​Nuk jam këtu për të folur për të gjitha mirësitë e sezmira përmendjes së Allahut (dhikrit) [sepse kjo është një çështje që zgjat shumë], por synoj t’u vë në dukje adhuruesve në përgjithësi, dhe atyre që janë të përkushtuar për vepra të mira në dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes në veçanti, rëndësinë e mbushjes së kohës së tyre me dhikër. Kjo duke përfituar nga kuptimi që ka thënë Ibn al-Kajimi: “Njerëzit më të mirë të çdo vepre janë ata që e përmendin më së shumti Allahun e Madhëruar në atë vepër. Agjëruesit më të mirë janë ata që e përmendin më shumë Allahun gjatë agjërimit të tyre, bamirësit më të mirë janë ata që e përmendin më shumë Allahun, dhe haxhilerët më të mirë janë ata që e përmendin më shumë Allahun e Madhëruar. E kështu me radhë në të gjitha gjendjet e tjera.” Këto shembuj që ka përmendur Ibn al-Kajimi janë pikërisht veprat më të shpeshta që muslimanët i kryejnë gjatë dhjetë ditëve të Dhul-Hixhes.

​Këtu kemi nevojë të kujtojmë vlerën e dhikrit dhe madhështinë e shpërblimit që lidhet me të, në mënyrë që të përfitojmë sa më shumë nga ditët dhe muajt e vlerësuar që na ka dhuruar Allahu. Këtë e bashkojmë edhe me interpretimin e Ibn Abbasit për fjalën e Allahut të Madhëruar në suren El-Haxh: {Dhe ta përmendin emrin e Allahut në ditët e caktuara}, ku ai tha: Ditët e caktuara janë dhjetë ditët e para të muajit Dhul-Hixhe. Po ashtu edhe me atë që ka transmetuar Buhariu me formë të prerë: “Ibn Omeri dhe Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur me ta – dilnin në treg gjatë dhjetë ditëve (të Dhul-Hixhes) duke bërë tekbir (Allahu Ekber), dhe njerëzit bënin tekbir bashkë me tekbiret e tyre”, gjë që tregon interesimin e sahabëve për ta shfaqur hapur dhikrin e Allahut në këto ditë.

​(1)Një nga gjërat më të çuditshme sa i përket dhikrit është hadithi që ka nxjerrë Ahmedi në Musned, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh në Sunen e të tjerë, nga Ebu Derda – Allahu qoftë i kënaqur me të – i cili ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të): “A dëshironi t’ju njoftoj për veprën tuaj më të mirë, më të lartën në gradat tuaja, më të pastrën tek Sunduesi juaj, që është më e dobishme për ju sesa dhënia e arit dhe e argjendit, dhe më e mirë për ju sesa të takoni armikun tuaj e t’u pritni qafat e tyre e t’ju presin qafat tuaja?” Thanë: Po, gjithsesi. Tha: “Përmendja e Allahut të Madhëruar (Dhikri)”. Këtë hadith e ka saktësuar një grup i madh dijetarësh si El-Begavi, El-Mundhiri, El-Iraki, El-Hejthemi, El-Hakimi, En-Neveviu, si dhe nga bashkëkohorët El-Albani, El-Vadi’i dhe El-Arnauti

​Izz ibn Abdus-Selam në librin e tij “El-Kavaid” ka arritur në përfundimin se ky hadith dhe argumente të tjera të shumta tregojnë se shpërblimi nuk kushtëzohet patjetër të jetë sipas mundit dhe lodhjes në të gjitha adhurimet. Përkundrazi, Allahu i Madhëruar mund të shpërblejë për vepra të pakta më shumë sesa shpërbleb për vepra të shumta, sepse shpërblimi varet nga dallimi i gradave në vlerë e nder, dhe dhikri i Allahut të Madhëruar është nga veprat me vlerën më të madhe. El-Munavi në “Et-Tejsir”, duke komentuar këtë hadith, ka thënë: (Sepse të gjitha adhurimet, si shpenzimi i pasurisë, luftimi i armikut e të tjera, janë mjete dhe rrugë me të cilat afrohesh tek Allahu, ndërsa dhikri është qëllimi më i madh dhe zemra rreth së cilës rrotullohen të gjitha fetë).

​(2)Gjithashtu, ajo që zgjon çudi në shpirtin e lexuesit është fjala e Allahut të Madhëruar: {Lexo atë që t’u shpall nga Libri dhe fale namazin; vërtet namazi largon nga të këqijat dhe të ndaluarat, dhe përmendja e Allahut është më e madhe, e Allahu e di atë që punoni}. Dijetarët kanë disa mendime për këtë ajet, prej të cilave po përmend dy:

​I pari: Ka thënë Ibn Kethiri: (Domethënë: Namazi përfshin dy gjëra: largimin nga të këqijat dhe gjërat e ndaluara, domethënë se vazhdimësia në të të shtyn t’i lësh ato… dhe namazi gjithashtu përfshin përmendjen e Allahut të Madhëruar, që është qëllimi më i madh; prandaj Allahu i Madhëruar ka thënë: {E përmendja e Allahut është më e madhe}, domethënë më e madhe se e para). Të njëjtin kuptim ka përmendur edhe Ibn al-Kajimi nga mësuesi i tyre Ibn Tejmije.

​I dyti: Përmendja e Allahut të Madhëruar është më e mirë se çdo gjë tjetër përveç saj, dhe ky është mendimi i Ebu Derdasë, Selman El-Farisiut dhe Katades. (E ka përmendur Ibn el-Xhevzi në “Zad el-Mesir”). Ibn al-Kajimi ka thënë: (Ibn Zejdi dhe Katadeja kanë thënë: Kuptimi i tij është: Përmendja e Allahut është më e madhe se çdo gjë. Dhe iu tha Selmanit: Cila vepër është më e mira? Ai i tha pyetësit: A nuk e lexon Kuranin: {E përmendja e Allahut është më e madhe}? Dhe këtë e dëshmon hadithi i Ebu Derdasë i përmendur më lart: “A dëshironi t’ju njoftoj për veprën tuaj më të mirë…” hadithi).

​(3)Çudia e tretë në çështjen e dhikrit është fjala e Allahut të Madhëruar: {Më kujtoni Mua, t’ju kujtoj Ju, dhe më falënderoni e mos më mohoni}. Në hadithin e rënë dakord për saktësi (Muttefekun alejh) nga Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur med të – ka thënë: Ka thënë Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të): “Allahu i Madhëruar thotë: Unë jam ashtu siç mendon robi Im për Mua, dhe Unë jam me të kur ai Më kujton. Nëse ai Më kujton në veten e tij, Unë e kujtoj atë në veten Time, dhe nëse ai Më kujton në një grup (ndër njerëz), Unë e kujtoj atë në një grup më të mirë se ata”. Ajo që gjendet në tekstin e ajetit dhe të hadithit nga kuptimet e qarta mjafton dhe nuk ka nevojë për shpjegim, por unë po përmend vetëm një ngjarje që ndihmon në meditimin e kuptimit të synuar, nga Ubej ibn Ka’bi, nga Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) i cili i tha atij: “Vërtet Allahu i Madhëruar më ka urdhëruar të të lexoj Kuran ty”. Ai tha: E a jam përmendur unë atje, o i Dërguari i Allahut? Dhe filloi të qajë (Allahu qoftë i kënaqur me të).

​Dhe dëshmia nga kjo ngjarje janë fjalët e Ubej ibn Ka’bit: (E a jam përmendur unë atje?) dhe në një transmetim tjetër (Dhe a të ka përmendur Zoti im emrin tim ty?), dhe filloi të qajë sepse Allahu i Madhëruar e kishte përmendur dhe ia kishte emërtuar emrin. Nga këtu duhet të kushtojmë vëmendje të mirë se sa i madh është shpërblimi i përmendur në ajet {T’ju kujtoj Ju} dhe në hadith “Unë e kujtoj atë në veten Time”, “Unë e kujtoj atë në një grup më të mirë se ata”. Si mundet që dikush prej nesh ta nënvlerësojë një fjalë si psh: (Subhanallahi ve bihamdihi, Subhanallahil Adhim), prej së cilës rezulton – përveç rëndimit të peshores në Ditën e Gjykimit – që Allahu i Madhëruar ta përmendë thënësin e saj për të mirë në shoqërinë më të lartë, mes melekëve të Tij dhe krijesave të Tij të zgjedhura?!

​(4)Fjala e Allahut të Madhëruar: {Vërtet, muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit dhe të bindurat, të sinqertët dhe të sinqertat, durimtarët dhe durimtaret, të përkushtuari(në namaz) dhe të përkushtuarat, bamirësit dhe bamirëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e pjesëve të tyre të turpshme dhe ruajtëset, dhe ata që e përmendin Allahun shumë dhe ato që e përmendin – Allahu ka përgatitur për ta falje dhe shpërblim të madh}. Dhe fjala e Tij e Madhëruar: {O ju që keni besuar, kur të ndeshni ndonjë grup, qëndroni të patundur dhe përmendeni Allahun shumë që të shpëtoni}. Dhe ajete e hadithe të tjera që udhëzuan për rëndësinë e të qenit të dhikrit “shumë” në jetën e muslimanit. Në këtë ajet nuk thotë: bamirësit shumë, apo agjëruesit shumë; por thotë: ata që e përmendin Allahun shumë!! En-Neveviu në librin “El-Edhkar” ka thënë: (U pyet Shejhu, Imami Ebu Amr Ibn es-Salah për sasinë me të cilën njeriu bëhet nga {ata që e përmendin Allahun shumë dhe ato që e përmendin}? Ai tha: Nëse vazhdon rregullisht në dhikret e transmetuara e të vërtetuara në mëngjes dhe në mbrëmje, dhe në kohë e gjendje të ndryshme, natën dhe ditën, ai do të jetë nga {ata që e përmendin Allahun shumë dhe ato që e përmendin}).

​Nëse dikush prej nesh do të shikonte me syrin e meditimit në një libërth të vogël nga ata që janë shkruar për dhikret e përcaktuara, si libri (Mburoja e Muslimanit – Hisnul Muslim), do të gjente se këto dhikre janë të mjaftueshme për të mbushur jetën e muslimanit dhe për të mbajtur gjuhën e tij të angazhuar vazhdimisht. E si do të ishte nëse bashkë me to do të shtonim edhe llojet e dhikrit dhe lutjeve të përgjithshme (të pakufizuara)? En-Neveviu ka thënë: (Ka thënë Imami Ebu el-Hasan el-Vahidi: Ka thënë Ibn Abbasi: Qëllimi është që ta përmendin Allahun pas namazeve, në mëngjes dhe në mbrëmje, në shtretër, dhe sa herë që zgjohet nga gjumi, dhe sa herë që del ose kthehet në shtëpinë e tij, e përmend Allahun e Madhëruar. Dhe ka thënë Muxhahidi: Nuk bëhet askush nga ata që e përmendin Allahun shumë dhe ato që e përmendin, derisa ta përmendë Allahun në këmbë, ulur dhe i shtrirë).

​(5)​Fjala e Allahut të Madhëruar: {Dhe ata të cilët, kur bëjnë ndonjë mëkat të shëmtuar ose i bëjnë padrejtësi vetes së tyre, e kujtojnë Allahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush i fal mëkatet përveç Allahut? – dhe nuk këmbëngulin në atë që kanë bërë duke e ditur}. Kjo tregon se besimtari, nëse është i shumtë në dhikër, patjetër që do të jetë i shpejtë në pendim dhe në kërkimfalje nga mëkatet. Ibn al-Kajimi ka thënë në “Hadi el-Ervah”: (Ai njoftoi se e ka përgatitur Xhenetin për të devotshmit e jo për të tjerët, pastaj përmendi cilësitë e të devotshmëve) derisa tha: (pastaj përmendi gjendjen e tyre mes tyre dhe Zotit të tyre sa u përket mëkateve të tyre, dhe se kur ato ndodhin prej tyre, ata i përballin ato me përmendjen e Allahut, me pendim, me istigfar dhe me lënien e këmbënguljes).

​Ai ka thënë gjithashtu në “El-Vabil es-Sajib” duke numëruar dobitë e dhikrit: (Se ai i trashëgon atij kthimin (Inabeh), që është rikthimi tek Allahu i Madhëruar. Sa herë që shton rikthimin tek Ai me dhikrin e Tij, kjo i trashëgon atij rikthimin me zemrën e tij tek Ai në të gjitha gjendjet e tij). Pra, ai që e përmend shumë Allahun, ose dhikri i tij do ta mbrojë atë nga rënia në mëkat, ose dhikri i tij do të jetë shkak për nxitimin në pendim dhe istigfar.

​(6)​Fjala e Allahut të Madhëruar: {Ata që besuan dhe zemrat e të cilëve qetësohen me përmendjen e Allahut. Vënei re: a nuk qetësohen zemrat me përmendjen e Allahut?}. Es-Sadi ka thënë në tefshirin e tij: (Pastaj Allahu i Madhëruar përmendi shenjën e besimtarëve dhe tha: {Ata që besuan dhe zemrat e të cilëve qetësohen me përmendjen e Allahut} domethënë u largohet shqetësimi dhe trazimi i tyre, dhe u vijnë gëzimet dhe kënaqësitë e tyre. { a nuk qetësohen zemrat me përmendjen e Allahut?} domethënë është plotësisht me meritë dhe e pritshme që ato të mos qetësohen me asgjë tjetër përveç dhikrit të Tij. Sepse nuk ka asgjë më të shijshme për zemrat, as më të dëshirueshme dhe as më të ëmbël sesa dashuria ndaj Krijuesit të tyre, afrimi me Të dhe njohja e Tij. Dhe sipas shkallës së njohjes së tyre për Allahun dhe dashurisë së tyre për Të, do të jetë edhe përmendja që ata i bëjnë Atij).

​Prandaj, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) porositi kur shtohen dhe grumbullohen punët mbi robin që ai të kapet fort pas dhikrit të Allahut të Madhëruar, siç ka ardhur në hadithin që e ka transmetuar Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh, nga Abdullah ibn Busri, se një beduin tha: O i Dërguari i Allahut, vërtet rregullat e Islamit janë bërë të shumta për mua, prandaj më njofto për diçka prej tyre pas së cilës të kapem fort. Ai tha: “Le të jetë gjuha jote vazhdimisht e njomë nga përmendja e Allahut të Madhëruar”. Ku aty qëndron jeta e zemrës dhe qetësia e saj.

​(7)​Fjala e Allahut të Madhëruar: {Shejtani ka triumfuar mbi ta dhe i ka bërë ta harrojnë përmendjen e Allahut. Të tillët janë sekti i shejtanit. Vëni re: vërtet sekti i shejtanit janë humbësit}. Ky ajet tregon se njerëzit e pakujdesshëm ndaj dhikrit të Allahut janë një popull mbi zemrat dhe mendjet e të cilëve ka sunduar shejtani, dhe u mjafton atyre që Allahu i quajti me cilësimin (sekti i shejtanit). Prandaj, dëbimi i shejtanëve, shpëtimi nga vesveset e tyre, ikja nga kurthet e tyre dhe shpëtimi nga sekti i tyre – e gjithë kjo – bëhet me dhikrin e Allahut. Kjo është një çështje që ka nevojë për kërkimin e ndihmës nga Allahu i Madhëruar, dhe për këtë arsye ai (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) i tha Muadh ibn Xhebelit: “O Muadh, për Allahun unë vërtet të dua ty, për Allahun unë vërtet të dua ty”, dhe tha: “Të porosis o Muadh: mos li pa thënë pas çdo namazi: O Allah, më ndihmo që të të përmend Ty, të të falënderoj Ty dhe të të adhuroj Ty në formën më të mirë”.

​Dhikret dhe lutjet e përcaktuara (sipas funksionit) janë virdet që thuhen pas namazeve, në mëngjes, në mbrëmje, gjatë fjetjes, gjatë zgjimit… e të tjera që muslimani duhet t’i mësojë përmendsh dhe t’i ruajë ato në jetën e tij të përditshme.

​Në fund, dëshiroj t’i vendos pikat kryesore të dhikrit në tituj të shkurtër, pasi dhikri dhe biseda rreth tij pothuajse nuk mbarojnë kurrë nga shumësia dhe gjerësia e tyre, e aq më tepër nga kënaqësia dhe ëmbëlsia e tyre. Po e përmbledh këtë në pesë elemente, të cilat robi besimtar duhet t’i vendosë në prioritetet e tij më të rëndësishme gjatë organizimit të orarit të ditës dhe natës së tij:

​1- Kurani Famëlartë. Allahu i Madhëruar e ka quajtur atë dhikër në disa ajete, mes të cilave është fjala e Tij e Madhëruar: {Vërtet Ne e kemi zbritur Dhikrin (Kuranin) dhe Ne vërtet jemi Ruajtës të tij}.

​2- Dërgimi i salavateve mbi Profetin Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të): “Kush dërgon mbi mua një salavat – Allahu dërgon mbi të dhjetë salavate për të”, siç ka ardhur kjo në hadithin e saktë.

​3- Dhikret dhe lutjet e përcaktuara. Këto janë virdet që thuhen pas namazeve, në mëngjes, në mbrëmje, gjatë fjetjes, gjatë zgjimit, gjatë daljes nga shtëpia dhe hyrjes në të, gjatë ngrënies dhe pirjes, gjatë marrëdhënieve intime, gjatë udhëtimit… e të tjera që muslimani duhet t’i mësojë përmendsh dhe t’i ruajë ato në jetën e tij të përditshme.

​Dhikri dhe lutja e përgjithshme (e pakufizuar) do të thotë tesbihu (Subhanallah), tahmidi (Elhamdulilah), tehlili (La ilahe ilallah), tekbiri (Allahu Ekber), havkaleh (La havle vela kuvvete ila bilah) dhe lutja për atë që robi ka nevojë nga të mirat e kësaj bote dhe botës tjetër, e të tjera, pa një kohë të caktuar.

​4- Istigfari (Kërkimfalja). E veçova atë në përmendje për shkak të numrit të madh të transmetimeve që kanë ardhur rreth tij në Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), saqë En-Neveviu ka thënë në “El-Edhkar”: (Ajetet për istigfarin janë të shumta e të njohura, ndërsa hadithet që kanë ardhur për istigfarin nuk mund të përmblidhen dot të gjitha).

​Por po përmend këtu një hadith të rëndësishëm në këtë pjesë, që është ai që ka transmetuar Buhariu nga Sheddad ibn Evsi, i cili ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të): “Zotëria i istigfarit (Sejidul Istigfar) është të thuash: O Allah, Ti je Zoti im, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje, Ti më krijove dhe unë jam robi Yt, dhe unë jam në besën dhe premtimin Tënd aq sa kam mundësi. Kërkoj mbrojtje tek Ti nga e keqja e asaj që kam bërë, Unë i pranoj mirësitë e Tua ndaj meje dhe i pranoj mëkatet e mia, prandaj më fal mua, sepse nuk i fal mëkatet askush përveç Teje”. Tha: “Kush e thotë atë gjatë ditës duke qenë i bindur në të dhe vdes në atë ditë para se të hyjë mbrëmja, ai është nga banorët e Xhenetit. Dhe kush e thotë atë gjatë natës duke qenë i bindur në të dhe vdes para se të gdhihet mëngjesi, ai është nga banorët e Xhenetit”. Duke u kujdesur për këtë dhikër çdo mëngjes dhe mbrëmje me bindje në atë që përmban, robi garanton të jetë nga banorët e Xhenetit.

​Dhe nuk më shpëton pa kujtuar veten time dhe vëllezërit e mi për shtimin e istigfarit në kohën e syfyrit (para agimit), sepse Allahu i Madhëruar ka thënë: {Dhe ata që kërkojnë falje në kohën e syfyrit} dhe ka thënë gjithashtu: {Dhe në kohën e syfyrit ata kërkonin falje}.

​5- Dhikri dhe lutja e përgjithshme (e pakufizuar): Që do të thotë tesbihu, tahmidi, tehlili, tekbiri, havkaleh dhe lutja për atë që robi ka nevojë nga të mirat e kësaj bote dhe botës tjetër, e të tjera pa një kohë të caktuar. Ky kuptim është përfituar nga hadithi i përmendur më lart: “Le të jetë gjuha jote vazhdimisht e njomë nga përmendja e Allahut të Madhëruar”.

​Pa dyshim se këto pesë elemente meritojnë prej nesh qëndrime të veçanta me secilën prej tyre. Lus Allahun për sukses dhe ndihmë në këtë. Dhe nuk harroj të kujtoj gruan me lehonisë apo me menstruacione, e cila qëndron me ditë e javë pa namaz dhe pa agjërim, se ajo nuk është e ndaluar asnjëherë nga përmendja e Allahut të Madhëruar në të gjitha format dhe llojet e tij; ajo është e ndaluar vetëm sipas shumicës së dijetarëve nga prekja e Musafit. Prandaj, le të jetë adhurimi i saj kryesor, në të cilin nuk lëshon pe kurrë, përmendja e Allahut të Madhëruar.

​Dhe Allahu është Synimi për çdo qëllim të mirë.

 

Mustafa Bedrij

Aljazeera.net

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve