Islami, si botëkuptim i përkryer
Islami, si botëkuptim i përkryer, nuk ka alternativë tjetër, në asnjë aspekt të jetës individuale dhe shoqërore. Ky është besimi i gjithë atyre që dëshmojnë, se Allahu është Zoti i tyre dhe se Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, është i Dërguari i fundit.
Islami si fe dhe sistem i jetës është modeli më i përshtatshëm për botën, i aplikueshëm në çdo kohë dhe vend, sistem që në asnjë mënyrë nuk ndeshet me arsyen e shëndoshë.
Me një fjalë, biseda për alternativat Islame nga këndvështrimi Islam është debat i panevojshëm, ngase vetë aplikimi i parimeve Islame, të përgjithshme dhe të detajuara, e anulon nevojën e një bisede të tillë.
Pse sot flitet për alternativa Islame?
Biseda për alternativa të këtilla aktualizohet në këtë kohë, kur Islami si model i organizimit të shoqërisë është larguar nga skena bashkëkohore dhe kur, si pasojë e dekadencës, ai gjen aplikim të pakët edhe në jetën individuale.
Kriteret për alternativat Islame
Kriteret që duhet t’i plotësojnë këto modele alternative të aspekteve të ndryshëm të jetës janë parakusht që ato të quhen Islame. Nga mesi i këtyre kritereve do të veçoja:
-
Aplikimi i Islamit në jetën individuale dhe shoqërore është imperativ i atij, që është i vetëdijshëm për rolin e mëkëmbësit në Tokë.
-
Nga kjo pikënisje, detyra e muslimanëve është të gjejnë mekanizma se si porositë hyjnore për mirëqenien e llojit njerëzor të arrijnë te njerëzit.
-
Në këtë kaos, ku e mira vlerësohet si e keqe dhe anasjelltas, duhet të angazhohemi që parimet e gjykimit të saktë të rikthehen në skenë.
Alternativat islame, që në realitet duhet/do të zëvendësojnë gjithë modelet e mangëta të organizimit shoqëror, janë pjesë e vazhdimësisë në kumtimin e porosisë:
“Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira…” (Isra, 9)
Pajtueshmëria me parimet Islame
Kriteri i dytë që duhet të kihet parasysh është fakti se një alternativë nuk mund të jetë e tillë nëse nuk është në pajtim me parimet Islame.
Çdo cenim i parimeve Islame gjatë definimit dhe përpilimit të alternativave Islame është mohim i emërtimit të saj me mbiemrin Islame.
Prandaj, biseda për alternativat Islame nuk i lejohet atij që nuk ka njohuri të thella Islame, njohuri kjo e cila bashkon në një përmbledhje të kompletuar synimet madhore dhe detajet më të imta.
Shtyllat e zhvillimit shoqëror
Gjatë përpilimit të alternativave, drejtuesit e lëvizjeve të rizgjimit Islam duhet të përshijnë shtyllat e zhvillimit shoqëror.
1. Arsimi
Në aktivitetin për riaktualizimin e vlerave Islame duhet fillimisht të përfshihet arsimi si faktori i dytë me fuqi për edukimin dhe orientimin e të rinjve.
Duhet të këmbëngulet në arsim të mirëfilltë, të çliruar nga ndikimi i ideologjive devijuese, të promovohet shkenca, e cila assesi nuk ndeshet me parimet Islame, të merret guximi për t’u ballafaquar me sfidën e reformimit të arsimit si bazë e fuqisë.
2. Ekonomia
Shtylla e dytë e zhvillimit shoqëror është ekonomia, së cilës duhet t’i ofrohen modele alternative për t’u çliruar nga prangat e neokapitalizmit, i cili për shkak të sistemit të interesit (kamatës) dhe vlerës imagjinare (joreale) vazhdimisht do të gjenerojë krizë.
Ekonomia gjithashtu duhet të mbështetet në resurset që posedohen, duke marrë parasysh parimet e prodhimit që nuk dëmton/rrezikon mjedisin jetësor.
Parimet etike të Islamit sigurojnë pastrim dhe mbrojtje të administratës shtetërore nga korrupsioni, e cila gjithashtu duhet të përfshihet me angazhimin për promovimin e alternativave Islame.
Qendra përfaqësuese dhe përkrahja institucionale
Muslimanët duhet të krijojnë/mbështesin një qendër, e cila do t’i përfaqësojë muslimanët dhe do të ketë fuqi për inicimin dhe realizimin e kërkesave të muslimanëve.
Në situatën tonë kjo nënkupton mbështetjen e Bashkësive Islame dhe institucioneve të tyre si përfaqësues legjitimë të muslimanëve.
Një përfaqësues i fuqishëm që bashkon dhe punon për të mirën e muslimanëve do të ndihmonte shumë në promovimin e alternativave islame.
Për disa alternativa që kanë të bëjnë me disa detaje të jetës shoqërore dhe individuale, nuk ka pengesa që ato të realizohen me anën e organizatave jo-qeveritare.
Mbështetja në partitë politike duhet të minimizohet duke formuar një bllok të fortë të lëvizjeve jo-politike, por që kanë ndikim në rrjedhat shoqërore.
Roli i medieve
Mediumet sot janë arma më e fortë e globalizimit, i cili sulmon identitetet e ndryshme duke krijuar një identitet të unifikuar.
Angazhimi mediatik duhet të jetë në mesin e prioriteteve të veprimtarisë së muslimanëve.
Sipas studimeve të fundit, njerëzit kalojnë mesatarisht 8 orë para monitorëve të ndryshëm (të televizionit, të internetit, celularit).
Alternativat Islame në fushën e medieve kërkojnë angazhim dhe profesionalizim të shkallës së lartë. Ekzistimi i tyre do të zvogëlonte efektet destruktive të medieve, që promovojnë gjithçka përveç vlerave Islame.
Me këtë angazhim duhet të përfshihen të gjitha fushat e në veçanti televizioni dhe interneti.
Këto alternativa duhet t’i përfshijnë edhe gjitha kategoritë e njerëzve, që i ndjekin mediumet: fëmijët, adoleshentët, të moshuarit, gjininë mashkullore dhe atë femërore, etj.
Kjo nënkupton njohje të mirë të specifikave të këtyre kategorive, si dhe versione të përshtatshme të mediumeve për ato kategori.
Mjetet klasike të veprimit Islam
Në këtë angazhim alternativ, muslimanët nuk duhet t’i anashkalojnë edhe mënyrat klasike të veprimtarisë Islame.
-
Nuk duhet të anashkalohen ligjëratat dhe hytbet në xhami.
-
Duhet të ndihmohen mejtepet dhe mualimët e Kuranit.
-
Duhet të ndihmohen medresetë dhe fakultetet e shkencave Islame.
Në aspektin shoqëror duhet të ndihmohet zhvillimi i institucioneve të zekatit dhe sadakave, të ripërtërihet roli i vakëfeve, të ndihmohet ndërtimi i xhamive dhe publikimi i literaturës fetare.
Xhamia duhet të bëhet boshti i shoqërive lokale, vendtubimi në të cilin muslimanët bashkohen dhe bashkëveprojnë për të mirën e muslimanëve në veçanti dhe njerëzimit në përgjithësi.
SHKRUAR: TALHA KURTISHI / albislam/



