Të flasësh për xhami është nevojë e madhe e sidomos tani kur roli i saj është anashkaluar nga ithtarët e saj, tani kur ajo më nuk konsiderohet si shkollë shpirtërore në të cilën bëhet filtrimi i njeriut nga mëkatet, nga dukuritë negative, nga vjedhja, korrupsioni, mashtrimi, plaçkitja, vrasja, e shumë dukuri të tjera.

Sikur është harruar se xhamia ekzistonte para se të ekzistojnë shkollat, institutet, universitetet, dhe ajo luante rolin e të gjitha këtyre madje me më shumë sukses se sa që sot këto objekte të përmendura kryejnë rolin e tyre. Xhamia në kohën e artë islame shërbente si shkollë, spital, kazermë ushtarake, shtëpi bamirësie, me një fjalë, shërbente në drejtim të pastrimit shpirtëror si bazament për shkollim, edukatë dhe përgatitje të mëtutjeshme.

Nëse dëshironi të bindeni për këtë që po ua them, bëni një analogji me shkollarët tanë, që kanë arritur tituj të lartë shkencë por që të paktë janë që shpëtojnë nga korrupsioni me të gjitha format e tij. Kështu do të bindeni se kthimi në xhami mbetet nevojë e patjetërsueshme…

Për xhamitë janë transmetuar tekste të shumta fetare. Në to vërehet qartë roli i xhamisë, rëndësia e saj, rëndësia e faljes në të, mirësitë e kësaj faljeje e shumë të tjera.

Xhamitë dhe vlera e tyre

– Xhamitë ndërtohen nga besimtarët derisa pengimi i tyre, ne çdo aspekt, bëhet nga jobesimtarët. Thotë Allahu:
“E drejtë e përkujdesjes së xhamive të All-llahut është vetëm e atij që i ka besuar All-llahut dhe ditës së mbramë e që e falë namazin, jep zeqatin e nuk i frikësohet askujt pos All-llahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit (në rrugën e drejtë)”. (Tewbe, 18)
“E kush mund të jetë më mizor se ai që në xhamitë e All-llahut pengon të përmendet emri i Tij (të bëhet ibadet) dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre. Atyre ndryshe nuk u takoi të hyjnë vetë në to, vetëm duke qenë respektues (të tyre e jo rrënues). Ata në këtë jetë kanë nënçmim e në botën tjetër dënim të madh”. (Bekare, 114)
– Ndërtimi i xhamive pjese e bamirësisë, qe nuk arrihet besimi komplet derisa nuk participojmë në të. Thotë Allahu:
“Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në xhennet) derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj. Çkado që jepni (për Zotin), All-llahu atë e di”. (Ali Imran, 92)
Ky ajet nxit dhe stimulon për dhënie në nisma te mbara për hirë të Allahut. Ai ngrit vullnetin e njeriut për të dhënë edhe më të shtrenjtën për Allahun, siç bëri Ebu Talhaja, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili kur dëgjoi këtë ajet, dha për hire të Allahut pasurinë me te shtrenjtë që kishte, kopshtin Bejreha.
“E çfarëdo të mirë që bëjnë, ajo nuk u mohohet. All-llahu i di shumë mirë të devotshmit”. (Ali Imran, 115)
– Xhamitë janë vende ku adhurohet Allahu. Thotë Allahu:
“(ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë) që All-llahu lejoi të ngrihen, e që në to të përmendet emri i Tij”. (Nur, 36)
“Dhe (mua më shpallet) se vërtet xhamitë janë veçantë për ta adhuruar All-llahun, e mos adhuroni në to askë tjetër me All-llahun!”. (Xhinn, 18)
– Ndërtimi i xhamive ishte punë pejgamberësh. Thotë Allahu:
“Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabes – luteshin): “Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di”. (Bekare, 127)
Ky ajet përveç qe tregon se Qabeja është ndërtuar nga Ibrahimi dhe Ismaili, alejhima’s selam, tregon po ashtu se ndërtimi i xhamive është prej veprave bamirëse, për te cilat njeriu shpërblehet. Kjo vërehet qartë në fund të ajetit ku Ibrahimi dhe Ismaili, alejhima’s selam luten tek Allahu për ta pranuar veprën (ndërtimin) e tyre.
Mu për këtë është thënë se njeriu pas veprës që kryen patjetër duhet ta lus Allahun ta pranoje prej tij ngase Ibrahimi dhe Ismaili, alejhima’s selam, ndërtuan Qabenë, që nuk ka punë më të mirë, por prapë e luten Allahun t’ua pranoje këtë vepër.
– Kush ndërton një xhami do të ketë një shpërblim në xhenet me po një të tillë. Transmeton Uthmani, r.a., se e ka dëgjuar Pejgamberin, alejhi’s salatu ve’s selam duke thënë:
“Kush ndërton një xhami, duke e kërkuar kënaqësinë e Allahut, Allahu ia ndërton atij një te ngjashme në Xhennet”. (Buhariu dhe Muslimi)
Umeri, r.a., transmeton se e ka dëgjuar Muhammedin, alejhi’s salatu ve’s selam duke thënë:
“Kush ndërton një xhami, ne te cilën përmendet emri i Allahut, Allahu ia ndërton atij një shtëpi ne Xhennet”. ([1])
Xhabir b. Abdil-lahu transmeton se Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam ka thënë:
“Kush ndërton për Allahn një xhami, qoftë sa strehimorja e thëllëzës apo edhe me e vogël, Allahu do t’ia ndërtoj atij një shtëpi në Xhennet”. (Sahihul xhamii, 6129)
– Xhamitë janë vendet më të dashura të Allahut. Muslimi transmeton nga Ebu hurejre se Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam ka thënë:
“Vendet më të dashura tek Allahu janë xhamitë ndërsa më të urryerat janë tregjet”.
– Ndërtimi i xhamisë është prej veprave që njeriut i bëjnë dobi edhe pas vdekjes. Ebu Hurejre rrëfen se Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam ka thënë:
“Veprat dhe të mirat, që i rrjedhin besimtarit edhe pas vdekjes së tij janë: dituria, të cilën e ka mësuar dhe shpërndarë, evladin e mirë që e ka lënë pas, mus’hafi, që e ka lënë si trashëgimi, xhaminë, që e ka ndërtuar, shtëpinë për udhëtarë, kanal uji qe ka lënë, apo sadakanë, që e ka dhënë prej pasurisë kur ka qenë i shëndoshë dhe gjalle. Te gjitha këto i bëjnë dobi njeriut edhe pas vdekjes se tij”. (Sahihut tergib vet terhib, 77)
– Xhamia duhet të ndertohet për qëllime të pastra islame ndryshe ajo nuk meriton të quhet xhami. Thotë Allahu:
” (Nga hipokritët më të shëmtuarit janë) Edhe ata që ndërtuan xhami sherri, mosbesimi e përçarjeje mes besimtarëve dhe ftuan në pritje (solemne) atë që më parë kishte luftuar kundër All-llahut dhe të dërguarit të Tij. Ata do të betohen: “Ne nuk kemi pasur tjetër qëllim, vetëm për të mirë!” Po All-llahu dëshmoi se ata vërtet janë rrenacakë. 108. Ti mos u fal aty kurrë! Një xhami e cila që prej ditës së parë është themeluar në respekt ndaj All-llahut (pa hile), është më e drejtë të falesh në të, aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e All-llahu i do të pastrit. 109. A është më i mirë ai që ndërtesën e vet e themeloi në devotshmëri dhe në kënaqësi të All-llahut, apo ai që ndërtesën e vet e themeloi buzë bregut të shembur e bashkë me të bie në zjarrin e xhehennemit? All-llahu nuk i udhëzon njerëzit zullumqarë. 110. Ndërtesa e tyre të cilën e ndërtuan ata (e që e shembi Pejgamberi) vazhdimisht do të jetë mllef në zemrat e tyre, pos nëse pëlcasin zemrat e tyre. All-llahu di, është i urte”. (Tewbe, 107-110)
Ibni Kethiri përmend se shkaku i zbritjes se ajetit për mosfaljen ne xhami te tilla është se para ardhjes se Muhamemdit, alejhis selam ne Medine, një njeri prej fisit Hazrexh, e që quhej Ebu Amir err Rrahib, kishte kaluar në krishterizëm dhe kishte mësuar librat e tyre. Falej dhe lutej ne formën e tyre kështu qe kishte një nam të madh në mesin e fisit të vet. Kur Muhammedi, alejhis selam shkoi në Medine dhe u tubuan muslimanët rreth tij, filloi Islami te ngritej, e sidomos pas Bedrit, ky i mallkuar filloi ta shpalos armiqësinë e tij ndaj islamit kështu qe iku ne Mekke për t’i nxitur për lufte kundër Pejgamberit, alejhis selam.
Si rezultat i kësaj propagande dhe këtij organizimi famëkeq, ai arriti ta organizonte betejën e Uhudit por meqë fundi iu takoi besimtarëve, mundi i tij shkoi huq. Ne këtë beteje ku i prishur kishte hapur disa gropa, ne te cilat kishte rene i dërguari i Allahut, madje edhe ishte lënduar shume, kishte thyer një dhëmballë, kishte gërvishtur faqen dhe ishte lënduar ne koke.
Pejgamberi, alejhis selam e kishte ftuar në Islam këtë njeri por ai, jo vetëm që nuk pranoi, ai edhe shfaqi mendjemadhësi, arrogancë, vandalizëm, kështu që Muhamemdi, alejhis selam u lut kundër tij të vdiste larg si i përzënë prej vendit të vendit, dhe kështu ndodhi. Ai iku dhe shkoi tek Herakliu, të cilin e mundua ta nxiste për luftë kundër Muhammedit, alejhis selam. Ai iu shkruante shokëve të tij hipokritë në Medine se do të kthehej me një ushtri të madhe dhe do ta mposhtte Muhammedin. Iu kishte dërguar letra që t’ia ndërtonin një vend ku do të strehoheshin emisarët e tij me letrat që ai ua dërgon dhe ku ai do të predikonte pas kthimit. Shokët e tij filluan dhe nën petkun e xhamisë ndërtuan objektin e tij. Me dinakëri, dredhi dhe hipokrizi, erdhën dhe i thanë Muhammedit, alejhis selam të shkonte e të falej në të.

Meqë Muhammedi, alejhis selam nuk e dinte të vërtetën e kësaj xhamie iu premtoi se pas luftës së Tebukut, përgatitjet e së cilës ishte duke i bërë, do të shkonte për falje. Gjatë kthimit prej betejës, erdhi Xhibrili dhe e lajmëroi për sekretin e kësaj xhamie. Pejgamberi, alejhis selam dërgoi disa sahabë, të cilët e dogjën dhe shkatërruan atë.
Kurtubiu ka thënë: Çdo xhami që ndërtohet për përçarje, syefaqësi, nam-emër, ajo ka dispozitën e Xhamisë së Dirarit dhe nuk lejohet namazi në të. ([2])

Sahabët ndërtuan xhami në shtëpitë e tyre.

Ebu Bekri para se ta bënte hixhretin kishte ndërtuar një xhami në oborr të shtëpisë së tij, dhe kështu llogaritet i pari që ndërtoi xhami në Islam. Aisheja, vajza e tij dhe gruaja e Pejgamberit, alejhi’s salatu ve’s selam, transmeton se: “…babait tim, Ebu Bekrit, i erdhi ndërmend ta ndërtonte një xhami në oborr të shtëpisë, ku falej dhe këndonte Kur’an. Bijtë dhe gratë e pabesimtarëve ndaleshin dhe dëfreheshin me dëgjimin e këndimit dhe shikimit në të. Ebu Bekri ishte njeri që qante shumë, kështu që kur këndonte Kur’an nuk mund ta përmbante veten dot. Kjo frikësoi parinë pabesimtare të kurejshitëve…”. (Buhariu)

Ammar b. Jasiri kishte ndërtuar një xhami në të cilën falej. Ai ishte i pari që ndërtoi xhami në Medine. Bazuar në disa transmetime, Ammari është muslimani i parë që në shtëpi ka bërë një xhami, në të cilën falej.

Ndërtimin e xhamive nuk bën ta kryejë askush përveç muslimanëve, sikurse edhe plani i ndërtimit duhet të jetë prej muslimanëve. Thotë Allahu:
“Nuk është e drejtë e idhujtarëve të kujdesen për xhamitë e All-llahut, duke qenë se vetë dëshmojnë për veten e tyre se janë mohues. Të tillëve u shkuan kot veprat e tyre dhe ata janë përgjithmonë në zjarr. E drejtë e përkujdesjes së xhamive të All-llahut është vetëm e atij që i ka besuar All-llahut dhe ditës së mbramë e që e falë namazin, jep zeqatin e nuk i frikësohet askujt pos All-llahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit (në rrugën e drejtë)”. (Teube, 17-18)

Imam Taberiu, duke komentuar këtë ajet, thotë: Xhamitë ndërtohen për adhurimin e drejtë të Allahut e jo për t’i bërë shok Atij në to, kështu që kush mohon Allahun nuk është puna e tij ndërtimi i xhamisë.

Edhe pse ndërtimi i përmendur në ajet ka më shumë të bëjë me anën abstrakte, d.m.th.: faljen në to, megjithatë një numër dijetarësh, siç përmend Begaviu në tefsirin e tij, mendojnë se për qëllim është ndërtimi konkret i objektit të xhamive.

Ibnu’l Xhevziu, në tefsirin e tij, përmend se qëllimi me “imareh” është ose:

  • Ulja dhe ndejtja në to, ose

  • Ndërtimi dhe meremetimi (riparimi–renovimi) i tyre.

…dhe që të dyja, shton I. Xhevziu, janë të ndaluara për pabesimtarin. Bazuar në këtë, ai, në koment të pjesës së parë të ajetit “Nuk është e drejtë e idhujtarëve të kujdesen për xhamitë e All-llahut”, thotë: Muslimanët duhet t’i pengojnë pabesimtarët nga kjo.

Allahu e mëshiroftë Rraziun, i cili në lidhje me këtë ajet kishte përmendur një koment të bukur e të gjerë, të ndarë në mesail – çështje, prej të cilave ne do të përmendim vetëm mes’elen e dytë:

Ndërtimi i xhamisë është dy lloje:

  • Me shkuarje të shpeshtë në të. Thuhet: Filani po e ndërton këtë mexhlis–ndeje kur të shkon shpesh në të, ose

  • Me ndërtim të njohur, e që është ngritja e mureve.

Nëse për qëllim është domethënia e dytë, atëherë kuptimi i ajetit është: Pabesimtarit nuk i lejohet të bëjë ndërtimin e xhamisë për arsye se xhamia është vend adhurimi, kështu që duhet të jetë e shenjtëruar dhe e nderuar, ndërsa pabesimtari nuk ia njeh këtë nder dhe respekt, përkundrazi, ai e përdhos dhe shkel dinjitetin e saj.

Pastaj kjo nuk lejohet edhe për arsye se pabesimtarët shpirtërisht (hukmen – parimisht) janë të ndyrë, siç thotë Allahu: “…vërtet idhujtarët janë të ndyrë…” (et-Teube, 28)

…ndërsa pastrimi i xhamive është obligim, siç thotë Allahu:
“Ju të dy (Ibrahim dhe Ismail) pastrojeni shtëpinë Time për vizituesit, për ata që qëndrojnë aty dhe për ata që falen aty”. (el-Bekare, 125)

Pastaj pabesimtari, prej traditës së vet, nuk ruhet nga papastërtitë konkrete, kështu që ai e zhyt, njollos dhe e bën të papastër xhaminë, gjë që shpien në prishje të adhurimit të muslimanëve…

Allahu në ajetin e parë mohoi që pabesimtarët të ndërtojnë xhami. Ata, në periudhën paraislame, mendonin se shërbimet rreth Qabesë dhe haxhilerëve janë vepër shumë e mirë e tyre, ndërsa Allahu ua ktheu:

“A mos e konsideruat dhënien e ujit haxhinjve dhe kujdestarinë ndaj xhamisë së shenjtë, si besimin e atij që i besoi All-llahut dhe ditës së fundit dhe që luftoi në rrugën e All-llahut? Jo, ato nuk janë të barabarta te All-llahu. Popullin mizor All-llahu nuk e vë në rrugë të drejtë”. (Teube, 19)

Shkaku i zbritjes së këtij ajeti është se kur muslimanët kishin zënë robër lufte në Bedër disa mekkasë, në mesin e të cilëve ishte Abbasi, xhaxhai i Pejgamberit, alejhi’s selam, Aliu kishte filluar ta qortonte se si ai e luftonte nipin e vet dhe kishte shkëputur marrëdhëniet me të. Ai iu tha që të mos ua përmendin vetëm të këqijat por edhe të mirat. Kur u pyet se cilat ishin të mirat e tyre, përmendi disa shërbime që ia kanë bërë Qabesë dhe haxhilerëve. Allahu zbriti këtë ajet si sqarim se puna e tyre si pabesimtarë nuk vlen dhe se nuk krahasohet me besim.

Xhamia ishte vendi i parë që e vizitonte Muhammedi, alejhi’s salatu ve’s selam, pas kthyerjes nga ndonjë udhëtim. Rrëfen Ka’b Bin Maliku e thotë:
“Pejgamberi, alejhi selam, vizitën e parë që e bënte posa kthehej nga ndonjë udhëtim, ishte vizita e xhamisë, ku falej në të”.

Vlera e shkuarjes në xhami

  • Mysafir tek Allahu. Thotë Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam:
    “Kush shkon në xhami, Allahu ia përgatit një konak (ashtu siç i bëhet mysafirit) në Xhennet sa herë që të shkojë”. (Muslimi)

  • Çdo hap që bën i shkruhet një e mirë dhe i shlyhet një mëkat. Thotë Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam:
    “Kush pastrohet në shtëpi pastaj shkon në ndonjë xhami për ta falur ndonjë farz prej farzeve të Allahut, hapat e këmbëve të tij do të jenë njëri shlyerës i mëkatit e tjetri rritje e gradës në Xhennet”. (Muslimi)

Fisi Benu Seleme deshën të vendoseshin për banim afër xhamisë ngase vendi ishte i lirë. Kur u njoftua Muhammedi, alejhi’s salatu ve’s selam me këtë, tha:
“O benu Seleme! Shtëpitë tuaja ua shkruajnë gjurmët tuaja (hapat tuaj prej shtëpive ua shkruajnë sevapet)”. Ata thanë: “Nuk do të gëzoheshim sikur ne të shpërnguleshim prej aty”. (Muslimi)

Xhabir b. Abdullahu tregon se shtëpitë e tyre ishin larg, kështu që kishin dashur t’i shisnin ato dhe të blinin shtëpi afër xhamisë. Por, Muhammedi, alejhi’s salatu ve’s selam i kishte ndaluar duke iu thënë:
“Për çdo hap ngriheni nga një gradë në Xhennet”. (Muslimi)

  • Njeriu që e ka xhaminë më së largu ai ka më së shumti sevape. Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam ka thënë:
    “Njeriu që më së shumti ka shpërblim në namaz është ai që më së largu e ka xhaminë, ndërsa ai që pret ta falë namazin me imam ka më shumë shpërblim se sa ai që falet e pastaj fle”.

Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam ka thënë:
“Namazi i njeriut me xhemat ka më shumë shpërblim se sa namazi në shtëpi apo treg për 20 e ca gradë. Kjo për faktin se kur dikush merr abdes mirë, e pastaj shkon në xhami, e tërheq namazi, jo për tjetër por vetëm për namaz, nuk ndodhë ta bëjë ndonjë hap e të mos ngrihet një gradë lart dhe t’i shlyhet një mëkat, dhe kështu derisa të hyjë në xhami. E kur të hyjë në xhami ai është në namaz për aq kohë sa qëndron në të për namaz. Melekët luten për ndonjërin prej jush për aq kohë sa qëndron në vendin ku është falur e nuk shqetëson askënd apo nuk prish abdesin, dhe thonë: O Allahu ynë! Fale atë! O Allahu ynë! Pranoja pendimin atij!”. (Muslimi)

– Ai është ne mesin e atyre qe Allahu iu bën hije me hijen e Arshit ne ditën e kiametit. Thotë Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam:
“Shtatë grupe të njerëzve Allahu iu bën hije me hijen e Vet atë ditë kur nuk ka hije tjetër përveç hijes së Tij:
1. Prijësit te drejte,
2. Te riut, qe zhvillohet-rritet n adhurimin për Allahun,
3. Njeriut, zemra e te cilit është e lidhur me xhami,
4. Dy njerëzve, qe duhen vetëm për Allahun; bashkohen por edhe ndahen për hire të Tij,
5. Njeriut, që një grua e bukur dhe me famë i ofron mundësinë për marrëdhënie seksuale te paligjshme por ai i thotë: Unë ia kam friken Allahut të Madhëruar,
6. Njeriut qe kur jep lëmoshë e fsheh aq shume atë saqë edhe dora e majtë nuk e di fare ka dhënë e djathta, dhe
7. Njeriut, qe kur në vetmi e përkujton Allahun i mbushen sytë lot”. (Buhariu & Muslimi)
– Ka shpërblim shume te madh. Transmeton Buhariu nga Ebu Musai se Muhammedi, alejhi selam, ka thënë: “Njeriu me shpërblim me te madh ne namaz është ai, i cili ka ecur me se shumti pastaj ai qe ka ecur me se shumti (e ka shtëpinë me se largu nga xhamia), ndërsa ai, i cili e prêt namazin derisa ta fal me imam ka me shume shpërblim se sa ai, qe e fal pastaj flenë”.
Ka thënë Ibni El Muniri: “Hadithi tregon se shkaku për shtimin e shpërblimit është mundi dhe lodhja e te ecurit për ta falur namazin ne xhami. Nëse puna është kështu, atëherë ecja për ta falur namazin e sabahut ne xhami është me e mundimshme se sa tjerat sepse, nëse jacija e shoqëron ne errësirë (d.t.th: te dy namazet janë gjate natës), megjithatë ndarja nga gjumi i lezetshëm ne kohen e sabahut ia shton vlerën edhe me shume sabahut”.
Sikur këtë e përkrah edhe hadithi i Ebu Davudit dhe Tirmidhiut nga Ebu Burejde El Eslemiu se Pejgamberi, alejhi selam ka thënë:
“Përgëzoji meshshainët (ata qe ecin shume) në errësirë për në xhami me një dritë (nur) te plote ne Ditën e Kiametit!”.
Meqë këta njerëz çanë dallgët e errësirës për adhurim ne xhami, u shpërblyen me nur (drite) te plote, e cila i rrethon nga te gjitha anët e tyre.
– Falja e jacisë dhe sabahut ne xhami me xhemat është sikur te jesh falur tere natën. Uthman b. Affani thotë se e kam dëgjuar te dërguarin e Allahut duke thene:
“Kush e fal namazin e jacisë me xhemat është sikurse ai, qe gjysmën e natës e kalon ne namaz. Ndërsa ai, qe e fal namazin e sabahut me xhemat, është sikurse ai, qe është falur vetëm tërë natën. (Muslimi)

  • Për një ditë namaz mund të fitosh shpërblimin e agjërimit dhe namazit të një viti. Thotë Muhammedi a.s.
    “Kush e pastron dikë dhe pastrohet (qëllimin e ka për marrëdhënie seksuale natën e xhumasë) e pastaj shkon herët në xhami, ec e nuk hip në diç, afrohet afër imamit, dëgjon hutben dhe nuk flet, për çdo hap që e bën ka shpërblimin e një viti agjërim dhe namaz”.

Falja e namazit me xhemat dhe rreziku i mosfaljes së namazit me xhemat

Thotë Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam:
“Namazi me xhemat është më i vlefshëm se namazi i falur vetëm për 27 shkallë”. ([3])

  • Vlerën e një haxhi. Thotë Muhammedi a.s.:
    “Kush shkon në xhami duke mos pasur tjetër dëshirë përveç që të mësojë një të mirë ose t’i mësojë të tjerët, e ka shpërblimin e plotë të një haxhi që e ka kryer”.
    “Kush del nga shtëpia e tij për namazet e obliguara (për t’i falur në xhami), shpërblimi i tij është sikurse haxhi në muajin muharrem dhe kush del për në tesbihun (namazin) e duhase duke mos u preokupuar me asgjë tjetër, shpërblimi i tij është sikurse i atij që e kryen umren”. ([4])

  • Allahu dhe melaiket bien salavate për ata që rrinë në safin e parë. Thotë Muhammedi a.s.:
    “Allahu dhe melaiket e Tij luten për safin e parë dhe muezinit i falen mëkatet aq sa e zgjat zërin (gjatë tërë kohës së këndimit), e vërteton çdo gjë që e ndien, e lëngët apo e ngurtë qofte. Ai e ka sevapin e tërë atyre që falen me të”.

  • Vend ku shkojnë njerëzit e devotshëm të çajnë dertet e tyre me Allahun. Ka thënë Museiir Bin Kidami: “Hyra në xhami dhe pashë se një njeri falej. Më tërhoqi zëri i tij. Lexoi në rekatin e parë 1/7 e Kur’anit pastaj vazhdoi 1/3, pastaj gjysmën dhe nuk u ndal së lexuari derisa e përfundoi tërë Kur’anin në një rekat të vetëm. Shikova kur ja ai ishte Ebu Hanifeja”.
    Ka thënë Harixhe Bin Mus’ab: “Katër imame e kanë përfunduar Kur’anin në një rekat të vetëm: Uthman Bin Affan, Temim Ed Darijj, Seid Bin Xhubejr dhe Ebu Hanife”.
    Ka thënë Ibni Vehbiu: “E kam parë Thevriun në Harem (Meke) pas namazit të akshamit. U fal pastaj bëri sexhde, prej së cilës nuk u ngrit derisa hyri koha e jacisë”.

  • Refuzon vizitën e melaikeve. Transmeton Buhariu nga Ebu Hurejre, i cili e ka dëgjuar Pejgamberin, alejhi selam, duke thënë:
    “Melaiket e natës dhe melaiket e ditës tubohen në namazin e sabahut”. Pastaj tha Ebu Hurejre: “Lexoni nëse dëshironi: Vërtet, lutja e agimit është e përcjellur” (Isra, 78).

  • Njeriu që ka xhaminë afër e nuk prezanton në xhami është dro që namazi i tij të mos ketë pranim ose shpërblim tek Allahu. Ibni Abbasi transmeton se Muhammedi, alejhi’s salatu ve’s selam, ka thënë:
    “Kush e dëgjon thirrjen (ezanin) për namaz e pastaj nuk vjen në xhami, ai nuk ka namaz, përveç nëse e ka penguar ndonjë arsye e justifikueshme”. ([5])

  • Ata që nuk prezantojnë në namaz me qëllim ka gjasa të jenë prej mynafikëve. Ebu Hurejre rrëfen se Pejgamberi a.s. ka thënë:
    “Namazi më i rëndë për mynafikët është namazi i Jacisë dhe Sabahut, por po ta dinin se çfarë (vlere) ka në to, do të vinin madje edhe duke u zhargitur (ecur zvarrë). Vërtet desha ta urdhëroj muezzinin (të thërret për namaz), pastaj ta urdhëroj një njeri t’ua falë njerëzve (namazin), pastaj të marr me vete njerëz që kanë me vete grumbuj drurësh, të shkojmë tek njerëzit që nuk e falin namazin (me xhemat) dhe t’ua djegim shtëpitë e tyre me zjarr”. (Muttefekun alejhi)

Dijetarët thonë se Pejgamberi a.s. nuk e zbatoi këtë gjë si përkujdesje ndaj grave dhe fëmijëve (të cilët nuk e kanë obligim prezantimin në xhemat).
Nga Ebi El Ahvesi transmetohet se Abdullah ibni Mes’udi ka thënë: “Vërtet kam shikuar se prej nesh askush nuk mungonte në namazin me xhemat përveç mynafikut, nifaku-hipokrizia e të cilit ishte e qartë ose i sëmuri. Madje i sëmuri, ashtu i sëmurë, vinte në namaz duke ecur zvarrë në mes dy personave. Ka thënë po ashtu: Pejgamberi a.s. na i ka mësuar normat-rregullat (sunnetet) e udhëzimit, në mesin e të cilave është edhe namazi në xhami, në të cilën thirret ezani”. (Muslimi)

Në një transmetim tjetër qëndron: “Kush ka dëshirë që t’a takojë Allahun nesër (në Ditën e Gjykimit) si musliman, le të kujdeset për namazet, kudo që të thirret për to, sepse Allahu s.w.t. ia ligjësoi Pejgamberit tuaj normat (sunnetet) e udhëzimit, e prej normave të udhëzimit është edhe namazi. Ju po të faleshit në shtëpitë tuaja siç falet ky përtac në shtëpinë e tij, do ta braktisnit sunnetin (metodën-rrugën) e Pejgamberit tuaj, e nëse e braktisni sunnetin e tij atëherë do të humbni. Nuk ka njeri prej jush që merr abdes me përpikëri pastaj ia mësyn një xhamie prej këtyre xhamive e të mos ia shkruajë Allahu s.w.t. për çdo hap që e bën nga një të mirë, e të mos e ngrejë me të një gradë dhe të mos ia fshijë me të nga një mëkat. Ne pamë se nga namazi nuk ndahej përveç munafikut, nifaku i të cilit ishte i njohur. Në kohën tonë e sillnin njeriun duke e bartur përkrahësh dy veta që të qëndronte në saf”. (Muslimi, Ebu Davudi, Nesaiu dhe të tjerët me shprehje të ngjashme)

Vlera e përkujdesit për xhami

Ebu Hurejre transmeton se një burrë apo grua zezake që e pastronte xhaminë kishte vdekur. (Pasi që nuk e kishte parë disa ditë me radhë) Pejgamberi, alejhi selam, pyeti për të. E lajmëruan se ajo kishte vdekur. Tha: “Përse nuk më lajmëruat për të? Tregomëni ku e ka varrin?” Shkoi tek varri dhe ia fali namazin e xhenazes”. (Buhariu)

Vlera e qëndrimit në xhami

Konsiderohet sikur je në namaz. Thotë Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam:
“A t’iu rrëfej për gjëra me të cilat Allahu shlyen mëkatet dhe lartëson gradat (në Xhennet)?! Thanë: Po, gjithsesi o i dërguari i Allahut. Tha: Marrja e abdesit me përpikëri në mot të lig, hapat (ecja) e shumtë deri në xhami dhe pritja e namazit pas namazit. Kjo është lidhja e fortë…”. (Muslimi)

“Ju vazhdoni të mbeteni në namaz për aq kohë sa qëndroni në xhami dhe nuk iu motivon asgjë të qëndroni me përjashtim të pritjes së namazit”. (Muslimi)

Tirmidhiu transmeton se Muhammedi a.s. ka thënë:
“Kush e fal namazin e sabahut në xhami pastaj ulet dhe e bën dhikrin derisa të lind dielli pastaj i falë 2 rekate, ka shpërblimin e një haxhi dhe umreje të plotë, të plotë, të plotë”.

Simak b. Harbi rrëfen: “I thashë Xhabir b. Semre-së: A rrije me Pejgamberin, alejhi’s selam? Tha: Po, madje shumë. Ai nuk ngrihej prej faltores në të cilën e falte sabahun derisa lindte dielli, e kur lindte ngrihej dhe flisnin shokët e tij për gjëra të periudhës paraislame e qeshnin, ndërsa ai buzëqeshte”. (Muslimi)

Të qëndruarit në këtë kohë është më mirë se sa lirimi i robërve. Ka thënë Muhammedi, alejhi selam:
“Të ulem me një grup njerëzish dhe ta përkujtoj Allahun nga namazi i sabahut e derisa të lindë dielli, është më e dashur për mua se sa të liroj katër bijë të Ismailit (arabë)”. (Ebu Davudi dhe Imam Ahmedi me sened të mirë)

Melaiket luten për të. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“Melaiket luten për ndonjërin prej jush që ulet në xhami dhe pret namazin për aq kohë sa ai nuk e prish abdesin, e thonë: O Allahu ynë! Fale atë! O Allahu ynë! Mëshiroje atë!”. (Muslimi)

Qëndrimi në xhami i ngjanë dhënies së sadakasë së madhe. Imam Maliku transmeton nga Ebu Hurejre se Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam ka thënë:
“Kush pastrohet në Ditën e Xhuma ashtu siç pastrohet nga xhunubllëku e pastaj shkon në xhami në orën e parë të xhumasë është sikurse të ketë ofruar sadaka një deve. Kush shkon në orën e dytë është sikurse të ketë ofruar një lope, kush shkon në orën e tretë është sikurse të ketë ofruar një dash me brirë, kush shkon në orën e katërt është sikurse të ketë ofruar një pule, ndërsa kush shkon në orën e pestë është sikurse të ketë ofruar një vezë. Kur të dalë imami në minder për ligjërim, melaiket prezantojnë dhe dëgjojnë ligjëratën”.

Imam Maliku mendon se koha e përmendur në këtë hadithi, respektivisht të pesë orët, janë të përmbledhura në një orë para namazit të Xhumasë. ([6])

Edukata e xhamisë

  • Veshja e rrobave të mira. Thotë Allahu i Madhëruar:
    “O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje)” (El-A‘raf, 31).

Ndërsa Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam ka thënë:
“Kur dikush të falet, le të veshë rroba (të mira), ngase Allahu është më meritori për t’u zbukuruar për Të” (Bejhekiu).

  • Kur muslimani të hyjë në xhami, është më së miri të fillojë me dua, siç qëndron në hadith:
    “All-llahumme iftah li ebvabe rahmetike – O Allahu im! M’i hap dyert e mëshirës Sate!”
    Pastaj të hyjë me këmbën e djathtë, të jetë i pastër në rroba dhe me abdes, të ketë pamje të bukur, d.m.th.: të hyjë i rregulluar e jo me flokë të pakrehura, me rroba të papastra etj.

Kjo për faktin sepse Allahu, subhanehu ve teala, thotë:
“O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin)” (El-A‘raf, 31).

Thotë Ibni Kethiri:
“Bazuar në këtë ajet dhe në hadithet e transmetuara me këtë kuptim, është i preferuar zbukurimi për namaz, e sidomos ditën e xhuma dhe ditën e bajramave. Preferohet parfymosja, sepse është pjesë zbukurimi, dhe misvaku, sepse ky është si një përmbyllje e këtyre cilësive të mira. Ndërsa prej rrobave më të bukura, më të preferuarat janë të bardhat”.

  • Abdullah bin Omeri transmeton se kur Muhammedi, alejhi selam, hynte në xhami thoshte:
    “Kërkoj mbrojtje te Zoti i Madh, me Fytyrën e Tij Fisnike, me pushtetin e Tij të përhershëm, nga djalli i mallkuar”.
    Ka thënë: “Kur ta thotë këtë (njeriu), thotë shejtani: Është i mbrojtur prej meje tërë ditën” (Buhariu).

  • Imam Muslimi transmeton nga Ebu Humejde se Muhammedi, alejhi selam ka thënë:
    “Kur të hyjë ndokush prej jush në xhami, le të thotë: Allahumme iftah li ebvabe rahmetike (O Allahu im! M’i hap dyert e mëshirës Sate!). Ndërsa kur të dalë, le të thotë: Allahumme inni es’eluke min fadlike (O Allahu im! Të lus për të mirën e begatinë Tënde)”.

  • Kur muslimani të hyjë në xhami, nuk bën t’i kalojë safat; vjen i fundit ndërsa del në vend të parë, por ulet aty ku e ka vendin (aty ku e ka zënë safin).

  • Posa të hyjmë në xhami, i falim dy rekate. Buhariu transmeton nga Ebu Katade se Muhammedi, alejhi selam ka thënë:
    “Kur të hyjë ndokush prej jush në xhami, le t’i falë dy rekate para se të ulet!”.

  • Kur njeriu të hyjë në xhami dhe të ulet, le të mos e ngritë zërin. Transmetohet se Muhammedi, alejhi selam ka thënë:
    “Largoni nga xhamia fëmijët tuaj (të vegjël), të çmendurit tuaj, armiqësitë tuaja, shitblerjen tuaj, nxjerrjen e shpatave (për luftim), ngritjen e zërave tuaj, ekzekutimin e kodeve tuaja penale dhe bëni durim në ditët e bashkimit tuaj!”

Ahmedi dhe Ebu Davudi transmetojnë se:
“Vini re! Secili prej jush është duke lutur Zotin tuaj, andaj mos e shqetësoni njëri-tjetrin, mos ngrini zërat mbi njëri-tjetrin gjatë këndimit apo namazit”.

Buhariu transmeton nga Saib bin Jezid, i cili thotë:
“Isha duke fjetur në xhami kur ja, një njeri më gjuajti me gurë. Shikova dhe kur ja, ai ishte Omeri, i cili më tha: Shko dhe sillmi ata dy! Shkova dhe ia solla. – Kush jeni ju? – i pyeti Omeri. – Jemi nga banorët e Taifit – iu përgjigjën. – Po të ishit nga banorët e këtij qyteti, do t’iu rrihja; i ngrini zërat tuaj në xhaminë e Pejgamberit, alejhi selam! – tha Omeri”.

Transmeton Imam Maliku dhe Bejhekiu nga Salim bin Abdil-lah se Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, kishte ndërtuar në një qoshe të xhamisë një dhomë, ose kishte lënë një hapësirë, të cilën e quajti El-Betihae, dhe thoshte:
“Kush dëshiron të flasë, të recitojë vjersha ose t’i ngrisë zërat, le të dalë në këtë dhomë!”.-

Nga edukata e xhamisë është edhe largimi i dëfrimeve dhe pazarllëqeve në të. Thotë Allahu, subhanehu ve teala:

“Ajo dritë është në shtëpitë (xhamitë) që All-llahu lejoi të ngrihen, e që në to të përmendet emri i Tij, t’i bëhet lutje Atij mëngjes e mbrëmje. Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur All-llahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet” (En-Nur, 36-37).

Thotë Ibni Kethiri në komentin e këtij ajeti:
“Allahu, subhanehu ve teala, ka urdhëruar për pastrimin e xhamive nga ndyrësirat, dëfrimet dhe gjestet apo veprat që nuk i përshtaten dhe nuk i kanë hije xhamisë”.

Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam ka thënë:
“Nëse e shihni dikë që shet apo blen në xhami, thoni: Mos të sillte Allahu fitim në tregtinë tënde! Nëse shihni dikë që kërkon gjënë e humbur në xhami, thoni: Allahu mos ta ktheftë atë!” ([8]).

  • Meqë xhamia qysh prej ndërtimit të saj është e veçuar dhe e destinuar për namaz, preferohet që në të të mos flitet për çështjet e dunjasë. Ibni Maxhe transmeton se Ibni Omeri ka thënë:
    “Cilësi, të cilat nuk të nevojiten në xhami: të marrësh rrugë (shëtitësh), ngritja e armëve (luftimi), lëvizja e harqeve (strellave), dhe gjuajtja e shigjetës, sepse është frikë dëmtimi i dikujt për shkak të numrit të madh të falësve”.

  • Prej edukatës së xhamisë është të mos bëhen dy xhemate në të njëjtën kohë, sepse qëllimi me faljen e namazit me xhemat është bashkimi i zemrave të muslimanëve dhe nëse eventualisht do të ndodhte kjo, atëherë ky qëllim fisnik do të zbehej. Në Muvetta’ të Imam Malikut qëndron se një grup njerëzish e dëgjuan ikametin dhe u ngritën të falen. U doli Muhammedi, alejhi selam dhe iu tha:
    “A dy namaze përnjëherë? A dy namaze përnjëherë?”

  • Pejgamberi, alejhi selam, nxiti që xhamia të jetë e pastër nga çdo lloj i erërave të këqija dhe porositi që nëse dikush dëshiron të shkojë në xhami, le të mos hajë qepë, hudhër apo gjëra, të cilave iu vjen erë e rëndë. Muslimi transmeton se Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam ka thënë:
    “Kush han qepë, hudhër dhe pras (bime me erë sikurse të hudhrës), le të mos i afrohet xhamisë sonë, ngase melaiket gërditen nga ajo që gërditet edhe njerëzimi”.

Transmeton Bejhekiu në Sunen El Kubra nga Mugireh Bin Shu’beh, i cili thotë:
“Pata ngrënë në kohën e Muhammedit, Alejhi selam hudhra dhe shkova në xhami kur ja një rekat më kishte kaluar. Hyra në namaz ndërsa Muhammedi, Alejhi selam e hetoi erën dhe (pasi që ata e kryen namazin) tha: Kush han nga bimët me erë të keqe le të mos vij në xhami derisa t’i largohet era!”.

  • Duhet ecur me butësi dhe jo me shpejtësi. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam ka thënë:
    “Kur ta dëgjoni thirrjen për namaz shkoni në namaz por me qetësi dhe urtësi; mos nxitoni ngase çka arrini faleni e çka iu kalon plotësojeni”.

  • Falja pas tra-ve. Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam ka thënë:
    “Nëse falet ndokush le të falet tek sutreja dhe le të afrohet afër saj e le të mos e lejojë askë të kalojë para tij. Nëse vjen dikush dhe do të kalojë luftojeni ngase ai është djall”. (Ebu Davudi dhe Ibni maxheh)
    Në një hadith tjetër qëndron:
    “Kalimtari sikur ta dinte se fare rreziku ka të dalë para njeriut gjatë faljes do të ishte më mirë për të të priste 40 se sa të kalonte para tij. Thotë Ebu Nadri: Nuk e di a tha 40 ditë, muaj apo vjet”.

  • Është e ndaluar rreptësisht ekzistimi i varrezave në xhami. Kjo është në kundërshtim të plotë me Sunnetin e Pejgamberit, Alejhi selam. Transmeton Buhariu nga nena e besimtareve, Aisheja, Allahu qofte i kënaqur me të, se Muhammedi, Alejhi selam:
    “I ka mallkuar çifutët dhe të krishterët, (të cilët) kanë shndërruar varrezat e pejgamberëve të tyre në xhami”.

Këtë e argumenton mirë edhe rasti i ndërtimit të xhamisë së Pejgamberit, alejhi’s salatu ve’s selam, që siç transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, ka urdhëruar për largimin e varreve. Ja teksti:
Enes b. Maliku rrëfen se kur Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam erdhi në Medinë qëndroi dy javë në një lagje, që njihej lagjja e Benu Amr b. Avf-ve. Pastaj dërgoi disa njerëz te fisi benu Nexh-xhar, të cilët erdhën me shpata të lidhura. Sikur po e shoh tash të dërguarin e Allahut hipur mbi kafshë, Ebu Bekrin pas tij ndërsa bijtë e fisit benu Nexh-xhar rreth tij… Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam falëj kudo që e zinte koha e namazit. O beni Nexh-xhar! Ma shitni tokën tuaj (për ndërtimin e xhamisë)! Jo pasha Allahun, në çmimin e saj e kërkojmë prej Allahut – iu përgjigjen ata. Aty kishte palma hurmeje, varreza të disa pabesimtarëve dhe disa gërmadha. Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam urdhëroi që palmat të priten, varrezat të nxirren prej aty dhe gërmadhat të rrafshohen…”.

Transmeton Ibni Hibbani se Muhammedi, Alejhi selam ka thënë:
“Vërtet prej njerëzve të këqij, të cilët do t’i zë kiameti gjallë janë ata që varrezat i shndërrojnë në xhami”.

Transmeton Buhariu nga nena e besimtareve, Aisheja, Allahu qofte i kënaqur me të, se Muhammedi, Alejhi selam ka thënë:
“Allahu i ka mallkuar çifutët dhe të krishterët; (sepse ata) kanë shndërruar varrezat e pejgamberëve të tyre në xhami”.

Thotë Allahu, subhanehu ve teala,:
“Dhe (mua më shpallet) se vërtet xhamitë janë veçantë për ta adhuruar All-llahun, e mos adhuroni në to askë tjetër me All-llahun!”. (Xhinn, 18)

Ibni Kethiri në koment të këtij ajeti ka thënë:
“Ka thënë Katadeja: Çifutët dhe të krishterët kur hynin në faltoret dhe kishat e tyre i bënin shok Allahut, subhanehu ve teala kështu që Allahu, subhanehu ve teala, e urdhëroi pejgamberin e Tij ta adhurojë vetëm Allahun në të (xhami). Ibni Abbasi ka thënë: Kur ka zbritur ky ajet, në fytyrën e tokës nuk ka patur xhami tjetër përveç Qabesë dhe Mesxhidi Aksasë”.

Ka thënë A’meshi:
“I kanë thënë xhinët Muhammedit, Alejhi selam: Na lejo t’i falim namazet me ju në xhamitë tuaja. Ndërsa Allahu, subhanehu ve teala, e zbirit këtë ajet:
‘Dhe (mua më shpallet) se vërtet xhamitë janë veçant për ta adhuruar All-llahun, e mos adhuroni në to askë tjetër me All-llahun!'”. (Xhinn, 18)

Transmeton Buhariu nga nena e besimtareve, Ummu Seleme, Allahu qofte i kënaqur me të, se ajo ia kishte përmendur Muhammedit, Alejhi selam një kishte, të cilën e kishte parë gjatë qëndrimit të saj në Habesh (Etiopi), e cila quhej Marije dhe fotografitë (pikturimet) që i kishte parë në të. Atëbotë Muhammedi, Alejhi selam i kishte thënë:
“Ata janë njerëz, që kur të vdes robi i mirë apo burri i mirë në mesin e tyre, ndërtojnë mbi varrin e tij faltore dhe pikturojnë pikturat e tilla. Ata janë krijesat më të dëmshme të Allahut, subhanehu ve teala”.

Ibni Haxheri në librin e tij Ez Zevaxhir ku flet për mëkatet e mëdha, thotë se mëkat i madh nr: 93, 94, 95, 96, 97, 98 është marrja apo shndërrimi i varrezave në xhami, pastaj ndezja e qirinjve rreth tij (varrit), shndërrimi i tyre në idhuj, bërja tavaf rreth tyre, puthja e tyre dhe namazi në to (varreza).

Imam Neveviu ishte pyetur se diku në një lëndinë varrezash ishte ndërtuar një njeri dhe një mihrab andaj a lejohet kjo apo duhet shkatërruar atë? Tha: Nuk lejohet dhe duhet shkatërruar atë ndërtim (përmendore).

Thotë Ibnul Kajjimi në Zadul Mead: “Lënia vakf (për hir të Allahut, subhanehu ve teala) nuk vlen nëse nuk destinohet për ndonjë bamirësi ose afrim (tek Allahu, subhanehu ve teala), sikurse që nuk lejohet lënia vakf e kësaj xhamie (e ka për qëllim Mesxhidu Dirar). Pra bazuar në këtë, xhamia e nderuar mbi varreza shkatërrohet sikurse që nxirret i vdekuri nga varri nëse është varrosur në xhami”.

Me një fjalë, në fenë islame nuk bashkohen dot xhamia dhe varrezat në një vend, dhe nëse eventualisht do të ndodhte kjo, atëherë namazi nuk pranohet në të sepse Muhammedi, Alejhi selam e ndaloi këtë vepër të shëmtuar duke mallkuar protagonistët e kësaj skene.

________________________________________
[1] Ibni Maxheh ndërsa Shejh Albani ne Sahihu ve daifu suneni’bni Maxheh, 735, e ka cilësuar si autentik
[2] Xhamiu’l mulikat mine’l kebairi ve’l muharremat, Urfan b. Selim el Ush-sha Hassuneh ed Dimeshkijj, b.1, Daru’l kutubi’l ilmijjeh, 2001, f: 622
[3] Buhariu
[4] Ebu Davudi
[5] Transmeton Ibni Maxheh ndërsa Shejh Albani e ka cilësuar shih. Shih: El Irva, 2/337. Ndërsa sa i përket hadithit: “Fqiu i xhamisë nuk ka namaz përveçse ne xhami”, ai ka sened te dobët. Shih: Silsiletu’d daifah, 1/332
[6] Shih: El munteka shehu[l muvetta, komentimi i hadithi: 209.
[7] Këtë hadith nuk duhet keqkuptuar se kinse nuk lejohet sjellja e fëmijëve ne xhami, sepse për qellim janë fëmijët e vegjël nen shtate vjet, te cilët qajnë për nenat e tyre dhe kështu shqetësojnë edhe falësit tjerë. Allahu e di me se miri! Përkthyesi
[8] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Shejh Albani këtë hadith e ka cilësuar autentik. Shih: El mishkah, 733 dhe El Irva, 1495

Dr. Sedat Islami