Falënderimi i qoftë Allahut, të Lartëmadhërishëm,  Nuk mori as fëmijë dhe as ndihmës. Tërë krijesat iu nënshtruan Atij si Zot. Krijesat nuk kanë ndonjë Zot tjetër përveç Tij. “Dhe Ai është Allahu, nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij. Atij i qoftë falënderimi në të parën dhe në të fundit, dhe Atij i takon gjykimi, dhe tek Ai do të ktheheni.” (El-Kasas: 70). Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut i vetëm, që nuk ka shok; Ai u dha robërve të Tij begati, shkroi për Veten e Tij mëshirën, dhe i shpërbleu shumë bujarisht umetin e Muhamedit, duke e bërë atë prej të gjithë popujve umetin më të mirë. “Nëse përpiqeni t’i numëroni mirësitë e Allahut, nuk do t’i përfshini dot. Vërtet Allahu është Falës, Mëshirëplotë.” (En-Nahl: 18). Dëshmoj se Muhamedi është robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij, i zgjedhuri dhe i dashuri i tij i afërt. Allahu e dërgoi atë mëshirë për botët, udhëheqës për të devotshmit, shembull për vepruesit. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij të pastër, shokët e tij të ndritur, dhe mbi pasuesit e tyre deri në Ditën e Gjykimit, dhe paqja më e plotë qofte mbi të.

O ju muslimanë, t’ia keni frikën Allahut me frikën që i takon Atij, sepse në devotshmërinë ndaj Tij ka mbrojtje nga humbja, shpëtim nga shkarja, siguri nga frika, dhe shpëtim nga rreziqet. “O ju që besuat, nëse i keni frikë Allahut, Ai do t’ju japë aftësi dalluese, do t’ju shlyejë mëkatet, dhe do t’ju falë. Allahu është Zot i mirësive të mëdha.” (El-Enfal: 29).

O besimtarë të nderuar: Që prej kur njeriu vetdijësohet  ai vazhdon në kërkim të  lumturisë dhe synon qetësinë e shpirtit. Disa mendojnë se ajo gjendet te pasuria, e lodhen e mundohen për ta mbledhur nga çdo anë. Disa mendojnë se lumturia është te pozita dhe autoriteti, e vrapojnë pas ngritjeve dhe përgjegjësive. Disa e shohin në famë dhe në dritat vezulluese, dhe përpiqen të përmenden kudo. Disa e shohin në udhëtime dhe turizëm; disa në ushqim e pije; disa në veshje e mjete; disa në banesa dhe martesa; dhe të tjerë në kënaqësitë e kësaj bote. Por u ka ikur fakti  ose e shpërfillën se të gjitha kënaqësitë e kësaj bote nuk kanë shije pa shëndet e mirëqenie.

Dhe se të gjitha kënaqësitë e jetës mund të zëvendësohen me diçka tjetër, përveç mirësisë së mirëqenies, për të nuk ka zëvendësim.

Atëherë  çfarë është mirëqenia, o robër të Allahut? Mirëqenia  është sigurimi i fesë, shëndeti i trupit, qetësia e zemrës, rehatia e mendjes dhe gjendja e rregullt. Mirëqenie është të flesh i sigurt në shtëpinë tënde, të jesh i shëndetshëm në trupin tënd, dhe të kesh ushqimin e siguruar. Në Sahihun e Muslimit tranmsetohet se  i Dërguari i Allahut tha: “Kush nga ju gdhin i sigurt në shtëpinë e tij, i shëndetshëm në trupin e tij, dhe ka ushqimin e ditës së tij, është sikur iu mblodhën të mirat e gjithë dynjasë.”

Mirëqenia është që të kalojnë ditët pa dhimbje që  lëndojnë, pa frikë që  trazojnë, pa pikëllim që  thyejnë, dhe pa nevojë që nënçmon.

Mirëqenia është që Allahu të të mbrojë në fenë tënde para trupit, në zemrën tënde para trupit, në fshehtësinë tënde para dukjes sate.

Mirëqenia është banesa e sigurt, familja e bashkuar, dashuria reciproke dhe buzëqeshja e pastër.

Mirëqenia është qetësia e shpirtit, gjerësia e kraharorit, qetësia e zemrës dhe rehatia e mendjes.

Mirëqenia është të flesh pa dhimbje që të mbajnë zgjuar, e të zgjohesh pa lajm që të tremb, të punosh pa paaftësi që të pengon, të ecësh në jetë pa brenga që të trazojnë, pa frikë që të shqetëson, dhe të takosh njerëzit pa borxh që të rëndon, pa faj që të turpëron.

Mirëqenia është që Allahu të të ruajë mbulesën tënde, të mos zbulohen të metat dhe mangësitë e tua, dhe të mos zhgënjehesh nga njerëzit më të afërt për ty.

Në hadithin e saktë, nga Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, qëndron se Profeti ﷺ ka thënë: “Kërkoni prej Allahut falje dhe mirëqenie, sepse askujt nuk i është dhënë pas bindjes diçka më e mirë se mirëqenia.” Ndërsa falja është fshirja dhe mbulimi i mëkateve, tejkalimi i tyre,  mirëqenia është shpëtimi nga të metat dhe mëkatet, dhe nga të gjitha të këqijat. Në një hadith tjetër të saktë ai tha: “Nuk ka lutje më të dashur tek Allahu sesa: O Allah, të kërkoj mirëqenien në dunja dhe ahiret.” Prandaj kërkoni prej Allahut falje dhe mirëqenie.

Mirëqenia, o robër të Allahut, është më e rëndësishmja që iu duhet njerëzve. Nëse dikush e humb mirëqenien, vallahi nuk i bëjnë dobi pasuria, pozita, miqtë as ndihmësit.

Pa mirëqenie, jeta nuk ka shije, nuk ka kënaqësi, nuk ka gëzim.

As më i fuqishmi, as më i pasuri, as më i ndihmuari prej njerëzve nuk mund të jetë i pavarur nga mirëqenia.

Pasuritë e mëdha, pallatet e bukura, pozitat e larta, dritat dhe fama,  të gjitha këto humbin shijen e tyre, zhduken nga kënaqësia, dhe zotëruesi i tyre nuk i dëshiron më nëse i mungon mirëqenia. Çdo gjë e bukur që e sheh rreth teje, vallahi është e bukur vetëm për shkak të mirëqenies; po të mos ishte mirëqenia nuk do ta shihje të bukur.

Dikush u pyet: Cila është mirësia më e madhe? Tha: mirëqenia. E pashë se ai që e humbi nuk kënaqet me jetën. Prandaj kërkoni prej Allahut falje dhe shëndet, dhe vazhdim të mirëqenies.

Ngjarjet e botës dhe fatkeqësitë e saj e përforcojnë madhështinë e mirëqenies. Mirëqenia është thesari më i madh; pasuria më e çmuar; kënaqësia më e bukur. Sepse kur ai humbet, nuk mbetet as shije, as kuptim për asgjë. Në hadith të saktë, Profeti ﷺ nuk e linte këtë lutje në mbrëmje dhe mëngjes: “O Allah, të kërkoj falje dhe mirëqenie në dunja dhe ahiret; o Allah, të kërkoj falje dhe smirëqenie në fenë dhe në dunjanë time, në familjen  dhe në pasurinë time; o Allah, mbulo të metat e mia, qetëso shqetësimet e mia, më ruaj nga e djathta dhe e majta, nga lart dhe kërkoj mbrojtje që të mos më zërë e keqja nga poshtë.”

Mirëqenia është nëna e kënaqësive, themeli i mirësive; askush nuk mund të shijoi asnjë kënaqësi përveçse  me mirëqenie. Nëse i mungon, i mungon çdo kënaqësi. Vlerën e mirëqenies e dinë vetëm ata që e kanë humbur. Pyetni për vlerën e mirëqenies tek  rënkimet e të sëmurëve, ngushtësitë e të pikëlluarve, vështirësitë e  borxhlinjve, shtypjet e të dëmtuarëve dhe urinë e të pastrehëve.

Kur njeriu goditet nga sëmundja e rëndë që e shtrin në shtrat, apo nga dhimbje koke e ashpër që i tund kokën, apo nga depresion i rëndë që i mbyll gjoksin dhe e bën të dëshirojë vdekjen, apo nga frikë e vazhdueshme që ia shkatërron gjumin dhe qetësinë, apo nga çdo fatkeqësi e madhe, atëherë i ndryshojnë të gjitha dëshirat dhe bindjet, dhe e kupton plotësisht se gjëja më e çmuar e dynjasë është mirëqenia.

Ka nga ata që mblodhën miliarda, që patën të gjitha kënaqësitë e jetës, që u bënë nga më të famshmit; pastaj e thanë me hidhërim para kamerave: Unë dikur isha i lumtur, sot dëshiroj vdekjen që të pushoj. Asgjë nuk ta sjell qetësinë dhe sigurinë, nuk i bën ditët të kalojnë me butësi e qetësi, siç bën mirëqenia. Të gjitha kënaqësitë e jetës së bashku nuk mund të të lumturojnë pa shëndet që Allahu ta jep dhe ta ruan. Kërkoni prej Allahut shëndet dhe vazhdimësi të mirëqenies.

Sado të flasin njerëzit për projekte e marrëveshje, për pozita e shpërblime, për pasuri e llogari, për udhëtime e parqe, për shtëpi të bukura e makina luksoze, thuaju: flitni për mirëqenien. Sepse këto nuk shijohen veçse me shëndet dhe mirëqenie.

Në hadith të saktë, Profeti ﷺ i tha një njeriu: “Kërko prej Allahut falje dhe mirëqenie në dynja dhe ahiret. Kur të jepet mirëqenia në dynja dhe ahiret, ke shpëtuar.”

Pasha Allahun, po të kërkosh në çdo vend e të pyesësh çdo njeri, nuk do të gjesh asgjë më të ëmbël, më të bukur, më të çmuar se mirëqenia. Prandaj kërkoni prej Allahut shëndet dhe vazhdim të mirëqenies.

Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar. Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit: “Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën. Ai lëshon ujë nga qielli e nëpërmjet tij nxjerr fruta si ushqim për ju. Ai i ka vënë në shërbimin tuaj anijet, që me lejen e Tij, ju të lundroni me ato nëpër dete. Ai i ka krijuar lumenjtë për dobinë tuaj, e po ashtu edhe Diellin dhe Hënën, që lëvizin vazhdimisht. Ai ka vënë në shërbimin tuaj natën dhe ditën.  Ai ju jep gjithçka që i kërkoni. Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot. Njeriu është vërtet i padrejtë dhe mosmirënjohës. ” (Ibrahim: 32).

Hutbeja e dytë

Falënderimi i qoftë Allahut , e paqja dhe bekimi mbi robërit e Tij të zgjedhur.

E më pas, kijeni frikë Allahun, o robër të Allahut: “Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni, dëgjoni e binduni dhe shpenzoni për bamirësi në të mirën tuaj. Ata që e ruajnë veten nga lakmia e saj, pikërisht ata janë të fituarit.” (Et-Tagabun: 16).

O besimtarë të nderuar: mirëqenia është kurorë mbi kokën e atyre që e posedojnë, e të cilën nuk e sheh veçse ai që e ka humbur. Mirëqenia është begati e madhe; kur vazhdon njerëzit e harrojnë, kur humbet e kujtojnë dhe pendohen. Prandaj zgjohuni nga pakujdesia. Nuk është pak të dalësh nga shtëpia i shëndetshëm, i mirë në mendje, i fuqishëm në gjymtyrë; të thithësh ajrin e pastër; të pish ujin e këndshëm; të shikosh natyrën e gjelbër; bukurinë e qiellit; të shijosh pamjen e diellit, të hënës, yjeve, maleve madhështore dhe krijesave të ndryshme. Të dëgjosh me vesh të shëndoshë; të flasësh me gjuhë të qartë; të ecësh me këmbë të shëndosha; të marrësh me duar të forta. Të disponosh me mendjen tënde të kthjellët dhe me aftësinë për të vepruar drejt. Të gëzohesh me fëmijët e tu, me të afërmit, me të dashurit dhe me të gjithë rreth teje.

A është e vogël, o robër të Allahut, që njeriu të jetojë i sigurt e i qetë, pa sëmundje që e ndjekin, pa brenga që e sundojnë, pa dëshpërim që e shkatërron, pa ves që e zhyt në humbje?

Mirëqenia nuk do të thotë mungesë e plotë e sprovave, por që sprovën ta përballosh i qëndrueshëm, i kënaqur me caktimin e Allahut, i qetë në zemër, me bindje se ajo që të goditi s’mund të të shmangej, dhe se e mira është në zgjedhjen e Allahut. Në Sahih Muslim, Profeti ﷺ tha: “Sa e çuditshme është çështja e besimtarit! Çdo gjë e tij është e mirë. Nëse i ndodh e mira, falënderon e që është mirë për të, por edhe nëse e godet dëmi ai duron e  edhe kjo  është mirë për të.”

O ti që të është dhënë mirëqenia: falëndero Allahun, sepse falënderimi e ruan atë. O ti që të është marrë një pjesë e tij: duro, sepse durimi ose ta kthen, ose ta zëvendëson me diçka më mirë. Në hadith kudsij: “Kur e sprovoj robin Tim me dy të dashurit e tij (d.m.th. me sytë), e pastaj ai duron, Unë ia kompensoj me xhenet.”

Mirëqenia, o të dashur, nuk do të thotë të jetosh pa brenga, por që Allahu të të japë gjerësinë e kraharorit që duron brengën, bindjen që largon frikën, dhe durimin që e lehtëson sprovën.

Ibn Kajimi tha: “Mirëqenia e vërtetë është që Allahu të të shërojë nga mëkati që të largon prej Tij.” Sa shumë njerëz që kanë trup të shëndoshë por zemër të sëmurë, dhe sa shumë të sëmurë në trup por të shëruar në shpirt. Prandaj falëndero Allahun për mirëqenien.

Mirëqeina më e madhe është që Allahu të të ruajë nga mëkatet, të të shpëtojë nga sjellja e keqe, të pastrojë zemrën nga urrejtja, zilia, smira; të pastrojë kafshatën tënde nga harami; të pastrojë gjuhën tënde nga përgojimi, shpifja dhe fjala e shëmtuar; të të largojë syrin, veshin, zemrën dhe gjymtyrët nga harami.

Dhe kujto, o njeri i nderuar: sa herë hyn në shtëpinë tënde i sigurt, ulesh në shtratin tënd i qetë, shtrihesh i rehatshëm, ha ushqimin tënd i kënaqur, pi kafen tënde i gëzuar, luan me fëmijët e tu i lumtur, hyn në banjë me këmbët e tua dhe del me këmbët e tua, vet i shërben vetes tënde; të gjitha këto janë mirëqenie. Dhe thuaj nga thellësia e zemrës: Falënderimi i qoftë Allahut për mirëqenien. Falënderimi i qoftë Allahut që na dha mirëqenie në trupat tanë, mendjet tona, familjet  dhe vendet tona. Sa e madhe është kjo begati kur vazhdon e qëndron, dhe sa e rëndë është kur hiqet e largohet.

Dhe le ta kuptojë i shëndetshmi se ai jeton jetë të kënaqshme, dhe se zotëron diçka shumë të çmuar që shumë njerëz nuk mund ta fitojnë edhe sikur të jepnin gjithë pasurinë. Dhe të dijë se vazhdimësia e mirëqenies lidhet me falënderimin, dhe largimi i tij lidhet me pakujdesinë. Kush falënderon, mirësinë e ka lidhur me zinxhir, e kush nuk falënderon ka rrezikuar humbjen e saj. “(Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”.” (Ibrahim: 7). “O njerëz! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju! A ka ndonjë krijues, veç Allahut, i cili ju furnizon nga qielli dhe Toka? S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Atëherë, si po largoheni ju?” (Fatir: 3). Në Sahih Muslim, nga lutjet e Profetit ﷺ ishte: “O Allah, kërkoj mbrojtje prej Teje nga zhdukja e mirësisë Sate, nga ndryshimi i mirëqenies Tënde, nga ndëshkimi Yt i papritur dhe nga tërë zemërimi Yt.”

Kini frikë Allahun, o robër të Tij, kujtoni mirësitë e Allahut ndaj jush, mendoni për madhështinë e dhuntive të Tij, ruajuni nga mëkatet dhe gabimet, se ato i zhdukin mirësitë dhe sjellin sprova. Kërkoni sa më shumë falje dhe shëndet, ruajeni mirëqenien me falënderim ndaj Dhuruesit të tij dhe me vazhdimësi në bindje.

“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (En-Nahl: 97).

O biri i Ademit, jeto sa të duash, do të vdesësh; duaje kë të duash  do të ndahesh prej tij; bëj çfarë të duash do të shpërblehesh për të. Mirësia nuk zhduket, mëkati nuk harrohet, Gjykuesi i Ditës së gjykimit nuk vdes. Ashtu si vepron, ashtu edhe do të shpërblehesh.

O Allah, dërgo paqen dhe bekimin mbi Muhamedin…

Shejh Muhamed Abdullah Tavaleh

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve