Po të ndodhte që dy hatibë të mbanin hutbe për xhumanë mbi kohët e namazit, njëri prej tyre t’i paraqiste rregullat e tij në mënyrë thjesht shkencore, ndërsa tjetri të mos e kishte hutben e tij thjesht shkencore, por këshilluese, që i drejtohet zemrës e jo mendjes, cili prej tyre mendon se ka vepruar drejt?

Përgjigjja që të jetë shkencore, duhet t’i referohemi përkufizimit të hutbes. Përkufizimet e saj janë të shumta dhe kjo shumëllojshmëri nuk e dëmton thelbin e saj, i cili përfshin komunikimin gojor, audiencën dhe bindjen. Ndër këto përkufizime është ai që përmendet në librin “Et-Ta‘rifat” të Sherif el-Xhurxhanit (v. 816 h.), i cili thotë: “Është një silogjizëm i përbërë nga premisa të pranuara ose të supozuara, që vijnë nga një person i besueshëm, dhe qëllimi i saj është t’i nxisë njerëzit drejt asaj që u sjell dobi në jetën e kësaj bote dhe të botës tjetër”. Ndërsa Tahir ibn Ashuri (v. 1339 h.) thotë se ajo është: “Fjalim me të cilin synohet bindja e llojeve të ndryshme të dëgjuesve për vlefshmërinë e një qëllimi që folësi synon ta realizojë ose të ndikojë emocionalisht përmes tij”. Ndërsa Hazim el-Kartaxhani (v. 684 h.), një nga figurat kryesore të kritikës në shekullin e shtatë, duke folur për poezinë dhe oratorinë dhe për thelbin e tyre, thotë: “Duhet të mos teprohet në të dyja këto arte me gjëra që nuk janë thelbësore për to, siç është imagjinata në oratori dhe bindja në poezi, por të përdoret prej tyre vetëm aq sa për të lënë një shenjë”.

Me pak reflektim, kuptohet se ndikimi dhe bindja janë shtylla themelore të hutbes. Ka të bëjë me emocion, ndjesi dhe tërheqje, dhe këto janë terma, fusha e veprimit të të cilave është zemra e jo mendja. Ndërsa ligjërimi thjesht shkencor nuk është i përshtatshëm për këtë vend.

Nëse kthehemi te oratoria në periudhën paraislame dhe më pas, gjejmë se qëllimet e saj kanë qenë thirrja për luftë ose paqe, këshillimi, udhëzimi dhe krenaria. Ndikimi emocional ka qenë gjithmonë i lidhur me të, ndërsa mësimi i drejtpërdrejtë ka qenë i largët prej saj. Përkatësia e hutbes me letërsinë dhe historinë e saj përgjatë epokave është një dëshmi e qartë, se ajo i përket letërsisë me natyrë artistike dhe jo diskursit shkencor.

Prandaj është e dobishme të sqarohen disa nga tiparet e stilit shkencor: ai synon transmetimin dhe grumbullimin e njohurive dhe dispozitave; përdor struktura që i drejtohen mendjes dhe arsyes, jo ndjenjës dhe emocioneve; qëndron larg nxitjes dhe emocioneve; karakterizohet nga fjali të gjata dhe mungesa e ritmit tingullor.

Një nga shkaqet që i formësojnë këto tipare shkencore është largimi i hatibit nga format ndërtuese të ligjërimit. Kështu, hatibi i parë, që përdor paraqitjen shkencore, do të thotë: koha e namazit të sabahut fillon me agimin dhe përfundon me lindjen e diellit, dhe ndoshta do të diskutojë edhe kohën më të mirë për faljen e tij, duke përmendur mendimet e imamëve rreth faljes në errësirën e agimit. Ndërsa hatibi i dytë do të thotë: O rob i Allahut, si mund të shijosh gjumin në kohën e namazit të sabahut, kur thirrësi i të Gjithëmëshirshmit të ka thirrur, dhe Allahu të ka dhënë mirësi e strehë? Mos u bëj prej atyre që i japin përparësi dynjasë ndaj ahiretit, që nuk ngrihen veçse pasi lind dielli, duke lënë pas dore të drejtën e Zotit të tyre dhe duke u kapur pas kësaj bote. Myslimani i vërtetë i jep përparësi botës tjetër ndaj kësaj bote, asaj të përhershme ndaj së përkohshmes.

I pari është mbështetur te informacioni dhe adresimi i mendjes, ndërsa i dyti nuk është mbështetur vetëm te informacioni, por ka ndërthurur njoftimin me ligjërimin ndërtues. Te ai shihen thirrja, pyetja dhe ndalesa, që janë forma kërkuese të ligjërimit, më të afta për ta zgjuar dëgjuesin. Thirrja kërkon përgjigje, pyetja kërkon reagim, ndalesa kërkon përmbajtje. Këto fjali i drejtohen dëgjuesit njëra pas tjetrës, duke konkurruar për të fituar zemrën dhe veshin e tij. Ndërsa renditja e dispozitave dhe informacioneve shpesh shoqërohet me shpërqendrim, sepse shpirti qetësohet kur përballet vazhdimisht me të njëjtin ritëm dhe ndoshta edhe fle.

Ai që mori pjesë në hutben e të parit shtoi njohuri në bagazhin e tij mendor, ndërsa  ai që mori pjesë në hutben e të dytit pritet që të ndryshojë sjelljen e tij dhe të nxitojë drejt faljes së namazit në kohën e vet. Edhe pse mund të mos ketë përfituar shumë njohuri, ai është përkujtuar dhe ka reflektuar.

Allahu i mëshiroftë dijetarët e retorikës kur e përkufizuan atë si përshtatje të fjalës me kërkesën e situatës, së bashku me qartësinë e saj. Pra, çështja e kontekstit dhe përputhja e fjalës me të është kriteri vendimtar për gjykimin e bukurisë së ligjërimit. Për rrjedhojë, standardi për të gjykuar përshtatshmërinë e temës së hutbes së xhumasë është ajo që ka ardhur në sheriat.

Nga Xhabir ibn Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ mbante hutbe, sytë i skuqeshin, zëri i ngrihej dhe zemërimi i shtohej, saqë dukej si paralajmërues i një ushtrie, duke thënë: “Armiku po ju sulon në  mëngjesi ose në  mbrëmje”, dhe thoshte: ‘Unë dhe Kiameti jemi dërguar si këta dy’, duke bashkuar gishtin tregues me atë të mesit”. Ndërsa nga El-Irbad ibn Sarije transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ na këshilloi një ditë pas namazit të sabahut me një këshillë aq prekëse sa sytë u mbushën me lot dhe zemrat u drodhën. Një njeri tha: Kjo duket si këshillë lamtumire, o i Dërguari i Allahut, çfarë na porosit? Ai tha: Ju porosis për devotshmëri ndaj Allahut dhe dëgjim e bindje, edhe nëse sundimtari është një rob etiop. Ai që jeton prej jush do të shohë shumë kundërshti, ndaj ruajuni nga risitë, sepse ato janë humbje. Kush e përjeton këtë, le t’i përmbahet Sunetit tim dhe Sunetit të halifëve të drejtë e të udhëzuar, kapuni fort pas tyre ”.

Tiparet e ligjërimit të tij ﷺ dhe reagimi në hadithin e parë tregojnë qartë se nuk ishte një fjalim shkencor. Ndërsa në hadithin e dytë përcaktohet qartë lloji i ligjërimit, se ai ishte këshillues. Edhe reagimi i dëgjuesve e dëshmon këtë, sepse lotët e syve dhe frika e zemrës janë pasojë e këshillës.

Nga bija e Harithe ibn Nu‘man transmetohet se ka thënë: “Surën ‘Kaf’ nuk e kam mësuar përmendësh veçse nga goja e të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili e lexonte atë në hutbe çdo xhuma”. Neveviu, duke e shpjeguar këtë, thotë: “Dijetarët kanë thënë se arsyeja e zgjedhjes së sures ‘Kaf’ është se ajo përmban përmendjen e ringjalljes, vdekjes, këshilla të forta dhe paralajmërime të fuqishme”. Kjo është dëshmi e qartë se tema e hutbes është këshilla dhe ndikimi, jo mësimi i thatë.

Meqë po flasim për këshillë dhe paralajmërim, është përhapur ideja se këshilla kufizohet vetëm te përmendja e vdekjes dhe varrit, gjë që është një gabim i vjetër. Ibn Kajjimi thotë: “Hutbet e tij ﷺ ishin përforcim i themeleve të besimit: besimi në Allahun, engjëjt, librat, të dërguarit dhe takimin me Të, përmendja e xhenetit dhe zjarrit, dhe e asaj që Allahu ka përgatitur për miqtë e Tij dhe për armiqtë e Tij. Kështu, zemrat mbusheshin me besim, njësi të Allahut dhe njohje të Tij, ndryshe nga hutbet e të tjerëve që shpesh përfitonin vetëm gjëra të përgjithshme, si vajtimi për jetën dhe frikësimi nga vdekja”. Ky tekst i pasur tregon qartë se hutbet e tij ﷺ ishin brenda kornizës së këshillës, dhe se synimi i tyre ishte ndikimi mbi zemrën, sepse rregullimi i saj është qëllim i sheriatit, dhe me rregullimin e saj rregullohen edhe gjymtyrët.

Dikush mund të mendojë se hatibi duhet të braktisë mësimin dhe sqarimin e dispozitave në hutbe, por e vërteta është se për sa kohë që është e mundur bashkimi mes të dyjave, nuk ka arsye për përjashtim. Nëse ai i paraqet dispozitat dhe njëkohësisht përkujton të drejtën e Allahut në to, me inkurajim dhe frikësim, kjo është rruga e drejtë dhe metoda kuranore. Në Kuran gjen ajete që flasin për dispozita të pastra, e megjithatë brenda tyre rrjedh ligjërimi këshillues. Si në fjalën e Allahut të Lartësuar: “E nëse i ndani ato para se t’i prekni, por u keni caktuar një dhuratë, atëherë u takon gjysma e asaj që keni caktuar, përveç nëse ato falin ose fal ai që ka lidhjen e martesës. E të falni është më afër devotshmërisë, dhe mos e harroni mirësinë mes jush. Vërtet, Allahu sheh mirë atë që veproni”. Këto ajete para dhe pas saj flasin për dispozitat e martesës dhe divorcit, por megjithatë këshilla është e pranishme si shtyllë kryesore, pa u shkëputur nga konteksti. Kështu e kuptuan edhe brezat e parë të këtij umeti, ndërsa ndarja e ashpër mes mësimit dhe këshillës është e vonshme. Ibn Xheuzi thotë: “Predikuesit në kohët e hershme ishin dijetarë dhe juristë”.

Nga çështjet juridike që diskutohen janë edhe shtyllat e hutbes së xhumasë. Diskutimi është i gjatë, por mjafton të përmendet fjala e Shevkanit, i cili sqaroi se shpirti i hutbes është këshilla e bukur nga Kurani ose nga burime të tjera, dhe se qëllimi kryesor i hutbes është këshillimi, i cili është më i theksuar dhe më i përfshirë në ligjshmëri.

Brenda këshillës përfshihet edhe sqarimi i dispozitave, urdhrave dhe ndalesave. Muhamed el-Emin esh-Shenkiti thotë: “Përkufizimi i këshillës është fjala që i zbut zemrat, dhe gjëja që më së shumti i zbut zemrat e njerëzve të mençur janë urdhrat dhe ndalesat e Zotit të tyre. Kur ata dëgjojnë urdhrin, frikësohen nga zemërimi i Allahut nëse nuk e zbatojnë dhe shpresojnë në shpërblimin e Tij nëse e zbatojnë”. Prandaj, o vëlla hatib, mos e harro këtë fjalë, sepse ajo thekson se ky lloj ligjërimi i zbut zemrat.

I gjithë ky diskutim është për hutben e xhumasë dhe temën e saj. Po sikur të të tregoja se kam shqyrtuar dhjetëra hutbe të sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta, në tema të ndryshme dhe kam gjetur se këshilla ishte gjithmonë shoqëruesja e tyre? Madje edhe hutbet e tyre politike rrallëherë ishin pa këshillë. Prandaj, udhëzimit të tyre përmbaju.

Dr. Ahmed bin Muhamed Elubejdi

Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve