Falënderimi i takon Allahut, Atij me përmendjen e të Cilit zemrat gjejnë qetësi e shpirtrat gjejnë paqe. Atij i takon lavdia në këtë botë dhe në botën tjetër, Zotit të zemrave dhe Atij që i kthen ato si të dojë, Atij që di çfarë mbartin dhe çfarë i mundon. Kush i afrohet Atij gjen prehje, ndërsa kush largohet, humb dhe trazohet. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, i vetëm e pa shok, dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij; ai e përcolli mesazhin, e këshilloi umetin, e largoi errësirën dhe luftoi në rrugën e Allahut derisa i erdhi vdekja.
O robër të Allahut, ju këshilloj juve dhe veten time me devotshmëri ndaj Allahut, sepse devotshmëria është qetësi në gjoks, ajo është mburoja më e mirë dhe në të qëndron gara e vërtetë. Dijeni se çdo gjë ka një afat të caktuar, çdo i larguar do të kthehet, çdo vepër do të marrë shpërblimin e vet, dhe se ju do të ktheheni te Zoti juaj, duke ndjekur rrugën e atyre që ju kanë paraprirë, dhe do të paraqiteni para Atij që nuk i fshihet asgjë.
Mesazhi im shkon për ata që i kanë rënduar brengat, që i kanë lodhur rrethanat, për ata që jetojnë në zhurmën e jetës të mbushur me ankth dhe shqetësim. Në këtë kohë të vrullshme e dinamike me ngjarje që ndjekin njëra-tjetrën, me presionet e jetës dhe largimin e njerëzve nga qetësia e shpirtit dhe paqja e zemrës, sëmundjet psikologjike janë përhapur si zjarri në kashtë. Shpirtrat po lëndohen nga dhimbje që nuk shihen dhe po bërtasin nga plagë që nuk dëgjohen.
O të dashur, dhimbja shpirtërore nuk është më diçka që mund të shpërfillet, e as ankthi nuk është thjesht një ndjesi kalimtare; është sëmundje që depërton në shpirt dhe i fik dritat e shpresës e të qetësisë në zemra. Sëmundjet psikike janë përhapur sot si murtaja në kohët e vjetra. Zemrat janë mbushur me brenga, janë copëtuar nga presioni dhe ndjejnë një vetmi që s’dihet nga vjen.
Statistikat paralajmërojnë për rrezik dhe bien kambanat e alarmit: numri i atyre që vuajnë nga çrregullimet e ankthit në botë kalon 300 milionë njerëz. Më shumë se 970 milionë njerëz në mbarë botën vuajnë nga ndonjë formë e çrregullimit psikik – qoftë depresion, ankth apo stres i vazhdueshëm. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vetëvrasja është ndër dhjetë shkaqet kryesore të vdekjes në botë, sidomos tek të rinjtë. Po sipas saj, një në çdo tetë persona në botë vuan nga ndonjë çrregullim mendor. Studimet tregojnë se sëmundjet psikike janë bërë një nga arsyet kryesore të mungesave në punë dhe e paaftësisë për të punuar, ndërsa depresioni sot konsiderohet shkaku i parë i paaftësisë në botë, dhe ankthi përbën gjysmën e rasteve të çrregullimeve mendore të regjistruara.
O robër të Allahut, ndërsa miliona njerëz sot vuajnë dhe rendin pas qetësuesve e hipnotikëve- qetësuesve për gjumin, ndërsa mbushin klinikat e spitalet dhe kërkojnë në libra e shkrime një rrugëdalje, shpirtrat e tyre kanë humbur ndjenjën e sigurisë. Ata janë të shqetësuar nga vdekja, të frikësuar nga dështimi, të tmerruar nga varfëria, të tronditur nga sëmundja dhe nga çdo gjë tjetër që Allahu ka caktuar për krijesat e Tij. Por nuk ka mbrojtje më të fortë për shpirtin, as mbrojtje më të qëndrueshme për shoqërinë, sesa besimi i vërtetë në Allahun, Ai që sjell siguri, ngjall shpresë, dhe shpresa lind qetësinë, ndërsa qetësia sjell lumturinë. Nuk ka lumturi pa qetësi, as qetësi pa besim, sepse besimi është ushqim për shpirtin, ilaç për zemrën dhe dritë për jetën.
Besimtari i vërtetë është i qëndrueshëm në bindje, i bukur në adhurim, i fortë në mbështetje, i përulur në lutje, i thellë në përkujtim, i thellë në mendim, i qëndrueshëm në vepra të mira, i gjerë në shpirt, i madh në shpresë dhe i mbushur me optimizëm. Ai nuk pikëllohet për të shkuarën duke qarë, nuk e urren të tashmen e tij, dhe nuk pret të ardhmen me frikë e ankth.
Ibn Kajjimi ka thënë: “Mos e prish gëzimin tënd me ankth, as mendjen tënde me pesimizëm. Sikur të reflektoje në gjendjen tënde, do të kuptoje se Allahu të ka dhënë shumë gjëra pa i kërkuar ti. Prandaj beso se Ai nuk të ka penguar nga ndonjë gjë që ke dëshiruar, veçse për një të mirë që ti ende nuk e di.”
O robër të Allahut, feja jonë madhështore nuk e ka lënë pa vëmendje çështjen e shpirtit, të trishtimit dhe të brengës. Ajo e ka trajtuar nga rrënjët, e ka shëruar thellë, dhe e ka lidhur zemrën me Allahun. Ajo i mëson robit se nëse ai kapet fort pas lidhjes së pathyeshme me Zotin, asnjë trishtim nuk mund ta rëndojë dhe asnjë brengë nuk mund ta thyejë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që besojnë dhe zemrat e tyre gjejnë qetësi me përmendjen e Allahut; vëni re: me përmendjen e Allahut gjejnë qetësi zemrat.” [Er-Ra‘d: 28]
Profeti ynë ﷺ kërkonte shpesh mbrojtje prej Allahut nga brenga dhe trishtimi. Ai lutej duke thënë: “O Allah, kërkoj strehë te Ti nga brenga dhe trishtimi, nga paaftësia dhe përtacia, nga koprracia dhe frika, nga barra e borxhit dhe nga sundimi i njerëzve.” (Transmetuar nga Buhariu)
A nuk e di, o rob i Allahut, se ajo që të shqetëson sot mund të jetë e harruar nesër? Se shumica e gjërave që iu frikësohemi nuk ndodhin fare? Dhe se Allahu është më afër teje se damari i qafës? Prandaj mbështetu tek Ai, largoji nga vetja peshat e brengës dhe thuaj siç tha Profeti i Allahut, Jakubi: “Unë ankohem vetëm te Allahu për pikëllimin dhe trishtimin tim.” (Jusuf: 86)
O të dashur, sa shumë kemi nevojë sot ta rindërtojmë lidhjen mes nesh dhe Zotit tonë! Ajo është mburoja që na ruan nga humbja, ilaçi që shëron hutimin dhe rruga drejt qetësisë në kohën e kaosit. Qetësia që sjell besimi ndriçon errësirën; shoqërimi me Kuranin largon vesveset; lutjet e natës shkrijnë peshat që janë mbledhur në gjoks; namazi sjell paqe; sexhdeja është ilaç; dhe tubimet e përkujtimit janë një parajsë në këtë botë, para asaj të përjetshme.
Ibn Kajjimi ka thënë: “Në zemër ka një çarje që nuk e bashkon askush përveç kthimit tek Allahu; në të ka një vetmi që nuk e largon askush përveç afërsisë me Të, dhe në të ka një trishtim që nuk e shëron askush përveç gëzimit që buron nga njohja e Tij dhe sinqeriteti në lidhjen me Të.”
Lidhja me Allahun dhe lutja ndaj Tij janë ndër mjetet më të fuqishme për t’u mbrojtur nga ankthi. Si mund të mos jetë kështu, kur Profeti ynë ﷺ, sa herë që e kaplonte ndonjë shqetësim, thoshte: “O i Gjalli, o i Përjetshmi, me mëshirën Tënde kërkoj ndihmë!” (E transmeton Tirmidhiu).
Në një hadith të saktë që transmeton Ibn Mesudi, Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk ka besimtar që e godet brenga, trishtimi apo pikëllimi, dhe ai thotë:
‘O Allah, unë jam robi Yt, biri i robit Tënd dhe biri i robëreshës Sate; balli im është në dorën Tënde; gjykimi Yt ndaj meje është në fuqi dhe caktimi Yt ndaj meje është i drejtë. Të lus Ty, o Allah, me çdo emër që të përket, me të cilin e ke quajtur Veten, ose ia ke mësuar dikujt nga krijesat e Tua, ose e ke shpallur në Librin Tënd, ose e ke mbajtur në dijen e fshehtë që ke tek Vetja, që ta bësh Kuranin fisnik pranverë të zemrës sime, dritë të kraharorit tim, shuarje të pikëllimit tim dhe largim të brengës sime’ – përveçse Allahu ia largon atë që e mundon.” (E transmeton Ahmedi në Musnedin e tij)
O robër të Allahut, gjithçka çfarë përmendëm përmbledhet në Librin e Allahut. Ai është shërim për çfarë fshehin gjokset, shërim për çdo sëmundje trupore e shpirtërore, të dukshme e të fshehtë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne të shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët.” (El-Isra: 82) — me leximin e tij, me kapjen fort pas tij dhe me meditimin mbi fjalët e tij, zemrat gjejnë paqe, dhe nuk mbetet as trazim, as ankth, as vesvese.
Hutbja e dytë
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të madhërisë dhe bujarisë, Atij që krijoi shpirtin dhe e përsosi, i mësoi atij të keqen dhe të mirën. E falënderojmë për dhuntitë e Tij, e falënderojmë për begatitë e Tij, e lavdërojmë me çdo të mirë dhe i kërkojmë Atij qetësinë e shpirtit dhe pastërtinë e zemrës.
O robër të Allahut, ndër mënyrat më të dobishme për trajtimin e çrregullimeve shpirtërore e psikike është që të tregojmë mëshirë ndaj njëri-tjetrit dhe të dimë të dëgjojmë ata që vuajnë. Sa e sa njerëz pranë nesh vuajnë në heshtje e nuk gjejnë dikë që t’i dëgjojë! Profeti ﷺ ka thënë: “Kush ia largon një vështirësi një myslimani nga vështirësitë e kësaj bote, Allahu do t’ia largojë një vështirësi nga vështirësitë e Ditës së Gjykimit.”
O robër të Allahut, kur ankthi është shtysë për mirësi dhe nxitje për vepra të mira, ai është ankth i lavdëruar, përkundrazi është mirësi dhe begati. Lexoni nëse doni fjalën e Allahut: “Ata që japin atë që japin, ndërsa zemrat e tyre janë të frikësuara se do të kthehen te Zoti i tyre. Ata janë që shpejtojnë në punë të mira dhe janë të parët në to.” (El-Mu’minun: 60-61). Kështu, vetëllogaria, shqetësimi për mungesë sinqeriteti dhe frika nga mangësia janë cilësi të besimtarëve të sinqertë.
Hasani el-Basri ka thënë: “Besimtari është njeriu më i mirë në vepra dhe më i frikësuari nga Allahu. Ai sa më shumë shton devotshmërinë, mirësinë dhe adhurimin, aq më shumë i frikësohet se mos nuk i pranohet.” Ai frikësohet se mos ka lënë mangësi ndaj të drejtave të Allahut dhe se mos ka lënduar krijesat e Tij. Prandaj, kini frikë Allahun, veproni me përkushtim e kujdes, dhe kujtoni fjalën e robërve të devotshëm të Allahut: “Ne më parë, në mesin e familjeve tona, kishim frikë (prej Allahut).” (Et-Tur: 26)
O Allah, na i kthe shqetësimet tona në qetësi, trishtimet tona në gëzim, dhe brengat tona në rehati. Shëroji zemrat tona, o Mëshiruesi më i madh ndër mëshiruesit.
Dr. Mumahmedbin Mexhdu Eshhehrij
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



