e as të kryenin adhurimet, nga frika se kështu do të provohej hidhërimi dhe fanatizmi i kurejshëve për injorancën dhe idhujt e tyre, andaj vazhdonin fshehtazi.[1]
Myslimanët, ndonëse u shumuan në dyzet burra, ende nuk mund ta shpallnin publikisht fenë e tyre në qarqet kurejshe. Kjo, për shkak të diturisë së Profetit ﷺ se ky numër i myslimanëve ishte i pamjaftueshëm për t’i bërë ballë presionit dhe trysnisë së kurejshëve ndaj tyre. Rrethanat e diktonin mënyrën e kumtimit. Muhamedi ﷺ organizonte takimet në grupe, duke i mësuar dhe këshilluar, në mënyrë që prej tyre të nxirrte liderë dhe burra të pamposhtur, që t’u bënin ballë atyre që ishin pozicionuar kundër kësaj feje. Vendtakim ishte përzgjedhur shtëpia e Erkam ibn el Erkam el Mahzumiut, ku Profeti ﷺ organizonte takime familjare. Krahas kësaj pike të takimit, që, si të thuash, ishte qendër kryesore, kishte edhe pikëtakime të tjera, kishte shtëpi të disa besimtarëve, ku takohej, por jo në mënyrë të organizuar. Aty takimet ishin të rastit, emergjente ose takime të cilat thirreshin nga sahabët, radijallahu anhum, bie fjala, shtëpia e Seid ibn Zejdit etj. Megjithëkëtë, shtëpia e Erkamit ishte ajo që kishte fituar pozitën e qendrës bosht në kohët më të vështira në të cilat kishte kaluar daveja.[2]
Kështu, në këtë gjendje të fshehur, kaluan tre vjet të proklamimit të fesë. Në këtë periudhë u themelua komuniteti mysliman mbi bazën e vëllazërisë, bashkëveprimit, kumtimit dhe përforcimit të fesë.
Pas pranimit të Islamit nga ana e xhaxhait të Muhamedit ﷺ, Hamza ibn Abdulmutalibit, radijallahu anhu, dhe disa zotërinjve kurejshë, si Omer ibn Hatabi, radijallahu anhu, u shpallën fjalët e Allahut (citatet kuranore):
﴿فَاصْدَعْ بِمَا تُؤْمَرُ وَأَعْرِضْ عَنِ الْمُشْرِكِينَ * إِنَّا كَفَيْنَاكَ الْمُسْتَهْزِئِينَ * الَّذِينَ يَجْعَلُونَ مَعَ اللَّهِ إِلـهًا آخَرَ فَسَوْفَ يَعْمَلُونَ ﴾
“Ti prediko haptazi atë që të është urdhëruar dhe largohu nga idhujtarët. Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që të tallin, e të cilët, krahas Allahut, adhurojnë edhe zot tjetër. Do ta marrin vesh mirë ata!” (Kurani: El Hixhr, 94-96)
Kjo flet në mënyrë të qartë se Allahu i Madhëruar e ka fisnikëruar Muhamedin ﷺ me urtësi, për çka edhe ndërmori këta hapa dhe pati këto qëndrime, që janë shembull dhe metodologji, të cilat thirrësi duhet t’i aplikojë gjatë misionit, veçanërisht nëse është në ambiente apo shoqëri joislame (ku ka idhujtarë dhe jobesimtarë). Në të kundërtën, kjo nuk është argument dhe nuk mund të merret si precedent për fshehjen e davesë në shoqëritë islame. Predikimi i fshehtë i fesë në fillim të Islamit është bërë për shkak se Muhamedit ﷺ dhe sahabëve, radijallahu anhum, nuk u është lejuar që të thonë publikisht la ilahe il-lallah, Muhamedun Resulullah, të thërrasin ezanin dhe të falen. Mirëpo, kur ata u forcuan në njëfarë mase, këtë e bënë haptazi, ndaj u sprovuan me ato që për besimtarët janë të njohura.[3]
Burimi: Dr. Seid el Kahtani
PQËNDRIMET E PROFETIT
MUHAMED ﷺ GJATË THIRRJES
[1] Shih: Siretu Ibn Hisham (1/264); Tarihu-l-Islam, të Dhehebiut (f. 127); El-Bidaje ve-n-nihaje, të Ibn Kethirit (3/24-37); Zadu-l-Mead (3/19); Muhtesar siretihi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, të Imam Muhamed ibn Abdulvehabit (f. 59); Et-Tarih el-islamijj, të Mahmud Shakirit (2/57) dhe Hadha el-Habib ja muhibb (f. 91).
[2] Shih: El-Bidaje ve-n-nihaje (3/31); Et-Tarih el-islamijj, të Mahmud Shakirit (2/62) dhe Hadha el-Habib ja muhibb (f. 97).
[3] Shih: Err-Rrehik el-mahtum (f. 75); Et-Tarih el-islamijj, të Mahmud Shakirit (2/62) dhe Hadha el-Habib ja muhibb (f. 99).