Në prani të Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, të Kryetarit të Komunës Saraj z. Blerim Bexheti, të Kryetarit të Kuvendit të BFI-së Fadil ef. Ramadani, të Sekretarit të Përgjithshëm Irsal Jakupi, të Myftiut të Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili, të Myftiut të Tetovës prof. dr. Qani Nesimi, të Myftiut të Shtipit mr. Nasir ef. Rexhepi, të Myftiut të Strugës Salim ef. Sulejmani, të Myftiut të Ohrit Samet ef. Hajdari, të Dekanit të FSHI prof. dr. Shaban Sulejmani, të Drejtorit të Përgjithshëm të Medresesë Isa Beu Ibrahim Idrizi, të Kryetarit të OH ‘Hilal’ Mustafa Dauti, të Kryetarit të Ulemave Rexhep ef. Ziberi, më 7 tetor, 2019, në fshatin Çajlanë të Shkupit (Komuna e Sarajit) është vënë guri themeltar i xhamisë së re.
Ndërtimi ka filluar me një ashere nga Xhemil ef. Sadiku. Në emër të Këshillit iniciues ka folur Shefajet Dauti, i cili ka paraqitur edhe një panoramë të shkurtër të fshatit dhe të zhvillimit të fesë islame në të. Me fjalë përshëndetëse është paraqitur edhe Myftiu i Myftinisë së Shkupit, dr. Qenan Ismaili, i cili ka falënderuar të gjithë të pranishmit, pastaj dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e planit për ndërtimin e një xhamie të re në këtë vendbanim në mes të Shkupit dhe të Tetovës, Grykës së Dervenit.
Para të pranishmëve ka folur edhe Kryetari i Komunës së Sarajit, z. Blerim Bexheti, i cili ka falënderuar BFI-në për kontributin që po jep në ndërtimin e xhamive krejtësisht të reja, nga fillimi, ose në meremetimin e atyre ekzistueseve.
Vëmendjen e të pranishmëve e ka tërhequr fjalimi mjaft inspirativ i Kryetarit të BFI-së, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, i cili ka falënderuar Çajlanën dhe popullin e saj për gjithë çka ka bërë gjer më tani, Xhamisë së Re i uroi një themel të bekuar, solidaritet dhe ndërtim sa më të shpejtë.
Kemi dy objekte shumë vitale në këtë fshat: shkollën dhe xhaminë – tha ai. Si njëra, ashtu edhe tjetra janë institucione pa të cilat nuk mund të ecet përpara; pa ato, thjesht, nuk do të kishim kondicion për të bërë përparimin, ka thënë ai. Sulejman ef. Rexhepi po ashtu ka rikujtuar pejgamberin Muhamed (a. s.), largimin e tij të detyrueshëm nga Meka dhe kthimin e sërishëm në vendlindje – duke aluduar edhe në kthimin e të gjithë atyre që janë larguar nga Çajlana dhe kthimin e sërishëm të tyre aty, si një mundësi për një zhvillim të gjithmbarshëm të jetës shoqërore e fetare “aty ku balta është më e ëmbël se mjalta”…
Programi ka përfunduar me një ashere nga Omer ef. Arsllani dhe me duanë e bërë nga Myftiu i Myftinisë së Tetovës, prof. dr. Qani Nesimi. (N. Z.)