Tregimi ka ndikim të madh në shpirtin njerëzor; lexuesi apo dëgjuesi i tij përfshihet tërësisht në ngjarjet që ai përmban dhe ndikohet prej tyre në mënyrë pozitive ose negative, sipas qëllimit që autori synon dhe mesazhit që dëshiron t’i përcjellë. Për këtë arsye tregimet dhe romanet janë shumuar dhe tregu i autorëve të tyre është zhvilluar shumë. Ka tregime për fëmijë, për të rinj, për adoleshentë dhe për të rritur; disa janë romantike, disa hetuese, disa trilluese ose të frikshme, madje disa përmbajnë magji, bestytni e përralla, që e bëjnë lexuesin apo shikuesin të notojë në imagjinatë dhe ta shkëpusin nga realiteti i tij për aq kohë sa jeton me to.

Me përhapjen e mediave, shumë romane perëndimore u bënë të njohura dhe qasja në to u bë e lehtë sapo botohen. Kush ka ndjekur jehonën mediatike që shoqëroi botimin e pjesëve të fundit të romanit Harry Potter, shitjet e të cilit arritën qindra miliona kopje dhe u përkthyen në rreth shtatëdhjetë gjuhë, e kupton ndikimin që kanë tregimet dhe romanet në shpirtrat e njerëzve, edhe nëse janë të trilluar, dhe se popullariteti i tyre vjen pikërisht nga natyra e tyre imagjinare.

Nuk është për t’u habitur që të tilla tregime e romane, shumica në kundërshtim me fenë, moralin dhe traditat tona, depërtojnë në shtëpitë tona dhe prishin fenë, moralin e grave e fëmijëve tanë. Me zhvillimin e teknikës mediatike, tregimet dhe romanet e shkruara u shndërruan në filma, seriale, vizatime e forma të tjera, ndaj nuk ka nevojë të pyesësh për popullaritetin e tyre.

Kjo na bën të kuptojmë rëndësinë dhe ndikimin e madh të tregimit, si dhe domosdoshmërinë për t’u përqendruar te tregimet e Kuranit dhe Sunetit dhe për t’i paraqitur ato njerëzve. Hutbja është një nga mjetet më të rëndësishme për t’i shpalosur këto tregime, në mënyrë që njerëzit të përfitojnë dhe të udhëzohen përmes tyre.

Qëllimi i tregimeve në Kuran:
Lexuesi i Kuranit vëren se në të ka shumë tregime, me tema e personazhe të ndryshme, me gjatësi të ndryshme dhe me përsëritje në forma të ndryshme. Këto tregime kanë disa qëllime, ndër të cilat:

Së pari: përkujtimi dhe marrja e mësimit, siç është rasti me tregimet e zullumqarëve dhe fundin e tyre, të mendjemëdhenjve dhe përfundimin e tyre të hidhur, në mënyrë që të mos ndiqet rruga e tyre. Në këtë kuadër janë tregimet e popullit të Nuhut, Adit, Themudit, popullit të Lutit, të Shuajbit, të Faraonit, të Nemrudit, të Bal’amit dhe të pronarit të dy kopshteve.

Në disa prej këtyre tregimeve, Allahu ka theksuar qartë se qëllimi është që njerëzit të mendojnë dhe të marrin mësim, siç është në tregimin e Bal’amit, të cilit Allahu ia dha dijen e ajeteve të Tij, por ai u shkëput prej tyre dhe ndoqi epshin e vet. Allahu e përmbyll këtë tregim me fjalët: “Rrëfe këto tregime, që ata të mendojnë.” (A’raf, 176)

Pasi Allahu përmend në suren A’raf tregimet e Ademit, Nuhut, Hudit, Salihut, Lutit dhe Shuajbit, Ai thotë:
“Ne të kemi treguar ty disa nga ngjarjet e atyre popujve. Të dërguarit e tyre u erdhën me prova të qarta, por sigurisht që ata nuk do të besonin diçka që edhe më parë e mohonin. Kështu ua vulos Allahu zemrat mohuesve.” (A’raf, 101)

Në tregimin e dëbimit të Benu Nadirit, Allahu thotë: “Merrni mësim, o ju që keni mendje.” (Hashr, 2)

Po ashtu, në përmendjen e betejës së Bedrit në fillim të sures Ali Imran, Allahu thotë:
“ Sigurisht që kishte shenjë për ju në dy ushtritë që u ndeshën: njëra që luftonte në rrugën e Allahut dhe tjetra – e mohuesve, së cilës i dukej se para vetes kishte dy herë më shumë kundërshtarë. Allahu me ndihmën e Vet forcon kë të dëshirojë. Kjo, me të vërtetë, është mësim për largpamësit.” (Ali Imran, 13)

Allahu i Lartësuar e përfundoi tregimin e Jusufit (paqja qoftë mbi të) me fjalët e Tij:
“Vërtet në tregimet e tyre ka mësim për ata që kanë mend. Ai (Kurani) nuk është tregim i trilluar, por vërtetim i asaj që ka ardhur më parë, shpjegim i çdo gjëje dhe udhëzim e mëshirë për popullin që beson.” (Jusuf, 111).

Në këtë kuadër hyn edhe tregimi i Iblisit të mallkuar me babanë tonë Ademin (paqja qoftë mbi të), në mënyrë që të ruhemi nga mashtrimi i tij dhe të marrim mësim nga ajo që ndodhi me babanë tonë kur iu bind Iblisit, që të mos e ndjekim edhe ne; përkundrazi, ta marrim atë si armik, siç thotë Allahu:
“Vërtet, shejtani është armik për ju, prandaj merreni si armik! Ai thërret njerëzit e vet që të bëhen banorë të Zjarrit përvëlues.” (Fatir, 6).

Së dyti: Ngushëllim dhe forcim shpirtëror.
Këto janë tregimet e sprovave, si sprovat e profetëve dhe ndjekësve të tyre nga gënjeshtarët e zullumqarët, sprova e bijve të Israilit nga Faraoni dhe ajo që përjetuan prej poshtërimit e dhunës së tij, si dhe sprova e Jusufit (paqja qoftë mbi të). Allahu i Madhëruar përmend një sërë tregimesh të profetëve në suren Hud dhe më pas thotë:
“Ne po t’i tregojmë ty disa nga historitë e të dërguarve, për të ta forcuar zemrën..” (Hud, 120).

Po ashtu, pas tregimit të Nuhut dhe popullit të tij, Allahu thotë: “ Këto janë (disa) nga lajmet e fshehta që Ne t’i shpallim ty. Këto nuk i ke ditur as ti, as populli yt para kësaj (shpalljes së Kuranit). Andaj, duro! Se, vërtet, në fund, fitorja është e besimtarëve.” (Hud, 49).

Në fillim të tregimit të Jusufit, Allahu thotë: “ Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur përmes shpalljes së këtij Kurani, ndonëse ti, me të vërtetë, nuk ke qenë në dijeni më parë.” (Jusuf, 3).

Dhe në fund të këtij tregimi, Allahu thotë: “Këto janë disa nga historitë e fshehta, të cilat Ne po t’i shpallim ty (o Muhamed). Ti nuk ke qenë me ata, kur vendosnin për punën e tyre dhe kurdisnin dredhira.” (Jusuf, 102).

Së treti: Marrja shembull dhe ndjekja e modelit.
Këto janë tregimet e profetëve dhe të njerëzve të mirë për qëndrueshmërinë e tyre në të vërtetën, për durimin në thirrje, përballimin e vuajtjeve në rrugën e Allahut dhe për mbështetjen e tyre të plotë tek Ai. Po ashtu për t’u ndjekur në adhurimet, në marrëdhëniet me të tjerët, në përkushtimin dhe në moralin e tyre.

Allahu në suren En’am përmend tregimin e Ibrahimit, paqja qoftë mbi të, dhe ballafaqimin e tij me popullin e vet, dhe pas tij lavdëron një grup të profetëve, për ta përfunduar me fjalët:
“Këta janë ata që Allahu i ka udhëzuar; prandaj ndiq udhëzimin e tyre.” (En’am, 90).

Po ashtu, në tregimin e Banorëve të Shpellës (Es’habul-Kehf), Allahu thotë:
“Ne po ta tregojmë ty historinë e tyre sipas së vërtetës. Ata ishin djelmosha që besonin në Zotin e tyre dhe Ne i forcuam në rrugën e drejtë.” (Kehf, 13).

Së katërti: Heqja e mosmarrëveshjeve për çështje madhore.
Në disa çështje të mëdha për të cilat njerëzit kishin kundërshtuar para zbritjes së Kuranit, Zoti i Lartësuar ua sqaroi të vërtetën robërve të Tij përmes tregimeve të Tij hyjnore, duke larguar çdo paqartësi. Ndër këto është tregimi i krijimit të Isait, paqja qoftë mbi të,  dhe lindja e tij pa baba, pastërtia e nënës së tij të virgjër Merjemes, paqja qoftë mbi të, ngritja e tij i gjallë tek Allahu dhe zbritja e tij në fund të kohës për të gjykuar me ligjin e vëllait të tij, Profetit tonë Muhamedit paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të.

Tregimi i Merjemes dhe Isait (paqja qoftë mbi ta) është ndër çështjet ku ka pasur kundërshtime të mëdha midis dy grupeve të bijve të Israilit — hebrenjve dhe të krishterëve. Prandaj Allahu i Lartësuar e përfundoi këtë tregim madhështor në suren Ali Imran me fjalët e Tij:
“Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” – dhe ai u bë.  E vërteta është nga Zoti yt, andaj mos u bë nga ata që dyshojnë!   Atyre që të kundërshtojnë ty për çështjen e Isait, pasi të ka ardhur njohuria, thuaju: “Ejani t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, veten tonë dhe ju vetë, pastaj, e të lutemi që mallkimi i Allahut t’i godasë gënjeshtarët!” Pa dyshim, të gjitha këto janë rrëfime të vërteta. S’ka zot tjetër (që meriton të adhurohet) përveç Allahut. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishmi, i Urti. ” (Ali Imran, 59–62).

Po ashtu, në lidhje me tregimin e Merjemes (paqja qoftë mbi të), Allahu thotë:
“Këto janë lajme të fshehta, që po t’i shpallim ty (o Muhamed). Ti nuk ishe i pranishëm kur ata hodhën lapsat e tyre short se kush prej tyre do të merrte nën kujdes Merjemen dhe nuk ishe i pranishëm kur ata diskutonin.” (Ali Imran, 44).

Kështu, ndër qëllimet më të mëdha të tregimit të Merjemes dhe Isait (paqja qoftë mbi ta) është dallimi i së vërtetës nga gënjeshtra, në lidhje me rrëfimet dhe tregimet që njerëzit e Librit trilluan rreth tyre. Allahu i Lartësuar ka thënë gjithashtu:
“ Njëmend, ky Kuran u tregon bijve të Izraelit shumë nga çështjet, për të cilat nuk pajtoheshin,” (Naml, 76).

Nëse vërejmë me kujdes gjendjen e njerëzve dhe nevojat e tyre, do të kuptojmë se hatibi ka nevojë për të gjitha këto qëllime të dobishme që përmbajnë tregimet kuranore. Ato ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes së njerëzve. Hatibi, në thelb, synon që dëgjuesit të marrin mësim dhe të përkujtohen. Dhe në përmendjen e përfundimit të përgënjeshtruesve dhe fatit të zullumqarëve qëndron këshilla dhe mësimi më i fuqishëm.

Hatibi ka nevojë të forcojë besimin e njerëzve në një kohë kur sprovat e mirëqenies dhe vështirësitë janë të shumta, dhe rrallë shpëton dikush prej tyre në këtë kohë tonën. Tregimet e qëndrueshmërisë së profetëve dhe ndjekësve të tyre i forcojnë zemrat e besimtarëve.

Hatibi kërkon udhëzimin e atyre që e dëgjojnë dhe dëshiron që ata të marrin shembull nga njerëzit e mirë. Përmendja e tregimeve të profetëve dhe ndjekësve të tyre nxit imitimin e tyre në besim, sjellje dhe qëndresë.

Po ashtu, hatibi nuk duhet të përmendë në hutbe përveç asaj që e beson si të vërtetë dhe të saktë. Ai duhet t’i mësojë njerëzit të kërkojnë të vërtetën dhe të ndjekin drejtësinë, sepse tregimet e Kuranit kanë sqaruar realitetet, kanë zbuluar gënjeshtrat dhe kanë ndriçuar mjegullat e tregimeve të mëhershme.

Qasja e hatibit ndaj tregimeve të Kuranit:

Kush e vëzhgon me kujdes tregimin kuranor, vëren se ato, sipas personazheve që përfshijnë, ndahen në tri kategori:

Kategoria e parë: tregimet e pejgamberëve, paqja qoftë mbi ta. Në to përfshihen tregime që përsëriten në më shumë se një vend në Kuran, si shumica e tregimeve të pejgamberëve me popujt e tyre, si dhe tregimi i Ademit, paqja qoftë mbi të, me Iblisin. Po ashtu, ka tregime që përmenden vetëm një herë, qoftë të gjata, si tregimi i Jusufit, paqja qoftë mbi të, apo të shkurtra, si tregimi i Iliasit, paqja qoftë mbi të.

Kategoria e dytë: tregimet e të mëparshmëve që nuk ishin pejgamberë, paqja qoftë mbi ta, si tregimi i banorëve të shpellës-Ashabu’l-Kehf, tregimi i njeriut me dy kopshte, tregimi i Dhul-Karnajnit, tregimi i zotërinjve të kopshtit në suren El-Kalem, dhe tregimi i Merjemes, paqja qoftë mbi të, në suret Ali Imran dhe Merjem.

Kategoria e tretë: tregimet që lidhen me vetë Profetin, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, si beteja e Bedrit në suren El-Enfal, beteja e Uhudit në Ali Imran, beteja e Hendekut dhe ajo e Benu Kurejdhës në El-Ahzab, Benu Nadir në El-Hashr, marrëveshja e Hudejbijes në El-Fet’h, beteja e Tebukut në Et-Tevbe, betimi i tij për gratë në Et-Tahrim dhe tregimi i martesës së tij me Zejneben në El-Ahzab.

Sa i përket gjatësisë së këtyre tregimeve, edhe ato ndahen në tri lloje:

Lloji i parë: tregimet e shkurtra.
Këto janë të pakta, si tregimi i Iliasit, paqja qoftë mbi të, në suren Es-Saffat, tregimi i Junusit, paqja qoftë mbi të,  në suret Junus, El-Enbija dhe Es-Saffat, tregimi i Ejubit, paqja qoftë mbi të, në suret El-Enbija dhe Sad, tregimi i banorëve të hendekëve në suren El-Buruxh, dhe tregimi i atij që ua kthej shpinën shpalljeve të  Allahut në suren El-A‘raf.

Këto tregime dhe të ngjashmet me to mjaftojnë për një hutbe të vetme me mësimet dhe përfitimet e tyre. Nëse janë më të shkurtra se aq, nuk dalin nga dy raste:

Rasti i parë: që hatibi të gjejë në hadithe dhe transmetime të tjera materiale shtesë që e plotësojnë tregimin dhe e bëjnë të vlefshëm për një hutbe të plotë.

Rasti i dytë: që hatibi të mos gjejë në hadithe apo transmetime të tjera asgjë shtesë. Atëherë, ai duhet të përgatisë një hyrje të përshtatshme për hutben, e cila e plotëson boshllëkun që mund të ketë.

Për shembull, hatibi mund ta fillojë hutben me fjalë për pozitën e pejgamberëve te Allahu i Lartësuar dhe për vlerën e tyre ndaj njerëzimit, dhe në këtë temë ai do të gjejë shumë tekste fetare që e mbështesin, pastaj kalon te tregimi i pejgamberit që ka zgjedhur për ta trajtuar.

Nëse hatibi zgjedh të mbajë hutbe fv.  mbi tregimin e Ejubit, paqja qoftë mbi të, atëherë duhet ta fillojë me temën e sprovimit të pejgamberëve dhe robërve të mirë nga Allahu i Lartësuar, ose me dobitë që fshihen në sëmundje, duke e bërë tregimin e Ejubit, paqja qoftë mbi të,  dhe durimin e tij, përkundër sprovave të rënda që e goditën, një shembull të gjallë për këtë.

Po kështu, në tregimin e Junusit, paqja qoftë mbi të, hatibi mund të flasë për sprovat dhe durimin, ose për shqetësimin dhe lutjen e atij që është në vështirësi. Nuk ka tregim në Kuran që hatibi të mos mund të gjejë për të një hyrje të përshtatshme, në mënyrë që të mos jetë më e shkurtër se një hutbe e plotë.

Kategoria e dytë: tregimet me gjatësi mesatare.
Të cilat janë më të shpeshtat në Kuran, si tregimet e Hudit, Salihut, Lutit dhe Shuajbit, paqja qoftë mbi ta. Edhe pse janë përmendur në disa sure, si El-A‘raf, Hud, Esh-Shuara dhe të tjera, ato nuk janë të gjata në çdo vend ku përsëriten. Nëse hatibi i mbledh të gjitha detajet që lidhen me to nga çdo sure ku përmenden, do të mund të përgatisë një hutbe të plotë për secilën, e nëse tregimi është më i gjatë, mund të zgjatet në dy hutbe.

Afër tyre janë edhe tregimet e banorëve të shpellës, të njeriut me dy kopshte, të Dhul-Karnajnit dhe të zotërinjve të kopshtit në suren El-Kalem.

vijon…..