Ahmed Bessam Sai
Në një prej xhamive të Oksfordit një ditë xhumaje u krijua një potere. Xhemati, që nuk pajtuan me Imamin i cili kishte mbajtur hutben vetëm në anglisht pa mos thënë as edhe një fjalë të vetme në arabisht, protestuan duke thënë se veprimi i këtillë i Imamit është i gabuar dhe se namazi i xhumasë nuk pranohet përderisa hutbeja të mos jetë në arabisht.
Jo rrallë na ndodhë neve këtu, në Britani, që para ngjarjeve si kjo dhe tjera të ngjashme të ngelim të shtangur e të mahnitur, natyrisht me admirim dhe respekt për vëllezërit tanë joarabë, të cilët, ndryshe nga ne, arabfolësit, ruajnë me xhelozi dashurinë, shenjtërinë dhe respektin për gjuhën arabe. Sigurisht, kjo do të duhej të na bënte të skuqeshim nga turpi, të ktheheshim në rrugën e drejtë, të dilnim nga ky mjerim kulturor i cili ka ngulfatur dashurinë dhe respektin tonë për gjuhën arabe si dhe të na ndihmonte ta zbulojmë arabishten, të zbulojmë vlerat e saja, pozitën dhe shenjtërinë e saj.
Me të vërtetë, ky respekt i tyre për arabishten meriton çdo konsideratë dhe mirënjohje, dhe, siç e thashë, për ne çdo qortim e vërejtje, megjithatë, të shikojmë edhe anën tjetër të medaljes. Në kohën kur ne shohim këtë insistim të këtyre vëllezërve tanë që hutbeja të jetë vetëm në arabisht, qoftë edhe nëse nuk e kuptojnë fare, para nesh shfaqet një çështje tjetër shumë zhgënjyese, një problematikë, e cila portretizon qartë kuptimin e mangët dhe të shtrembëruar të rolit themelor dhe esencial për të cilin është ligjësuar hutbeja e xhumasë. Kjo shfaq po kështu edhe ndarjen e rrezikshme ndërmjet fesë dhe jetës që sot po ndodhë tek myslimanët: mbaje hutben në gjuhën e Kur’anit ose Pejgamberit tënd, e pastaj thuaj çfarë të duash; fale namazin pesë herë në ditë, e pastaj nuk prish punë nëse vjedh, tradhton, gënjen apo bën kurvëri; mos e ha mishin e derrit por atë hallall, e kur ta kesh bërë këtë, nuk ka dert nëse bën mëkate…
Kështu, Islami shfaqet me imazh të shtrembëruar dhe jo origjinal para perëndimorëve, sepse myslimanët e kanë keqkuptuar atë dhe se, në vend që të merren me bazat dhe themelet, ata janë marrë me çështje dytësore. Sa e keqja e belaja e kanë goditur Islamin shkaku i injorancës së bijve të tij!
Këta vëllezërit tonë po duan që hutbeja të jetë në arabisht, jo në gjuhën e tyre apo ndonjë gjuhë të cilën e kuptojnë. Rëndom, kjo hutbe përmban disa ajete dhe hadithe dhe rrallë herë thënie të dijetarëve, të cilat Imami i reciton çdo xhuma, e pastaj mbaron, duke bërë që njerëzit të dalin siç hynë: asgjë të re, nuk kuptuan gjë, nuk morën asnjë këshillë, asnjë dobi, asnjë përkujtim, nuk mësuan asnjë normë, nuk u trajtua asnjë problem aktual…Kështu vritet xhumaja, kështu privohet nga jeta, kështu zhvishet nga shpirti dhe ngel vetëm si një konstrukt linguistik.
Këtë predikim të rëndësishëm javor po e zhveshim nga përmbajtja e tij dhe po e shndërrojmë thjesht në një ritual mekanik dhe verbal, mu ashtu siç shumë nga myslimanët –për fat të keq- i zhveshin adhurimet e tyre nga përmbajtja praktike kur bëjnë ndarjen ndërmjet tyre dhe jetës. Ata falen dhe vjedhin, agjërojnë dhe gënjejnë, kryejnë haxhillëkun dhe mashtrojnë, përgojojnë, shkelin nderin dhe kryejnë mëkatet dhe gjynahet që e kanë bërë shprehi t’i kryejnë, për të na bindur fuqishëm për këtë defekt që ekziston në jetën e tyre, ndarjen e fesë nga jeta. Të rastis, mbase jo rrallë, të kesh punë me të këtillë që, megjithëse janë analfabetë, të japin ligjëratë se si duhet kushtuar kujdes të veçantë rregullave të mishit hallall pavarësisht se ti mund të kesh mendim tjetër, bile më të qëlluar për kushtet e mishit hallall. Të këtillët të shfaqen kështu të përkushtuar për rregullat e mishit hallall (lexo: një aspekt të fesë. S.I.) ndërsa në anën tjetër nuk e kanë fare dert pse gënjejnë, mashtrojnë, vjedhin, dëmtojnë të tjerët, i shmangen ligjit, e ndoshta edhe janë konsumues të rregullt të lëndëve narkotike. E për çudi, pas tërë kësaj, ata ngulin këmbë se janë myslimanët e vërtetë (sepse nuk hanë mish derri) për të mos thënë se neve tjerëve, që nuk përvetësojmë rregullat e tyre për mishin hallall, të qëlluara apo gabuara qofshin, gati sa nuk na përjashtojnë nga feja.
Kjo është mendësia e një shtrese të gjerë të myslimanëve: falu e pastaj bë çfarë të duash; thuaj çfarë të duash në hutben tënde, me rëndësi të jetë në arabisht; trajtoji si të duash njerëzit dhe mbi çfarëdo baze të kesh dëshirë, me rëndësi të hash mish hallall dhe atë sipas botëkuptimit lokal dhe shumë të ngushtë e të kufizuar të mishit hallall.
Kjo nëse flet për diç, flet për mungesën e njohurive të shumicë së besimtarëve për rolin themelor të hutbes së xhumasë në jetën shoqërore dhe në zhvillimin dhe avancimin e saj. Për ta xhumaja është thjesht një ritual i obliguar që duhet kryer patjetër. Është si të thuash që një barrë që duhet hequr qafe. Për këtë, i sheh tek e falin xhumanë në kohën e vet, heshtin kur Imami mban hutben, rreshtohen pas tij në namaz, falen dhe në fund: esselamualejkum ve rahmetullah –esselamualejkum ve rahmetullah![1]
Duke qenë para një gjendje të këtillë, na duhet ta parashtrojmë pyetjet në vijim:
- A thua vallë, heshtja në kohën kur Imami mban hutben është bërë vetëm për ta nderuar dhe respektuar Imamin apo edhe më shumë?
- A është hutbeja e xhumasë thjesht një ritual fetar dhe një ushtrim fizik përmbajtja e të cilave nuk ka asnjë rëndësi dhe as që ka kjo përmbajtje ndonjë kuptim?
Namazi është adhurim ndërsa hutbeja është strategji veprimi. Hutbeja është pjesë përbërëse e strukturës së namazit që nuk pranon ndarje prej tij. Në disa hadithe qëndron se humbja e hutbes është sikur të humbet xhumaja. Imam Ahmedi ka regjistruar në Musnedin e tij hadithin e Ebu Hurejres r.a. në të cilin qëndron se Pejgamberi ﷺ ka thënë: «Ditën e xhuma engjëjt qëndrojnë tek dyert e xhamive dhe shënojnë ardhjen e njerëzve sipas pozitës (kohës) së tyre: filani ka ardhur nga kjo kohë, filani nga kjo kohë, filani ka ardhur në kohën kur Imami mbante hutben, e filani e zuri namazin por jo edhe xhumanë (sepse kështu konsiderohet) nëse nuk e zë hutben.»
E Imamit, nisur nga kjo, për të përçuar mesazhin suksesshëm tek besimtarët, i duhet që përmbajtjen e hutbes, si në nivel akademik, si në tematikë, t’ia përshtat të pranishmëve. Një ligjëratë që e mban para një grupi punëtorësh nuk duhet të jetë ajo që e mban para një grupi intelektualësh. Një ligjëratë që ua mban nxënësve në shkolla fillore nuk duhet të jetë ajo që ua mban studentëve. Një ligjëratë që ua mban myslimanëve që sapo kanë pranuar Islamin nuk duhet të jetë ajo që ua mban atyre që kanë lindur e janë plakur në Islam.
Nuk ka qenë praktikë e Pejgamberit Muhammed ﷺ që në hutbe të lexojë ajete vend e pa vend, siç veprojnë një pjesë e madhe e imamëve sot. Këta të fundit i përsërisin ajetet dhe hadithet sikur të ishin papagaj ndërsa fare nuk marrin mundimin t’i lidhin ato me aktualitetin tonë në kohë dhe vend. Konsideroj se ne jemi duke i bërë padrejtësi ajeteve kur’anore kur thjesht i lexojmë në hutbe pa shikuar se lidhen tematikisht me ngjarjet apo jo. Kjo metodë e gabuar ka efektet e veta negative. Dashuria e njerëzve për këto ajete do të kthehet në irritim ndaj tyre apo edhe ndaj Kuranit në tërësi.
Pyetjet që më mundojnë:
- Kur do t’i japim përparësi përmbajtje së hutbes ndaj gjuhës së saj?
- Kur do të ndalemi së trajtuari mishin hallall si kriter të vlerësimit të mësimeve themelore të Islamit dhe moralit të përjetshëm të tij?
- Kur do të arrijmë që jeta jonë të jetë mishërim, praktikë dhe vërtetim i adhurimit dhe ritualeve tona fetare?
Nëse Allahu në krye të çdo njëqind vjeçari (shekulli) dërgon një reformator që tua përtërijë myslimanëve fenë, siç na ka mësuar Pejgamberi Muhammed ﷺ, atëherë roli i hatibit (ligjëruesit) të xhumasë është që në krye të çdo jave besimtarëve tua përtërijë normat e fesë për të gjitha problemet dhe ngjarjet me të cilat ballafaqohen përgjatë një jave, në mënyrë që ecin në hap me kohën, ta ruajnë lidhjen me të dhe të kontribuojnë në zhvillimin dhe avancimin e saj.
Nëse çdo institucion parasheh në mënyrë obliguese program trajnues dhe avancues për punëtorët e vet, atëherë hutbeja e xhumasë për jetën e besimtaret është program i obliguar trajnimi, këshillimi dhe avancimi. Ajo është lidhja javore zyrtare, shkencore, praktike, intelektuale, trajnuese dhe edukative ndërmjet fesë dhe jetës.
[1] Pra, mbaron obligimi dhe ata tanimë janë të lirë të bëjnë çfarë të duan. Autori me këtë aludon në zakonin e keq të tyre të ndarjes së fesë nga jeta. S.I.