Influencerët e dëmshëm në rrejtet sociale

Inkubatorët e Rruvejbidas

Të gjitha falënderimet e plota dhe lavdërimet  absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë.  Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë zotërisë së bijve të Ademit, Muhammedit të cilin e dërgoi All-llahu mëshirë për krejt krijesat e Tij, familjes së tij fisnike,  shokëve të tij besnik dhe të gjithë atyre që e pasojnë traditën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër të nderuar,  jeta është disa  frymë të numëruara dhe një kohë e kufizuar. Besmitari e din se ai është krijuar për një qëllim sublim, të lartë e fisnik. Fitimi i kënaqësisë së Krijuesit duke jetuar sipas udhëzimeve të Tij, dhe duke rrugëtuar për tek Xhennetet e Tij janë bosulla e jetës së Tij. Ai nuk i përket llojit të shpërqendruar  për të cilin vet Allahu s.v.t. në Kur’an na ka paralajmëruar duke thënë:” Llogaria e njerëzve është afruar, por ata vazhdojnë të shmangen të shkujdesur. Sa herë që u vjen ndonjë shpallje e re nga Zoti i tyre, ata e dëgjojnë, duke luajtur e me zemra të hutuara.” Elenbija: 1-3.

Librat e historisë islame shënojnë sesi  romakët  njëherë kishin dërguar tek muslimanët një vrojtues që të shoh gjendjen e tyre dhe mundësinë për të luftuar kundër tyre e për të triumfuar ndaj tyre. Ai kishte pa një fëmijë teksa po qante, dhe kur e pyeti, fëmiu  ju përgjigj se nuk kishte arritur ta qëllonte shenjën me shigjetën e tij e si do t’ia bënte nesër në betejë?!

Ky u kthye tek të vetët dhe u tha se nuk është koha dhe se  nuk ka gjasa për të triumfuar ndaj një shoqërie të atillë që fëmijët e saj i edukon në atë nivel. Por pas një kohe, prapë dërgojnë një tjetër i cili takon një djalosh të ri duke qajtur dhe vuajtur në bregun e lumit. Kur e pyet për shkakun, ai i tregon se si e dashura e tij e kishte braktisur! Kësaj radhe  ky ktheht dhe u thotë se tani ekziston mundësia.

Është një formë poshtërimi: të humbësh jetën në shtigjet e mëkatit e shthurjes, të ecësh në shtigjet e së keqes dhe të pasioneve të ulta, ​​të ndjekësh pas njerëz të marrë ,  që përhapin marre dhe marrëzi e gjëra të ulta e pa rëndësi, dhe të humbësh ditë të tëra  duke ndjekur njerëz të cekët, cinikë  e të pa cipë, meshkuj e femra, të vjetër e të ri që janë bërë të famshëm me paturpësi  dhe poshtërsi.

Të rinjtë dhe të rejat tona me varësinë e ndjekjes dhe përcjelljes së rrjeteve sociale të këtyre kotësirave  dhe shikimit të asaj që transmetojnë,  pa ndalë,  këta njerëz të famshëm të marrëzisë dhe budallallëkut… çfarë bëjnë ata gjatë ngrënies dhe pirjes, dëfrimit dhe udhëtimit, të folurit e tyre si dhe të veseve të tyre si përtacia, neglizhimi, paturpësia e nënçmimi i tyre ndaj vlerave si mësimi, leximi, puna etj. si dhe  sjellja e keqe dhe marrëzia e tyre, reflektojnë te djemtë dhe vajzat tona, sëmundje në shpirt e mërzi në jetë, dobësim të  bindjes, dhe humbje të identitetit, çrregullimi  të personalitetit, moral të  dobët,  ngecje në arritje dhe humbje të  përgjegjësisë.

I Dërguari i Zotit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të,  na ka paralajmëruar: “Njerëzve do t’u vijnë vite mashtruese, në të cilat gënjeshtarit do t’i besohet, e i sinqerti do të përgënjeshtrohet, tradhtarit do t’i zinet  besë  ndërsa besnikut do t’i atribuohet tradhëtia dhe në të cilat  do të flasin Rruvejbidah.” Kush janë  El-Ruvejbidah?  E pyetën shokët e tij.  Ai tha: “Njeriu mendjelehtë flet për çështjet e interesit   publik”. ( Sahih Ibn Maxheh: nr. 3277)

Kur e dëgjon këtë hadith heton  shqetësimin profetik që mendjelehtët  të mbizotërojnë skenën në shoqëritë muslimane, ata që Profeti, ﷺ i përshkroi si Ruvejbidah duke e konsideruar  angazhimin  e tyre publik në çështjet e interesit të  përgjithshëm si  shenjë të  Kijametit dhe  përfundimit të dunjasë, sepse nëse dominojnë mendjelehtët, ata do të jenë modelë në shoqëri. Për aq sa iu ngritet pesha  mendjelehtëve dhe të marrët vlerësohen,  po aq  njerëzit e arsyeshëm, të drejtë dhe të suksesshëm nënçmohen dhe nëvlerësohen.   Për më tepër në një transmetim tjetër ky hadith fillon kështu: “ Në prag të shfaqjes së dexhallit do të ketë vite mashtruese….”   ( Musnedul Imam Ahmed, nr.13298. Dhe kur sheh sot se si njerëzit me mendje në krye ngarendin virtualisht e fizikisht  pas influencërve mendjelehtë, të pamorlashëm, e dekonstruktiv dhe i shohin ata me sy të admirmit e pëlqimit, lehtë arrin  ta kuptosh se dexhalli, me tërë ato kompetenca që i ka, nuk do ta ketë punën e vështirë që t’i bëjë njerëzit ta besojnë dhe ta ndjekin e pasojnë verbërisht atë!

Prandaj kushdo që shikon gjendjen e shoqërisë bashkëkohore sot, në lindje a perendim,  e di pa dyshim se ne po jetojmë në një fazë të paprecedentë të historisë njerëzore, pasiqë njerëzit mendjelehtë shpërfaqin  çoroditjet  e tyre në sjellje, demonstrojnë dhe mburren pa fije turpi me deficitin dhe hendikepin e tyre intelektual, madje për më keq  nëpërmjet këtyre arrijnë të bëhen të famshëm dhe të pasur. Më shumë perspektivë gëzon sot një youtuber adoleshent apo një tiktoker menjdelehtë që  vetëm vlera nuk përfaqësojnë, sesa ndonjë intelektual, professor, apo shkenctar që tërë jetën ka kontribuar për të mirën e përgjithshme. Të këtillët me hapësirën e ofruar dhe paskropullsinë e demonstruar infektojnë shoqërinë në përgjithësi  dhe të rinjët e të rejat tona në veçanti, duke korruptuar e deformuar  shijet e duke ndotur sjelljen dhe  moralin të tyre. Kësisoj sjellja e mirë dhe edukata  në mesin e tyre po  margjinalizohet, modestia, arsyeja, vlerat dhe morali po injorohen, sjelljet e këqia, shprehjet e ulëta dhe veprimet denigruese vetëm sa po shtohen. Ndikimi i tyre negativ ka përfshirë të gjithë, të rinjë e të vjetër, meshkuj e femra, pleqë e fëmijë, porse infektimi tek adoleshentët dhe të rinjët është edhe më i dukshëm saqë vërehet edhe transformim në qasje e përceptim ndaj jetës dhe mënyrës se si duhet jetuar.

Janë po këta influencerë të cilët në mënyrë të heshtur kanë arritur  të formojnë bindjen se mësimi, puna, zanati, angazhimi, e studimi nuk janë prioritet, përkundrazi janë rrugë e gjatë, e mundimshme dhe jo e sigurtë për të arritur tek kënaqësia vezulluese të cilën ata e shpërfaqin para të rinjëve orë e çast. Kësisoj ata në ndërdijen e tyre injektojnë infektimin se rruga e shkurtë e kësaj kënaqësie  është ajo që ata kanë trasuar; e kotësisë dhe mendjelehtësisë, e paskropullsisë dhe paturpësisë. Nëpërmjet këtyre shpejt arrihet deri te fama dhe parja. Sipas rregullës djallëzore: “ Qëllimi justifikon mjetin” duke flakur natyrshmërinë njerëzore, e vlerat fetare e shoqërore e në vend të tyre duhet veshur petkun e  mendjelehtësisë dhe paturpësisë, duke i bërë hyxhym tregut të budallakisë, aty ku mendjelehtëtë garojnë me antivlera se cili po ja kalon tjetrit në paskropullsi. Tiktoku, Instagrami, Facebooku e Snapi, këta inkubatorë të antivlerave, kotësisë dhe të mendjelehtëve për çdo ditë vetëm sa nxjerin në shesh e prodhojnë kuadër të ri për antivlera e paturpësi. Këto rrjete socilale me mundësitë e afrouara  janë Inkubatorët e vërtetë të   Ruvejbidasë!

Vëllezër besimtarë,  Mediat e reja me  aplikacionet e rrjeteve sociale janë ato që nga mendjelehtët, të kotët e dekonstruktivët bëjnë yje, dhe nga të paskropulltit si këngëtarë e kërcimtarë, e klloun të ndryshëm  krijojnë simbole e idole edhe modele që   të rinjtë dhe të rejat tona që t’i imitojnë.  Dhe është këtu rreziku i madh, sepse këta fëmijë e adoleshentë, të cilët rriten me ta nuk bëjnë dallim mes asaj që është e dobishme e virtyt dhe asaj që është e kotë dhe e pavlerë. Ndaj ata gradualisht ndërtojnë kulturën, vlerat dhe stilin e jetës së  tyre sipas stilit të jetës së këtyre influencerëve dekonstruktiv.

Vërtet, një nga fatkeqësitë dhe belatë  më të mëdha është që këta mendjelehtë të  vazhdojnë të shpojnë anijen e shoqërisë, përderisa të gjithë ne  jemi  duke lundruar së bashku  në thellësi të detit dhe duke na rrezikuar kështu me fundosje totale,  ndërsa njerëzit e mençur, racional vazhdojnë të jenë pasiv në ballafaqimin me ta. Ndoshta nga ndjenja se Inkubatori aq shumë po prodhon saqë ballafqimi tashmë është i kotë. Edhe pse kjo ndjesi kaplon çdo njeri racional në këtë zaman siç thot edhe  shkrimtari Italian Umberto Eco se interneti u ka dhënë hapësirë budallenjëve të marrë po aq sa fituesve të Çmimit Nobel. Megjithëkëtë  obligimi kolektiv për të luftuar çdo të keqe e cila  shpërfaqet në shoqëri nuk bie, dhe pavarsisht sesa ajo ka fituar terren, njerëzit e arsyes, të logjikës, fesë, e vlerave duhet të ngrisin zërin dhe të marrin mundin dhe guximin e ballafaqimit.

“Përse nuk pati nga brezat para jush një pjesë që do të pengonin prishjen në Tokë, përveç një pakice nga ata, të cilët i shpëtuam?! Ata që bënë padrejtësi shkuan pas kënaqësive (të kësaj jete) dhe ishin keqbërës.” Hud: 116.

Por, e vërteta duhet thënë,  në këtë krim ndaj vetvetes shumica jonë jemi bashkëpjesmarrës, pasiqë edhe ne me sjelljen tonë ndaj tyre po kontribuojmë që të këtillët të faktorizohen. Përcjellja  e tyre nëpër rrjete sociale  është mëkat në vetvete. Për më tepër është edhe ndihmë në përhapjen e të keqes dhe përforcim i tyre. Prandaj së pari duhet të ndëprejmë përcjelljen e tyre në mënyrë që mos të kontribuojmë në përhapjen e antivlerave që ata shpërndajnë.

Shikimi është përforcim, komentimi është përforcim edhe nëse është koment negativ, madje edhe në rast kur  është demantim, ai për ta është përfitim ngase i faktorizon dhe ju bënë trafik e    qarkullim. Në këtë rast vlen thënja e  Omerit r.a. i cili  thotë: “Mbyteni të kotën me injorim.”

Posa të ndalesh qoftë edhe për sekonda pranë videove të tilla ti veç  i ke dhënë vëmendjen dhe alegoritmi e ka regjistruar si shikim për të cilin ata paguhen!  Lere më ata që e shpërndajnë duke bërë share, sa shumë i ndihmojnë kësaj të kote dhe bartësve të saj.

Përkundrazi vëllezër,  Është detyrë e shoqërisë: të pengojë me aq sa mundet që këta mendjelhetë të mos bëhen model e këta të marrë të mos  jenë faktorë, dhe këta të pacipë të mos bëhen idol për të fëmijët dhe të rinjët tanë.

Prind i nderuar, dije se ti ke përgjegjësi ndaj fëmijëve tu  për ti rritur e edukuar në frymën e besimit, moralit, dëlirësisë dhe vlerave humane si dhe  për t’i mbrojtur nga këto kotësi e paskropullësi.   Ti duhet të monitorosh përdorimin e internetit  dhe telefonave inteligjentë nga fëmijët dhe të caktosh një kohë specifike për ta. Nuk është e përshtatshme t’i kushtohet gjithë koha e lire këtyre mjeteve duke qëndruar mbi to me orë të tëra. Sa pari  jepni shembullin e mirë , së pari ju, duke mbushur kohën e lirë me gjëra të dobishme dhe duke kaluar sa më shumë kohë produktive e atraktive me ta. Celularët nuk duhet t’u jepen fëmijëve, përveçse pasi të kenë mbushur moshën e pjekurisë, dhe pasi t’i kemi udhëzuar dhe edukuar mirë, e  megjithatë duhet të ndiqen dhe të monitorohen, pasi ata nuk i kuptojnë fatkeqësitë dhe rreziqet që ato mjete përmbajnë.

Kjo është një betejë me të keqen e cila synon të na i marrë fëmijët tonë prej gjirit, prandaj  nuk ka vend për përtesë, lodhje, dëshprim apo dorëzim. Le të këndellemi para se të bëhet vonë.  T’i imunizojmë ata me sa më shumë besim të pastërt, dashuri për Allahun s.v.t. dhe të Dërguarin e Tij s.a.v.s., t’i lidhim sa më shumë për xhami, e Mektebe të xhamive aty ku mësohet edukata e mirëfilltë islame. Vërtetë se sprovat ndaj gjeneratave të reja në këtë kohë nuk kanë të ndalur, prandaj le t’iu ndihmojmë që të qëndrojnë stabil para tundimit të këtyre trendeve të rrezikshme për ta. Le të investojmë sa më shumë prej çdo gjëje të çmuar për më të çmuarit tonë! Në fund të fundit e kemi obligim.

Prandaj, para se të bëhet vonë e të ndodh ndonjë dëm me pasoja afatgjata, mos e dhashtë Zoti, prindërit duhet të marrin sa më shumë  rolin e tyre të kujdesit mbrojtës të cilin e kanë edhe përgjegjësi. Me vullnet të lirë dhe me dëshirë çdo njëri bëhet prind, dhe posa të bëhet prind ai ka në emanet  kujdesin ndaj fëmijëve të vet. Sikurse që kujdeset mos po rrëzohen, apo lëndohen në botën reale është përgjegjësi e tij të kujdeset për ta edhe nga rreziqet virtuale, të cilat shpesh janë edhe më të rrezikshme. I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “ Çdo njëri prej jush është bari dhe do të merret në përgjegjësi për tufën e tij. Prijësi i popullit është bari dhe përgjegjës për tufën e tij (popullin e tij) dhe burri është bari i familjes së tij dhe përgjegjës për familjen e tij. Gruaja është bareshë e shtëpisë së burit dhe e fëmijëve të tyre, dhe përgjgjëse për ta, robi është bari i pasurisë së zotëriut të tij dhe përgjegjës i saj.  Pra gjithë  secili prej jush jeni barinj, dhe gjithë secili është përgjegjës për tufën e tij”. ( Shënon Buhariu dhe Muslimi).

Po e përmbyllim këtë Hytbe me urdhërin e Allahut s.v.t. i cili na drejtohet neve besimtarëve duke na thënë:  “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” (Tahrim: 6)