Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar
Libri: “Ligjëruesi i mirë Koncepte dhe Mekanizma”
Parathënie
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, bekimet dhe paqja qofshin mbi imamin e folësve dhe zotëriun e elokuentëve, Profetin tonë Muhamed, dhe mbi të gjithë familjen dhe shokët e tij.
Një nga implikimet e bindjes ndaj urdhrit të Zotit të Madhëruar është edhe zhvillimi e ngritja për të përcjellë mesazhin e Islamit me sqarimet më të mira dhe argumentet më të qarta. Çdo intelektual i përkushtuar duhet të ndiejë se ka përgjegjësi për të përhapur koncepte të sakta dhe për t’i rezistuar sjelljeve devijuese. Kjo përbën disa nga të drejtat e udhëheqjes intelektuale dhe shkencore, dhe kryerja e këtij misioni të madh kërkon nga çdo njëri prej nesh të marrë informacione dhe të fitojë aftësi pa të cilat suksesi në fushën e davetit nuk mund të arrihet.
Në kohën paraislamike, arabët përshkruheshin si një komb i elokuencës dhe oratorisë. Ata mbanin festime dhe shfaqnin gëzim e lumturi kur nga mesi i tyre shkëlqente ndonjë poet ose orator. Sepse të gjitha lavditë dhe veprat e fisit do të treteshin, e do të zhdukeshin ose do të ishin objekt i polemikave dhe dyshimeve nëse asnjëri nga djemtë e saj nuk do t’i kristalizonte me vargje të mrekullueshme e ligjërime perfekte si diçka që ngjall mburrje e krenari.
Duket se gjatë tërë historisë, njeriu ka pasur nevojë të madhe të posedojë forcën e sqarimit, qartësinë e ligjërimit dhe kthejlltësinë e argumentit, për t’i mundësuar atij të përhapë idetë e tij dhe të bindë tjerët në to, aq më tepër përgjatë mbrojtjes së tyre dhe të drejtave të uzurpuara.
Superioriteti gjuhësor dhe retorik i nevojitet elitës për shkak të pozitës së saj drejtuese, dhe po kjo epërsi shpesh është në gjendje të bëjë që njerëzit, thuajse, të zakonshëm të shihen si elita të konsideruara.
Të Dërguarit – paqja dhe bekimi qofshin mbi ta – si bartës të mesazheve gjithmonë kishin një shkallë të lartë të qartësisë në sqarim dhe aftësinë për të shpjeguar dhe bindur. Populli i Nuhut e pranoi se ai kishte debatuar me ta, dhe se kishte shterur argumentet kur i thanë: ” Ata thanë: “O Nuh, mjaft u grinde me ne, madje e teprove duke u grindur, prandaj na e sill atë (dënimin) me të cilin po na kërcënon, nëse e thua të vërtetën.” [Hud: 32] Nga bekimet që Zoti i Madhëruar i dha Davudit a.s.v.s. ishte edhe ajo që i dha atij nga kompetenca shpjeguese për të cilën Allahu s.v.t. thotë: “Ne e forcuam mbretërinë e tij dhe i dhamë urtësi e shkoqitje në të folur” [Sad: 32]. Disa mufessirë kanë thënë se ajo që nënkuptohet në këtë ajet është ligjërimi ndarës, e shkoqitës dhe sqarimi që ndan të vërtetën nga e pavërteta, ose është përmbledhja kuptimore e cila përmban shumë kuptim me pak fjalë.
Musa a.s.v.s.i kërkoi Zotit të Plotfuqishmit që t’ia përmirësonte elekuncës e tij dhe t’i siguronte vëllanë e tij Harunin mbështetës për të në kumtimin e mesazhit të Tij, pasiqë ai kishte një gjuhë më elokuente se ai ku tha: “dhe zgjidhma nyjën e gjuhës, që ta kuptojnë fjalën time! (Taha: 27:28). “Ndërkaq, vëllai im, Haruni, është më gojëtar se unë në të folur, kështu që dërgoje atë me mua si ndihmës, që të vërtetojë fjalët e mia, sepse kam frikë se do të më quajnë gënjeshtar.” (El-Kasas: 34) . Allahu s.v.t. udhëzoi Profetin e Tij Muhamedin ﷺ që t’i thërras njerëzit me butësi e delikatesë, pa ashpërsi dhe vrazhdësi, si dhe të dialogoj e debatoj me ta duke përdorur stilin më të mirë, ku Ai s.v.t. i thotë: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe diskuto me ta në mënyrën më të mirë! Gjithsesi, Allahu e di më së miri se kush i është shmangur rrugës së Tij dhe Ai i di më së miri të udhëzuarit.” (En-Nahl: 125).
Ndërsa këto ditë kur bota është e stërmmbushur me doktrina, filozofi dhe misione, dhe ku bota islame është e ekspozuar ndaj një fluksi masiv të kulturës së huaj, është e domosdoshme për të gjithë ata që janë të interesuar në çështjet e davetit të ndërmarrin një rishikim gjithëpërfshirës të metodave të tyre të davetit; koncepteve dhe shtyllat mbi të cilat bazohet diskursi i tyre publik, me qëllim që të arrijnë të edukojnë njerëzit për doktrinën islame në çështjet dhe problemet e ndryshme të epokës, dhe me synimin për të fortifikuar bijtë e Ymetit prej lajthitjes pas prirjeve gjithnjë në rritje rrymave laike dhe ateiste.
Shpresoj që Zoti i Madhëruar ta bëjë këtë libër një hap të vogël drejt avancimit të metodave të thirrjes, Ai është Dëgjuesi dhe Përgjigjësi i lutjeve tona.
Porf. Dr. Abdul Kerim Bekkar
Riad: 2/7/1425 hixhri