Të gjithë ne po i vështrojmë ankthshëm dhe me dhembshuri krimet kundër civilëve në Gaza. Rrënimi i shtëpive, i shkollave e i spitaleve, sipas të gjitha konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përbën gjenocid dhe krim kundër njerëzimit. A thua kjo që po ndodh aty mund të ketë edhe ndonjë lexim tjetër, ndryshe nga dhimbja dhe pikëllimi.

Atyre po u rrënohen shkollat, po ndoshta nuk u duhen më, meqë tashmë vetë ata janë shkolla. Ata u shndërruan në mësues, kurse bota përreth tyre kanë zënë pozitën e nxënësit.

Ata po na e mësojnë krenarinë, durimin, sakrificën, dashurinë dhe solidaritetin.

Atyre po u rrënohen spitalet, po ndoshta nuk u duhen më, meqë ata u shndërruan në mjekë, kurse ne të tjerët pacientë të tyre.

Sëmundjet e egoizmit, të pangopësisë, të zilisë e të panikut nga të cilat po vuajmë ne të tjerët, tashmë ata po na i kurojnë me shembujt e tyre.

Ata po na e japin ilaçin për lumturinë, po u japin kuptim mirësive që kemi, dhe po na shërojnë nga sëmundja e çrregullimit dhe e humbjes së orientimit në jetë.

Banorët e Gazës po na e demonstrojnë shembullin e lidhjeve familjare dhe të organizimit shoqëror.

Nga kjo pikëpamje, ne jemi ata që duhet t’i qajmë vetët tona dhe të lutemi për udhëzim e furnizim me kuptimet e duhura.

O Allah! Na mëso atë që na bënë dobi e na bëj dobi me atë që na ke mësuar!

O Zot! Dhuro lirinë dhe paqen për popullin e Gazës që ta gëzojnë ngase e meritojnë!