Parathënie
Lavdërimet janë për Allahut, Zotin e Botëve, Zotëruesin e ditës së gjykimit, I pari pafillim e I fundit pa mbarim, Krijuesi i qiellit dhe i tokës. Paqja dhe bekimet qofshin mbi profetin e Tij të besueshëm, mësuesin e njerëzimit, që u dërgua si mëshirë për botërat.
Përhapja e dijes tek të tjerët është një nga veprat më të mira, përfitimet e së cilës përcillen tek të tjerët. Ajo është pjesë e thirrëave në Islam dhe e mësuesve që përcjellin nga trashëgimia e profetëve dhe të dërguarve.
Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu, engjëjt, madje dhe milingona në folenë e saj dhe balena në det, do të luten për atë që u mëson njerëzve rrugën drejt të mirës”[1]
Faktikisht ekzistojnë lloje dhe mënyra të ndryshme të mësimdhënies, me metoda dhe mjete të ndryshme, njëra prej të cilave është korrigjimi i gabimeve. Korrigjimi i gabimeve është pjesë e arsimit; ato janë si binjakë të pandashëm.
Marrja me korrigjimin e gabimeve (nasihat) është gjithashtu një pjesë e sinqeritetit në fe, është një detyrim moral për të gjithë muslimanët. Lidhja mes kësaj dhe konceptit të urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, që është gjithashtu një detyrim moral, është krejt i dukshëm (por duhet të theksojmë se fusha e gabimeve është më e madhe se fusha e së keqes (munker), prandaj një gabim mund të jetë ose jo, një vepër e keqe.
Korrigjimi i gabimeve përbën gjithashtu një pjesë të shpalljes dhe metodologjisë së Kuranit. Kurani përmban urdhëra dhe ndalime, lejime e sanksionime dhe korrigjime të gabimeve – edhe ato që janë bërë nga ana e Profetit. Pra, ai përfshin vërejtje dhe nxjerrje në pah të gabimeve për shembull:
“Ai vrenjti (fytyrën) dhe u kthye. Ngase atij i erdhi i verbëri. E ku mund ta dish ti, ndoshta ai do të pastrohet. Apo do të këshillohet dhe këshilla do t’i bëjë dobi! E ai që nuk ndjen nevojë për (Zotin) pse ka pasuri, Ti atij i vë veshin (i drejtohesh)! Po ti nuk ke përgjegjësi pse ai nuk pastrohet. Ndërsa ai që nxiton dhe vjen tek ti, dhe meqë ai frikësohet, e ti nuk zë asgjë (dhe nuk ia vë veshin fjalës së tij)”[2]
“(Përkujto) Kur i the atij që Allahu i kishte shpërblyer (me besim) e edhe ti i pate bërë mirë: “Mbaje bashkëshorten tënde dhe ki frikë nga Allahu!”, e ti e mbaje të fshehtë në veten tënde atë që Allahu do ta zbulojë dhe u frikësohesh njerëzve, por me të drejtë është që t’i frikësohesh Allahut”[3]
“Ty nuk të takon asgjë rreth çështjes se a do t’ua pranojë Ai pendimin, apo do t’i dënojë ata, në të vërtetë ata janë zullumqarë(të padrejtë)”[4]
Kurani është shpallur gjithashtu në disa raste, për të korrigjuar gabimet e disa sahabëve (shokët e Profetit). Kur Hatib ibn Ebu Belte’ah (r.a) u shkroi jobesimtarëve të fisit kurejsh, për t’i informuar ata për drejtimin në të cilin ishte nisur Profeti për një ekspeditë ushtarake kundër tyre, Allahu shpalli: “O ju që besuat, nëse keni dalë (prej vendlindjes) për hir të luftës në rrugën Time, duke kërkuar kënaqësinë Time, mos e zini mik armikun Tim dhe armikun tuaj, duke shprehur ndaj tyre dashuri, kur dihet se ata mohuan të vërtetën që u erdhi juve. Ata e dëbojnë të dërguarin dhe ju, sepse i besoni Allahut, Zotit tuaj, e ju fshehurazi u ofroni miqësi, po Unë më së miri e di atë që keni fshehur dhe atë që e keni publikuar. Ai që punon kështu nga pala juaj, ai e ka humbur rrugën e drejtë”[5]
Në lidhje me gabimin që bënë harkëtarët në betejën e Uhudit, të cilët u larguan nga pozicioni, ku Profeti i kishte urdhëruar të qëndronin, Allahu shpalli këtë ajet: “…deri kur u dobësuat dhe u përçatë ndërmjet vete, në çështjen e vendit (që u pat caktuar Muhamedi) dhe pasi vërejtët atë që dëshironit (prenë e luftës), e atëherë kundërshtuat (urdhërin e pejgamberit). Pati prej jush që e dëshën këtë jetë (ata që u ngutën pas presë) e pati prej jush që e deshën botën tjetër”[6]
Kur Profeti u largua nga gratë e tij me qëllim disiplinimin e tyre, disa njerëz përhapën zëra se ai ishte ndarë nga ato, Allahu shpalli: “Madje kur u vjen atyre (munafikëve) ndonjë lajm qetësues (kur fitojnë muslimanët) ose shqetësues (kur dështojnë), ata e përhapin atë, e sikur t’ia linin atë (përhapjen e lajmit) pejgamberit dhe përgjegjësve të tyre, ata do të dinin të nxjerrin përfundime (se si do të duhej shpallur)”[7]
Kur disa muslimanë nuk arritën të shpërngulen nga Meka në Medinë pa ndonjë justifikim të arsyeshëm, Allahu shpalli: “Engjëjt që morën shpirtin e atyre që ishin mizorë të vetvetes thanë: “Në ç’ka ishit ju? – Ata thanë: “Ne ishim të paaftë në atë tokë!” (engjëjt) Ju thanë: “A nuk ishte e gjerë toka e Allahut e të migronit në të?” (e të praktikonit lirisht fenë e Zotit)”[8]
Kur disa nga sahabët besuan dhe u treguan të tjerëve shpifjet e munafikëve (hipokritëve) që akuzonin Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të), për diçka që ajo nuk e kishte bërë, Allahu shpalli disa ajete në lidhje me këtë gënjeshtër si: “E sikur të mos ishte mëshira e Allahut dhe mirësia e Tij ndaj jush, në këtë dhe në botën tjetër, ju do t’ju kapte dënim shumë i madh për shkak të asaj në të cilën u hudhët. Kur ju atë (shpifjen) e përcollët me gjuhën tuaj dhe për atë që nuk kishit kurrfarë dije flisnit duke menduar se ajo ishte imtësi e parëndësishme, ndërsa te Allahu ajo është shumë e madhe”[9] Pastaj Allahu tha: “E përse, kur e dëgjuat atë, nuk thatë: “Ne nuk na takon të flasim për këtë. I Lartë je Ti, kjo është shpifje e madhe!”. Allahu ju këshillon që një gjë e tillë të mos përsëritet kurrë, nëse jeni besimtarë të denjë”[10]
Kur disa nga sahabët po debatonin në praninë e Profetit dhe ngritën zërat e tyre, Allahu, i Plotfuqishmi, Madhështori, shpalli: “O besimtarë, mos bëni asgjë (para se të orientoheni me udhëzimet e) Zotit dhe të dërguarit të Tij, keni droje Allahun, se me të vërtetë Allahu i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha. O ju që keni besuar, mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e pejgamberit dhe mos iu ngërmoni atij si i ngërmoheni njëri-tjetrit, e të zhduken veprat tuaja duke mos e ndjerë”[11]
Kur erdhi karvani në kohën e hutbes të së premtes dhe disa nga njerëzit e pranishëm u larguan nga hutbeja dhe u shpërndanë për t’u marrë me tregti, Allahu shpalli: “Po, ata kur shohin ndonjë tregti ose ndonjë dëfrim mësyhen atje, kurse ty të lënë në këmbë. Thuaju: “Ajo që është tek Allahu është më e mirë se dëfrimi dhe tregtia, e Allahu është furnizuesi më i mirë!”[12]
Shumë shembuj të tjerë tregojnë gjithashtu rëndësinë e korrigjimit të gabimeve dhe jo të heshtjes para tyre.
Profeti u udhëzua nga Drita e Zotit të Tij që të ndjekë parimin e dënimit të së keqes dhe korrigjimit të gabimeve pa kompromis. Nga kjo që përmendëm dhe tregues të tjerë, dijetarët, Allahu i mëshiroftë, arritën në parimin: “Nuk lejohet që Profeti të vonojë të shprehë mendimin e tij dhe duhet të korrigjojë gabimet në kohën e duhur”.
Kuptimi i metodave të Profetit në trajtimin e gabimeve të njerëzve me të cilët ai u takua, ka një rëndësi të madhe, sepse Profeti ishte i udhëzuar nga Zoti i Tij, dhe fjalët dhe veprat e tij mbështeteshin nga shpallja dhe vërtetoheshin dhe korrigjoheshin ashtu si duhej. Metodat e tij kanë urtësi dhe janë të frytshme dhe përdorimi i tyre është mënyra më e mirë për t’i bërë njerëzit të reagojnë në mënyrë pozitive. Nëse ai që është në pozitën e drejtimit dhe mësimit të të tjerëve, i përvetëson këto metoda dhe këtë trajtim, përpjekjet e tij do të jenë të suksesshme. Ndjekja e metodave të Profetit përfshin gjithashtu ndjekjen e shembullit të tij, sepse ai është shembulli më i mirë për ne dhe kjo do të na çojë drejt një shpërblimi të madh nga Allahu, nëse qëllimi i gjithsecilit është i sinqertë.
Njohja e metodave të Profetit tregon dështimin e metodave të shpikura nga njerëzit – që ndiqen kudo në tokë – dhe u vërteton ndjekësve të këtyre metodologjive se ata janë një dështim. Pjesa më e madhe e tyre është e qartë që janë një devijim i bazuar në teoritë e korruptuara, si për shembull në lirinë absolute, ose rrjedhin nga trashëgimi të rreme, ose janë një imitim i verbër i prindërve apo i paraardhësve.
Duhet të theksojmë se zbatimi praktik i kësaj metodologjie në jetën e përditshme mbështetet shumë në ixhtihad (studimi i situatës dhe përpjekja për të vendosur metodën më të mirë). Kjo përfshin zgjedhjen e metodave më të mira në një situatë të caktuar. Kushdo që e kupton natyrën njerëzore do të jetë i aftë të dallojë ngjashmëritë mes situatave të jetës reale dhe situatave të përshkruara tek tekstet, kështu ai do të jetë i aftë të zgjedhë metodën më të përshtatshme nga metodat e Profetit.
Disa pika që duhet theksuar gjatë trajtimit të gabimeve
Para se të nisim diskutimin tonë duhet të theksojmë disa çështje dhe fakte që duhet t’i mbajmë në mendje kur merremi me korrigjimin e gabimeve të të tjerëve.
Sinqeriteti ndaj Allahut:
Qëllimi i një njeriu, kur ai ndërrmerr korrigjimin e gabimeve të të tjerëve, duhet të jetë fitimi i kënaqësisë së Allahut dhe jo shfaqja e epërsisë personale, zbrazja e inatit ndaj dikujt, apo përpjekja për të lënë përshtypje të mirë tek të tjerët.
Tirmidhiu transmeton nga Shufej el-Asbahi se kishte hyrë në Medinë dhe kishte parë një njeri rreth të cilit ishin mbledhur disa njerëz. Ai pyeti: “Kush është ai?”. Ata u përgjigjën: “Ebu Hurejra”. Shufej tha: “Kështu që u afrova tek ai dhe u ula përballë tij. Ai po u fliste njerëzve dhe kur ai mbaroi dhe ata ishin larguar, unë i thashë: ‘Të kërkoj për Allahun, që të më tregosh një hadith që ke dëgjuar nga i dërguari i Allahut dhe e ke kuptuar plotësisht’. Atëherë Ebu Hurejrës iu morr fryma dhe mbeti në këtë gjendje derisa e mori veten, pastaj tha: ‘Do të të tregoj një hadith që i dërguari i Zotit ma tregoi në këtë shtëpi, kur nuk kishte njeri tjetër përveç atij dhe meje’. Pastaj Ebu Hurejra u mek përsëri, pastaj e mori veten, fshiu fytyrën dhe tha: ‘Do të të tregoj një hadith që i dërguari i Allahut ma tregoi në shtëpinë e tij kur nuk kishte asnjeri tjëtër përveç atij dhe meje”. Pastaj mbeti përsëri pa frymë, e mori veten, e fshiu fytyrën e tij dhe tha: ‘Do të të tregoj një hadith që i dërguari i Allahut ma tregoi në shtëpinë e tij, kur nuk kishte njeri tjetër të pranishëm përveç atij dhe meje’. Atëherë Ebu Hurejrës iu morr shumë fryma saqë iu var koka përpara dhe u mbështet në supin tim për një kohë të gjatë, pastaj e mori veten dhe tha: ‘I dërguari i Allahut më tha: Kur të vijë Dita e Gjykimit, Allahu do të zbresë për të gjykuar mes njerëzve. Dhe çdo komb do të gjunjëzohet me përulje. Njerëzit e parë që do të thirren do të jenë: një njeri që e ka mësuar Kuranin përmendësh, një njeri i cili është vrarë për hir të Zotit dhe një njeri që ka pasur shumë pasuri në tokë. Allahu do t’i thotë lexuesit: ‘A nuk ta mësova atë që ia shpalla të dërguarit Tim?’ Ai do të thotë: ‘Sigurisht, Zoti im’. Allahu do të thotë: ‘Çfarë bëre me atë që të mësova?’ Ai do të thotë: ‘Qëndrova zgjuar ditë e natë duke e recituar atë’. Allahu do të thotë: ‘Ti gënjen’ dhe engjëjt do të thonë: ‘Ti gënjen’. Allahu do të thotë: ‘Ti doje vetëm që njerëzit të thonin se filani e di Kuranin përmendësh dhe kështu ndodhi’. Pastaj do të sillet njeriu që kishte pasur shumë pasuri dhe Allahu do t’i thotë: ‘A nuk isha shumë bujar me ty në pasuri, në mënyrë që t’i të mos ia kishe nevojën askujt?’ Ai do të thotë: ‘Sigurisht, o Zot’. Allahu do të thotë: ‘Çfarë bëre me atë që të dhashë?’ Ai do të thotë: ‘E përdora për t’ua dhënë të afërmve të mi dhe për bamirësi’. Allahu do të thotë: ‘Ti gënjen’ dhe engjëjt do të thonë ‘Ti gënjen’. Allahu do të thotë: ‘Ti doje vetëm që të thonin se filani është bujar dhe kështu u tha’. Pastaj para Allahut do të sillet ai që u vra për hir të Allahut dhe Ai do t’i thotë: ‘Përse të vranë’. Ai do të përgjigjet: ‘Unë u urdhërova të luftoj në rrugën Tënde, kështu që luftova derisa më vranë. Allahu do të thotë: “Ti gënjen. Ti doje vetëm që të thonin se filani ishte trim dhe kështu thanë’. Pastaj i dërguari i Allahut më preku në gjunjë dhe tha: “O Ebu Hurejre, këta janë tre njerëzit e parë për të cilët do të nxehet zjarri Ditën e Ringjalljes”[13]
Nëse qëllimi i njeriut që jep këshilla është i sinqertë, ai do të marrë shpërblim dhe këshilla e tij do të pranohet dhe zbatohet me lejen e Allahut.
Bërja e gabimeve është pjesë e natyrës njerëzore
Profeti (a.s) ka thënë: “Çdo bir i Ademit bën gabime dhe më të mirët e atyre që bëjnë gabime janë ata që pendohen”.
Duke e patur këtë fakt të qartë në mendje, gjërat vendosen në perspektivën e tyre të duhur, kështu që edukuesi nuk duhet të presë që njerëzit të jenë të përsosur ose të pagabueshëm, apo t’i gjykojë sipas asaj që ai mendon se duhet të jenë dhe pastaj t’i konsiderojë ata si të dështuar, nëse bëjnë një gabim të madh ose mëkat qoftë dhe vazhdimisht. Ai duhet t’i trajtojë ata në një mënyrë realiste, duke u bazuar në dijen e tij për natyrën njerëzore, e cila është pre e injorancës, neglizhencës, të metave, tekave, dëshirave të mëdha dhe harresës.
Kuptimi i këtij fakti e parandalon mësuesin që të mos tronditet shumë nga lloji i gabimeve të papritura që mund ta bëjnë atë të reagojë në një mënyrë të papërshtatshme. Kjo do t’i kujtojë thirrësit dhe mësuesit, që po përpiqet të urdhërojë për të mirë dhe të ndalojë nga e keqja, se edhe ai vetë është një qënie njerëzore, që mund ta bëjë gjithashtu të njëjtin gabim, prandaj ai duhet ta trajtojë atë duke mbajtur një pozicion mëshire më tepër se ashpërsie, sepse qëllimi kryesor është për të përmirësuar dhe jo për të dënuar.
Por në të njëjtën kohë, kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet t’i qortojmë njerëzit që bëjnë gabime apo të gjejmë justifikime për ata që kryejnë krime, duke u bazuar në faktin se janë qënie njerëzore apo se janë vetëm të rinj, ose se epoka moderne është plot gjëra joshëse, e të tjera si këto. Ne duhet t’i dënojmë veprimet dhe t’u bëjmë thirrje njerëzve t’i llogarisin punët e tyre, por në të njëjtën kohë ne duhet t’i vlerësojmë veprimet e tyre sipas Islamit.
Kur thua se dikush është në rrugë të gabuar, kjo duhet të bazohet në faktet e ligjit islam dhe në kuptimin e duhur, jo në padije dhe në faktin se thjesht dikujt nuk i pëlqen ai veprim. Muhamed ibn el-Munkedir ka transmetuar se Xhabiri falej i veshur vetëm me izar (veshje për pjesën e poshtme të trupit, e mbështjellë rreth belit) të lidhur pas shpine. Arsyeja për këtë ishte se ata nuk kishin pantallona dhe e vishnin izarin të lidhur pas shpine sepse i mbulonte më shumë kur bënin rukunë (përkuljen gjatë faljes) dhe sexhden (vënien e ballit në tokë) dhe rrobat e tjera të tij ishin në një mbajtëse për rroba. Dikush i tha atij: “A po falesh vetëm me një rrobë?”. Ai iu përgjigj: “Unë veprova kështu vetëm që budallenjtë si ti të më shihnin. Cili nga ne kishte dy rroba në kohën e të dërguarit të Allahut?”. Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Me fjalën ‘budallenj’ këtu nënkuptohet “i paditur”…. Qëllimi ishte shpjegimi se është e lejuar të falesh vetëm me një rrobë, edhe pse është e pëlqyeshme të vishen dy. Është njëlloj sikur ai të thoshte: “E bëra me qëllim për t’ju treguar se është e lejuar; ai që nuk e di mund ta bëjë këtë veprim ose mund të më qortojë në mënyrë që unë t’i them se është e lejuar”. Përgjigja e tij ishte kaq e ashpër, sepse ai donte t’u mësonte atyre që të mos i qortonin dijetarët dhe për t’i nxitur ata që t’i shqyrtojnë vetë çështjet e sheriatit”.
Sa më i madh të jetë gabimi, aq më shumë përpjekje duhet të bëhen për ta korrigjuar atë
Përpjekjet për të korrigjuar gabimet që kanë lidhje me akiden (besimin), duhet të jenë më të mëdha se përpjekjet për të korrigjuar gabimet që kanë të bëjnë, për shembull, me rregullat e mirësjelljes. Profeti ishte shumë i interesuar për trajtimin dhe korrigjimin e gabimeve që kishin lidhje me shirkun (politeizmin) dhe të gjitha format e tij, sepse kjo ishte çështja më kryesore. Për shembull:
El-Mugirah ibn Shu’be ka thënë: “Ditën që vdiq Ibrahimi (djali i vogël – foshnjë) i Profetit (a.s), pati një eklips të diellit dhe njerëzit thanë: ‘Ky eklips ka ndodhur për shkak të vdekjes së Ibrahimit’. I dërguari i Allahut tha: ‘Dielli dhe hëna janë dy shenja të Allahut dhe eklipsi i tyre nuk ndodh për vdekjen apo lindjen e një njeriu. Nëse e sheh eklipsin, atëherë lutjuni Allahut dhe faljuni Atij derisa të përfundojë eklipsi…”[14]
Ebu Uakid el-Lejthi ka treguar se kur i dërguari i Allahut doli për të shkuar në Hunejn(vendi i një beteje), ai kaloi pranë një peme që u përkiste politeistëve, që quhej Dhatu Enuat, ku ata varnin armët e tyre. Ata thanë: “O i dërguari i Allahut, na bëj edhe ne një Dhatu Enuat ashtu siç e kanë ata’. Profeti tha: “Subhanallah!(I Pastër është Zoti!) Kjo është e ngjashme me atë që thanë njerëzit e Musait: ‘Bëj për ne një zot siç kanë ata zotëra’. Për Atë në duart e të Cilit është shpirti im, ju do të ndiqni rrugët e njerëzve të cilët ishin para jush…”[15] Sipas një tregimi tjetër nga Ebu Uakid, ata dolën nga Meka me të dërguarin e Allahut për në Hunejn. Ai tha: “Mosbesimtarët kishin një pemë pas të cilës ishin tërhequr dhe aty vendosnin armët e tyre, ajo quhej Dhatu Enuat. Ne kaluam pranë një peme të ngjashme dhe thamë: ‘O i dërguari i Allahut, bëje këtë një Dhat Enuat për ne’. I dërguari i Allahut tha: ‘Për Atë në duart e të Cilit është shpirti im, ju keni thënë atë që njerëzit e Musait i thanë atij: ‘Na bëj ne një zot ashtu si ata kanë zotëra’ dhe ai tha ‘Me të vërtetë ju jeni njerëz që nuk dini’. Është e njëjta gjë dhe ju do të ndiqni rrugët e njerëzve që ishin para jush, hap pas hapi”.[16]
Zejd ibn Halid el-Xhuhenij ka thënë: “I dërguari i Allahut na çoi për faljen e mëngjesit në el-Hudejbije, pasi kishte rënë shi gjatë gjithë natës. Pasi mbaroi u kthye nga njerëzit dhe tha: ‘A e dini se çfarë thotë Zoti juaj?’ Ata thanë: Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri”. Ai i Plotfuqishmi ka thënë: ‘Këtë mëngjes një nga robërit e Mi u bë besimtar duke më besuar Mua dhe njëri jobesimtar. Sa për atë që tha ‘na është dhënë shiu nga mëshira dhe madhështia e Allahut’, ai më beson Mua dhe nuk i beson yjet. Sa për atë që tha ‘shiu na ka ardhur nga ky yll e ky yll’ ai nuk më beson mua por beson yjet”[17]
Ibn Abasi tregon se një burrë ka thënë: “O i dërguari i Allahut, çfarë të dojë Allahu dhe ti”. Ai i tha: “A po më barazon me Allahun? Në vend të kësaj thuaj: Çfarë të dëshirojë vetëm Allahu”[18]
Ibn Omeri ka transmetuar se ai kishte kapur Omer ibn Hattabin, i cili ishte me një grup njerëzish dhe po betohej në emrin e babait të tij. I dërguari i Allahut i thirri dhe u tha: “Allahu ua ka ndaluar atyre të betohen në emrin e paraardhësve të tyre; ai që donte të betohej, duhet të betohet në emrin e Allahut ose të heshtë”[19] Imam Ahmedi ka transmetuar në “Musnedin” e tij: “Uekij na tregoi se el-A’mesh u ka treguar nga Sad ibn Ubejde, i cili ka thënë: ‘Isha me Ibn Omerin në një rreth njerëzish dhe ai dëgjoi një njeri nga rrethi tjetër të thotë: ‘Jo, Për kokën e babait tim’. Për këtë arsye ibn Omeri i hodhi guralecë dhe tha: ‘Kështu betohej Omeri dhe profeti ia ndaloi dhe i tha se ishte shirk”.
Ebu Shurejh Hani ibn Jezid ka thënë: “Një delegacion njerëzish shkoi tek Profeti dhe ai dëgjoi ta thërrisnin njërin prej tyre Abdul-Haxher (rob i gurit). Ai e pyeti atë: ‘Si të quajnë?’ Ai u përgjigj: ‘Abdul-Haxher’. I dërguari i Allahut tha: ‘Jo, ti je Abdullah (rob i Allahut)”[20]
Marrja parasysh e pozitës së personit që po përpiqet të korrigjojë gabimin
Këshilla e disa njerëzve pranohet më lehtë se e disa të tjerëve.Kjo ndodh sepse ata kanë një pozitë-status, që të tjerët nuk e kanë ose ndryshe nga të tjerët, kanë autoritet mbi personin që e ka kryer gabimin. Për shembull, një baba me fëmijën e tij, ose një mësues me nxënësin e tij, ose një zyrtar i qeverisë me atë që ai po kontrollon. Ai që është më i madh në moshë, nuk është njëlloj si ai që është më i ri, një i afërm nuk është si një i huaj, një person me autoritet, nuk është si ai pa autoritet. Kuptimi i këtyre ndryshimeve do ta bëjë reformuesin t’i vendosë gjërat në perspektivë dhe t’i vlerësojë ato siç duhet, në mënyrë që qortimi ose korrigjimi i tij, të mos çojë në një të keqe më të madhe. Pozita e atij që po qorton dhe vlerësimi që gëzon në zemrën e gabuesit, janë shumë të rëndësishme për ta gjykuar sesa i fortë duhet të jetë qortimi dhe për të vendosur sa i ashpër apo i butë duhet të jetë toni. Nga kjo ne mësojmë dy gjëra:
Së pari: Personi, të cilit Allahu i ka dhënë status dhe autoritet duhet ta përdorë atë për të urdhëruar për të mirë dhe për të ndaluar nga e keqja dhe për t’i mësuar njerëzit. Ai duhet ta kuptojë se ka një përgjegjësi të madhe, sepse zakonisht njerëzit pranojnë më shumë nga ai sesa nga të tjerët, kështu që ai mund të bëjë më shumë se ç’mund të bëjnë të tjerët.
Së dyti: Personi që mundohet të urdhërojë për mirë dhe të ndalojë nga e keqja nuk duhet ta gjykojë situatën gabim dhe të vendosë veten e tij në një pozicion më të lartë sesa është, apo të sillet sikur ai ka cilësitë që tjetri nuk i ka, sepse kjo i largon njerëzit.
Profeti (a.s) e shfrytëzoi sa mundi pozitën e respektit që Allahu ia kishte dhënë, kur ai i qortonte dhe i mësonte njerëzit. Ai ka bërë gjëra që nuk do të kishin qenë të përshtatshme nëse do të ishin bërë nga dikush tjetër, për shembull:
Jeish ibn Tihfe el-Gifari ka transmetuar se babai i tij ka thënë: “Isha i ftuar tek i dërguari i Allahut, si një nga të varfërit të cilët i mikpriste. I dërguari i Allahut doli të shohë të ftuarit e tij gjatë natës dhe më pa që isha shtrirë me bark. Ai më gjuajti dhe më tha: ‘Mos u shtri kështu, këtë shtrirje e urren Allahu’”. Sipas një transmetimi tjetër: “Ai e qëlloi dhe e zgjoi dhe i tha: “Kështu shtrihen njerëzit e zjarrit”[21]
Kjo metodë e qortimit ishte e përshtatshme për Profetin, për shkak të pozitës dhe statusit të tij, por nuk është e përshtatshme për njerëzit e thjeshtë. Nuk është e drejtë që nëse një njeri që dëshiron të qortojë tjetrin sepse ai fle me bark, ta godasë ndërsa ai po fle dhe ta zgjojë dhe pastaj të presë që ai ta pranojë këshillën dhe ta falenderojë për këtë. E njëjta gjë ndodh dhe me goditjen e një personi që po kryen një gabim, apo hedhjen e gjërave si guralecë apo ndonjë gjë tjetër edhe pse disa nga selefët (brezat e parë të të devotshmëve) vepruan kështu për shkak të statusit të tyre të veçantë. Disa ngjarje të kësaj natyre janë si më poshtë:
Ed-Darimi, Allahu e mëshiroftë, ka transmetuar nga Sulejman ibn Jasir se një burrë i quajtur Sebig shkoi në Medinë dhe nisi të pyesë për tekstet e Kuranit që dukeshin me dy kuptime (të paqarta). ‘Omeri kërkoi që ta thërrasin dhe ai kishte përgatitur disa degë hurme për të (që ta qëllojë me to). ‘Omeri e pyeti: ‘Kush je ti?’ Ai u përgjigj: ‘Unë jam robi i Allahut, Sebig’. ‘Omeri mori një degë peme dhe e goditi duke thënë: ‘Unë jam robi i Allahut’. Omeri vazhdoi ta qëllonte derisa nisi t’i dalë gjak nga koka dhe ai tha: ‘O Ameer el-Mumineen, mjaft! Ajo që kisha në mendje nuk është më”.
Buhariu ka transmetuar se Ebu Lejla ka thënë: ‘Hudhejfe ishte në el-Medain dhe kërkoi një pije dhe një fisnik i lartë i dha një enë të argjendtë. Ai ia hodhi atë atij dhe i tha: ‘Nuk do ta kisha hedhur, por i thashë të mos e bëjë dhe ai nuk ndaloi. Profeti na e ka ndaluar të veshim rrobat e mëndafshit dhe të qëndisura me ar dhe të pimë nga enët prej floriri dhe argjendi. Ai (Profeti) ka thënë: “Këto janë për ata (mosbesimtarët) në këtë botë dhe për ju në botën tjetër”. Sipas një transmetimi të treguar nga Ahmedi për të njëjtën ngjarje, Abdur-Rahman ibn Ebu Lejla ka thënë: “Dola me Hudhejfen në njërën nga këto zona dhe ai kërkoi diçka për të pirë. Një fisnik i solli një enë prej argjendi dhe ai (Hudhejfe) ia hodhi në fytytrë. Ne thamë: ‘Heshtni, heshtni, nëse e pyesim përse e bëri, mund të mos na e tregojë’. Kështu që ne heshtëm dhe pak më vonë ai tha: ‘E dini përse ia hodha në fytyrë?’ Ne u përgjigjëm: ‘Jo’. Ai tha: ‘I kisha thënë të mos e bënte. I dërguari i Allahut ka thënë: “Mos pini nga enët prej floriri”, dhe Muadhi tha: ‘Mos pini nga enët prej floriri ose argjendi dhe mos vishni rroba mëndafshi apo të qëndisura me ar (kjo është vetëm për burrat), sepse këto janë për jobesimtarët në këtë botë dhe për ju në botën tjetër”.
Buhariu ka transmetuar se Sijrijn i kërkoi Enes ibn Malikut t’i shkruajë një kontratë çlirimi nga skllavëria, sepse ai kishte shumë para, por ai refuzoi. Sijrijn shkoi tek Omeri, i cili i tha Enesit ta shkruajë dokumentin, por përsëri Enesi nuk pranoi, prandaj Omeri e goditi me një kamzhik ndërsa i recitoi fjalët: “E ata që i keni në pronësinë tuaj dhe kërkojnë prej jush t’i lironi në bazë të kompensimit, atëherë ua bëni këtë të mundshme me marrëveshje, nëse e dini se janë të besueshëm…”[22] – kështu që ai e shkruajti dokumentin për të.
En-Nesai ka transmetuar nga Ebu Said el-Khudri se ai po falej kur një djalë i Mervanit doli para tij, kështu që ai e ndaloi dhe kur ai nuk u zmbraps, ai e qëlloi. Djali doli jashtë duke qarë dhe shkoi tek Mervani dhe i tregoi çfarë kishte ndodhur. Mervani pyeti Ebu Saidin: “Pse e qëllove djalin e vëllait tënd?(E ka fjalën për djalin e tij)” Ai u përgjigj: “Nuk qëllova atë, qëllova shejtanin (djallin). Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut të thotë: “Nëse ndonjëri prej jush po falet dhe dikush do të kalojë para tij, ta ndalojë sa të mundet dhe nëse ai kundërshton atëherë qëlloje, sepse ai është një djall”.
Ahmedi ka transmetuar nga Ebu an-Nadr se Ebu Said el-Khudri po vuante nga një plagë në këmbë dhe i ati shkoi dhe e pa të shtrirë me njërën këmbë sipër tjetrës, prandaj e goditi mbi këmbën e vrarë, duke i shkaktuar më shumë dhimbje. Ai tha: “Më vrave këmbën! Nuk dije që e kam të vrarë?’ Ai u përgjigj: ‘Sigurisht që e di’. Ai i tha: ‘Përse veprove ashtu?’ Ai u përgjigj: ‘Nuk e ke dëgjuar se Profeti na e ka ndaluar të rrimë kështu (dmth me këmbët njëra mbi tjetrën kur jemi shtrirë)?”
Maliku ka transmetuar nga Ebu az-Zubejr el-Mekki se një burrë i propozoi për martesë motrës së një burri tjetër dhe ai (vëllai) i tha atij se ajo kishte bërë zina (imoralitet). Këtë e mori vesh Omer ibn Khattabi, prandaj ai e qëlloi ose gati e qëlloi dhe i tha: “Përse i tregove?”
Muslimi ka transmetuar në “Sahih” nga Ebu Isak i cili ka thënë: “Isha me el-Esued ibn Jazid në Xhaminë e Madhe dhe me ne ishte dhe Esh-Shabi. Esh-Shabi na tregoi çfarë kishte thënë Fatime bint Kajs për të dërguarin e Allahut në lidhje me mos sigurimin e strehimit apo të ardhurave për të. El-Esued mori disa gurë të vegjël dhe ia hodhi duke i thënë: “Mjerë për ty! Si flet për një gjë të tillë?” Omeri tha se ne nuk duhet të largohemi nga Libri i Allahut dhe Suneti i Profetit tonë për fjalët e një gruaje e cila mund të mos i ketë mbajtur mend mirë gjërat. Gratë kanë të drejtën e strehimit dhe të të ardhurave. Allahu thotë: “…dhe mos i nxirrni ato prej shtëpive të tyre, e edhe ato të mos dalin vetëm nëse bëjnë ndonjë vepër të keqe të vërtetuar”[23]
Ebu Davudi ka transmetuar me një isnad (atribuimi tek një zinxhir transmetimi) në të cilin trasmetimi i dy personave është i pranueshëm, se dy burra hynë nga dyert e Kindes, kur Ebu Mesud el-Ensari ishte ulur në një rreth njerëzish. Dy burrat thanë: “Ka ndonjë njeri që do të gjykojë mes nesh?” Një burrë nga rrethi tha: “Unë do të gjykoj”. Ebu Mesudi mori disa gurë të vegjël dhe ia hodhi atij duke i thënë: ‘Mbylle gojën! Është e papëlqyeshme të nxitosh në gjykim”.
Ne duhet të theksojmë gjithashtu se qortimi i Profetit ndaj disa prej shokëve të tij të ngushtë ishte në disa raste më i ashpër se qortimi ndaj ndonjë beduini, ose ndonjë të panjohuri. Të gjitha këto kanë lidhje me urtësinë dhe vlerësimin e saktë kur qorton dikë.
vijon…



