Zekati, ky akt ekonomik i adhurimit i paguar shpesh në muajin e Ramazanit, që ne e konsiderojmë si shtyllën e tretë të Islamit, po bëhet gjithnjë e më shumë një guaskë e zbrazët.

Disa shembuj:

Një Imam ftohet të japë një seminar mbi Zekatin në një Qendër Islame që i shërben një lagjeje të pasur. Organizatorët e pyesin nëse beson se fondet e Zekatit mund të përdoren për projektin e tyre të ndërtimit të Xhamisë, ai përgjigjet negativisht. Atij i hiqet ftesa për seminar.

Zekati është përdorur për të marrë me qira një hapësirë konferencash hoteli të shtrenjtë në mënyrë që një panel folësish të mund të diskutojnë çështjet aktuale politike.

Një organizatë jofitimprurëse e madhe myslimane shpenzon fondet e Zekatit për t’i paguar një figure të famshme publike mijëra për një honorar dhe një fluturim të klasit të parë për të folur në hapjen e saj.

 

All-llahu caktoi obligim që lëmosha (zeqati etj.) t’ju takojnë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat (të dobtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve) në rrugën e All-llahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. All-llahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së vet. (9:60)

 

Ky ajet i Kuranit i përmendur shpesh, ka tetë kategori të kualifikuara që mund të marrin nga Zeqati. Dy të parët kanë të bëjnë me varfërinë, i treti është ai që mbledh dhe shpërndan Zekatin dhe të tjerët që përfshihen janë ata në robëri ose borxhe dhe “ata zemrat e të cilëve janë të prirura” për të mbrojtur çështjen e Allahut dhe udhëtarit të mbetur në rrugë.

Varfëria ngjyros çdo kategori tjetër. Natyrisht, marrësit e zekatit nuk duhet të jenë gjithmonë të varfër. Për shembull, refugjatët mund të jenë pronarë të tokës, por mund të përfitojnë njësoj nga Zekati.

Në Shtetet e Bashkuara sot, organizatat jofitimprurëse ofrojnë shërbime jetike që shpesh kryhen nga qeveritë në vende të tjera dhe janë një pjesë e rëndësishme e ekonomisë. Përfitimet tatimore u ofrohen organizatave jofitimprurëse dhe atyre që dhurojnë – një vlerësim i rëndësisë së tyre për shoqërinë.

Sektori jofitimprurës mysliman përfshin vendet e adhurimit, institucionet arsimore dhe organizatat e shërbimeve. Ky sektor punëson një pjesë të madhe të udhëheqjes, aktivistëve, mësuesve dhe profesionistëve të tjerë të komunitetit mysliman të SHBA-së dhe ofron një sistem konferencash, simpoziumesh, gala mbrëmjeve, ndërtesave dhe një rrjet të oratorëve që edukojnë dhe frymëzojnë shumë njerëz. Kjo është e gjitha e mirë. Shumë nga këto organizata kanë kujdes të veçantë me kontributet e Zekatit dhe bëjnë punë të mirë me to. Megjithatë, shumë organizata jofitimprurëse gjejnë arsye për të mos pasur kujdes të veçantë me zekatin. Komuniteti mysliman duhet të ruhet nga kjo.

 

Pse duhet të kujdeseni

Varfëria është një shqetësim i vazhdueshëm edhe pse shpesh është e padukshme për të pasurit. Siç theksoi Khaled Beydoun kohët e fundit, një studim i PEW zbuloi se 45% e familjeve myslimane amerikane fitojnë më pak se 30,000 dollarë në vit. Ndonëse studimi nuk e ka matur varfërinë në vetvete, ky nivel është mjaftueshëm afër varfërisë për shumë familje. Udhëzimet federale të varfërisë nuk janë një masë matëse për Zekatin; përkundrazi është nisabi, posedimi i 87.48 gram ari (afërsisht 3500 dollarë), i cili nuk do të përputhej në mënyrë të përsosur me udhëzimet federale. Rreth 34% e amerikanëve nuk kanë fare kursime që mund t’i përdorin nëse do ju nevojiteshin. Udhëheqësit e komunitetit mysliman në të gjithë Shtetet e Bashkuara do të dëshmonin për betejat e shumta të individëve dhe familjeve që kanë nevojë për ndihmë, të shkaktuara nga sëmundja, burgosja, zhvendosja ose një gamë e gjerë rrethanash të tjera kronike dhe tranzitore. Receta e Islamit për trajtimin e këtyre vështirësive është Zekati. Ne e ndihmojmë njëri-tjetrin si një akt adhurimi. Ashtu siç namazi tregon se sa seriozë jemi në lidhje me marrëdhënien tonë me Allahun, Zekati tregon se sa seriozë jemi ne si komunitet.

Ngritja vonë për namazin e sabahut konsiderohet gjë e keqe edhe prej të keqe nuk vjen asnjë dëm shoqëror. Zekati i keqpërdorur shkakton dëme sociale. Me Zekatin shpesh ka dallime të vërteta midis dijetarëve që duhet të përpunohen dhe të vendosen standarde për përdorimin e këtyre fondeve. Në situata të tjera, keqpërdorimi i tij është një mashtrim i qartë që asnjë dijetar nuk mund ta arsyetojë.

Dhënia për bamirësi nuk i ndihmon gjithmonë ata që kanë nevojë në të vërtetë. Pjesa më e madhe e asaj që kalon si “bamirësi” në Shtetet e Bashkuara është thjesht dhënia e donacioneve për të mirën e të pasurve. Të varfërit po bëhen gjithnjë e më të shumtë në Shtetet e Bashkuara, edhe pse sektori jofitimprurës vazhdon të rritet në madhësi dhe kapacitete.

 

Do të ketë Fetva

Disa organizata jofitimprurëse mbështeten në opinionet e përgjithshme të rëndomta të dijetarëve individualë islamë për të vërtetuar pikëpamjen e tyre se organizata e tyre duhet të pranoj Zekatin. Përderisa ka dallime të mendimeve midis dijetarëve, këto dallime mund të ekzagjerohen. Edhe nëse një donatori i thuhet se një dijetar pajtohet me një organizatë jofitimprurëse se një përdorim i veçantë jo i qartë i Zekatit është i pranueshëm, kjo do duhej të fillojë hetimin dhe kërkimin për më shumë informacion dhe jo ta përfundojë atë.

Shpesh konteksti i Fetvasë do të ngatërrohet. Një shembull i zakonshëm është përdorimi i një opinioni që justifikon ndërtimin e një xhamie në një zonë të varfër ose të shkatërruar nga lufta për të justifikuar një projekt zgjerimi të një xhamie ekzistuese në një lagje të pasur periferike. Këto nuk janë e njëjta gjë.

Një polemikë domethënëse në lidhje me dhënien e Zekatit vjen nga shprehja “në rrugën e Allahut” si një lloj arsye për të cilin dhënia e Zekatit është e pranueshme. Debati lind nëse kjo frazë në Kuran do të thotë diçka specifike (përpjekja fizike – Xhihadi ishte domethënia e kuptuar tradicionalisht), nëse do të thotë disi më shumë (por ende specifike) në kontekstin modern, apo nëse do të thotë se nuk ka limite praktike. Qasja “gjithçka përveç lavamanit të kuzhinës”[1] ndaj Zekatit është bërë më e popullarizuar në mesin e disa organizatave jofitimprurëse pasi çdo gjë që ata bëjnë mund të shihet si një e mirë publike.

 

Dhuruesit e zekatit duhet të jenë skeptikë ndaj pretendimeve të llojit të “lavamanit të kuzhinës”, edhe kur dhurojnë fonde tjera përveç Zekatit për organizatat që bëjnë punë të mira. Ajeti përkatës në Kuran (9:60) është kufizues për sa i përket kategorive që lejohen të marrin Zekatin. Nëse çdo përpjekje fisnike mund të klasifikohet si përpjekje “në rrugën e Allahut”, atëherë të gjitha kategoritë e tjera do të ishin të panevojshme.

Disa organizata jofitimprurëse myslimane nuk e bëjnë publike arsyetimin e tyre për pranimin e fondeve të Zekatit për buxhetin e tyre të përgjithshëm. Ata thjesht e kërkojnë donacionin. Mbrojtësit e Muslimanëve për shembull, një organizatë që ka bërë punë të shkëlqyera, e bën pretendimin “Jemi të kualifikuar për pranim të Zekatit” pa e mbështetur atë. Kur ne thirrëm në këtë organizatë për të kërkuar sqarime zbuluam se ata nuk e dinë pse e bëjnë pretendimin e tillë, ose nuk mund ta thonë në publik. Ata janë larg të qenit rasti i vetëm. Kjo mund të rregullohet lehtësisht siç përshkruhet më poshtë.

 

Shpikja e arsyeve të reja për marrjen e zekatit

Këshilli Mysliman i Çështjeve Publike (MPAC) ka qenë ndoshta më agresiv në mesin e organizatave jofitimprurëse myslimane në shpikjen e arsyetimeve të reja për pranimin e fondeve të Zekatit. Organizata citon disa kategori në faqen e saj të internetit, duke përfshirë në mënyrë eksplicite edhe çmimet për festat që ata organizojnë, duke u thirrur në kategorinë që ceket ne ajet “ata zemrat e të cilëve anojnë (në drejtim të Islamit)“. Një arsye tjetër që ata japin është të ndihmojnë njerëzit të çlirohen nga robëria, padyshim një arsye e lejuar për dhënien e Zekatit. Por çfarë ka bërë MPAC këtu? MPAC citon punën e tyre në “Pranverën Arabe” dhe “zgjidhjet e qëndrueshme për Afganistanin dhe Pakistanin”.

Ne konfirmuam me një thirrje në MPAC se nuk kanë zgjidhje për problemin e vërtetë të njerëzve në robëri në Pakistan dhe Afganistan, apo ndonjë gjë tjetër në ato vende. Puna e MPAC për Pranverën Arabe konsistonte në opinionin mbi ngjarjet aktuale, organizimin e paneleve në SHBA dhe pjesëmarrjen në to. Ata gjithashtu nënshkruan një peticion drejtuar Presidentit të atëhershëm të Egjiptit, duke i kërkuar atij që të kundërshtojë formulimin e propozuar të “Sheriatit” në kushtetutën e atij vendi, pasi kjo do të shkelte të drejtat e njeriut. Kundërshtimi politik ndaj Sheriatit ndërkombëtarisht si një aktivitet “i kualifikuar për Zekatin” do të duket të jetë fundi logjik i kësaj gjendjeje të egër perëndimore për çështjen e Zekatit në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ata shkuan më tej, duke dhënë opinionin e tyre se si ata “gëzohen dhe festojnë” grusht shtetin ushtarak të gjeneralit Sisi kundër qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike ndaj të cilëve kishin bërë peticion më parë.

Diktatura që ata festuan vazhdoi të kryente një nga vrasjet më massive në histori të civilëve në një dite paqeje, burgosi dhe i “zhduki” dhjetëra mijëra dhe u përfshi në tortura sistematike. Në vend që të punonte kundër robërisë, siç pretendohej, Zekati Amerikan u përdor për të nxitur një grusht shteti represiv ushtarak në një vend tjetër. Ajo që është për tu lavdëruar, ndryshe nga organizatat e tjera, MPAC është transparent në lidhje me përdorimin e Zekatit. Kjo gjendje e punëve të Zekatit Amerikan nuk është kryesisht faji i ndonjë organizate jofitimprurëse.

Privilegjimi i fondeve të Zekatit për shpenzimet në ndërtesat e zbukuruara në lagjet e pasura, hapësirat e shtrenjta të konferencave të hoteleve, panelet e diskutimeve mbi politikën, biletat e avionëve, njoftimet për shtyp me vlera të dyshimta, rrjetëzimet ndërfetare, çmimet dhe honoraret për të pasurit mbi të drejtat e atyre familjeve dhe individët në nevojë të vërtetë, është një mashtrim që donatorët myslimanë ose e kanë toleruar ose e kanë mundësuar për një kohë të gjatë.

 

Disa Sugjerime

  1. Donatorët duhet të jenë më të kujdesshëm se kujt ia japin zekatin. Asnjëherë mos pranoni një pretendim të pasigurtë nga një organizatë jofitimprurëse se donacionet janë “të kualifikuara për Zekatin” nëse pretendimi nuk është i qartë për ju. Një dijetar i pavarur dhe i kualifikuar që ju respektoni duhet të ofrojë një arsye specifike dhe racionale për të mbështetur pretendime të tilla.
  2. Organizatat jofitimprurëse myslimane duhet të mbledhin zekatin. Megjithatë, formularët për donacionet duhet të lejojnë donatorët të përcaktojnë fondet e Zekatit veçmas nga donacionet e tjera. Më pas, fondet e Zekatit duhet të llogariten dhe të shfrytëzohen me politika transparente të ndryshme nga donacionet e përgjithshme të fondeve. Organizatat jofitimprurëse që pranojnë grante tashmë janë mësuar me këtë. Grantet, si Zekati, zakonisht janë për qëllime specifike, të numëruara dhe jo për një fond të përgjithshëm, kështu që në këtë nuk duhet të ketë justifikime. Është në rregull t’u paguash honorare të mëdha folësve në sallat e shtrenjta të hoteleve ose të ndërtosh ndërtesa të bukura në komunitetet e pasura. Vetëm mos e bëj me zekatin.
  3. Dijetarët, udhëheqësit dhe aktivistët islamë në sektorin jofitimprurës duhet të bëjnë më shumë për të mbrojtur institucionin e Zekatit dhe të drejtat e atyre që kanë nevojë. Kjo fillon me zbatimin e praktikave më të mira dhe adresimin e abuzimeve që ndodhin në sektorin jofitimprurës mysliman.

 

 

Ahmed Shaikh, Avokat dhe aktivistë në SHBA
Muslimmaters.com

Solli në gjuhën shqipe: Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org


[1] |”Gjithçka përveç lavamanit të kuzhinës” është metaforë klishe e cila nënkupton që nuk përjashtohet asgjë.