Namazet nafile (vullnetare) në përgjithësi kanë vlera të shumta, ku secila prej të cilave mjafton për të ngjallur në shpirtin e myslimanit të sinqertë vullnet, gjallëri dhe dëshirë që t’i përmbahet atyre dhe t’i praktikojë rregullisht.

​1. Fitimi i dashurisë së Allahut të Lartësuar

​Kjo është vlera e parë dhe më e madhja. Imam Buhariu transmeton nga Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: ​«Allahu ka thënë: Kush armiqëson një mik (veli) Timin, Unë i kam shpallur atij luftë. E gjëja më e dashur me të cilën robi Im afrohet tek Unë është ajo që Unë ia kam bërë obligim (farz). Dhe robi Im vazhdon të afrohet tek Unë me nafile (adhurime vullnetare) derisa ta dua atë. E kur ta dua, Unë bëhem dëgjimi i tij me të cilin dëgjon, shikimi i tij me të cilin sheh, dora e tij me të cilën godet dhe këmba e tij me të cilën ecën. Nëse më kërkon diçka, Unë patjetër do t’i jap, dhe nëse kërkon mbrojtje nga Unë, Unë patjetër do ta mbroj.»

​2. Ngritja e gradave në Xhenet përmes sexhdes

​Prej vlerave të nafileve është dhe rënia e shpeshtë në sexhde, e cila është nga shkaqet e ngritjes së gradave në Xhenet. Në Sahihun e Muslimit, transmetohet nga Theubani r.a. se ka thënë: «I thashë: O i Dërguari i Allahut, më trego për një punë që, nëse e bëj, Allahu do të më fusë me të në Xhenet? (Ose tha: Për punën më të dashur tek Allahu?). Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Kushtoji rëndësi sexhdes së shpeshtë, sepse ti nuk bën asnjë sexhde për Allahun, pa të ngritur Allahu me të një gradë dhe pa të fshirë me të një mëkat.”»

​3. Plotësimi i mangësive të namazeve farz

​Nga vlerat e nafileve është se ato janë plotësuese, me të cilat Ditën e Kiametit do të plotësohet çdo mangësi apo lëshim që mund të ketë ndodhur në namazet obligative (farze). Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a., nga Profeti s.a.v.s. se ka thënë: «Gjëja e parë për të cilën robi do të llogaritet Ditën e Kiametit nga punët e tij është namazi. Nëse ai është në rregull, ai ka shpëtuar dhe ka fituar, e nëse është keq, ai ka dështuar dhe ka humbur. Nëse ka ndonjë mangësi nga farzet e tij, Zoti i Madhërishëm thotë: “Shikoni, a ka robi Im ndonjë namaz vullnetar (nafile)?” Kështu, me to plotësohet ajo që ka munguar nga farzi, e pastaj të gjitha punët e tjera llogariten në këtë mënyrë.» (E transmeton Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe e ka saktësuar Albani).

Vlerat Specifike të Namazit të Duhasë (Paraditës)

​Kushdo që mediton posaçërisht për namazin e Duhasë, do të gjejë se ai ka vlera të jashtëzakonshme dhe shpërblime të mëdha për atë që kujdeset dhe e fal rregullisht atë. Prej tyre:

Mjaftueshmëria dhe mbrojtja nga Allahu: Është shkak që Allahu t’i mjaftojë robit të Tij. Transmetohet nga Ebu Derda dhe Ebu Dheri r.a., nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s., nga Allahu i Madhërishëm se ka thënë: «O biri i Ademit, fali për Mua katër rekate në fillim të ditës, Unë të mjaftoj ty në fundin e saj.» (Tirmidhiu, saktësuar nga Albani). Shprehja “Të mjaftoj” nënkupton se Allahu i Madhërishëm të mbron nga sherri i fundit të ditës, të ruan nga sprovat, mëkatet dhe të këqijat. Disa dijetarë mendojnë se qëllimi këtu është për dy rekatet sunet dhe dy farz të sabahut, ndërsa të tjerë mendojnë se bëhet fjalë për namazin e Duhasë.

Namazi i Duhasë ​është nga porositë e Profetit s.a.v.s.: Në dy Sahihët (Buhariu dhe Muslimi) transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se ka thënë: «I dashuri im (s.a.v.s.) më ka porositur për tri gjëra, të cilat nuk do t’i lë sa të jem gjallë: agjërimin e tri ditëve të çdo muaji, namazin e Duhasë, dhe faljen e namazit të Vitrit para se të fle.» Kjo porosi për të gjithë umetin tregon rëndësinë e tij, pasi Profeti s.a.v.s. nuk porosiste veçse për atë që bën dobi në dunja dhe ahiret.

Ky Namaz ​zëvendëson sadakanë e të gjitha nyjeve të trupit: Vlen sa treqind e gjashtëdhjetë sadaka! Në Sahihun e Muslimit transmetohet nga Ebu Dheri r.a. se Profeti s.a.v.s. ka thënë: «Për çdo nyje të secilit prej jush në çdo mëngjes ka nga një sadaka: çdo tesbih (subhanallah) është sadaka, çdo tahmid (elhamdulilah) është sadaka, çdo tehlil (la ilahe ilallah) është sadaka, çdo tekbir (Allahu ekber) është sadaka, urdhërimi për të mirë është sadaka dhe ndalimi nga e keqja është sadaka. E të gjitha këto i zëvendësojnë dy rekate që njeriu i fal në kohën e Duhasë.» Në një transmetim tjetër shtohet: «Në trupin e njeriut ka treqind e gjashtëdhjetë nyje, prandaj ai duhet të japë sadaka për çdo nyje të tij.»

​Shenjë se robi është “Evvab” (i kthyer tek Zoti me pendim): Sidomos kur falet në kohën e tij më të vlefshme. Profeti s.a.v.s. ka thënë: «Nuk kujdeset për namazin e Duhasë përveçse ai që është “Evvab” (i kthyer tek Allahu), ngase ai është namazi i të ktheyerve.» (Ibn Huzejme, hasen sipas Albanit).

Ka shpërblimin e një umreje: Profeti s.a.v.s. ka thënë: «Kush del nga shtëpia e tij i pastruar (me abdes) për në një namaz të obliguar (farz), shpërblimi i tij është si shpërblimi i haxhiut në ihram. E kush del vetëm për namazin e Duhasë  dhe nuk e nxjerr gjë tjetër veç tij, shpërblimi i tij është si shpërblimi i atij që bën umre…» (Ebu Davudi, saktësuar nga Albani).

Punë  e pakët, por fitimi është i madh: Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nisi një ushtri që u kthye shpejt dhe me plaçkë të madhe, një burrë u habit nga kjo shpejtësi dhe fitim. Profeti s.a.v.s. i tha: «A t’ju tregoj për dikë që kthehet edhe më shpejt dhe ka plaçkë edhe më të madhe? Një burrë që merr abdes në shtëpinë e tij, e merr mirë atë, pastaj shkon në xhami dhe fal namazin e sabahut, e më pas e pason atë me namazin e Duhasë; ky është kthyer më shpejt dhe ka fituar plaçkën më të madhe.» (Ebu Jala, saktësuar nga Albani). Dijetarët kanë theksuar se  ky namaz ka vlerë të tillë sepse falet në kohën kur njerëzit janë të angazhuar me punët e dunjasë. Kushdo që i lë punët dhe angazhohet me të, tregon dashuri dhe interesim të vërtetë ndaj Allahut.

​Hukmi (Norma Sheriatike) e Namazit të Duhasë

​Dijetarët e të katër medhhebeve kanë rënë dakord se namazi i Duhasë është i pëlqyeshëm (mustehab) dhe se është Synet i Fortë. Megjithatë, ka pasur një mospajtim të vogël rreth vazhdimësisë:

      1. ​Mendimi i parë: Është më mirë të falet çdo ditë me rregullsi, bazuar në hadithet e përgjithshme që nxisin për të dhe që përmendin sadakanë e përditshme të nyjeve.
      2. ​Mendimi i dytë: Është e pëlqyeshme të falet herë pas here (p.sh. një ditë po, një ditë jo), duke u bazuar në fjalën e Aishes r.a. kur u pyet nëse Profeti e falte atë: «Jo, përveç nëse kthehej nga udhëtimi» (Muslimi), si dhe në hadithin e Ebu Seid el-Hudriut r.a.: «Profeti e falte namazin e Duhasë saqë thonim: Nuk do ta lërë më, dhe e linte saqë thonim: Nuk do ta falë më.» (Hadithi është i dobët).

​Mendimi më i saktë (Raxhih):

Vazhdimësia dhe falja e tij çdo ditë është më e pëlqyeshme. Hadithi i Aishes r.a. shpjegohet me faktin se Profeti s.a.v.s. e linte atë ndonjëherë që të tregonte se nuk është farz (obligim), nga frika se mos rëndohej umeti, ose ngaqë ishte i angazhuar me çështje më parësore siç ishin interesat e myslimanëve. Prandaj, besimtari nuk duhet të lëshojë pe në këtë nafile të rëndësishme.

​Koha e Namazit të Duhasë

​Fillimi: Kur dielli ngrihet sa një shtizë (afërsisht 15 minuta pas lindjes së plotë të diellit).

​Përfundimi: Pak para zevalit (afërsisht 10-15 minuta para se të hyjë koha e namazit të drekës).

Koha më e vlefshme: Kur vjen duke u rritur nxehtësia e ditës. Profeti s.a.v.s. ka thënë: «Namazi i të ktheyerve tek Allahu (evvabin) është atëherë kur rrezet e diellit përvëlojnë këmbët e deveve të reja.» (Muslimi). Shejh Ibn Bazi ka sqaruar se ky namaz bën pjesë në ato adhurime ku kryerja e tyre drejt fundit të kohës është më e vlefshme.

​Numri i Rekatëve

​Minimumi: Dy rekatë, bazuar në fjalën e Profetit s.a.v.s.: «E të gjitha këto i zëvendësojnë dy rekate që njeriu i fal në kohën e Duhasë.»

Maksimumi: ​Është vërtetuar nga Ummu Hani r.a. se Profeti s.a.v.s. ka falur tetë rekatë ditën e Çlirimit të Mekës, duke i falur ato lehtë por duke plotësuar rukunë dhe sexhden siç duhet. (Ekziston edhe një hadith nga Enesi për 6 rekatë, por është i dobët).   

Nisur nga kjo, një pjesë e dijetarëve thonë se kufiri i sipërm është tetë rekatë.​Ndërsa një grup tjetër dijetarësh mendojnë se nuk ka kufi për maksimumin e tij, duke u bazuar në thënien e Aishes r.a. në Sahihun e Muslimit: «I Dërguari i Allahut e falte namazin e Duhasë katër rekate, dhe shton aq sa dëshironte Allahu.»

I lutemi Allahut të Madhërishëm të na mundësojë, të na ndihmojë dhe të na e bëjë të dashur faljen e këtij namazi dhe ruajtjen e tij, në mënyrë që të arrijmë këto shpërblime të mëdha!