Prof. Dr.  Abdul Kerim Bekkar

Libri: “Ligjëruesi i mirë Koncepte dhe Mekanizma”

Sado e lartë të jetë shkalla e elokuencës së  ndonjërit prej nesh dhe sado të mëdha të jenë aftësitë e tij verbale, ajo që thotë mbetet në prag të dyshimit dhe në kufijtë e mundësisë. Për arsye të panjohura, në shumë raste,  shumica e njerëzve janë në gjendje të gjejnë një mënyrë për të kundërshtuar atë që themi, ta nënçmojnë apo të kenë rezerva për të… Kjo do të thotë se idetë që ne përcjellim përmes fjalëve kanë ende nevojë për një lloj mbështetjeje dhe suporti përmes pozicionit të përgjithshëm të folësit e pamjes së tij të  jashtme, uljes, gjesteve, lëvizjeve dhe shprehjeve të fytyrës.

Unë besoj se dëgjuesi ka të drejtë që mbështetet në shprehjet  joverbale për të forcuar të dhënat verbale. Pjesa më e madhe e besueshmërisë rrjedh nga shkalla në të cilën qëndrimi ynë i përgjithshëm është në përputhje me përmbajtjen e asaj që ne themi, predikojmë ose paralajmërojmë. Si do të ndikohen  njerëzit prej  dikujt  që i thërret në elegancë e pastërti  ndërsa rrobat e tij janë për faqe të zezë. Si do t’i përgjigjen njerëzit dikujt që i thërret të përdorin fjalë elegante dhe të sjellshme kur mendojnë se ai vetë ka nevojë për dikë që ta paralajmërojë për këtë si shkak i ashpërsisë së gjuhës që përdor?!

Qëllimi i të folurit është t’u japë dëgjuesve mesazhe specifike, dhe bindjet e tyre për ato mesazhe ndikohen shumë nga kontrasti midis fjalëve dhe veprimeve, realitetit dhe asaj që dëshirohet.

Ja disa vërejtje në këtë drejtim:

1 – Ka shumë studime që janë përpjekur të monitorojnë ndikimin e rrethanave  joverbale në pranimin e fjalës dhe bindjen në të. Ndër këto studime është edhe hulumtimi i publikuar nga profesor Albert Mehrabian për komunikimin vizual. Ai beson se mesazhi mund të përcillet në tre mënyra:

A – E dukshme në gjuhën fizike; dhe ndikimi i saj është: 55%.

B – Akustike, përmes tonit dhe ngjyrave të zërit; dhe efekti i saj është:  28%.

C – Me gojë, përmes kuptimit të fjalës; dhe efektit të saj është  7%.

Nëse përqindja e ndikimit të mesazhit fizik krahasohet me përqindjens e ndikimit të mesazhit audio, totali do të jetë 93%  i ndikimit të mesazhit. Por shumë studiues besojnë se matja e efektit në këtë nivel specifikimi dhe përgjithësimi është shumë e ekzagjeruar, dhe se raporti ka një konsideratë në këtë.

Këta studiues besojnë se thënia e përhapur: “Nuk është me rëndësi ajo që thuhet, por si thuhet”  edhe pse prek një aspekt të së vërtetës, nuk është e saktë plotësisht.

Kur i thua dikujt që nuk e njeh e as ai nuk të njeh: Ti je hajdut, i korruptar, apo budalla… ti i jep një kuptim të qartë, pavarësisht ndikimeve joverbale dhe përqindja e ndikimit të tyre mbetet më pak të rëndësishme se kuptimi bazë që tregojnë fjalët.  Unë  anoj kah kjo e fundit, dhe mendoj se që ka shumë rrethana që rrisin ose ruajnë ndikimin e kuptimit të fjalëve, edhe pse nuk dua të thellohem në to këtu.

Ndoshta problemi i vërtetë në këtë çështje është kontradikta mes mesazhit verbal dhe mesazhit joverbal. Ai që flet për suksesin që ka arritur në rritjen e fëmijëve të tij në një kohë kur dëgjuesit besojnë se nuk ka arritur asgjë në realitet, fjalët që shqipton humbasin vlerën më të madhe dhe njerëzit besojnë në të dhënat e prekshme për sjelljen e fëmijëve të tij, e kështu me radhë…

2 – Kur njerëzit janë të kënaqur me gjendjen e dikujt, fillojnë të kërkojnë aspektet pozitive në personalitetin e tij, dhe kur e admirojnë, kërkojnë tek ai elementet që i dhanë atraktivitet, dhe kur ndodh diçka prej asaj dhe kësaj fjalët që ai të flet kanë konotacione më të ndritshme dhe më intensive.

Fillimi i rrugës drejt gjithë kësaj është të vendos për të lën përshtypje pozitive në shpirtrat e dëgjuesve të tij përmes mesazheve joverbale që ata do të marrin prej tij, dhe sapo të ndodhë kjo vendosmëri, mendja nënndërgjegjeshëm punon për të bërë lëvizjet e trupit dhe pozicionet e ndryshme që i shërbejnë atij përcaktimi dhe të ndihmojnë në arritjen e tij. Nëse do të mendonit për gjendjet e të gjithë atyre folësve që nuk përfitojnë nga mesazhet joverbale që vijnë prej tyre, dhe atyre folësve që dërgojnë mesazhe që i dëmtojnë ata – do të zbulonit se ata nuk përfunduan me këtë çështje, ose ata nuk kanë energji psikologjike për ta çuar përpara.

  1. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të jesh i moderuar në lëvizje gjatë hutbes, ligjëratës apo debatit. Lëvizjet e pakëta edhe pse mund të shprehin zotërimin e temës dhe maturinë mund të shkaktojnë mendjemadhësi dhe vetpëlqim. Disa prej oratorëve të lashtë e shihnin të papëlqyeshme që oratori të ndihmohet me gjeste në shprehje duke e  konsideruar atë një shenjë dobësie dhe paaftësie. Xhahidhi përmend se kur Ebu Shimri debatonte, ai nuk i lëvizte duart ose shpatullat  e as  që rrotullonte sytë,  sikurse që edhe kokën  nuk e lëvizte, thuasje  sikur fjalët të dilnin nga guri. Ai ia shihte për të metë atij që përdorte lëvizjet për shkak të nevojës dhe  paaftësisë së tij për të arritur qëllimin vetëm me fjalë. Ai thotë: Nuk është prej  logjikës të kërkosh ndihmë nga dikush tjetër për të. Megjithëkëtë   iu desht që në një debat mes tij dhe Ibrahim bin Sejjar el-Nedhamit, të lëvizë duart dhe të largohet nga rreptësia dhe qëndrimi i tij.

Disa ligjërues dhe hatibë e teproojnë në lëvizje shumë, saqë njeriu imagjinon se personi që qëndron përballë është një aktor ose një klloun, dhe jo një hatib orator këshillues. Mbaj mend që në moshë të re e falja namazin e xhumasë në një xhami, predikuesi i së cilës ishte shumë aktiv dhe lëvizte  në minber në një masë që ishte e papranueshme dhe e pakuptueshme. Si pasojë e lëvizjeve  të shpeshta njëherë, ai shtyu  me dorë mikrofonin  dhe kur e pa se ishte gati  për t’u rrëzuar në tokë, u përkul mbi të që ta mbante në dorë por kësaj radhe i ra nga koka çallma e tij, kështu që ai e mori atë me dorën tjetër!

Në anën  e kundërt sheh disa ligjërues që nuk bëjnë asnjë lëvizje, aq sa më shumë i ngjason një mumie sesa një qenie njerëzore që ka shpirt, e  kjo zvogëlon ndërveprimin e njerëzve me të, tërheqjen e tyre ndaj tij dhe ndikimin  nga fjalët e tij. Vlerësimi i nivelit të përshtatshëm mes këtyre dy ekstremeve i mbetet  ligjëruesit  në vlerësimin personal duke zbuluar  shijen dhe gjykimin e mirë   të tij,  ndërsa mesatarisë i mbetet në vazhdimësi legjitimiteti dhe  shija e veçantë.