Të dashur vëllezër,

Tema e hutbes së sotme është: A po ndikojnë ligjëratat dhe hutbet tek ne?

Në vendin tonë është bërë zakon që me rastin e xhenazes njerëzve tu tërhiqet vëmendja se vdekja është afër dhe duhet të përgatiten për të; ne po shohim se të gjithë do të shkojmë nga kjo botë dhe po shohim sesi miqtë tanë po e lëshojnë këtë botë, dhe ne atëherë sadopak mendohemi pak, apo siç thotë populli ‘frikësohemi’.

Problemi i vetëm është se kjo neve na zgjat pak, dhe sapo të largohemi nga varrezat përsëri me të vjetrën, dhe fillojmë të mendojmë “hajt se ka ende kohë për mua”; ky miku ishte i sëmurë, andaj i ndodhi kjo atij.”

Por, të dashur vëllezër, ne duhet të mendojmë mirë për veprat tona. A kemi sadopak në fund të fundit? Vdekja i vjen secilit, por pasha Allahun, është e tmerrshme të vdesësh e mos të kesh ndonjë nga veprat e mira me vete.

Sigurisht se njeriu mashtrohet, disa mendojnë se nga kjo nuk ka asgjë (dhe me mendime të tilla dilet nga feja), por çka do të bësh kur të bindesh se është e vërtetë, kurse ti nuk ke asgjë me vete, nuk mund të kthehesh, përsëri nuk ke asgjë me vete, hë? A ka ndonjë namaz? Ka ndonjë bajram, por nuk mjafton. A ka ndonjë xhuma? Për fat të keq, as këtë nuk e ka? Pra, çka ke me vete? Vetëm mëkatet!

Allahu i Plotfuqishëm thotë në Kuran:

Ti, paralajmëroji njerëzit për Ditën që atyre do t’u vjen dënimi, e zullumqarët do të thonë: “O Zoti ynë, na lë (kthena në jetë) neve vetëm edhe pak kohë; na do t’i përgjigjemi thirrjes Tënde dhe do t’i pasojmë pejgamberët!” (Ju thuhet atyre): “E vallë, a nuk jeni betuar më parë se nuk ka për ju zhdukje? (Ibrahimi, 44)

Nuk është as kjo problem që njeriu ka mëkate me vete, secili i ka ato, por na nevojiten edhe veprat e mira që t’i mbipeshojnë ato. Në fund të fundit, veprat e mira i fshijnë të këqijat, por çka do të bëjmë, nëse nuk kemi kurrfarë vepre të mirë?!

Ja p.sh. sa është vlera e xhumasë kur për të Pejgamberi savs thotë se xhumaja deri në xhuma i fshinë mëkatet e vogla që i bëjmë gjatë javës. E sikur të shkonim së paku në xhuma, do të kishim shpresuar se kjo do të na fshinte mëkatet tona. Por shihe problemin, ne nuk e kemi as këtë xhuma.

Pse nuk po mendojmë për veten tonë, për jetën tonë, për veprat tona, ashtu të mendojmë mirë dhe t’i themi vetes se çka duam ne dhe çka shpresojmë?

Por ne disi më shpesh mendojmë për jetën, sesi ta ndërtojmë një shtëpi, si ta blejmë një makinë, si t’i shkollojmë fëmijët etj, kurse për botën tjetër – asgjë.

Epo kështu nuk bën, duhet edhe për këtë botë, kjo është e sigurtë, por duhet paralelisht të punojmë dhe planifikojmë edhe për botën tjetër. Të pasurohemi me veprat tona.

Ka gjithashtu edhe ajo se ekziston mëshira e Allahut, dhe se Allahu, për shkak të ndoshta ndonjë vepre të vogël mund të na shpërblejë me xhenet, por njeriu nuk guxon të mbështetet vetëm në të, ashtu sikur që njeriu nuk guxon të mbështetet e të hyjë në dimër pa dru, duke llogaritur se do të ketë dru edhe në dimër, ose do ta mëshirojë dikush dhe do t’i sjellë dru që të mos ngrihet. Kjo nuk shkon kështu.

Duhet ta kemi ndër mend se kurrë nuk është vonë për t’u penduar sinqerisht deri në vdekje, por ne nuk e dimë se a do të kemi mundësi, prandaj, derisa jetojmë dhe punojmë për këtë botë, paralelisht me të, le të punojmë edhe për botën tjetër, kjo është e thjeshtë dhe e lehtë.

Le të shikojmë që me vete ta kemi para së gjithash imanin, të besojmë se Allahu është Zoti dhe Muhamedi Pejgamber, sepse pa këtë çdo gjë është e kotë.

Pastaj, namazi, na është urdhëruan që t’i lutemi Allahut 5 herë në ditë, kjo është vetëm rreth 10 minuta për një namaz, për këtë gjithmonë mund të gjendet kohë.

E pra, nëse për ndonjë shkak (të pa arsyeshëm) nuk i falim të gjitha namazet ditore, mundemi të paktën disa, por a mundemi të paktën namazin javor, xhumanë, ta dimë që me diçka ta konfirmojmë se jemi musliman.

Transmetohet se Evs Ibn Evs eth-Thekafiu ka thënë:
“E kam dëgjuar Pejgamberin savs duke thënë: “Kush pastrohet dhe lahet të premten, pastaj niset herët dhe ndër të parët vjen në këmbë, jo hipur, ulet afër imamit dhe e dëgjon atë, dhe nuk e flet asnjë fjalë (gjatë namazit) – për çdo hap do të ketë shpërblim sa një vit agjërim dhe namaz vullnetar.”

A nuk është kjo një mundësi e madhe? Askush nuk duhet ta humbasë këtë mundësi.

Është gabim që, p.sh., kur të mbahet hutbeja ose ligjërata në një temë të caktuar, të thuhet: A po shikon hoxha po flet për mua ose ai ka diçka kundër meje. O njeri, po a në secilën temë duhet të shikosh mos po e gjen veten aty, e nëse ndodh që edhe e gjen veten aty, atëherë korrigjohu. Ne të gjithë kemi nga diçka për shkak të cilave duhet të përmirësohemi, unë filloj nga vetja ime, askush prej nesh nuk është i përsosur dhe pa gabime, prandaj ne jemi këtu që ta këshillojmë njëri-tjetrin.

Të dashur vëllezër,

Pra, a ndikojnë hutbet dhe ligjëratat tek ne, dhe nëse nuk ndikojnë përse nuk ndikojnë, ku është arsyeja? Ne, imamët ndonjëherë themi: “Nuk di njeriu se çka të flet, sepse njerëzit nuk po dëgjojnë, ose nuk ka efekt prej saj”, por duhet të shërbehemi me urdhrin kuranor: “Dhe këshillo, se, me të vërtetë, këshilla u bën dobi besimtarëve.” (edh-Dharijat, 55)

Thotë Allahu i Plotfuqishëm në Kuran: “Ti je vetëm paralajmërues i atyre që i druajnë atij (Kijametit).” (en-Naziat, 45)

Ta përfundojmë:
Le të përfitojnë nga mesazhet e hutbeve dhe ligjëratave, le të meditojmë rreth tyre, qoftë edhe pak, le të meditojmë mbi statusin tonë, por për statusin tonë me vepra. Le të shikojmë cilat janë të metat tona, gabimet, dështimet, mëkatet, pastaj të përpiqemi që të përmirësohemi.

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm të na bëjë besimtarë të vërtetë, me të cilët Ai është i kënaqur, që të jemi prej atyre që marrin mësim! Amin!

Burimi: Imam.ba

Përshtati: Miftar Ajdini

Burimi