Hyrje

Në prag të jubileve me karakter kombëtar sikur është bërë traditë të trajtohen edhe figura të caktuara, kontributi i të cilave është i lidhur me këto data. Në 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kemi menduar të shkruajmë për njërin prej protagonistëve të kësaj ngjarjeje me peshë kombëtare – Haxhi Vehbi Dibrën, jeta dhe vepra e të cilit, sigurisht që është e lidhur me këtë datë.
Sado që është shkruar për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, më pastaj për ngjarjet e rëndësishme brenda kësaj periudhe, për momentet vendimtare kombëtare, për individë dhe shoqëri kulturore të caktuara etj., megjithëkëtë, nga ajo që është shkruar e botuar, fitohet bindja sikur shumë pak është shkruar për disa figura, të cilat, në momente vendimtare, ose ishin ndër prijësit e atyre ngjarjeve, ose ishin pranë personaliteteve kombëtare të kohës dhe ishin ndër ata që kishin peshën e vet në ato ngjarje dhe kthesa të mëdha.(1)
Në plejadën e atyre njerëzve të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e sidomos të atyre personaliteteve që pasurinë e tyre shpirtërore dhe intelektuale e vunë në shërbim të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të mbarëvajtjes sa më të mirë të kësaj lëvizjeje, ishte dhe Vehbi Dibra, i njohur për veprimet e tij shumë më herët në dobi të shoqërisë dhe të vendit, për t’u bërë i njohur aty nga fundi i shek. XIX dhe më pas.(2)
Në këtë punim kemi veçuar katër momente historike, në të cilat Vehbi Dibra kishte rol domethënës dhe që në historiografinë tonë i japin vend meritor, krahas shumë prijësve të tjerë pa dallim feje, të cilët kontribuuan gjithanshëm në dobi të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

E para, Qëndrimi kombëtar në Kongresin e Dibrës më 1909.
E dyta, fetvaja-vendimi juridik që kishte nxjerrë ai, si Islamist, në dobi të veprimeve të veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe pjesëmarrja e tij në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912.
E treta, Kontributi i tij për themelimin e Komunitetit Mysliman dhe pavarësimin e këtij komuniteti nga qendra në Stamboll, duke u bërë edhe udhëheqës i këtij komuniteti.
E katërta, Roli i tij në mbarëvajtjen dhe kultivimin e tolerancës ndërfetare tek shqiptarët.

Jetëshkrimi i Vehbi Dibrës

Vehbi Dibra u lind më 1867 në Dibrën e Madhe, ku edhe mori mbiemrin Dibra. Emri i vërtetë i tij është Vehbi Agolli. U lind e u rrit në një familje me traditë fetare e atdhetare. Babai i tij, Ahmeti, i njohur si një tregtar i asaj ane, birit të tij do t’i krijonte kushte për shkollim.(4)
Vehbi Dibra mësimet fillestare fetare islame i mori nga babai i tij, kurse ato të larta për teologji islame, i mori në Stamboll. Vitet në të cilat u rrit dhe u edukua Vehbi Dibra, pa dyshim ishin përplot ngjarje me rëndësi në historinë e popullit shqiptar, siç është Lidhja Shqiptare e Prizrenit si faza e avancuar e mendimit politik shqiptar, dhe të tjera ngjarje si kjo pa dyshim do të kenë lënë mbresa në formimin e tij të mëvonshëm intelektual. Shkollimi i tij në Stamboll, ku do të pajisej me dije shpirtërore, si duket, do të bënte të mundur edhe takime me shumë intelektualë të kohës, që vepronin asokohe në Stamboll si: Sami Frashëri, Hoxhë Hasan Tahsini etj.. Në moshën 25 vjeçare ai përfundoi studimet duke u pajisur me njohuri gjuhësore: arabisht, persisht, turqisht;- dhe njohuri teologjike e ide patriotike nga kontakti me patriotë shqiptarë. Me t’u kthyer në vendlindje, falë aftësive të tij dhe veprimtarisë së tij, qe emëruar myfti i Dibrës, kështu që, pas emërimit të tij në këtë post, emrin e tij e hasim të zgjeruar – Myfti Vehbi Dibra. Këtë detyrë do ta kryente me shumë përkushtim deri në vitin 1912.
Ai ishte që e vulosi Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Prijës Mysliman, Myfti e Patriot i madh që bëri e dha shumë për Shqipërinë Etnike! Kryetar i senatit (pleqërisë) të Shtetit të saposhpallur Shqiptar, Delegat e nënshkrues i Pavarësisë së Shqipërisë. Ishte për bashkimin e kombit shqiptar dhe luftëtar i zjarrtë për hapjen e shkollës shqipe. Këtë e vërtetoi edhe praktikisht në Kongresin e Dibrës (Korrik 1909), ku Vehbi Dibra mbajti një fjalim shpirtëror e kombëtar.
Në Kongresin e parë Mysliman të mbajtur më 1923 zgjidhet Kryetar i Parë i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Përveç punës së palodhshme si udhëheqës i këtij komuniteti, në konsolidimin dhe mbarëvajtjen sa më të mirë të tij, ai do të ishte shumë aktiv edhe në lëmin e publicistikës, si në revistën “Zani i Naltë”, revistë kjo që shpërndahej pothuaj në të gjitha trojet shqiptare; pa dyshim që, përmes kësaj reviste, do të shpërndaheshin idetë e tij edhe jashtë kufijve të Shqipërisë së asaj kohe.
Vdiq në Tiranë më 1937,(5) ”Më 24 të Marsit 1937 ditën e mërkurë si nji rrufe papritur qi trishton shpirtrat, ashtu u përhap lajmi i piklluëshëm i vdekjes së shum të shtrenjtit Haxhi VehbiDibrës; lajm shum i idhtë qi me të shpejtë e mbuloi të tanë kryeqytetin e Mbretnis Shqiptare. Secili atë ditë mbante në gojë me vaj frazën ”Haxhi Vehbia paska ndrrue jetë”(6). Vdekjes së Vehbi Dibrës dhe varrimit të tij shtypi i kohës i dha një jehonë të madhe. Në varrim morën pjesë autoritete nga Qeveria e atëhershme dhe, në shenjë respekti dhe zije për personalitetin e tij, atë ditë qe mbyllur tregu i Tiranës.(7)

Kongresi i Dibrës më 1909

Pas revolucionit Xhonturk të vitit 1908, që kishte edhe përkrahjen e shqiptarëve për premtimet që u ishin bërë nga ana a autoriteteve xhonturke, si hapja e shkollave në gjuhën shqipe etj., mirëpo premtimet e tilla nuk zgjatën shumë. Hapja e disa klubeve nga ana e shqiptarëve, mbledhja e Kongresit të Manastirit për një alfabet të unifikuar të shqipes, sigurisht që përbënin shqetësime për xhonturqit dhe politikën e tyre; ata, pavarësisht nga premtimet e dhëna dëshironin të zbatonin politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve. Xhonturqit do të ndërmerrnin edhe ekspedita ndëshkuese ndaj shqiptarëve në Kosovë, po të cilat do të dështonin. Të gjitha këto bënë që shqiptarët ta kuptonin shumë shpejt se ishin të tradhtuar nga xhonturqit. Sigurisht që, pas dështimeve, Qeveria xhonturke do të merrte masa dhe do të vinte në lëvizje mekanizmat e saj edhe një here, për ta kthyer besnikërinë e shqiptarëve ndaj xhonturqve.(8)
Veçse, këtë besnikëri politika xhonturke ndaj shqiptarëve dëshironte ta kthente duke organizuar tubime të ndryshme të shqiptarëve më besnikët e tyre, dhe duke propaganduar në forma të ndryshme për rrezikun nga Fuqitë e Mëdha që do t’i vinte popullatës shqiptare në rast të ndarjes nga Perandoria
Osmane(9), të gjitha këto aktivitete të xhonturqve dhe prapavijat
e politikes së tyre i ndiqnin me vëmendje edhe konsujt austrohungarezë
në Shkodër , Vlorë etj..(10)
Në këtë frymë xhonturqit kishin zgjedhur pikërisht njëvjetorin e ardhjes së tyre në pushtet, për të thirrur një Kongres në Dibër, më 23 korrik 1909, ku do të konfirmohej, sipas tyre, besnikëria e shqiptarëve ndaj autoriteteve xhonturke dhe shtytja e shqiptarëve për të avancuar përdorimin e gjuhës shqipe me alfabet arab.(11)
Pavarësisht pritjeve të xhonturqve që të realizohej skenari i tyre në këtë Kongres, kjo nuk ndodhi, falë angazhimit dhe nuhatjes së skenarit të parapërgatitur nga patriotët shqiptarë, si Vehbi efendi Dibra, Hfz. Sherif Langu, Sotir Peci, Fehim Zavalani, Dervish Hima, Hafiz Ali Korça, Abdyl Ypi (Starja), Aqif pashë Elbasani, Andrea Ballamaçi, Qazim Beu (kryetar i klubit “Bashkimi” të Dibrës), Jusuf Karahasani (nga Malësia e Dibrës), Haxhi Hafiz Ibrahim efendiu (nga klubi i Shkupit), Murat Aga (nga Gjakova) etj., të cilët arritën që, me këmbënguljen e tyre, t’i impononin kongresit karakterin kombëtar dhe të triumfonin ndaj rrymës tjetër xhonturke që vepronte Brenda kongresit dhe që ishte shumë aktive.(12)
Kongresi i Dibrës dhe veprimtaria e tij, në historiografinë shqiptare ka vazhduar dhe vazhdon ende të matet me kute të ndryshme, por në vendime të impononin konstatimin se ky Kongres kishte karakterin e vet kombëtar.(13)
Kongresi i Dibrës u thirr më 23 korrik 1909 dhe zgjodhi njëzëri kryetar të tij njeriun më autoritativ të asaj ane –Vehbi Dibrën, i cili tashmë kishte dhënë prova si njeri i vendosur në vijën e tij shpirtërore dhe kombëtare. “Më 1909 Kongresi i Dibrës e zgjedh si prijs, dhe, për hirë të gjanësis së tij në përqafimin e problemeve të kokllavituna, u arrit suksesi”(14). Jo rastësisht u bë zgjedhja e tij në krye të këtij kongresi, sepse ai ishte ndër të parët që u shpërndau ftesa atdhetarëve shqiptarë për kongresin, ishte myfti i rajonit të Dibrës, njëri që tashmë, me autoritetin e tij, kishte krijuar në popullatën e asaj ane dhe ishte shumë e natyrshme që fjala e tij ishte me peshë në ato anë. Se ishte njëri nga më të merituarit në këtë Kongres që u zgjodh kryetar dhe njeri ndër ata që me fjalët e tij kongresit i dha karakter kombëtar duke i vënë interesat e kombit në radhë të parë. Këtë e dëshmojnë edhe bashkëpjesëmarrësit e tjerë në këtë Kongres, të cilët kanë lënë kujtime të shkruara për këtë ngjarje, si Abdyl Ypi(15), Rexhep Voka Tetova(16), Kenan Mana-stirliu(17), Hafiz Ali Korça(18), Ismail Stazimiri(19), etj..
Nga disa autorë ky Kongres u cilësua edhe si kongresi më i rëndësishëm që bashkoi të gjithë delegatët e trevave shqiptare për qëllime Kombëtare, pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.(20)
Këmbënguljen e delegatëve pjesëmarrës të vijës kombëtare, të cilët në këtë kongres, së bashku me udhëheqësin e zgjedhur të tyre Vehbi Dibrën, dhe këmbënguljen e tyre për mbrojtjen e kombit dhe të gjuhës amtare, insistimi i tyre që gjuha amtare shqipe të mësohej nëpër të gjitha shkollat në vilajetet shqiptare, nuk mbeti pa u vërejtur edhe nga shtypi shqiptar i kohës, i cili i dha jehonë dakordimit të delegatëve shqiptarë pa dallim feje për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe mësimit të gjuhës shqipe në të
gjitha shkollat,(21) që ishin prej vendimeve të këtij kongresi.(22)
Të gjitha përpjekjet e xhonturqve për organizimin e këtij kongresi dhe që në përvjetorin e themelimit të kësaj organizate, t’i mblidhnin të gjithë delegatët nga të gjitha krahinat shqiptare, pa dallim feje, dhe që, përmes këtij kongresi, shqiptarët t’i bënin edhe më të dëgjueshëm ndaj tyre, u dështoi, ata nuk arritën t’i bindin shqiptarët që të hiqnin dorë nga dëshirat e tyre kombëtare. Rezultatet e kongresit padyshim që do të ishin shumë dëshpëruese për ata që e thirrën atë.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë 1912

Akoma nuk ishin mbushur plot dy vjet që i kishte mbyllur punimet Kongresi i Dibrës, kur Vehbi Dibrën do ta gjejmë në mesin e atyre firmëtarëve (delegatëve) për shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Vehbi Dibrën në këtë Kuvend e gjejmë si delegat të Dibrës(23) së bashku më Hafiz Sherif Langun(24), i cili, me propozimin e Lef Nosit, njërit prej figurave emblematike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, zgjidhet deputet i Dibrës (25) ”Z. Lef Nosi kërkoi që të njihej si delegat i Dibrës z. Sherif Efendiu. Mbledhja i pëlqeu me plotësiën…(26)”
Me zgjedhjen e Pleqësisë prej 18 anëtarësh, me vendim unanim kryetar do të zgjidhej Vehbi Dibra.(27) “Pastaj, duke qenë që ay, si kryetar i Qeverrisë së përkohëshme nuk munt të mbetet edhe si kryetar i kuvendit kërkoj që të zgjidhet një kryetar i tjatër. Z. Gurakuqi proponoj për kryetar Z. Myfti Vehbi Efendinë. Midhat Be Frashëri kërkoj që sgjedhja e kryetarit e e nenëkryetarit të bëhen me zana. Me plotësiën e zanavet uzgjodhën Z. Myfti Vehbi si kryetar e Z. Lef Nosi si nënkryetar”.(28)
Ishte pikërisht Luigj Gurakuqi, i cili, duke e njohur nga afër Vehbi ef. Dibrën dhe duke i njohur qëndrimet e tij fetare e kombëtare, propozoi Vehbi ef. Dibrën për kryetar të Pleqësisë së Kuvendit të Vlorës, propozim ky që u përkrah nga të gjithë pjesëmarrësit, por, edhe falë autoritetit që kishte imponuar te pjesëmarrësit, shihet haptazi se edhe një figurë shumë e çmuar në historiografinë tonë kombëtare, pranoi që të ishte zëvendës (nënkryetar) i Vehbi Dibrës. Për mendimin tonë, ajo që e bën këtë njeri shumë të respektuar në mesin e kolegëve të tij, atëherë më të dëshmuar në historiografinë shqiptare, ishte Fetvaja (vendimi juridik) i Vehbi ef. Dibrës në favor të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, ashtu siç kishin vepruar edhe pasardhësit kolegë të Vehbi ef. Dibrës në ngjarjet madhore për fatin e kombit shqiptar, si: Ymer ef. Prizreni në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Haxhi Zeka në kohën e Lidhjes Shqiptare të Pejës etj.. I vendosur në parimet e veta, Vehbi ef. Dibra, kishte dhënë prova se ishte i gatshëm të merrte çfarëdo detyre që i shërbente së mirës së popullit. Në kontekst të kësaj, më 13 mars 1913, kur Ismail Qemajli, Luigj Gurakuqi e Isa Boletini, kishin marrë një turne diplomatik nëpër shtetet e ndryshme të Evropës me qëllim lobimi për shtetin e ri të shpallur dhe, kur po parapërgatitej për pjesëmarrje në Konferencën e Ambasadorëve, si zëvendës të tij, Ismail Qemajli ia besoi postin V. Dibrës, dhe për sa qëndroi në këtë detyrë, ai mori vendime të rëndësishme për vendin. ”Për kohën sa administroi qeverinë, Vehbiu mbante nga tri mbledhje të qeverisë në javë, solli vendime me rëndësi për kufitë veriorë, verilindorë e jugorë më 3 qershor u miratua dokumenti ”Rregullorja e Qeverisë së Përkohshme tëVlorës mbi formimin e milicisë kombëtare”, nënshkroi shumë dokumente e shkresa”(29).
Duhet theksuar se ky njeri, jo vetëm me penë dhe ligjërata ishte aktiv, po, kur kërcënonte rreziku vendin, ai diti të shkonte edhe me pushkë në dorë përballë armiqve. Këtë e bëri me rastin e pushtimit të Dibrës nga serbët, ishte ”ushtar aktiv në Kryengritjen që ndezi Dibra krenare kundra pushtmit të Sërbëvet”(30).

Vendimi juridik (Fetvaja) i Vehbi Dibrës dhe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë

Një akt shumë domethënës që ndërmori Vehbi ef. Dibra, është fetvaja e tij e njohur, me të cilën jepej pëlqimi “Për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe përdorimin e simboleve kombëtare”. Rendësia e kësaj fetvaje konsistonte jo vetëm në konsekuencën e parimit të patjetërsueshëm mbi të drejtën e luftës për mbrojtjen e atdheut dhe të qenies kombëtare, por dhe në porosinë që trasmetonte ajo për profilizimin ideor dhe politik të parisë myslimane shqiptare. Kjo fetva përbën aktin më sublim të shkëputjes dhe pavarësimit të gjykatave të Shtetit Autonom Shqiptar dhe të shqiptarëve myslimanë nga juridiksioni i Shejhul-islamit të Portës së Lartë dhe i Sulltanit si halif i myslimanëve.
Fetvaja e Vehbi Dibrës, ndoshta, mund të llogaritet edhe si bërthama kryesore në Pavarësimin e Shqipërisë.(31) Por, sikur të mos ishte fetvaja e Vehbi ef. Dibrës, a do të pavarësohej Shqipëria?
Pa dyshim, edhe po të mos ishte kjo fetva, nuk mund të ndaleshin proceset politike të kohës, po e rëndësishme në atë proces ishte kompaktësia e veprimeve konstruktive të myslimanëve për Pavarësinë e Shqipërisë. Me plot të drejtë, për sa i përket fetvasë në rrethanat kur u dha nga Vehbi Dibra, H. Bushati konstaton: ”Ndoshta pare me rrethanat e sotme do te ishte krejt normale qe një Myfti te dekretonte një Fetva ku te shpallte vendin të pavarur. Po kur kjo Fetva vehet ne kushtet e atëhershme qe nga ana Juridike, Fetvaja ishte pothuajse burimi me i larte hirearkik dhe me popullori ne vend, atehere besoj se pesha e saj specifike ndryshon. Dhe kjo ndodhi ne një kohe kur “Perandoria” ishte akoma ne frymëmarrjet e fundit”.(32). Fetfaja e Vehbi Dibrës, pati jehonë të madhe në masat e gjera.
Kurse, revista “Zani i Naltë”, nr. 4, 1973, opinionin e Vehbi Dibrës në lidhje më Shpalljen e Pavarësisë, e përshkruan në këtë mënyrë: ”Goja e tij e ambël e bekoi për herën e parë Vepren e Shenjtë të ngritjes së Flamurit”(33), Flamuri i jonë i dashur do të valojë gjithmonë, pse se pati fati e lumnuëshëm qi t’a fillojë tallazin e parë me bekimin dhe uratën e një fetari të vërtetë”(34).

Kryetar i Parë i Komunitetit Mysliman Shqiptar

Një nga kontributet për t’u vlerësuar personaliteti i Vehbi ef. Dibrës pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me 1912, është edhe përpjekja e tij për ngritjen e Komunitetit Mysliman në Shqipëri, e cila nuk ishte një punë pa sakrifica, sepse të shkëputeshe nga një qendër me të cilën për disa dekada ke qenë i lidhur, nuk ishte pa sfida. Mirëpo, largimi i Perandorisë Osmane nga Ballkani, posaçërisht nga tokat Shqiptare, do t’i bënte të domosdoshme pavarësimin e myslimanëve shqiptarë dhe përpjekjet e tyre për ngritjen e Komunitetit Mysliman Shqiptar, për se do ta merrte edhe dritën e gjelbër nga Këshilli i Ministrave i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, më 1913.(35)
“Por, edhe pas kësaj date, të paktën zyrtarisht, bashkësia islame vazhdoj të mbetej pjesë e këtij institucioni religjioz (Kalifatit Osman N.A). megjithëse kur analizojme rrugën që ka ndjekur procesi i realizimit të mvetësisë së komunitetit mysliman shqiptare, duhet theksuar se ai pas vitit 1912 nuk ka pasur asnjë kontakt zyrtar me kalifatin”(36). Gazeta “Dielli “, e cila dilte në Amerikë, me dt. 23 shtator 1913, kur bënte fjalë për ndryshimet në kabinetin qeveritar në Vlorë, në mes të tjerash njoftonte: “Vehbi Dibra i cili qe president i Senatit, u bë kryetar i muhamedanëve dhe vendin e tij e zuri Ekrem Vlora”(37).
Kjo do të thotë se Vehbi ef. Dibrës, qysh në ditët e para të krijimit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, përveç detyrës së kryetarit të Pleqësisë së Kuvendit të Vlorës, i ishte caktuar, edhe detyra e Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe, me marrjen e detyrës së re – Kryemyfti i Përgjithshëm i Shqipërisë, qe liruar nga detyra që kishte më herët. Këtë nevojë të kohës e kishte kuptuar Vehbi ef. Dibra dhe shokët e tij, prandaj që nga Shpallja e Pavarësisë pati përpjekje të vazhdueshme nga ky personalitet për formimin e Komunitet Mysliman Shqiptar, që shihet edhe nga disa dokumente në të cilat Vehbi ef. Dibra, duke shfrytëzuar pozitën që kishte në Qeverinë e Ismail Qemajlit, do të bënte përpjekje, së bashku me kolegët e tjerë nga ajo qeveri, po edhe më vonë – në bashkëpunim me qeverinë e Durrësit, për ngritjen e institucioneve islame nëpër rrethe të ndryshme anembanë Shqipërisë,(38)- duke nxjerrë qarkore të ndryshme që Vehbi ef. Dibra ua dërgonte sherieve të rretheve për konsolidimin sa më të mirë të punës në këtë aspekt, përpjekje të cilat do të shkonin deri në atë masë, sa Vehbi ef. Dibra në qarkoret e dërguara më 1917 e më pas, të gjitha sherieve të rretheve, ua ndaloi predikimin e lutjeve në gjuhën turke, i obligoi që lutjet prej atëherë të predikoheshin në gjuhën shqipe dhe sulltani të mos përmendej si mbret,(39) nëpunësit e sheries të mësonin gjuhën shqipe(40), të mos përdorej gjuha turke në shkresat zyrtare(41) dhe vulat të mos përdoreshin turqisht në dokumente, dhe vulat të pajiseshin edhe me simbolin kombëtare – Shqiponjën.(42)
Në vitin 1917 pati një parashkresë të hartuar edhe nga Komanda ushtarake austro-hungareze e titulluar,”Parashkresë e përkohshme për organizimin e Sherisë në Shqipëri”, e cila deri në vitin 1923 luajti rolin e një statuti dhe kishte 43 nene. Mund të thuhet se ishte pararendës i statutit të Komunitet Mysliman Shqiptar, i cili u aprovua më 1923.(43)
Përpjekjet nga vitit 1912 të Vehbi ef. Dibrës për autoqefalin e xhamisë shqiptare(44), do të kulmojnë në shkurt 1923, me mbajtjen e Kongresit të parë Mysliman të Shqipërisë, ku morën pjesë 36 delegatë nga të gjitha viset e Shqipërisë, dhe zgjodhën Vehbi ef. Dibrën Kryetar të parë të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Komuniteti hartoi statutin, në bazë të të cilit u krijua Këshilli i Lartë i Bashkësisë Myslimane dhe anëtarët e këtij këshilli, në bazë të statutit, duhej të ishin shqiptarë dhe të dinin gjuhën, shkrimin e leximin shqip, u aprovuan edhe rregullore për mbarëvajtjen e vakëfeve, hapjen e shkollave, botimin e revistës “ Zani i Naltë” etj..(45)
Vlen të theksohet se qysh në vitin 1922 Vehbi ef. Dibra, së bashku me një grup të krerëve fetarë të kohës, kishte përgatitur projektstatutin e Xhematit Mysliman Shqiptar, të cilin në vitin 1922 ia kishte paraqitur Kryesisë së Qeverisë së atëhershme Shqiptare(46), dhe më 7 shkurt 1923 Ministri i Punëve të Brendshme Ahmet Zogu i jepte leje Gjyqit të Naltë të Sheriatit, me vendim të Këshillit të Ministrave, e kërkuar nga populli mysliman, që me 20 shkurt të vitit 1923 të mbahej mbledhja e përgjithshme për formimin e Këshillit të Myslimanizmëz.(47)
Kongresi i Parë Mysliman Shqiptar i përfundoi punimet më 12 mars 1923, ku pas përfundimit Vehbi ef. Dibra i dërgon një letër Këshillit të Ministrave, ku e njofton se Kongresi ka mbyllur punimet me sukses dhe për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Naltë të Sheriatit(48). Në detyrën e Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar Vehbi ef. Dibra qëndroi deri në vitin 1929.

Vehbi Dibra Kontribuues për tolerancën ndërfetare te Shqiptarët

“Për zgjidhjen e objektivave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dukuria e tolerancës fetare fitoi statusin e potencialit më të fuqishëm për progresin shoqëror të vendit. Kjo dukuri u bë çelësi kryesor i zgjidhjeve të problemeve aq të mprehta të kohës. Elementi mysliman, që përbënte shumicën për realizimin e objektivave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, arriti të krijojë në kushtet e sundimit shekullor osman një unitet ndërmjet për-faqësuesve të kategorive të ndryshme si dhe të elementëve të ndryshëm të besimit. Ky vëllazërim përpara detyrës kryesore të kombit nuk njohu klasë, racë, ngjyrë apo ndryshime të tjera. Dhe nëpërmjet kësaj lidhjeje, dashuria dhe vëllazëria duke qenë secili përgjegjës për ekzistencën e tjetrit për rrjedhojë patën ndikim edhe për ekzistencën e kombit, sepse duke dashur njëri- tjetrin kanë dashur edhe kombin”(49), pa dyshim që, formën më të mirë të tolerancës ndërfetar te shqiptarët ia kanë dhënë edhe prijësit tanë fetarë, të cilët si fenomen të rëndësishëm disa prej tyre e kuptuan mjaft mirë: “Falë vetëdijes së tyre të lartë, si edhe interpretimit të drejtë të misionit të fesë nga ana e prijësve fetarë, ndër shqiptarë nuk pati asnjëherë përçarje në baza fetare. Secili prej tyre me liri të plotë e predikonte dhe e praktikonte fenë e vet, e kur atdheut i kanosej rreziku nga armiqtë e jashtëm, ata të gjithë ishin unikë në mbrojtje” (50).
Në këtë kontekst, në planin politik të Haxhi ef. Vehbiut gjejmë një kontribuues të shkëlqyer, që punonte gjithmonë për mbarëvajtjen e këtij fenomeni.
Më së miri personalitetin e Vehbi Dibrës si kontribuues i mirëkuptimit ndërfetar te shqiptarët, e përshkruan edhe ish- Kryetari i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë(51), i cili Vehbi ef. Dibrën e njohu nga afër dhe, me rastin e varrimit të tij, me lot në sy, duke i thyer rregullat e komunitetit që i tako-nte, tha: ”Unë sod po e thyej pengesën e mosmarrjevet pjesë, nga ana jonë, në cermonina të tilla”(52). Ai do të deklaronte: ”Haxhi Vehbiun e kam njoftun si nji nga të parët Kryetarë Shpirtnuer, aj qe i pari që u dha dorën të Krishterëve tue u thanë se e ndjekim po besimin, që na kanë lanë trashëgim të parët, porse kudo, në jetën t’onë, jemi vllazën të pandarshëm”(53).
Në unitetin dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve ai shihte të vetmen rrugë për të siguruar të ardhmen tonë. Duke i lënë mënjanë konfliktet dhe mosmarrëveshjet, do t’u jepnin rrugë të mbarë çështjeve të kombit. Ai, në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912, do të thoshte: “Kristiani e myslimani janë vëllezër shqiptarë të pandarë”. “Armikut të atdheut i pritet hovi e guximi në qoftë se na shef të bashkuar e të lidhur për një qëllim të naltë”. Kurse më tutje, deklaronte; “Naltësimi e përparimi i një vendi varet në sigurimin e qetësisë së brendshme. Atje ku mungon qetësia, nuk mund të përparojë industria, tregtia e burimet e tjera ekonomike që e lumturojnë një popull”(54).
Haxhi Vehbi Dibra jo vetëm që shprehu me fjalë mirëkuptimin ndërfetar, po këtë e jetësoi edhe në praktikë, duke bashkëpunuar ngushtësisht edhe me Atë Marko Mokçen (prift ortodoks) dhe Dom Nikollë Kaçorin (prift katolik). ”Në atë kohë (28 nëntor 1912, N.A) myftiu i Dibrës, Vehbiu, u përqafuame Dom Nikollë Kacorrin”(55), me Baba Selimin e Tepelenës, në mbarëvajtjen sa më të mirë të Kuvendit të 28 nëntorit 1912, që do të kurorëzohej me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, duke u bërë kështu ndër figurat qendrore të këtij Kuvendi.(56)

Personaliteti i Vehbi Dibrës në kujtesën e Visarion Xhuvanit – kryetarit të parë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare

Se Vehbi Dibra ishte një personalitet i përkushtuar, si në aspektin shpirtëror, ashtu dhe kombëtar, këtë konstatim e përforcon edhe vlerësimi që i bëri me rastin e vdekjes, Visarion Xhuvani- Kryetari i parë i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, dhe një pjesë të fjalimit (vlerësimit) të Visarion Xhuvanit e ka botuar edhe revista” Zani i Naltë” nr. 4 , 1937. Fjalimin e (ri)botojmë pa ndërhyrje, sepse një vlerësim i tillë i dhënë nga një personalitet si A. Xhuvani, për një figurë siç ishte V. Dibra, flet më shumë së komentet që mund të japim ne. Menduam ta (ri)botojmë edhe në këtë punim, për disa arsye:
E para- se ky vlerësim mbart mesazhe për sa i përket tolerancës ndërfetare edhe për gjeneratat e sotme se si duhet të trajtohet një vëlla nga gjaku pa dallim feje.
E dyta- është tregues i qartë se në çfarë niveli ka qenë vetëdija fetare dhe kombëtare e prijësve tanë fetarë para 75 vjetësh.
E treta- mendoj se është me interes qëndrimi i vlerësuesit ndaj të vlerësuarit. Fjala e tij ishte kjo:
“Haxhi Vehbiun e kam njoftun si nji nga të parët Kryetarë Shpirtnuer, aj qe i pari që u dha dorën të Krishterëve tue u thanë se e ndjekim, po besimin, që na kanë lanë trashëgim të parët, porse kudo, në jetën t’onë, jemi vllazën të pandarshëm. Unë sod po e thyej pengesën e mosmarrjevet pjesë, nga ana jonë, në cermonina të tilla: na jemi vllazën. Myslimanizmi Shqiptar duhet të jëtë krenar që pati në gjirin e vet burra si i ndjeri: uroj nga zemra që të vazhdoj të ketë të tillë. Aj po ju len juve shokë të Klerit Mysliman, idealin e tij që po forcohet dita ditës: Haxhi Vehbia asht nga ata që që i pjell rralë koha, Aj tashti prehet i sigurt se misioni i tij atdhetaro- fetar qëndron ndër duer të mira si të juejat. Haxhi Vehbi Dibra do të mbesi i pa harruam në Historinë e zhvillimit të Shqipnis së Re edhe në pikëpamje tjatër: asht i pari kryetar’ i fes Muhamedane në Shqipni i cili tue qenë prej origjnit të Shqipnis s’Epërme, respektohesh dhe simpatizohesh që në kohnat kur nuk ishte akoma brumzue mirë si sod bashkimi i plotë Kombëtar, respektohesh dhe simpatizohesh si prej Shqiptarve t’Jugut ma të largtë të Shqipnisë ashtu edhe prej atynve të Veriut ma t’epërmë si të Krishterë dhe Muhamedanë; kohnat, në të cilat jetojë dhe sundojë punët e fes Muhamedane në Shqipni, ishin kohnat a atyne sëmundjeve shoqnore që kalojnë të gjithë Kombet kur janë në përpjekjet e tyne ma primitive dhe gjithë secili prej tyne ka dëshirë e mundohet me e ba për vehte të parin e fesë për me forcue pozitën ose për me realizue qëllimin e vet. Sa punë e vështirë, sa punë e madhe asht që të qëndrojë i pari i fesë i pa anshëm, por, edhe që t’i bajt të gjithë ta nderojnë e ta duan por edhe të gjithë ta ndigjojnë! Lipset të pranojmë se duhet nji diplomasi dhe poltikë e fortë, nji ideal ose dashuri Atdhetarije e madhe, që vetëm feja e ka ose e jep, por mem ujtë prinjësi i fesë t’jetë edhe të qëndroj i patundur por edhe që t’imponohet të gjithëve. Sa i nalt e sa i math ishte edhe në çdo rast prezantimi miku Ynë i dashtun Haxhi Vehbi Dibra. Kur, ecte, kur bisedonte, kur qëndronte në mes të miqve dhe misafirve i bante të gjithë pa dyshim feje ta duan e ta respektojnë; nuk bani kurrë demagogji as rekllamë, por vetëm detyrën e tij Fetaro- Kombëtare si nji Muhamedan i mirë.., si nji shqiptar Shqiptarë i mirë, por edhe si nji fillosof i zoti i punës shoqnore, n’as nji tallas nuk u përul dhe për as nji mik nuk u kursye, dhe n’as nji politik nuk u trazue, si ashte fare lehtë ose natyrale për cdo Kryefetarë dhe sidomos në kohnat e brumëzimit të parë social- fetar- politikë dhe patriotikë në Shqipni; jo se ishte miku i jonë personal, por pse ishte edhe nji njeri i tillë, edhe neve e pamë t’arsyeshme me mos u kërsye por me kuxue dhe me cqetsue pak kët mbledhje të hirshme me fjalë tona, në kët vend shumë të ndershëm ku prehen eshtnat e të dashtunve t’onë vllezër në kombësi, sa do që për të parën herë ndofta jo vetëm në Shqipni por ndofta edhe në të gjithë botën, për të parën herë flet nji Kryeprift Kristijan Orthodoks në varrin e nji Kryehoxhe Muhamedan Mysliamn. Nuk ka trashëgim më të çmueshëm se karakteri i këti burri për bir e bij të tij që i le mbrapa njerz të meritueshëm”(57).

Përfundimi

Nga burimet dhe literatura e shfletuar, mund të përfundojmë se kemi të bëjmë me një personalitet të gjithanshëm, me një njeri të mençur, patriot, dijetar të shquar, njëri i cili, në momente vendimtare për Atdheun, rreshtohej ashtu siç duhej dhe siç i kishte hije një personaliteti shpirtëror si Haxhi Vehbi
Dibra. Puna e tij e palodhshme për mbrojtjen e kulturës e të gjuhës sonë amtare, udhëheqja e dibranëve në kryengritjen antiserbe, kontributi i tij në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, mundësoi që më 28 Nëntor 1912, të ishte në mesin e atyre burrave të shquar të kauzës sonë kombëtare. Ai me idetë, qëndrimin dhe veprën e tij politike e patriotike, zë vend qendror në mesin e Rilindësve Kombëtarë Shqiptarë. Edhe pse në të kaluarën punën dhe veprën e Haxhi Vehbi Dibrës nuk e vlerësuan edhe sikurse shumë figurave të tjera shpirtërore të kombit tonë, – nuk i dha vendin që i takonte, ai prapë se prapë do ta ketë vendin në historinë tonë kombëtare, jo vetëm pse hyri në histori, por sepse e bëri historinë dhe iu imponua me qëndrimin dhe djersen e tij. Rishikimi në historiografinë tonë i figurave shpirtërore si Vehbi Dibra, i këtij personaliteti që firmosi Pavarësinë e Shqipërisë, dhe të shumë personaliteteve të tjera, që ishin protago-nistë kryesor të zhvillimeve kulturore dhe politike me peshë kombëtare, përveç si një detyrim minimal njerëzor, duhet të jetë edhe akti i fundit i harresës dhe injorimit të qëllimshëm ideologjik dhe me premisa politike që për më shumë se një gjysmëshekull është bërë ndaj shtresës më të ndritur të kombit tonë. Me plot të drejtë, ata që njohën nga afër Haxhi Vehbi ef. Dibrën në aspektin shpirtëror, e vlerësuan: “shembull i personifikuem i moralit Muhamedan”, kurse ata që patën fatin ta njihnin edhe në aspektin kombëtar, e vlerësuan me epitetet si:
”Njeri i Madh i Kombit”, “Njeri i historisë Kombëtare”, “I pa harruem në historinë e zhvillimit të Shqipnis së Re”, “Apostull i Atdhetarizmit” etj..

1 Ilira Caushi Sulo, Klerikët e harruar të pavarësisë, në: “ Pavarësia e Shqipërisë dhe sfidat e shtetit shqiptar gjatë shek. XX”, UT- IH, Tiranë, 2007, f. 86.
2 Qazim Xhelili, Vehbi Dibra- personalitet dhe veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare, albin, Tiranë, 1998, f. 21.
3 Fetva- ja (ar. fatwa)- propozimi i zgjidhjes së ndonjë çështjeje juridike, interpretimi i Ligjit të myslimanëve, përkatësisht vendimi formal jurdik i mbështetur në Kur’an, në hadith dhe në fikh; fetvaja paraqet vendimin formal juridik lidhur me ndonjë çështje që ka të bëjë me trashëgiminë, martesën apo me shkurorëzimin e bashkëshortëve myslimanë; fetvanë e jep myftiu i autorizuar ose ndonjë njohës i mirë i Ligjit (ar. ulema); gjyqtari merr parasysh fetvanë e myftiut, por vetë merr vendimin përfundimtar…, Shih: Ekrem Myrtezai, Fjalori i terminologjisë fetare, BIK, Prishtinë, 2007, f. 128.
4 Qazim Xhelili, Vehbi Dibra, hoxhë dhe patriot i shquar i Lëvizjes KombëtareShqiptare, në: “Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët”, KBIK, Prishtinë, 1995, f. 394; Qazim Xhelili- Arian Kadiu, Vehbi Dibra-Figurë komplekse e personalitetit të shquar musliman dhe Lëvizjes Kombëtare, në: “Perla”, nr. 3-4 (31), Tiranë, 2003, f. 44-63.
5 Shih: Fjalori enciklopedik shqiptar 1, ASHSH, Tiranë, 2008, f. 19.
6 Mevlana Haxhi Vehbi Dibra ndrroi jetë, “Zani i Naltë”, nr.4, Tiranë 1937.
f.98.
7 Ç’thot shtypi- Vorrim madhështor i H. Vehbi Dibrës, “Zani i Naltë”, nr. 4,
Tiranë 1937. f. 115.
8 Arkivi i Instituti të Historisë- Tiranë ( më tej: AIHT), Vj- 11- 114.
9 AIHT, Vj. 1- 19- 1345.
10 Ramiz Abdyli, Zhvillimi i Kongresit të Dibrës, në: “ Kongresi i Dibrës 1909- 2004”, Dibër, 2005, f. 35- 46.
11 Ferit Duka, Shekujt osman në hapsirat Shqiptare, UET, Tiranë, 2009, f. 414.
12 Muhmet Pirraku, Lufta poltike midis dy rrymave në Kongresin e Dibrës, në: “ Kongresi i Dibrës 1909- 2004”, Dibër, 2005, f. 85- 90.
13 Gazmend Shpuza, Kongresi i Dibrës në rrafshin historik, në: “ Kongresi i Dibrës 1909- 2004”, Dibër, 2005, f. 85- 90.
14 Apostull i Atdhetarrizmit, “Zani i Naltë”, nr. 4, Tiranë, 1937. f. 116. Me rastin e vdekjes së Vehbi Dibrës.
15 Abdyl Ypi, Kongresi i Dibrës dhe hafiz Ali Korca, 1918.
16 Rexhep Voka Tetova, Kujtime të Kongresit të Dibrës, Manastir, 1909.
17 Kenan Manastirli, Debre Kongresi, Istanbul, 1912.
18 Hafiz Ali Korca, Vepra 2, Logos-A, Shkup- Prishtinë- Tiranë, 2006, f. 47.
19 Ismail Strazimiri, Lufta Kundër pavarësimit të Shqipërisë, Naimi, Tiranë, 2010.
20 Po aty, f. 184- 185.
21 Gazeta, “Liria”, nr. 56, 8 gusht 1909, Selanik; Gazeta, “Shqypja e Shqypnisë, 1 gusht 1909; shih: Gafurr Zoto, Probleme të arsimit kombëtar në Kongresin e Dibrës, në: “Kongresi i Dibrës 1909- 2004”, Dibër, 2005, f. 144.
22 Ferit Duka, Vep e cit., Tiranë, 2009, f. 414.
23 Vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlonës, gazeta, “ Perlindja e Shqipëniës”, nr. 6, e shtunë 18/31 Kallënduar 1914, f. 4.
24 AQSH, F. 145, V. 1912, D. I-4, f. 9, në dokumente shenohet edhe si Sherif. Ef. Dibra.
25 AQSH, F. 145, V. 1912, D. I-4, f. 1
26 Vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlonës, gazeta, “ Perlindja e Shqipëniës”,
nr. 7, e shtunë 22/4 Kallënduar 1914, f. 5.
27 AQSH, F. 145, V. 1912, D. I-4, f. 9
28 Vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlonës, gazeta, “ Perlindja e Shqipëniës”, nr. 8, e shtunë 25/7 Kallënduar 1914, f. 4; Hakif Bajrami, Vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, gazeta, “Kosova Sot”, nr. 4555, Prishtinë, 5 maj 2012.
29 Mahmud Hysa, Haxhi Vehbi Dibra- kryetar i parë i Pleqësisë së Kuvendit të Vlorës, në:, “Kosova Sot”, nr. 4569, Prishtinë, 19 maj 2012.
30 Apostull i Atdhetarrizmit, “Zani i Naltë”, nr. 4, Tiranë,1937. f. 116. Me rastin e vdekjes së Vehbi Dibrës.
31 Hamdi Bushati, Haxhi Vehbi Dibra- klerik dhe patriot i devotshëm, në:” Drita Islame”, Prill, nr. 4(351), KMSH, Tiranë, 2012, f. 50.
32 Po aty.
33 Flet Kryemyftiu i Tiranës, “Zani i Naltë”, nr. 4, Tiranë,1937. f. 103. Me rastin e vdekjes së Vehbi Dibres.
34 Flet Drejtori i Medresesë, “Zani i Naltë”, nr. 4, Tiranë,1937, f. 105. Me rastin e vdekjes së Vehbi Dibres. Drejtori i Medresesë asokohe ishte Haxhi Ismet Dibra.
35 AQSH, F. 71, d.2, v. 1913.
36 Hasan Bello, Shkëputja e Shqipërisë nga Kalifati Osman dhe përpjekjet e bëra për autoqefalin e xhamisë shqiptare, në: “ Gjurmime albanologjike- SSHH, nr. 40, IAP, Prishtinë, 2011, f. 139.
37 Qazim Xhelili, Vehbi Dibra, hoxhë dhe patriot i shquar.., f.200.
38 AQSH, F. 882, d.5, v. 1919, f. 30. Bashkëpunimet e Vehbi Dibrës në lidhje me emerimet në Qeverinë Shqiptare dhe gjyqin e sheriatit.
39 AQSH, F. 882, d.39, v. 1917, f. 1.
40 AQSH, F. 882, d.9, v. 1921, f. 1.
41 AQSH, F. 882, d.7, v. 1922, f. 1.
42 AQSH, F. 882, d.7, v. 1921, f. 2.
43 Shih: Parashkresë e përkohshme për organizimin e Sherisë në Shqipëri, Shkodër, 1917.
44 Roberto Moroco dela Roka, Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920- 1944, (Përktheu nga origjinali Luan Omari), ShB, “ Elena Gjika”, Tiranë, 1994, f. 28.
45 Fjalori enciklopedik shqiptar 2, ASHSH, Tiranë, 2008, f. 1260.
46 Hasan Bello, Shkëputja e Shqipërisë nga Kalifati Osman…, f. 145.
47 Po aty.
48 Qazim Xhelili, Vehbi Dibra, hoxhë dhe patriot i shquar.., f.200.
49 Kujtim Nuro, Toleranca dhe harmonia e fesë islame te shqiptaret- faktor i rëndësishëm për çështjen kombëtare, në:” Univers” nr. 1, ISHMQI, Tiranë, 2001, f. 125-126.
50 Qemajl Morina, Mbi fenë, atdheun dhe kombin, në: “ Takvimi” nr. 39, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, 1998, f. 45.
51 Visarion Xhuvani( 1887-1965), Kryetar i parë i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, shih: Fjalori enciklopedik shqiptar 3, ASHSH, Tiranë, 2009, f. 2961.
52 Flet Im- Zot Vissarioni, “Zani i Naltë”, nr. 4, Tiranë, 1937. f. 109- 1910. Me rastin e vdekjes së Vehbi Dibres.
53 Po aty, f. 109.
54 Ramiz Zekaj, Zhvillimi i Kulturës islame te shqiptaret gjatë shek. XX, ISHMQI, Tiranë, 2002, f. 290.
55 Hajredin Isufi, Feja dhe Flamuri: Dom Nikollë Kacorri, Pegi, Tiranë, 2008, f.349.
56 Shih: Ilira Çaushi Sulo, Klerikët e harruar të Pavarësisë…, pun. i cit., f. 84- 90.
57 Flet Im- Zot Vissarioni, “Zani i Naltë”, nr. 4, Tiranë, 1937. f. 109- 110- 111. Me rastin e vdekjes së Vehbi Dibres.

Nuridin Ahmeti