Prej cilësive të dijetarëve të ahiretit mund të veçojmë:

1. Ata nuk përzihen me kryetarët apo me njerëzit që janë në pozitë.

HUDHEJFE (r.a.) ka thënë: “Kini kujdes nga vendet e fitnes, përçarjes dhe provokimeve të ndryshme. Të tjerët i thanë: ‘Çka është fitnja – cilat janë vendet e provokimit?’ Ai tha: ‘Fitne janë dyert e njerëzve të cilët janë në pozita të larta (kryetarët). Dikush prej jush futet te princi (funksionari) dhe ia vërteton gënjeshtrën e tij dhe thotë ato që ai nuk i meriton.’”

SAID IBNUL MUSJIB (r.a) ka thënë: “Po të shihni një dijetar (hoxhë) që po sillet shumë nga dyert e princave, kini kujdes nga ai se është hajn.” Dijetarët e hershëm kanë thënë: “Nëse ti merr nga dynjaja (pasuria) e tyre diçka, ata kanë për të marrë prej fesë tënde më shumë.

2. Ata nuk nguten në dhënien e fetvave dhe, nëse japin fetva, e japin saktësisht.

Ka qenë traditë e dijetarëve të hershëm, që kur u ka ardhur dikush për të kërkuar përgjigje (fetva), ata i kanë dhënë përparësi tjetrit, kështu që pyetësi është detyruar të kthehet tek i pari ku ka kërkuar përgjigje. Prej sinqeritetit dhe frikës që kishin nga All-llahu xh.sh., të tjerët nuk u përgjigjeshin pyetjeve edhe pse i dinin përgjigjet.

ABDURRAHMAN IBN EBI LEJLA (r.a.) ka thënë: “Kam pas rastin që në këtë xhami (Xhamia e Muhammedit a.s.) të mbërrijnë 120 as’habë të Muhammedit a.s. Kur vinte dikush për t’i pyetur për diçka, secili prej tyre kishte dëshirë që pyetjes t’i përgjigjej ai tjetri.

Më pas çështja ka mbërritur deri aty, saqë disa persona, që e konsiderojnë veten të dijshëm, nxitojnë t’iu përgjigjen pyetjeve, të cilat nëse do t’i ishin parashtruar hazreti Ymerit, ai nuk kishte për t’iu dhënë përgjigje, pa i mbledhur sahabët e luftës së Bedrit (të cilët e kanë përjetuar luftën) dhe pa u konsultuar me ta.

3. Ata i kushtojnë rëndësi sinqeritetit të veprave, kujdesen për pastrimin e zemrave të tyre nga mendimet e këqija, nga dyshimet etj. Si bazë e fesë është ruajtja nga dëmi. E personi nuk mund të ruhet saktësisht pa e ditur se çka është dëmi. Njëri prej dijetarëve ka thënë: “E kam mësuar dëmin jo për ta punuar atë, por që të ruhem nga ai.” Ai i cili nuk e di dëmin, ai edhe bie në të dhe vepron sipas tij.

4. Janë munduar të kuptojnë disa fshehtësi të ligjeve kur’anore me qëllim që t’ju shtohet besimi, mirëpo nëse nuk i kanë kuptuar, atëherë janë dorëzuar tek All-ll ahu xh. sh.

5. Kanë pasur për shembull (për mostër) sahabët e Pejgamberit a.s. dhe të zgjedhurit e tabiinëve dhe janë ruajtur nga çdo shpikës i ri në fe.
Allahu e di më mirë!

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA